| E premte, 29.06.2012, 08:00 PM |
ZËRI I
ZEMRËS DHE SHPIRTI I FJALËS
(Neki Lulaj, Bukuri e bekuar, Amanda Edit, Bukuresht 2012)
Dhe, kur dielli lind, shpirti i tij shndërrohet në det dashurie me reze shkëlqimtare dhe afshin e zjarrtë të përmallimit ndaj atdheut dhe bijve të shqipes që derdhën gjak për ta bërë Shqipërinë Shqipëri. Neki Lulaj është poeti i lirisë, skulptor fjalësh dhe mjeshtër i artit poetik, i ngarkuar me meditime filozofike, ëndërrime, fluturime, përjetime të ëmbla e të dhimbshme. Vargu i tij ka një përmbajtje të thellë ekzistencialiste, art linguistik dhe një ndjeshmëri të thellë ku reflektohet realiteti i shqiptarizmit në Kosovë dhe Diasporë. Në shtjellën e diskursit të tij lirik fshihen dëshmi energjishë morale e shpirtërore, dhe një bukuri e bekuar me shpirtin e fjalës që e kultivon ndërgjegjen e kombit.
Nga Baki Ymeri
I
strukturuar në kapitujt Syri magjik, Lotët e Kurbetit dhe Shtegtim dashurie, i
dinamizuar me një parathënie të Hasan Qyqallës, në kuadrin e Bibliotekës “Letërsi
shqiptare”, këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht vëllimi i 4-të poetik
i Neki Lulajt, Bukuri e bekuar. Autori i jep prioritet substancës poetike,
afshit të dashurisë dhe sentimentit që përfaqëson zërin e zemrës dhe shpirtin e
fjalës. Ai e ndjen veten të degdisur në mesnatë, duke parë se si biejnë yje dhe
pëshpëritje nga qielli, fjalë të ëmbla dhe loti i heshtjes që të shoqëron. Shpirti
i tij noton nëpër yje, duke tentuar ta prekë diellin e hënën dhe qiellin. Dhe,
kur dielli lind, shpirti i tij shndërrohet në det dashurie me reze shkëlqimtare
dhe afshin e zjarrtë të përmallimit ndaj atdheut dhe bijve të shqipes që derdhën
gjak për ta bërë Shqipërinë Shqipëri. Neki Lulaj është poeti i lirisë, skulptor
fjalësh dhe mjeshtër i artit poetik, i ngarkuar me meditime filozofike, ëndërrime,
fluturime, përjetime të ëmbla e të dhimbshme, dhe, siç thekson autori i parathënies,
vargu i tij ka një përmbajtje të thellë ekzistencialiste,
art linguistik dhe një ndjeshmëri të thellë
ku reflektohet realiteti i shqiptarizmit në Kosovë dhe Diasporë.
Poeti shëmbëllen
me ushtarin, me famullitarin apo me flamurtarin e batalionit, kurse një libër i
mirë është ai që na e kultivon shpirtin, duke na pajisur me ide të reja dhe
mendime e ndjenja të bukura. Neki Lulaj ka një sensibilitet të veçantë. Para
nesh kemi guximin dhe trimërinë, shpresat e pashuara, paltformën e pa/durimit
me mikpritjen shqiptare dhe shtigjet e dashurisë, një gamë sintagmash me gjurmë shpirti, me zjarr dashurie dhe
shekuj drite, me mahnitje, ëndërrime e fluturime, me idile mëkatesh e mall
zemre, me muzg mendimesh në faqet e jetës, me kullat e Dardanisë, liqenjtë e
natyrës dhe lugina të bekuara. Frymëzimi buron nga syri magjik, gjaku i
dashurisë dhe zëri i zemrës. Edhe në këtë vëllim të ri, defilojnë emocioni,
dhembja dhe ballafaqimi me realitetin.
Lirika e
Neki Lulajt është një forcë e gjallë e vitalitetit shqiptar me tingujt e gjallë
të shqiptarizmit në diasporë: “Nëpër furtunën e detit/ Të lundrojmë së bashku/ Të
dalim buzë Kepit/ Të Shpresës së Mirë/ Për ta ngritur Kalanë.” Ai dëshmon se e
ka përvetësuar historinë dhe e ka ndjerë gjuhën shqipe si një xeherore të florinjtë
për të krijuar vlera të reja. Poeti është mbret që e kupton letërsinë si një ansambël
meditimesh sociale, patriotike dhe filozofike, që ta përkujton Kantin e dikurshëm,
i cili e kundronte kulturën si një gjeometri shpirtërore ku zotëronte teoria e
tij si një metaforë e kohës, hapsirës dhe mjeteve tjera për rrumbullakësimin e
jetës, një kushtrim i bekuar që të fton ta dinamizosh ekzistencën duke rendur në
hap me të dhe me evoluimin e saj. Inspirimet autentike dhe vargjet e Neki
Lulajt, janë rezultati i një vokacioni poetik, autokton dhe të mirëfilltë. Me
vlera të këtilla, letërsia shqiptare përfiton një eksponent ambicioz, që e
kupton jetën si një betejë permanente për shërimin e shpirtit përmes fjalës.
Në sintezë,
duke e kundruar personalitetin krijues të poetit, kemi vërejtur që nga fillimi
një frymëmarrje të gjerë atdhetare, morale, sociale, filozofike dhe meditative.
Në platformën e durimit të tij defilon shqiptarizmi me krenari shekujsh në dritën
e shpresave mërgimtare. Poeti lë përshtypjen se është një maraton i durimit që din
të skalisë emrat, frymëmarrjet dhe ndjenjat në qiellin e yjëzuar me dëshmi
shpirtërore durimesh me trimëri të lashta dardane. Lirika e tij është oksigjen
i fjalës që ta përkujton bekimin e shekujve dhe Dardaninë e sokolave të Kosovës
me Altarët e Lirisë, me lulet e shpresës, me urtitë e shekujve dhe dhe shekujt
me dritë.
Askush s’mund
të preket për vlerësime të këtilla reale, sepse diskursi poetik i autorit është
një perpetuum mobile që dëshmon se kemi të bëjmë me njërin nga shqiptarët më të
frymëzuar të diasporës letrare, me një botë të mbrujtur me lulet e kurbetit dhe
tingujt e mërgimit. Para nesh kemi barnatoren e gjallë të fjalëve të shëndetshme
që e zbukurojnë luginën e bukurisë. Neki Lulaj është një poet i mirëfilltë me
preokupime permanente intelektuale që nuk vuan nga mungesa e imagjinatës. Në shtjellat
e vargut të tij fshihen figura stilistike, dëshmi morale e shpirtërore dhe një bukuri
e bekuar me shpirtin e fjalës që e kultivon ndërgjegjen e kombit.
Box
PËRSIATJE EMOCIONALE POETIKE
Në ligjërimin
poetik të Neki Lulajt gjejmë një shtrirje të pakushtëzuar, gjithnjë në kërkim të
tematikës harmonizuese e të konsoliduar poetikisht. Pamja e parë na jep një shfaqje
deshifrimi shpirtëror dhe emocional, konvertuar me simbolikën e bukurisë, duke
u nisur nga mitet e deri tek e sotmja. Poeti pikësëçari i jep prioritet
atdheut, gjegjësisht kombëtares. Subjektivizimi ka vlera funksionale që tejkalojnë,
ndoshta, edhe konturet e barasvlerës apo nivelizimit real në kohë. Si ilustrim
kemi poezinë e parë “Lulet e shpirtit” që tingëllon po kaq bukur: Portretin e
Atdheut/ Ta ruajmë në zemër/ Ta stolisim me ngjyra/ Duke shtuar bukurinë/ Me
buzëqeshje...
Stilizim,
ngjyrim, konfigurim, buzëqeshje, lot, oazë, thesare,...etj., janë elemente që hasim
të konsoliduara prajshëm në stilin e ligjërimit. Në prapaskenë të krijuesit
sikur na shfaqet një autor tjetër me imazhe riakumuluese shpirtërore e mendore,
me ideale të ringjallura, falë kujtesës në retrospektivë kur kujton karvanet e
ikjes. Prandaj shprehet në mënyrë sentimentale gjithë dënesje, përsiatje drejt
mirësisë e shpresëbesimit se mbi çdo cep Arbërie do të lulëzojnë shekuj drite: “Në
shekuj drite/ Me mall e dashuri/ E ushqyem jetën/ E kurrë s’u ndalëm/ Me fijet
e jetës/ Duke i përcjellë/ Gjeneratat/ Nëpër stinë.”
Poeti
betohet dhe mishërohet krenarisht në kopshtin e bukurisë së Adamit e të Evës, për “Formulën e pagëzimit” të Pal Engjëllit, “Mesharin”
e Gjon Buzukut, shpatën e Kastriotit, Flamurin e Ismail bej Vlorës, Gjuhën e ëmbël
të Fishtës, Besë e Kanun, mirësinë e Nënë Terezës, urtinë Rugoviane, gjakun e
varret e të parëve, deri tek trimëritë e sakrificat e luftës së lavdishme të Kosovës
me komandantët Ahmet Krasniqi, Sali Çekaj, Tahir Zemaj, Adem Jashari, Zahir
Pajaziti, Agim Ramadani etj., pa i harruar edhe të pagjeturit e shumtë, nisë nga
Ukshin Hoti e deri tek foshnja e sapo lindur ne arenën e betejave të përgjakshme
e të pamëshirëshme, ku autori citon se Nënat, motrat, vëllëzërit e fëmijët
presin zgjuar e “portat ende rrijnë hapur, në pritje”, “Derën e kullës dardane
lënë hapur/ Duke shpresuar/ Se një natë/ Do të kthehet Ylberi.”
Konceptualiteti
ligjërues mbivlerëson apo hiperbolizon kombëtaren karshi ndjeshmëris emocionale
që shfaqet toleruese në krijimatrinë artistike. Nuk ka ekzagjirime të theksuara
por mirë të ilustruara me harmoni ngjyrimesh e gjithësesi përfillëse. Autori
dallon personazhet në vijueshmërinë bazike bilineare me kontraste të bollshme,
bile shpërthyese mes atyre negative e pozitive, duke i dhënë përparësi sublimes
kundrejt të shëmtuarës, ideales përballë surreales, etj.: “Mjerë nëna n’jetë që
lindi/ Mjerë dielli që i dha dritë,/ Mjerë vendlindja që e rriti,/ Horr a
pleshtë i pashpirtë!” Rrjedhimisht, pikënisje gjejmë përjetimet e vetë autorit
në zhvillimet koherente, pa lënë anash edhe ndikimet e frytshme nga Rilindësit
në situata të apostrofuara, si mërgimi, malli për kryepersonazhet e jetës: Nënën
e Babain, pastaj për Kullën, Atdheun,
Diellin, Lirinë, Lulen, dashurinë që krijon një “gjerdan artistik”, siç thot
edhe vetë poeti: “E nga goja burojnë/ Metaforat
e urta/ Urtakët / Terrin e zbusin me fjalë/ Diellin e kanë në buzë/ Vargun e kthejnë/ Në hymn e ninullë.”
Autori ilustron bukur edhe kopshtin, pemishten, fushën, malin, lumin... Përndryshe nxjerrë peizazhe idilike për Atdheun, me theks të veçantë për Dukagjinin e Lekës përkatësisht vendlindjen e vet, pa harruar trimërinë, bujarinë, mikpritjen, kullën, oxhakun, pra bujarinë dhe fisnikërinë tradicionale: “Bukë misri/ Në çerep/ Kripë deti/ Djathë delesh/ E kajmak/.../ Kafe të pjekur/ Prej oxhakut/.../ Parodi e rrallë/ Mikpritje shqiptari.” Prandaj rezymojmë lirisht se zt. Neki Lulaj, posedon gjuhë komunikative me figura të kapshme letrare poetike. Në lirikën e tij dominon stili funksional, relativ, mbretëron individualiteti i nxjerrë si ekspoze çasti, drejt synimit të së moderuarës së avansuar, mbase autori, ma merr mendja se është mirë të heqë dorë nga zgjatimet e tepruara, modalitet i panevojshëm... Përndryshe, Neki Lulaj krijon relacione të ngushta me lexuesin pasionant, i cili do të bindet vetëm atëherë kur do ta shfletojë poetikën e tij që të josh që në lekturim të parë. (Hasan Qyqalla)