| E hene, 02.07.2012, 06:00 PM |
Flet
akorja, poetja, artistja e njohur e skenës dhe televizionit, Merita Dabulla
Ja si dublova dy herë Anisa Markarjan
Nga Albert ZHOLI
Merita
Dabulla është lindur në 18 janar 1957 në qytetin e Tiranës. Në vitin 1975 përfundon
Liceun Artistik “Jordan Misja” për balet dhe emërohet balerinë në Tiranë dhe
fillon punë si balerinë pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, ku punon deri në vitin
1976. Gjatë këtij viti ajo do të interpretojë në balete të ndryshëm si : “Cuca
e maleve”, “Halili dhe Hajria”, “Familja e peshkatarit” etj.. Në vitin 1976
fillon studimet e larta në Akademinë e Arteve në Degën e Dramës. Diplomohet në vitin
1980. Gjatë kohës së Akademisë interpreton në drama e komedi si : “Gryka e Nëmur”,
“I sëmuri për mend”, “Lezja”, “Prefekti”, “Zonja nga qyteti”etj.. Pas
diplomimit emërohet aktore në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) më pas
kalon në Cirkun e Shtetit, ku punon për 13 vjet. Krahas interpretimeve të saj
si aktore në teatër apo si pantonimiste në cirk ajo ka realizuar në Radio -Tirana
rubrikën për fëmijë “Dëgjoni emisionin e Pionierit”. Gjithashtu, ka qenë edhe
prezantuesja e programit javor të Televizionit Shqiptar “ E Shtuna Humor”.
Merita
Dabulla ka dhënë edhe mësim në Akademi, në Degën e Mjeshtërisë së Aktorit, për
kllounat dhe pantonimistët.
Në kinematografi
ka luajtur disa role si: “Balonat”, “Përtej mureve të gurta”, “Pesha e kohës”, “Edhe
ashtu edhe kështu” etj.
Në vitin 1993 largohet nga Atdheu për në Athinë (Greqi). Në Greqi është anëtare e Degës së Athinës të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Greqisë dhe punon në komisionin qendror të Shoqatës “Liter Art”. Shkruan në gazetën lokale të Athinës dhe në gazetën “Tribuna”.
Gjithnjë aktive. Kur e ka filluar aktrimin për herë të parë Merita?
Eh, hera
e parë. Kur e kujtoj dhe qesh dhe lotoj. Janë ditë të bukura ato. Janë ditë që sharrohen.
Sa më shumë ecën koha aq më të dashura të bëhen ato ditë. Për herë të parë e nisa
si dublante në një rol që më mori regjisori i talentuar Gëzim Erebara. E kisha
pedagog të kinematografisë në Institutin e Arteve.. Gëzim Erebara kishte bërë filmin
“Vajza me kordele të kuqe”. Anisa Makarjani kishte një rol në atë film dhe Gëzimi
na tha që ky rol do të dublohet.
Eh kush më dha. Një aktor brilant. Një njeri i jashtëzakonshëm. Ishte i madhi Sandër Prosi. Rastësisht Sandër Prosi që ishte aty më thotë : Mos ki frikë bijë se bashkë do ta bëjmë. Ai më dha një kurajë të madhe. Ishte hera e parë që unë do të dubloja një film. Tekstin e mësova shumë shpejt. Atë ditë dublova një pjesë të vogël dhe ditët e tjera pjesët e tjera pastaj. Pra ajo luan rolin e aktores ndërsa zëri është i imi.
E them me bindje se rrugët m’u hapën. Pas një muaji u bë filmi “Përtej mureve të gurta”.Ai ishte filmi im i parë. Ishte viti 1979. Sapo kisha mbaruar shkollën, ku kisha vetëm për të dhënë provimet. Pra, fillimi ishte me një dublim dhe pastaj vazhdova me filmin tjetër. Pastaj kam vazhduar me radhë me role të ndryshme.
Pra rruga juaj u hap me dublime në filma?
Gjatë kësaj kohe kishit hyrë në gjini të tjera të aktrimit?
Unë kisha hyrë edhe në rolin e komedisë, por edhe në dramë. Në komedi më mori Bujar Kapexhiu tek filmi “Dy herë mat”, pastaj më merr Rikard Ljarja tek filmi “Kur hapen dyert e jetës”. Isha edhe tek drama “Pesha e kohës”, por edhe tek komedia “Edhe ashtu edhe kështu”. Pra, luaja edhe komedi edhe dramë.
Në role episodikë kë do të veçoje?
Filmin e bukur “Dora e ngrohtë”. Është një film me realizim të lartë aktorial. Tek filmi “Dora e ngrohtë” jam ndjerë mirë. Ndërsa për dublime nga ajo kohë kam vazhduar gjithmonë të dubloja. Kisha aftësinë i mësoja shpejt përmendësh. Kur kishte për të dubluar më thërrisnin shpesh.
Kur e ke ndjerë veten keq?
Në filmin “Në çdo stinë”. Regjisori i madh Viktor Gjika ishte regjisori i këtij filmi shumë të diskutueshëm. Përsëri në këtë film “Në çdo stinë” kishte luajtur Anisa Makarjan. Meqë kisha luajtur mirë në filmin “Vajza me kordele të kuqe” thanë se do ta marrim përsëri Meritën në filmin “Në çdo stinë” për dublim. Atëherë unë punoja në cirk, ku isha prezantuese. Aty vijnë dhe më lajmërojnë për dublimin e filmit “Në çdo stinë”. Dublova mbi një javë. Xhirimet nuk kishin mbaruar. Ishte edhe një pjesë finale që do të bënte Anisa Makarjani. Në këtë çast ajo mori vesh që zëri do t’i dublohej sërishmi nga unë. Ajo bëri protestë, nuk dua që të dublohet zëri im. Kur jam unë përse do të vijë Merita të dublojë zërin tim. Në fakt zgjedhja e zërit ishte punë e regjisorit. Regjisori e shikonte figurën e aktorit në rol, më të ngritur, me një zë tjetër. Me sa kuptova unë ajo protestoi. Vjen Viktor Gjika dhe më thotë se ka protestuar Anisa Makarjani. Më vjen keq, por do të ndërpritet dublimi. Oh sa u mërzita. Isha lodhur me dublimin, doja të dilja si në filmin e parë, por tani kisha mundësi më të mëdha, pasi i kisha kaluar emocionet e fillimit.
Ju për një kohë të gjatë përveç komedive dhe filmave keni qenë prezantuese tek Cirku i Tiranës. Si jeni ndjerë?
E mrekulluar. Cirku kishte aktivitet tërë vitin. Kam luajtur mbi 21 premiera në cirk me nga 226 shfaqje në vit. Cirku ishte një mrekulli. Kishte një staf shumë profesional. Të punoje në cirk në atë kohë ishte privilegj, por edhe përgjegjësi.
Të mungonte filmi apo komedia në këtë kohë?
Dhe pse me punë në Cirk unë disa herë kam gjetur rastin të shkëputem.
Diku kam lexuar se keni qenë dhe asistente regjisore?
Po! Është e saktë. Në disa premiera kam qenë edhe asistente regjisore. I bëja njëkohësisht edhe prezantuese, edhe dublime, edhe rolet e filmave. Kam bërë një jetë shumë intensive kur isha e re.
Ju kam ndjekur dhe në Greqi, nuk keni hequr dorë nga sheshet e xhirimit.
E si mund të heq. Sheshet e xhirimit dhe skena janë jeta ime. Pa to s’di si ndihem. Edhe kur u largova nga atdheu ika me mendimin se kurrë s’do heq dorë nga aktrimi dhe besoj se ja arrita, ja dola mbanë.
Sa role keni realizuar në Greqi?
Gjithsej kam 21 filma, por jo të gjitha me role. Diku si figurante, diku një rol të vogël. Jo role kryesore. Kam realizuar 7-8 reklama pa dublim. P.sh. tek një reklamë vodafon që erdhi këtu, ku kam luajtur me Lefter Simonin. Kam realizuar dy reklama të tjera për në Qipro. Kam edhe 4 të tjera që jam më e sfumuar.
Cilat janë filmat grekë që kanë bërë bujë dhe ju keni pasur një rol sado të vogël?
Janë disa,
por unë do të veçoj...Kam luajtur tek filmi “ 7 vjehrrat”, tek filmi “Ti je
fati im”.. Këtu kam më shumë role, të tillë.
Jeni shumë
e aktivizuar me shoqatat mbarëshqiptare.
Jam. E dua lëvizjen. E dua atdheun tim. Më pëlqejnë aktivitete me karakter kombëtar pa arritur në ultranacionalizma. Dua çdo gjë të bukur që bëhet në emër të atdhedashurisë së sinqertë.
Ndiheni ende shumë në formë?
Po! Puna
të bën të ndihesh kështu. Nuk ndihem e lodhur. Kërkoj gjithnjë punë dhe lëvizje.
Nuk refuzoj asnjë rol dhe asnjë lloj pune.
N.q.s do
të krahasonit aktorët shqiptarë me ata grek, ka disnivele?
Të dyja
vendet kanë aktorë të mëdhenj. Pra nuk
kanë dallime. Grekët janë habitur shumë herë me aktorët tanë të mëdhenj.