| E diele, 24.06.2012, 07:25 PM |
Aroma e
gjakut në dheun shqiptar
Nga Fatmire Duraku
Gjuha e pikturës, e muzikës, e artit përgjithësisht është e kuptueshme në ndonjë masë në çdo cep të botës; është gjuhë universale. E tillë, pa dyshim është edhe piktura e Agit, e lidhur me ëndrrën, me gjakimin për diell, me realitetin, me vijnë e ndezur të gjakut që tërhiqet nëpër krijime mjeshtërore në sferën e artit pamor. Figurat-tipike shqiptare, aroma e dheut shqiptar, shija e ujit shqiptar, ngjyra e qiellit dhe ritmi i jetës e i fluturimit të dallëndyshes në qiellin e kaltër shqiptar- kaq të theksuara, në krijimet e tij marrin shtrirje universale. Dhe, ja, pse Ai është tepër i veçantë kaq sa është dhe universal në secilën vijë, në secilin sfond të kaltër, të ndezur, të hirtë, në secilën hapësirë, në të cilën gjuha e pikturës kuptohet kaq sa dhe përjetohet në secilën copëz të rruzullit tokësor. Ky krijim – pikturë, vizatim, apo grafikë qoftë - e krijuar nga mendja dhe dora e piktorit bëhet pjesë e ndjenjës, e syrit dhe kënaqësisë së njeriut kudo të jetë ai dhe çfarëdo gjuhe të flet ai.
Me një horizont të këtillë – të pafund, me figura shqipe, të cilat në vepër marrin shtrirje universale, grafika, piktura, vizatimi i Agit kaherë i ka kaluar kufijtë e qytetit të vet, kufijtë e shtetit të vet, kufijtë e dheut të vet të copëtuar dhe ka ecur udhën e botës, me mesazhin e qartë të ëndrrës dhe të gjakut të etur për lirinë, për sfondin dhe shprehjen e lirë në artin, që i takon mbarë njerëzimit.
Te ky krijues fanatik është e veçantë tema, që derdhet në përthurë apo në letër, është i veçantë realizimi, është e veçantë relievi i jashtëm dhe thellësia e brendshme, është e veçantë kompozimi për të finalizuar në këtë mënyrë një flatër të një shqiponje në dhembjen dhe qiellin e vet, për të rrumbullakuar një copëz dashurie nga akti i amshuar i dashurisë, për të ndezur një pëlhurë të ngrirë mbi terrin e kohës së ikur, për të ndritur diçka nga lashtësia, prej nga vjen rrënja e pemës, të cilën ai e formëson me lëvizje të reja, me dritën që buron diku në dheun e gurin e lashtë Ilir.
Në krijimin – të cilës do gjini, sa do të kesh vështirësi të gjesh rrugë ta lexosh, po kaq e ke të hapur rrugën, t`i endësh mendjes gjithë ato copëza, vija, viza, tabllo e figura grafike, të nxjerra me mjeshtri nga përrallat, baladat, këngët kreshnike dhe nga lirikat e mrekullueshme të dashurisë. Çdo gjë është e lidhur me tokën, me ujin dhe qiellin e gjuhës së autorit të tyre, me rrënjët, me trungjet, degët e gjethet e pyllit mitik të ecjes së popullit – të ashtit më të kashtë në Ballkan. Padashtas, i rrëmbyer nga ajo që tashmë autori e ka bërë të flasë me ngjyrën e vet, me vijnë e vet, me brendinë e vet, ti e dikton – e zbulon edhe të fshehtën e veprës, gjen diçka në të, pikas aty të thënën figurative, kupton mirë qëllimet a synimet e nga disa shenja të jashtme ose nga disa vlime të brendshme që në sipërfaqe ruajnë ftohtësinë e hirit mbi zjarrin... Pra, me përqendrim të vëmendshëm pikas çdo gjë pse është bërë; të bie në sy-e dallon mirë, se në tërë atë figurshmëri pikas vija e gjakut, udha e zjarrit, gjakimi për diellin. .Ndoshta ti as që dëshiron kështu ta “lexosh” ndonjë nga punimet e grafikës pikante, veçse ndryshe nuk mundesh, nuk mund të ikësh nga çasti, nga rrjedha e kohës deri këtu e nga këtu... e – atje, në pafundësi. Aty sfondi i gungavtë, me shtreza, lufta ndërmjet të mirës e të keqes dhe më pastaj Udha. Ajo udha që s` shihet, veçse është e në udhë një dem i bardhë e një dem i zi, prapa figura me plis të bardhë në kokë. Mbi tërë këtë botë të vogël, por të veçantë, të pastër, sa të varfër, shfaqet gjeli nga e grimcon hënën – të agojë dhe vetëm të agojë, në të djathtë pylli feniks, në të majtë tre vëllezër nga e ndërtojnë një urë e në urë ende gjallë, sapo e muruar një grua me gjinjtë jashtë, të qëndrojnë muret në stuhitë që bëhen gati të derdhen mbi gurtë... apo, që aty të vijë çdo ditë fëmija dhe ë pi, sepse lidhshmëria mes tyre s` vdes kurrë. Ja, do të të zë syri dhe një copëz udhë më tutje, krye së cilës pret vdekja-skeleti, me kosën në dorë, pastaj korbi në degë të tharë dhe kodra e zhveshur, me cunga, gurë, krënde e një varr i hapur. Dëgjohet troku i kalit nga ik në lagësi, një hije nga kthehet me të motrën në të njëjtin kalë nga largësia, për ta çuar besën në vend, të pikin lotët e nënës së verbër për të vetmen vajzë të martuar larg dhe për nëntë djemtë e rënë, të ikur në amshim nga sëmurja e tyre e përhershme të prekin me dorë dhe gjak yllin e lirisë.
Për autorin e “Pyllit feniks”, njëra ndër grafikat kuçe dhe më me domethënie dhe më të realizuarat të Agit, është shkruar shumë, veçse asnjëherë nuk është prekur esenca. Asnjëherë nuk është thënë deri në fund dhe me përpikëri dhe në plotëni ajo që është dashur, siç nuk është thënë as për veprat e përkryera “Hëna dhe gjeli”,” Murimi i Urës së Fshenjt”, “Kthimin e motrës nga vëllai i vdekur”... Nuk është thënë asnjëherë se krijimtaria e tij është një ditar me vizatime, grafika, piktura, karikatura... gjithherë të realizuara me dimensionin e dytë, me rrjedhën e ngjarjes së dytë brenda të parës, me hijen e dritën , me hirin dhe zjarrin e të kaluarës, për t`u rrumbullakuar vepra, për t`u shfaqur e humbur e shfaqur prapë motivi në mënyrë të tërësishme, për t`u shquar e brendshmja brenda ngjyrës, brenda vijës dhe pikës, sfondit, në të cilin derdhet tema e realizuar me durim filigranisti, kështu që ajo të përfundojë siç e ka ndierë dhe e ka paraparë autori, për të qenë e plotë dhe gjithë tension, për të shpërthyer me tërë fuqinë e shpirtit dhe të gjakut, me të cilat është punuar. Ndoshta e stërzgjatur e tërë kjo, vetëm për të dëshmuar se sado të jetë shkruar për piktorin dhe opusin e tij impresiv, megjithatë ka mbetur shumëçka e pathënë, ka mbetur shumëçka e paprekur deri në fund – ajo alfa dhe omega e përmendur pak më parë, që e përshkon fund e krye veprën voluminoze dhe të shumëngjyrtë me vizatime, grafika, piktura, karikatura, ilustrime, përgatitje estetike të librit shqip dhe atij të përkthyer-me punime të tij në kopertona,etj. Dhe, këtu më vjen një si rezyme mes rreshtash – ai , mund të thuhet pa hamendje, ka shkëlqyer në të gjitha sferat, në të cilat ka prekur. Dua të them, me këtë rast, se ulli i tij ka shndrit sidomos në antonimin e ri dhe shumë specifik të grafikës, në të cilat ka derdhur dijen dhe mundin, që nga terri i kohës ta nxjerr në sipërfaqe – ta materializojë në pëlhurë apo në letër, dridhjen shpirtërore të ndonjë copëze nga përrallat dhe baladat më të bukura shqipe, t`i bëj ato të afërta dhe të prekshme. Ato krijime që mbijetuan terrin e dendur, kohën, duke u bartur ugojë më gojë, brez më brez deri te ne, deri te zemra, koka dhe dora e Salih Lutollit, që të ngjallen përfundimisht, të shihen me sy, të prekem me dorë dhe të përjetohen me shpirt... Ja, pse është tashmë kaq e qartë pse AGI është universal. Jo vetëm pse merret me kaq sfera të artit pamor dhe kudo është kaq i suksesshëm, por pse ia ka dalë që figurën nga ambienti ynë, nga dheu ynë, ta bëj ta përjetojnë si të tyre kudo dhe në çdo kohë të sferës, në të cilën jeton sot njeriu i racës dhe ngjyrës së ndryshme. Pa dallim.
Në artin pamor, sidomos në sferën e grafikës, te ne – në Kosovë, por dhe në mbarë relievin arbëror, Salih Lutolli Agi është padyshim i veçantë, i njënjëshëm. Dhe, ja, pse të shkruash për të është lehtë dhe në të njëjtën kohë mjaft vështirë. Është lehtë, ngaqë ngado të nisesh ke rrugë për të arritur aty ku synon, sado që veprimtaria e tij është një pyll i dendur me kaq shumë drurë, shkurre, driza, me krijesa përplot krijesa mitike e mistike, me rrëshqitës dhe zogj në fluturim për purpur agu nga dega në degë dhe qiellit të kaltër të pafund, por dhe qiellit të zymtë, të ndezur nga vetëtima të egra. Është vështirë të shkruash për të dhe veprën që e ka krijuar dhe e krijon, ngaqë secila shenjë aty është një sentencë, është një botë më vete të cilën duhet të kesh durim ta zbërthesh, që ta arrish qendrën nga ku autori është nisur për të arritur në fund, në përfundim të veprës, e cila është punuar me mund të pakursyer, me pika gjaku të pikuara nga baladat, nga mitet dhe legjendat e vjetra shqiptare. Është vështirë ta thuash dhe vetëm një konstatim të vetëm të prerë, ngaqë gjithherë ke mundësinë të japësh mendim të gabuar. Te ai, secila copëz, vijë, pikë, hapësirë, është tërësi brenda tërësisë së veprës. Te ai në secilën udhë të nisesh ta flasësh teknikën e punës, por dhe temën që e trajton, hasë në diçka të re, të paprekur më parë nga ata që e kanë kultivuar dhe që e kultivojnë grafikën, e – në kohë të fundit, pikturën, ku Agi ka bërë një kthesë, ka sjellë një risi dhe padyshim ka krijuar një botë vetjake, që është synim i gjithhershëm i secilit krijues të talentuar dhe me peshë. Ja, pse pra është lehtë dhe njëkohësisht mjaft vështirë të shkruar për bagazhin kaq të madh të Salih Lutollit. Sido që të jetë, të shkruash për të, edhe të gabosh, nuk është mëkat. Sepse, asnjë rrugë megjithatë nuk të shpien dy herë në të njëjtin konstatim, në të njëjtin përjetim, në të njëjtën dhembje dhe të njëjtën kënaqësi. Grafika, piktura, vizatimi i Salih Lutolli është kënaqësia e dhembjes, është krenaria dhe drita që ndien njeriu në agun e hershëm, duke parë vagëllimën mbi ujin dhe në ujin e liqenit. Me një befasi dhe kënaqësi të tillë ti që orvatesh të shkruash për të nisesh rrugës që të shpie në botën e mrekullueshme për fëmijë-te ilustrimi realist, apo te vizatimi surrealist, qoftë për fëmijë apo për të rritur, rruga tjetër – e dytë, e tretë... e shtatë, të shpien në cepin e majtë të veprës, pastaj në të djathtin, për të udhëtuar gjatë kohë labrinthin ta gjesh qendrën e gjithësisë së krijimit– ta zëmë gruan, nga e ec Kopshtin e Edenit, nga e këput Mollën, veçse gjithherë brenda mëshikëzës - të tejdukshme deri në atë masë sa e ka përcaktuar autori, për ta zënë zjarrin e ëndrrës, flakën erotike.
Ai ka takt, ka kriter të ashpër, e ka paraprakisht të caktuar si dhe deri në ç`masë do të formësojë atë që e ka në kokë, në cilën pjesë do ta lë të hapur perden të shihen gjërat. Në secilën grafikë, pikturë...mbi të gjitha ndihet fuqi shpirtërore-shpërthyese. Ja pse figurat aty kanë gjallëri magjike, pse aty brenda veprës lëvizin gjërat, ngjallen dhe gjithherë ke përshtypjen se veçsa nuk shpërthen gjithësia e tyre nga zjarri i vet i brendshëm dhe të spërkasin me gjakun e vet çdo gjë rreth vetes.
Salihu
veçohet me një temperament dinamik, lëvizjen e sigurtë të dorës, kolorit dhe
stil të personalizuar. Tonet e tij janë të harmonizuara, faktura e fisnikruar,
liria dhe spontaniteti me një fjalë përkufizojnë tabllo me fuqi freskuese.
Teknika e pastelit sikur i fle në shpirt, me ëndrra të sforcuara por të kapshme
dhe sugjestive. Peizazhi, figura e qetë, tabllot urbane dhe rurale, vizionet e
katastrofës së çnjerëzores antishqiptare, dhe ekspresiviteti vihen në
baraspeshë me intimizmin, do t] konstatoj] nd]r t] tjera m] 1998 Skënder
oshnjaku n] shkrimin ”Mjeshtër i atmosferës
meditative”.
*
Piktori Salih Lutolli është i vetëdijshëm se çdo gjë që ka lindur do të vdesë, por megjithatë ai nuk e njeh në asnjë mënyrë shuarjen, nuk e pranon tretjen, nuk e pranon harrimin. Ai, nga hiri i zgjon prapë gjërat, i ndez dhe atë dritë krijon veprën e vet. A nuk e dëshmon – në mënyrën më të mirë gjithë këtë grafika “Pylli feniks”. Një pyll i prerë, i bërë rrafsh me tokë, por aty mes cungjesh të kalbur e gjysmë të derdhur, një trung me rrënjë në gjakun e piktorit ruan shtatin e vet, zgjohet pak nga pak dhe në një gem zë e lidh një gjeth. Kjo vetvetiu mund të lidhet me. Çamërinë e shurdhër dhe memece tashmë, me Toplicën e vdekur tashmë, me Dioklenën e humbur dhe të harruar... por, ja, harrim nuk ka.
Këtë
përpjekje të pafund për ta vrarë terrin, për ta kthyer kujtesën dhe jetën në
gjërat që kanë ikur,e kanë hetuar në krijimtarinë e Agit shumë eseistë,
teoricienë, piktorë e gazetarë. Ata në
shkrimet e tyre dalluan dhe vlerëson të bukurën dhe shumëçka tjetër të
botës estetike, sado pak duke i theksuar format e përkryera në artin e tij.
Kështu, më 1972, në të përditshmen “Rilindja” Nexhat Halimi do të nënvizojë se
“...në rastin konkret, kemi të bëjmë më një punëtor të vyeshëm, me një talent.
Më mirë thënë me një nxënës të dashuruar në artin figurativ, në ritmet dhe
format e pikturës, në vijat e ndjeshme të shpirtit, në vijat e fshehtësitë
poetike të tërhequra me dashuri në pëlhurë. Është ky një djalosh thatak, i
qetë; përherë i preokupuar me gjëra të reja, të cilat me një veçanti të pedantërisë
i shpreh në punimet e veta...”
Ibrahim Kadriu thekson se “Në krijimet e shumta, qoftë si ilustrime librash apo si grafika, Salih Lutolli ofron shprehje origjinale duke gjetur mbështetje gjithnjë në invencionin e njëmendtë krijues.”, ndërsa më 1992 Basri Çapriqi shkruan ”...Kur Salih Lutolli gjakon të ikë nga kombinatorika e gjërave të vogla dhe banaliteti i së përditshmes hyn në një botë të pa kufij miti. Përmes mitit autori arrin të shquajë në mënyrë të mrekullueshme fatalitetin e jetës e cila herë-herë varet nga një tundje briri të demit mitik. E tërë një botë dhe një fat në majë të bririt! Ky është një artikulim tragjik i varësisë banale të fatalitetit të jetës dhe predestinim të saj përmes absurdit. Me fazën e fundit të grafikave të veta, Salih Lutolli përmbyll një cikël magjik figurativ që shtrihet në një sistem unik tematik e gjuhësor që bën të mbahet mend gjatë për origjinalitetin e botës së tij artistike.” Më 993, piktori i shquar, kritiku dhe esteti Mustafa Ferizi do të thotë ”Tek vështron Kalanë e Ulqinit kullat kosovare të cilat Agi i qëndisë më përkushtim filigranesk, të sillet ndërmend Rrethimi i Shkodrës së Barletit, Kështjella e Kadaresë, e në këtë shqetësim asociativ përkujton paradigmën e durimit dhe rezistencës shqiptare drejt lirisë e cila tashmë është bërë vetëdije, njësoj si ndjenja e shfarosjes dhe e dëbimit.” Dy vjet më vonë Eqrem Basha potencon ”Ajo që është tërheqëse të punimet e Salih Lutollit është fakti se përkundër një larmie temash- e ndonjëherë edhe qasjesh e stilesh, gjithmonë do të njihet dorëshkrimi i tij, i veçantë dhe specifik, jo vetëm nga fakti se e kemi ndeshur shumë shpesh dhe na është familjarizuar në ambiente ku sillemi dhe ku takohemi, në kafiteri e hapësira tjera të ngjashme (ku tjetër mund të takohen njerëzit e kulturës te ne), nëpër ballina librash, ilustrime të brendshme, pllakate, karikatura etj., por sepse megjithatë ka diçka, mbi të gjitha në mënyrën e përpunimit të hapësirës dhe të fakturës, kompozicionit dhe figurës, që është vetëm e tija që definitivisht edhe e dallon.”, ndërsa më 1999 poetja e shquar do t` i jap vulë shkrimit të vet për piktorin me një gjetje të mrekullueshme ”Tragjedia si barrë e Sizifit shqiptar ! « etj.
Salih
Lutolli e eci udhën më të rëndë në
krijimtari. I njëjti fat e ndoq dhe në jetë.
Të
Agi, fëmijë prishtinas, në moshën një vjeçare i mbetur pa të ëmën, në moshën tre vjeçare pa babanë, do të formësohet me mund të madh nëpër rrugët me pluhur dhe baltë të Prishtinës, të ngrihet mbi çdo dhembje, mbi çdo pengesë dhe të bëj emër të respektueshëm në të gjitha sferat e artit pamor. Sot – në moshë të pjekur, frymon larg atdheut, larg qytetit të vet, ku me punë dhe dashuri ia doli të bëhet popullor, të hyjë në secilën familje me veprën e vet. Në Malme të Suedisë thith ajrin sot, ndërsa jeton në Kosovë. Atje, larg – i djegur malli, pa kursyer afirmon atdheun e vet, qytetin e vet. Deri më tash ia ka dalë të organizojë disa ekspozita, ta prezantojë ngritjen e njeriut tonë mbi dhembjen, mbi hirin e luftës, për çfarë është mirëpritur dhe disa herë në faqe prestigjioze gazetash është shkruar për të, për fatin e artistit të mbetur pa vatrën e vet, pa atdheun e vet...por, të lidhur gjithnjë dhe për vdekje me atë që tash për tash e ka larg.
”Stili i shkathët i Salih Lutollit në vizatimet e detalizuara, me frymëzim nga surrealizmi, është i qartë edhe për syrin e laikut. Ky gjithashtu mundëson që pikturat të kuptohen lehtë me indentifikimin e viktimave të luftës”, vlerëson më 2005 Annsofie Wieland në gazetën ”HD - Helsingborgs dagblad”, për të shtuar se ”Pikturat miniaturale janë të pasura me ngjyra dhe duken idilike nga jashtë, por me një studim më të afërt dalin në skenë një vistër mjedisesh të shkatërruara. Një varg shtëpish të djegura dëshmojnë për shembull për pëlcitje të befshme dhe të trishtueshme”, ndërsa Stefan Franzen në gazetën ”Norra Skåne” nënvizon se “Ekspozita e Salih Lutollit dhe e Magbules – bashkëshortes së tij, e realizuar ngaTushi dhe ngjyrat pastele, që e karakterizojnë artin e tyre, ka zgjuar interesim te shumë artdashës, të cilët vizitojnë gjatë ditës hallën e bibliotekës në Peshtorp, ku nga fillimi e deri në fund të muajt varen punimet e tyre, në të cilat Ata kanë jetësuar pamje rishtuese nga lufta...
Kështu,
shikuesi përmes pikturës së Magbule dhe Salih Lutollit, piktorë nga Kosova,
kanë rastin të përcjellim të vërtetën e luftës së përgjakshme të popullit të tyre për liri. Me pikturë ata duan të
kujtojnë të kaluarën, por edhe ta shpien përpara shpresën për një ardhmëri të
ndritshme...”