| E diele, 24.06.2012, 08:24 AM |
Një tezë doktorature
që dëshmon lashtësinë e gjuhës shqipe
Dokotoraturë “Magna cum laude” e Renata Topçiu-t për frazeologjinë shqiptare-rumune
Nga Baki Ymeri (Bukuresht)
Para se të
shkruaja këto radhë, po mendoja a ka interes publik mbrojtja e doktoraturës së dikujt?!
Mbase është vetëm një sukses personal i dikujt dhe mund të mbetet gëzimi i
personit që synon gradën shkencore?! Këto ditë kam asistuar, bashkë me elitën
rumune dhe me përfaqësuesit më në zë të shqiptarëve të Rumanisë në një eveniment
që duhet ta ndaj me të gjithë ata që gëzohen kur shkenca jonë shënon arritje të
certifikuara nga akademikët e huaj. Mendoj se meritat shkencore personale të personit
janë një e mirë e përbashkët e shoqërisë sonë, kurse rezultatet shkencore të tij
janë pjesë e thesarit të identitetit tonë kombëtar.
Marrëdhëniet
e rumanishtes dhe shqipes në fushën e gjuhës kanë qenë gjithmonë në vëmendjen e
gjithë gjuhëtarëve të mëdhenj europianë, si dy nga gjuhët më të vjetra të Gadishullit
Ballkanik. Duke studiuar këto raporte, Eqrem Çabej do të shprehej: ”Ajo (afria
midis shqipes dhe rumanishtes sh.y.) është aq e madhe, sa gjuhëtari ka
shpeshherë përshtypjen që ka përpara tij një lëndë gjuhësore të vetme, që paraqitet
me dy forma të ndryshme”
Këto ditë,
në një nga sallat e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Bukureshtit, znj.
Renata Topçiu mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Frazeologji rumuno-shqiptare”,
tezë e drejtuar nga akademiku dhe gjuhëtari i shquar rumun Grigore Brancus,
albanolog dhe profesor universitar.
Renata
Topçiu është bashkëautorja e parë e Fjalorit më të madh akademik shqip-rumanisht,
me 41.000 fjalë-tituj dhe me mijëra shprehje dhe frazeologji, botuar nga Shtëpia
Botuese Polirom, 2003. Ajo ka punuar si lektore universitare pranë Universitetit
“Ovidius” të Konstancës për vite me radhë, si themeluese e albanologjisë në këtë
Universitet.
Kryetari
i komisionit, Prof. Dr. Emil Ionescu, vuri në dukje rezultatet e shkëlqyera të provimeve
dhe referateve në fazën përgatitore të doktoraturës dhe rëndësinë e këtij punime
me vlera të posaçme në fushën e gjuhësisë së krahasuar. ”Teza e doktoraturës e
studiueses Renata Topçiu shënon një hap të ri në fushën e shkencave gjuhësore,
duke hedhur dritë në një nga fushat më të rëndësishme të gjuhës, por dhe të mendësisë
të dy popujve, të konstitucionit shpirtëror të tyre, të vizionit që kanë shqiptarët
dhe rumunët për botën.
Duke
filluar qysh nga shekulli i XIX gjuhëtarë rumunë, gjermanë, austriakë më vonë dhe
shqiptarë do të shtronin disa teori mbi prejardhjen e popullit rumun dhe atij
shqiptar, duke i dhënë një rëndësi të posaçme historisë së këtyre gjuhëve dhe
fisërimit të tyre.” - vuri në dukje Prof. Dr. Emil Ionescu.
Znj Topçiu,
në fjalën e saj, para komisionit dhe publikut që asistoi në këtë moment të rëndësishëm,
theksoi se “Rezultatet tona lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetë sistemet
gjuhësore të shqipes dhe rumanishtes. Këto rezultate mund të mbështesin apo
mund të kundërshtojnë rezultatet e kërkimeve të mëparshme në nivele të tjera të
dy gjuhëve: leksikor, morfologjik, sintaksor apo të formimit të fjalëve”.
Përveç të
tjerash, ajo përcaktoi edhe synimet e këtij kërkimi: “Duke përfituar nga
arritjet e kërkimeve të mëparshme mbi frazeologjinë rumuno-shiptare, mbi
frazeologjinë ballkanike dhe atë dygjuhëshe, ndërmarrja jonë synoi zgjerimin e
problematikës, pasurimin e fondit të përbashkët frazeologjik shqiptaro-rumun me
paralele frazeologjike të reja si dhe përcaktimin e nivelit të afrimit të frazeologjisë
shqipe me atë rumune në planin e përmbajtjes së materialit leksikor, në plan
semantik, gramatikor e strukturor si dhe stilistik”.
Më pas e
mori fjalën udhëheqësi shkencor i këtij punimi, Akad. Prof. Dr. Grigore
Brancus, i cili, ndër të tjera tha: “Nga gjuhëtarët rumunë që kanë hetuar
ngjashmëritë frazeologjike të rumanishtes dhe shqipes janë Sextil Puscariu, Al.
Philippide, Pericle Papahagi, Al. Rosetii, Th Capidan, Gr. Brancus, Catalina
Vatasescu etj., ndërsa ndër gjuhëtarët shqiptarë mund të kujtojmë Al. Xhuvanin,
Eq. Çabej, Mahir Domi, Spiro Floqi, Emil Lafe, Jani Thomaj etj. Znj. Topçiu
vazhdon me sukses punën e tyre.
Pasi
rreshtoi disa nga rezultatet konkrete të punimit të znj. Renata Topçiu,
akademiku rumun u shpreh: “Çmojmë me vlerësim të veçantë tezën e doktoraturës së
paraqitur nga zonja Renata Topçiu, një gjuhëtare e formuar profesionalisht, e
cila njeh me themel historinë e të dy gjuhëve dhe relaton me kompetencë strukturat
leksiko-gramatikore të vjetra përmes të cilave nxjerr në pah fisërimin e tyre
origjinar.”
Referentja
e punimit të doktoraturës, znj. Catalina Vatasescu, studiuese e vjetër e gjuhës
shqipe, specialiste në Institutin e Studimeve të Europës Jug-lindore, mes
tjerash tha: “Studimi që na është paraqitur është rezultat i një aktiviteti
shkencor intensiv. Bie në sy mënyra se si është menduar dhe janë zgjidhur shumë
probleme të karakterit teorik si dhe vëmendja me të cilën është mbledhur një material
gjuhësor mbresëlënës. Ky subjekt ka një shkallë të lartë vështirësie sepse bëhet
fjalë një studim që krahason dy gjuhë. Autorja e punimit të doktoraturës është një
njohëse e mrekullueshme e rumanishtes, jo vetëm e gjuhës shqipe, cilësi që del
në pah, sidomos, në kapitullin e komenteve stilistike të disa njësive
frazeologjike ekzistuese në dy gjuhët. Ky punim është i shkruar qartë, me një stil
të ngjeshur dhe elokuent.”
Renata
Topçiu njoftoi dashamirësit dhe të gjithë ata që janë të interesuar për marrëdhëniet
midis këtyre gjuhëve, se tashmë është përgatitur, në bashkëpunim me bashkëshortin
e saj, Dr. Luan Topçiu dhe Ana Melonashin, një tjetër fjalor dy gjuhësh
rumanisht-shqip, me 55 000 fjalë, ndërsa si pasojë e studimit për frazeologjinë
ka përgatitur dhe një fjalor tjetër voluminoz, frazeologjik rumanisht-shqip. Njëzëri,
komisioni vlerësoi tezën e doktoraturës me rezultatin maksimal “Magna cum laude”.
Një moment i rëndësishëm për shkencën shqiptare, jo vetëm për studiuesen, por për
të gjithë ata që janë të interesuar për dijen, për kërkimin shkencor dhe për
lashtësinë e gjuhës shqipe.