| E shtune, 30.06.2012, 08:26 AM |
MANJOLA BRAHAJ, NGA TIRANA, MERR ÇMIMIN ‘RRAHMAN DEDAJ’
Në Festivalin Ndërkombëtarë të letërsisë për të rinj që është mbajtur në Besianë (ish Podujevë), me çmime letrare u nderuan 14 krijues
Nga Milazim KADRIU
Në organizim
të OJQ-së kulturore “Prokult“, nga Besiana, është mbajtur “Festivali ndërkombëtar
i letërsisë për të rinj“. Festivali u mbajt për herë të parë, kurse u financua
nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Kosovës, kurse kishte për qëllim të nxjerrë
në pah vlera të reja artistike të letërsisë në të tri gjinitë letrare: dramë,
tregim i shkurtër dhe poezi. Festivali synon të jetë tradicional dhe të marrë emrin
e shkrimtarit Rrahman Dedaj, për jetën dhe veprën e të cilit foli Fatmir
Halimi, ndërsa për krijimtarinë letrare
të tij, Ramadan Oraca. Në këtë festival u përurua edhe një libër i
krijuesit Izet Hajdini, me titull “Ujku mbetet ujk”, për të cilin një fjalë rasti
e paraqiti Ruzhdi Berisha–Rudi. Më pas u publikuan rezultatet e konkursit
letrar që ishte shpallur kohë më parë e ku kishin konkurruar krijues të rinj (deri
në moshën 35 vjeç) nga të gjitha trojet shqiptare, të vlerësuara nga juria në përbërje dr. Kujtim Rrahmani, Milazim Kadriu dhe
Fatmir Halimi. Me çmime letrare u nderuan 14 krijues. Në konkurrencën për poezi
me shifër vendi i parë i takoi poezisë “Koha ikën” me shifrën “Lali” (Bujar
Verbovci), vendi i dytë poezisë “Dheu i përgjakur” me shifrën “Të zhdukurit” dhe
vendi i tretë “Një fjalë një lot’ me shifrën Sy-kaltroshi” (Ruzhdi Berisha-Rudi).
Në konkurrencën për tregim të shkurtër
vendin e parë e zuri tregimi “I huaji”, shifra “Atdheu”, vendin e dytë e
ndanë tregimet “Hija e dritës”, shifra “Larg“
(Blerta Prebreza) dhe “I vetëm në shi”, shifra “Jetimi” (Mimozë Restelica),
kurse vendin e tretë tregimi “Verdhacukja”, shifra “Tirana” (Luela Myftari). Ndërkaq,
në konkurrencën me dhjetë poezi që krijuesit kishin konkurruar jo me shifër po
me emër e mbiemër vendin e parë e ndanë krijueset Sabina Veizaj dhe Manjolla Brahaj,
vendin e dytë e mori Imer Topanica dhe vendin e tretë Besmira Ibraimi. Ndërkaq, për çmimin “Rrahman Dedaj” që u nda në orën letrare
lexuan O. Dibrani, Q. Sekiraqa, A. Kamerolli, S. Lutolli, A. Pllana, E. Haziri,
R. Berisha-Rudi, M. Brahaj, M. Kadriu dhe S. Ismaili-Ilirida. Në fund juria në përbërje
Shefqete Gosallci dhe Imer Topanica vendosi që
vendi i parë t’i takojë poezisë “Largësitë” të autores nga Tirana Manjolla Brahaj, vendi i
dytë “E harruara nuk harrohet” të Ardian Pllanës dhe vendi i tretë “Valët e natës
së tretur” të Ormirë Dibranit. Organizatori, përpos çmimeve, ndau edhe disa mirënjohje
për individë dhe institucione që e ndihmuan qoftë materialisht, qoftë moralisht
mbajtjen e festivalit.