Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kujtim Mateli: Belul Arapi, poeti lirik i Trebeshinës

| E merkure, 04.07.2012, 08:05 PM |


Belul Arapi, poeti lirik i Trebeshinës

Nga Kujtim Mateli

Në vitin 2000, në moshën 72 vjeçare, Belul Arapi u dhuroi miqve, dashamirësve dhe lexuesit, një libër poetik, i cili ka vite që qëndron në raftet e librave dhe që lexuesi ndien kënaqësi sa herë kuvendon me vargjet e tij. Janë vargje që janë krijuar gjatë në kohë. Mbi 50 vjet Beluli krijoi e thuri vargje. Përmeti e Tepelana, ku Beluli gdhendi emrin e vet, si simbol i mirësisë dhe dashurisë për njerëzit e vet, i dhanë material të bollshëm që i ktheu në motive poetike. Ishte ky shpirt poetik, që nuk e la Belulin të përfshihej në vorbullën e atyre njerëzve që karierën e vet ta ngrinte mbi fatkeqsinë e të tjerëve. Falë aftësive të tij organizative, fjalës së ëmbël e qartësisë në mendime, pati mundësinë që të ishte në disa poste drejtuese gjatë gjithë jetës së vet.
****
Vjersha e parë e Poetit Belul Arapi, “ Erë e ngrohtë” daton në vitin 1944, shkruar në fshatin Ball. Mbase është dhe vjersha e parë në poezinë e shkruar dëshnicare, dhe si e tillë, meriton vëmendje të veçantë. Poezia është ndërtuar në dy vargësh. Era e ngrohtë e pranverës i mbushi bajamet me lule. Kjo erë që zgjoi natyrën dhe e gjallëroi atë, nuk mund të linte njeriun pa e përfshirë në këtë bukuri natyrore, ku lulja dhe zemra ngacmojnë njëra-tjetrën duke dhënë e marrë prej vrullit të stinës së pranverës që sapo ka trokitur. Era, lulja dhe zemra; kjo trini e përjetshme që ka shoqëruar natyrën dhe qënien njerëzore, e kanë fillesën në javën a ditën kur bajamja çel sytha e lule e me to pagëzon shpirtin njerëzor për një jetë të re e një stinë të begatë.
Po jemi në pranverën e fundit të robërisë naziste. Kjo erë që shpërthen gjethe e lule, do të jetë dhe era që do t`i shpëtojë nga zgjedha e pushtimit. Poeti është optimist se dita e lirisë po afron. Kudo mbillet shpresa e ditës së re.
“ Është era e Lirisë,
Është era e Shqipërisë…

****
Beluli si drejtues ka qenë shumë i lidhur me njerëzit. Po kjo e vinte në një pozicion jo komod, kur njerëz të veshur me pushtet, kërkonin tjetër gjë prej tij. Për shumë sysh populli ishte një turmë që duhej ndarë e parcelizuar, duhej etiketuar ….., duhej lavdëruar e ndëshkuar. Ndryshe nuk kishte mundësi të njihej mirë turma me emrin popull. Kjo dilemë duhet ta ketë shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Si të etiketonte vëllanë e mikun, shokun a të panjohurin, t`i ndante si bujku patatet e fushës: kjo e mirë e kjo e keqe? Si t`i etiketonte: ky yni e ky i armikut? Ndaj këtë mllef që e mbante përbrenda do ta nxirrte përjashta duke e hedhur në vargje. Do ta mbante aty në fletoret e tij gjersa t`i vinte ora e botimit të këtij libri:
“Kam besuar tek njerëzit
E qeverisë,
Të zbatonin ligjin
E drejtësisë,
Por u zhgënjeva.
U hodha mbi ta,
Gjithnjë në krahë
Të popullit fukara. (Belul Arapi, Bala-da jonë, poezia: Kam besuar, Memaliaj 1988).
  Në këtë luftë me ata njerëz shpirtzinj që nuk i dhimbsej njeriu, me ata njerëz që kërkonin ta degradonin personalitetin e njeriut, Beluli drejtues e poet e pa se që të bëje përpara duhej të dredhoje, se ata që ecnin në rrugë të shtrembër fitonin më shumë: para , rryshfete, tituj dhe ofiqe. Njeriu i mirë, njeriu i drejtë ishte i privuar nga këto të mira që të jepte ofiqi i zyrtarit.
Megjitatë, Beluli poet e drejtues, e përbuzi rrugën e këtyre njerëzve, të cilët fitonin shumë dhe nderoheshin edhe nga pushteti. Ai eci në rrugën e drejtë.
“ Megjithatë eci,
Në aksin e saj,
Me mundim të dal,
Me nder në skaj”. (Belul Arapi, Bala-da jonë, poezia: Rrugës së gjatë, Tepelenë 1968).
Kush e njeh Belul Arapin, e shikon se vargjet e tij janë të çiltër, vargje që burojnë nga një zemër e madhe.
****
Beluli poet, edhe pse në një libër të vetëm, i ka trajtuar pothuaj të gjitha temat që ngacmojnë e prekin shpirtin njerëzor. Ai e identifikon veten me bariun e kultivuesin e bimëve të arave, me minatorin e luftëtarin; kërkon të shplodhet ndanë burimit me ujë të ftohtë e të ngasë kopenë e dhenve nëpër shpatet e Trebeshinës.
Edhe kur duhet të flejë, se pas disa orësh nata do t`ia lerë vendin ditës dhe veprimtari të reja e presin, atij i largohet gjumi nga sytë. Nuk ka kohë të rrijë shtrirë, nuk ka kohë të çlodhet. Janë zërat e jetës që e thërrasin. E nesërmja e zhyt në mendime. Për çdo moshë koha duhet të jetë flori. Duhet të ecim, duhet të luftojmë. Nuk na duhet qetësia .
“ Na duhet përpjekje,
Gjumi është vdekje”. (Belul Arapi, Bala-da jonë, poezia: Punojmë, Dukaj 19760).
Tek poezia “Fshati im” poeti është munduar të harmonizojë bukurinë e natyrës me shpirtin njerëzor dhe në të njënjtin kohë të na japë edhe një informacion për fshatin e lindjes së tij që është Balli. Ka gërmuar në dokumentet e vjetra dhe ka gjetur që 400 vjet më parë ky fshat ka ekzistuar, me një emër të bukur: Balë. Si natyra që e ndërron gjatë stinëve pamjen e tokës, duke na dhënë një mozaik ngjyrash që nga e blerta e prillit e gjer tek e florinjta e vjeshtës, edhe shoqëria njerëzore ka marrë forma e trajta të ndryshme. Gjithmonë në kërkim të përsosmërisë. Balli ka qenë pjesë e këtij ndryshimi që kërkonte edhe krahina e Dëshnicës. Balli i është gjendur pranë Dëshnicës dhe Atdheut. Poeti ndihet krenar ashtu si bashkëfshatarët e tij. Ndihet krenar që Balli numërontë 12 luftëtarë që iu bënë krah Ismail Qemalit atje në Vlorën heroike, 13 veta ishin fanolistë, të cilët u përpoqën të realizonin ndryshimet që kërkonte koha për një Shqipëri demokratike. Po ky fshat i vogël me 29 shtëpi i dha Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare 27 partizanë dhe nga këta 5 prej tyre prehen në altarin e lirisë. Janë dëshmi që do të mbeten edhe për brezat që vijnë, dëshmi të qëndresës kundër pushtuesve, dëshmi që provojnë se liria është tipari qënësor i banorëve të fshatit Ball.

Po në vitet `70-të, të shekullit të kaluar,  Balli përjetoi edhe një përtëritje që ka mbetur në kujtesën e cilitdo që ka jetuar në ato vite. I përqëndruar kryesisht në punën vullnetare të vetë banorëve të këtij fshati, u krijuan një sërë qendrash social-kulturore, duke dhënë fizionominë se si duhet të jetë një fshat. Pas gjithë asaj pune të palodhshme, ku një nga kontribuesit kryesorë ishte vetë Belul Arapi, Ballit do t`i shkonin për bukuri vargjet e thurura mjeshtërisht nga poeti:
“Ngrihesh si qytezë e bukur,
Rrëzë malit Trebeshinë”. (Belul Arapi, Bala-da jonë, poezia: Fshati im).
****

Poezia e Belul Arapit është e mbushur me dashurinë dhe dhembshurinë e njeriut për të afërmit e tij, për njerëzit e vendlindlindjes, me ata me të cilët ka punuar e i janë gjendur pranë njëri-tjetrit, në të mira e gëzime, ka qeshur e është trishtuar, është mbushur me hove optimizmi, por ka ndierë dhe çaste plogështie e është topitur kur ca gjëra nuk ecnin në rrjedhën e duhur, kur ca gjëra kapërcenin logjikën njerëzore dhe e futnin njeriun në botën e absurdit. E poeti ka pyetur veten: Pse kështu? Pse ndodhin gjëra të tilla?
Po ja që ca gjëra bëhen pjesë e mbretërisë së misterit dhe mendja nuk arrin dot të shpjegojë rrjedhën e fatit të një njeriu të vetëm, madje edhe të një shoqërie të tërë. Beluli i ka përjetur rëndë fenomene të tilla, të cilat godasin pa mëshirë muret e fatit që mbrojnë qënien njerëzore dhe ato mure që mbrojnë një shoqëri të tërë. Në raportin individ shoqëri, pjesë të pandara të njëra-tjetrës, Beluli kërkonte harmonizimin e tyre. Kjo shprehet qartë te poezia “Shqiptar, mos vrit vëllanë”. Është një apel i gjithëkohshëm. Ajo është një vrasje fizike, por po kaq e rëndë është edhe vrasja shpirtërore që njerëzit i bëjnë njëri-tjetrit. Vrasja shpirtërore ka të bëjë me kulturën e një shoqërie. Sa më shumë të ndërhyhet në jetët njerëzore, aq më e vrazhdë bëhet shoqëria. Beluli poet e godet ndërhyrjen, brutalitetin. *****
Poezitë për dashurinë janë ndërtua mbi modelin e këngëve popullore. Kjo për arsye se Beluli i këndoi dashurisë në moshë shumë të re. Poezia “Gonxhes…” është shkruar në vitin 1947. Vajzën që do e krahason me gonxhen e lules,  të lules së larë nga vesa e mëngjesit. Ajo qëndron para tij.
“ Ndritur nga rrezja e diellit,
Veshur rrobat e ylberit,
“Afromu më shumë po deshe”, -i thotë vajzës që do, se mjaft qëndruam larg njëri-tjetrit.
Poezia “Unaza” paraqet dashurinë e të rinjve të viteve `50-të. Martesat me blesëri ishin mënyra kryesore për formimin e familjeve të reja. Të rinjtë e njihnin shumë pak njëri-tjetrin. Mungonte komunikimi midis tyre. Po ky komunikim nuk ishte i ndërprerë deri në ekstrem. Dashuria, dhe në atë mjedis mbytës për të, gjente rrugë e mënyra. Poeti na jep njërën prej atyre rrugëve; atë të komunikimit me anë të gjesteve. Ishte një komunikim që binte më pak në syrin e njerëzve. Aty, ndërsa vajzat shkonin të mbushnin ujë, njëra prej vajzave i hedh të riut unazën e vet. Poeti e ka përshkruar me nota të fuqishme këtë çast. Diell nuk kishte, por vendi ndrinte nga unaza e argjend që u shkëput nga gishti i vajzëz. I riu e miraton dashurinë e saj. Poeti ka gjetur një detaj mjaft domethënës për t`i dhënë poezisë nota të forta:
Vura njoftimin tek rrapi,
Kujt i ra, të vijë ta marri,
Po të dojë prap t` ma japi:

Erdhi mes holla, lastari,

Të më jap e të më marri,

Dashurinë, që s’e tret varri……  (Belul Arapi, Bala-da jonë, poezia: Unaza).

****
Duke lexuar poezinë e Belul Arapit, bindesh se kemi të bëjmë me një poet që nuk arriti ta zhvillonte talentin e vet në nivelin e duhur për shkak të detyrave të ndryshme të cilave ai iu përkushtua fuqimisht. Megjithatë, poezia e tij bashkëjeton me moshatarët e tij, tashmë të rralluar shumë; me dëshnicarët të cilët nuk e harrojnë djalin e krahinës së tyre, Belulin fjalëëmbël. Ligjëratat e tij ishin të zjarrta, fjala e tij dëgjohej me kureshtje e mbështetej gjerësisht. Kishin ligjërat e tij diçka ka shpërthimi i pranverës. Fjala e tij të mbushte me besim. Njerëzit e rrethonin me dashuri e respekt.
Po në ato çastet e tij të pushimit, kur mbetej vetëm në qetësinë e pushimit të drekës a në orët e vona të natës, këtë dashuri që ushqente për njerëzit e shfaqi edhe në një përmasë të re, në përmasat që të jep krijimi. I shkroi ato vargje vit pas viti, pa menduar të shfaqej një ditë para publikut si poet. Ishin vargje që ai ua kushtoi disa figurave të shquara të kombit tonë, tek të cilët mbështetej për të marrë dritë, forcë e guxim. Moshatarëve të tij që iknin nga kjo jetë para kohe.
Para kohe iku edhe vetë nga kjo jetë. Iku bashkë me diellin e vjeshtës, në një pasdite tetori të vitit 2004. Shumë njerëz, miq e të afërm të tij e ndienë mungesën e tij. Po Beluli përveç kujtimit të mirë, la pas dhe një vepër poetike ku kushdo e ka mundësinë të komunikojë me të. Vargjet e tij kanë hyrë në fondin e letërsisë dëshnicare. Poezia e tij po rrezaton bashkë me krijuesit e tjerë dëshnicarë në të gjithë hapësirën shqiptare.