| E diele, 24.06.2012, 07:08 AM |
Flamuj
dhe libra
Shënime për vëllimin me tregime “Kur takohen flamujt”, të shkrimtarit Hamit F. Gurguri
Nga Viron KONA
Midis
miqve të shumtë, që takova gjatë kohës sime të qëndrimit disa ditor në Boras më
17- 21 maj 2011, pata rastin të njihem edhe me
shkrimtarin Hamit F. Gurguri. Biseduam bashkë si koleg të letrave dhe këmbyem
libra. Gjatë mbrëmjes përuruese të përkthimit të librit tim “Eh, more Bubulino!”
gjetëm kohë edhe të shëtisnim dhe të këmbenim mendime rreth letërsisë dhe
arteve. Biseda jonë ishte e sinqertë dhe rrodhi natyrshëm si vazhdim i një bisede
të mëparshme, sikur kishim kohë që njiheshim. Aty, Hamiti më dhuroi librin e
tij, “Kur takohen flamujt”, botim i
vitit 2009. E falënderova dhe, sigurisht, edhe unë i dhurova libra.
Kur erdha
në Shqipëri, i nxitur nga dëshira dhe kureshtja nisa ta lexoj librin e Hamitit.
Fillimisht tërhoqi vëmendjen time fakti, se nga profesioni, Hamiti është jurist,
por, siç shprehet recensenti i librit të tij, Bedri Tahiri, Hamiti “nuk resht së krijuari vepra të bukura letrare....”
Gjatë leximit
të librit “Kur takohen flamujt”, nga faqe në faqe vëreja se kisha përpara një shkrimtar të talentuar, që shkruan bukur dhe, me një penë
të hollë, krijon e përshkruan skena, ngjarje, episode, që të bëjnë për vete. Madje,
gjatë leximit habitesh sesi koha kalonte aq
shpejt e pa u ndjerë. Libri të rrëmben. Personazhet dhe ngjarjet kalojnë në përfytyrimin e lexuesit si
sekuenca filmike, që të nxitin për ta vazhduar me dëshirë leximin dhe të ndjekësh
me interesim rrjedhën e natyrshme të ngjarjeve. Kjo ndodh qysh me tregimin e
parë “Petriti i Konicës në Suedi”, subjekti i të cilit zhvillohet në vitin 2009,
në prag të pavarësisë së Shqipërisë. Kureshtja për të mësuar vazhdimin, bëhet
gjithnjë e më tërheqëse. Aq më tepër, kur përfytyron se, atje, në skajin e largët
të banuar të rruzullit tokësor,
interesimi për Shqipërinë ka qenë
përherë i madh dhe i dukshëm. Shteti dhe diplomacia suedeze, ndaj Shqipërisë dhe
shqiptarëve janë treguar aktivë në veprime
dhe e kanë thënë fjalën pro Shqipërisë me tërë forcën dhe autoritetin e tyre ...
Duke
ndjekur rrjedhën e leximit, sillja ndërmend se suedezët kanë qenë të interesuar
për Shqipërinë që në vitin 1774, kur shkencëtari Erik Hans Thunman, para
danezit Pedersen, shprehej për origjinën ilire të shqiptarëve. Më pas Gustav
Adolfi, takoi Ali Pashë Tepelenën, të cilit i dha një relikë të çmuar, shpatën
e Karlit të XII, që Pashai i Janinës, e vuri me krenari përkrahë karabinës së falur
nga Napoelon Bonaparti. Ndërkaq, shteti dhe mbreti suedez Gustavi i XVI, ishin
ndër të parët që njohën pavarësinë e Kosovës, kurse, tashmë një personalitet tjetër i shquar, albanologu Ulmar Kvik, me veprën e tij historike dhe
shkencore, po ritregon se suedezët po shfaqen si gjithnjë, miq të vërtetë të shqiptarëve...
Ngjarjet
në prozën e Gurgurit zhvillohen me ritëm dhe dramacitet, ato kanë forcë tërheqëse
dhe përshkruhen nga dialogu transparent
e domethënës. Ndërkohë, që subjekti ka si skenografi kryeqytetin suedez
Stokholm, një familje intelektuale suedeze si dhe universitetin e vjetër dhe emër-ndritur
të Uppsalës, i cili ka nxjerrë personalitete që kanë fituar respekt me emrat e
tyre, jo vetëm në Suedi, por edhe në botë... Stili i përdorur nga Gurguri, ku
ngërthehen natyrshëm arti i letërsisë me ngjarje historike, ku shfaqet
temperamenti dhe karakteri i vendosur i shqiptarit, përshkrimet e bukura e tërheqëse
etj., të gjitha këto, janë mbresëlënëse dhe zënë vend në kujtesën e lexuesit,
rritin interesin për të ndjekur zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Shkrimtari,
duke iu shmangur stilit deklarativ, përdor suksesshëm bashkëbiseda tërheqëse mes personazheve, retrospektiva dhe dialogë, që shprehin fakte
jetësore dhe erudicion kulturor. Teksa lajtmotivi i përpjekjeve për çlirim nga
pushtimi i gjatë osman, tingëllon në mënyrë ritmike gjatë gjithë faqeve të tregimit.
Madje, ai na sjellin ndërmend motivin udhëheqës të hungarezit të madh Shandor
Petëf “Për dashurinë fal jetën, për lirinë jap dashurinë”. Rruga dhe ardhmëria e jetës së personazhit kryesor
shoqërohet me ëndrrën dhe dëshirën e flamurit të lirisë që po vjen...
Ndërsa
lexova tregimin “E shpëtuara e detit Jon”, përjetova me dhimbje të thellë atë masakër të rëndë të një shteti fqinj,
ndaj një popullsie të pafajshme. Duke lexuar atë tregim, brenda lexuesit pështillen
ndjenja dhe lëmshe të zjarrtë, që të përvëlojnë
dhe të turbullojnë, të bëjnë të mbash qëndrime të ashpra për ato qenie të shpërfytyruara dhe antinjerëzore, që arrijnë të
zhdukin nga dita e diellit, popuj fisnikë dhe vende paqedashëse. Në këtë tregim
dramatik, Gurguri shpreh talent, nivel artistik, por edhe një mesazh të fortë demaskues
kundër terrorizmit, duke treguar me gisht autorësinë e tyre gjëmëzezë. Më tej,
autori i tregimit, arrin të ngrihet mbi
dhembjen dhe të tregoj se në botë ka edhe njerëz, popuj e shtete të civilizuar
e të përparuar si suedezët, të cilët dinë t`i vijnë në ndihmë dhe të tregojnë ngrohtësinë
e duhur për njerëzit fatkeq, të pafuqishëm dhe në nevojë. Ndërsa nga njëra anë,
lexuesi tronditet nga rrëfimi i ngjarjes së dhimshme të goditjes dhe mbytjes së
qëllimshme të anijes së mbushur me shqiptarë të pafajshëm, të shpërngulur me
dhunë nga vendi i tyre, nga ana tjetër ndjen respekt për ekuipazhin e anijes
transoqeanike suedeze, që arrin të marrë në mbrojtje jetën e një vajze, që simbolizon
Shqipërinë dhe trevat e vuajtura dhe të shtypura të asaj kohe. Natyrisht, që,
me shqiptarët ngjarje të tilla, nuk janë raste të vetmuara. Te shqiptarët, është
ende i afërt viti 1997, kur Sibila, anija luftarake italiane, përplasi në Otranto
Katrin e Radës, një anije shqiptare me refugjatë, që shkonin për një jetë më të
mirë në Itali, por që në vend të parajsës që ëndërronin, anija shkatërrimtare -
goditëse Sibila italiane, duke goditur si një tigër gjahun e
tij, hapi dyert e ferrit për 84 jetë të pafajshme, shumica gra dhe fëmijë.
Me ritëm
dhe, ngjarje pas ngjarjesh, vijon edhe tregimi i gjatë “Kujtimi për Naumin”, ku
përpara lexuesit shfaqen tipa, karaktere, ngjarje dhe episode interesante, por
dhe ku shfaqen ato cilësi të përbashkëta që popujt i kanë kudo dhe kurdoherë të
nevojshme, ardhja në ndihmë në çaste të vështira dhe mbështetja e jetës. Duke lexuar këtë tregim, nuk di pse
më vinë ndërmend shprehja se “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar të gjithë botën”.
Ndërsa të mbetet në mendje për dhembjen që shkakton tregimi “Motrat binjake nuk
u takuan”, tregimi tjetër ”Marta nga Shpuzi”, që rrëfen nëpërmjet një retrospektive
( një ditari lënë amanet), se, hakmarrjet dhe vetëgjyqësitë, sjellin pasoja të rënda
shpirtërore...Duke qenë jurist, Hamit Gurguri analizon në rrjedhën e saj zhvillimin tragjik të ngjarjes
që përshkruan, duke treguar njëherazi fatin e keq të njeriut të pambrojtur...
Tregimet
lexohen shpejt dhe të vënë në mendime, sepse tek e fundit, një krijim i mirë,
fillon pasi ke përfunduar leximin e tij. Vetëm atëherë, lexuesi bën “bilancin” e
ngjarjeve dhe nxjerrë konkluzione, por edhe kalon në mendje episode, situata,
zgjidhje dhe përjeton gjithçka në përfytyrimin e tij. Kjo është magjia e artit,
që të bën të të mbeten në mendje fabulat dhe karakteret tipikë, me të gjithë detajet.
Hamit Gurguri e afron lexuesin në ngjarje dhe, ai, herë është vizitorë i afër i
ngjarjes, herë dëshmitarë dhe, herë “pjesëmarrës” aktiv në zhvillimin e saj. Në
tregimin ”Motra norvegjeze Berit”, Hamit Gurguri shprehet me respekt për ata
njerëz me qytetërim dhe civilizim të lartë, trima dhe të guximshëm siç është Motra
norvegjeze Berit, e cila sakrifikohet në dobi të përparimit dhe kulturimit të një
populli, fiton dashurinë e tij dhe ndjehet si një pjesëtare e familjeve
shqiptare. Por, tregimi rrëfen në mënyrë
origjinale edhe traditat e nderimit të njeriut, zakonet shqiptare të respektit,
e dhembshurisë dhe ndershmërisë njerëzore,
që janë karakteristika të popujve të vuajtur, siç tregohet edhe populli ynë,
ndaj atyre njerëzve zemërartë, që duan të
mirën, përhapin frymën e vëllazërimit dhe sakrifikojnë për dashurinë njerëzore.
Tregimi “Ndihmoji
Suedinë”, trajton fatkeqësinë e një familje shqiptare nënë regjimin e urryer
serb, si dhe mbështetjen që ajo familje e vuajtur gjeti në një vend të përparuar
si Suedia. Tregimi ka sens filozofik, ku shfaqen disa mendime të avancuara
qytetëruese, suedeze, dashuria për vendin e tyre, dashuri që e shpreh gjithkush
në mënyrën e vetë dhe origjinale. Kjo është dhe befasia e këtij tregimi, sa
tronditës, aq edhe me ndërthurje të elementëve qytetërues, ku roli i humanizmit
dhe dashurisë njerëzore suedeze merr përparësitë e nevojshme artistike. Në disa
tregime të vëllimit, Gurguri tregohet mjeshtër i kalimit të situatave nga një mjedis
në një mjedis tjetër, e sidomos nga vendlindja Kosova dhe trevat shqiptare,
drejt vendeve Skandinave, ku shumë shqiptarë kanë gjetur atje ardhmërinë e jetës
dhe të fëmijëve të tyre.
Vazhdojnë
tregimet mbresëlënëse njëri pas tjetrit “Mallkimi i babait”, “Ankthi i një vrasësi”,
“Ndarja e të traumatizuarve”, “Shteti dhe ambienti”, “Pusho e qetë, nënë! ” dhe, përfundon me
tregimin që i ka dhënë titullin librit “Kur takohen flamujt”. Dita e librit në Suedi
përkon me ditën e flamurit në Shqipëri. Një koincidencë interesante dhe mbresëlënëse
për dy popuj miq. Ndërkaq, sjell ndërmend fjalët e Gurgurit në një intervistë dhënë
para disa kohësh:“ Suedia, para 100 viteve, ka qenë shumë e varfër dhe për këtë
shumë suedez emigruan për në SH B A, por ata nuk e harruan vendin e tyre, kapitalin e tyre edhe intelektual, edhe
ekonomik e sollën ne Suedi... Prandaj them, pse të mos e japim edhe ne
kontributin tonë reciprok, në mënyrë që vendi
ynë të jetë, vend me perspektivë evropiane”.
Hamit
Gurguri, në tregimin “Kur takohen flamujt”, të thjeshtë në pamje, por të thellë
në mendim dhe me mesazhe të forta në përmbajtje, ashtu si edhe në të gjitha
faqet e këtij libri, e shfaq veten si një shkrimtar të talentuar, që ka aftësinë
dhe nivelin e duhur krijues për të shprehur ndjenjat dhe mendimet që i vlojnë në
zemrën dhe shpirtin e tij të bukur e
fisnik. Urime Hamit Gurguri! Urime për mesazhet e bukura, që në çdo faqe të vëllimit
i thurin himn vendeve paqedashëse, i bëjnë jehonë jetës...
Për
ribotim- Kadri Mani
/etnike@gmail.com/