Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Orhan Sakiqi: Hajdar Pepa, sportisti dhe gjyqtari që nuk u nderua kurrë

| E merkure, 02.04.2008, 10:37 AM |


Hajdar Pepa, sportisti dhe gjyqtari që nuk u nderua kurrë

Nga Orhan Sakiqi

Artistët dhe sportistët janë personazhe të njohur. Ata janë persona publikë. Duke qenë në kontakt me publikun, ata bëhen të njohur, kështu që ata janë të pranishëm edhe në jetën tonë. Secili ka preferencat e tij, shijet e tij për këtë apo atë artist, apo sportist. Por, kur ky personazh me gjithë meritat e tij lihet në hije, nuk përmendet kurrë si të mos ekzistonte, atëherë lind pyetja: Si ka mundur të ushtrojë aktivitetin e tij? Si ka mundur të dalë në skenë apo në fushë? Çfarë force e mbinatyrshme e ka detyruar të dalë në skenë? Dashuria për artin, për sportin, mbase edhe egoja personale kanë qenë faktorë të vazhdimit të aktivitetit të tyre? Presioni ishte i vazhdueshëm për ta lënë aktivitetin, por, megjithatë, ata vazhduan, megjithëse jo të përfillur, nga dëshira për artin apo sportin e preferuar, nga dëshira për të përfaqësuar klasën, nga e cila rridhnin.

Sportisti, kur ishte i mirë, në kohën e diktaturës, kishte presione edhe nga mediokrit, të cilët janë prezentë kudo në çdo kohë, kishte presione sesi mund të dalë në publik dhe “populli” të duartrokasë për një njeri të tillë. Duartrokitja duhej të ishte vetëm për njerëz me biografi të pastër. Nga kjo vuajtën dhe nuk u lejuan të luajnë në ndeshje zyrtare Qemal Vogli dhe më vonë Skënder Halili pas burgut të padrejtë që kishin bërë. Shumë të tjerë nuk mundën të duronin. Ata e lanë sportin që në hapat e para, që në aktivitetin me të rinjtë. Po kishte dhe të tillë që luajtën ‘në hije’, por kurrë nuk u lavdëruan, kurrë nuk u përmendën.

Ata mbijetuan në sajë të vullnetit të tyre.

I tillë ka qenë personazhi im i serisë 19 të kujtimeve të fushës sportive të Shallvares, shoku dhe miku im i paharruar, Hajdar Pepa.

Hajdari lindi në Tiranë, në një shtëpi afër fushës së Shallvares, në vitin 1931. I ati i tij ishte Qamil Pepa, drejtor i korrespondencës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, më 1927 dhe sekretar i M.P.M (Teki Selenica, “Shqipëria e Ilustruar”, Tiranë 1928). Më vonë Qamili ka qenë nënprefekt dhe prefekt i Tiranës (1936-1939). Nënprefekti Qamil Pepa ishte personi që përjetoi ndryshimin, duke u emëruar prefekti i parë i Tiranës. (K. Dervishi –Historiku i prefekturës së Tiranës, 1912 -2007).

Ky ishte mëkati i Hajdarit. Duke qenë i ati nëpunës i lartë i mbretërisë shqiptare, i biri nuk mund të ishte personazh, sportist apo çdo lloj tjetër. Nëpunësit e lartë të mbretërisë, duke parë librin e Selenicës, por edhe sa kam njohje, kanë qenë të gjithë të arsimuar dhe të aftë. Por i ati i Hajdarit ka qenë edhe me shije të hollë e këtë e tregon shtëpia e tij në rrugën “Hajdar Hidi”, jo larg Shallvares. Shtëpia, megjithëse jo në gjendje të mirë, është sot e kësaj dite.

Mbaj mend, pa u njohur me Hajdarin apo Darin siç i thonim ne, në atë shtëpinë në fjalë, kam qenë me nënën time në vizitë te Milla Koça, që ishte bashkëmësuese me të dhe e kishte çuar “strehimi” te shtëpia e Qamilit. Milla ishte e shoqja e publicistit dhe shkrimtarit Vangjel Koça. Si fëmijë, mbaj mend, se përveç morisë së librave më ranë në sy mozaikët e dyshemesë së tavanit.

Sa herë shkoj në shtëpinë e Hajdarit, i kujtoj djalit të tij, Gentit, se ëndrrat e mia të fëmijërisë janë të ndërthurura me këtë mozaik të mrekullueshëm. Këto tregojnë shijen e hollë të porositësit, që ishe i zoti i shtëpisë, Qamil Pepa. Mjerisht, nga banuesit e shumtë, mozaiku është dëmtuar mjaft.

Në këtë mjedis u rrit dhe u edukua Hajdari, deri në nëntorin 1944 që atë e gjeti 13 vjeç. Këtu u shuan ëndrrat e tij. Djali i ish-prefektit nuk mund të ishte i arsimuar si i ati. Nevojat e familjes e detyruan Darin të hyjë që në moshë të re në punë si marangoz. Duke qenë me shtëpi afër fushës, ai filloi të luajë tenis në kompleksin “Tenis Nallbani’, ngjitur ose aneks i fushës sportive të Shallvares.

Nga fillimi i viteve ’50, Sali Nallbani në fushën që dikur kishte qenë e tij e tani ishte “shtetëzuar’, hapi rrethin e tenisit. Ne, fëmijët e lagjes, patjetër ishim të parët aty. Hajdari, në diferencë pothuajse 10 vjet me ne, ishte si të themi asistent i Saliut. Me gjithë vështirësitë e kohës, si mungesa e raketave për të gjithë, apo me topat që luanim edhe pasi iu dilte pushi krejt, arritëm t’i ‘hyjmë’ kësaj loje të bukur dhe fisnike.

Mbas mbarimit të kursit, ne u bëmë protagonistë të kampionateve lokale dhe kombëtare. Dy familje, Këlliçët dhe Nallbanët, ishin konkurrente. Luani, Adnani nga Këlliçët dhe Franko dhe Shpëtimi nga Nallbanët ishin konkurrentët kryesorë. Këtu nuk mungonte edhe Dari, që, megjithëse më i madh në moshë, pothuajse dhjetë vjet, ishte gjithmonë në elitën e klasifikimit. Shumë vende nderi ka zënë Hajdari në garat në vitet ‘50-‘60. Ai luajti dhe mori pjesë edhe në garat e pingpongut. Së fundi, mbas përfundimit të aktivitetit agonistik, Dari ishte gjyqtar i kategorisë së I.

Në punën e tij të përditshme, Dari ishte marangoz në ndërmarrjen e mirëmbajtjes së objekteve shkollore. Ai ishte korrekt në detyrë dhe nuk mungonte minutin. Rregullues bankash shkollore, çelësash e çfarë i binte në dorë, ai i rregullonte me mjeshtëri. Së fundi, mësoi të lidhë edhe telat e raketave të tenisit. Sporti ishte diçka jashtë tetëorëshit. Megjithatë, ai nuk e linte mangut asnjërën. Tenisi ishte për të një strehë, ku ai dilte në veten e tij, ku, duke qenë në fushë të hapur, mund të rrëthiste me zë të lartë për të shfryrë dufin e ditës së punës. Për ne, Dari ka qenë si një vella i madh. Ai dinte të përshtatej me shoqërinë tonë. Ai përveç sportit, na mësoi edhe dallimin midis së mirës dhe së keqes, na mësoi të ruhemi nga provokimet që ishin në rend atë kohë. Hajdari ishte gojëmbël dhe i dashur me të gjithë. Bënte mirëmbajtjen e fushave të tenisit. Ai e adhuronte këtë sport. Dari luante vazhdimisht me Sejfulla Malëshovën, i cili e çmonte shumë. “Rrini me Darin, - na thoshte ne, - e keni shokun dhe mbrojtësin tuaj”.

Unë kisha një ditë të caktuar në javë, kur luaja me Darin. Mbas ndeshjes, shkonim e pinim një birrë te “Tajvani”. Atëherë, ai ishte një vend i vogël, i rrethuar me gjelbërim. “Tajvan” i kishte mbetur emri, se ishte si ishull në mes të parkut “Rinia”. Dari pëlqente shumë Modunjon. Tani që kënga e tij e famshme ‘Volare’ mbushi 50 vjet, unë së bashku me të kujtoj Darin. Por ai kishte në zemër një këngë tjetër të Modunjos, ‘Vecchio Frack’ (Fraku i vjetër).

Një njeri me frak ishte mbytur. Para mbytjes këndonte:

Addio al mondo ……

…………………….

Ai ricordo del passato

A un mondo mai sognato

Lamtumirë botë

Në kujtim të së kaluarës

Në një botë kurrë të ëndërruar

Mbase Dari ëndërronte për një botë tjetër. Dhe bota tjetër tani ka ardhur, por kjo nuk po kujtohet për Darin dhe shokët e tij që kurrë nuk u nderuan, kurrë nuk morën një medalje të thjeshtë pune.

Sot, kur përditë po dalin Mjeshtra të mëdhej pune, kurrkush nuk kujtohet për të burgosurit Ahmet Golemi, Shefqet Kau, ose për Ismet Bellovën që ka afro 60 vjet në mikrofon, mbase një rekord më vete. Vallë, a nuk ka ardhur koha që për ata që kanë 50 vjet punë (burgu të quhet dyfish), t’ui jepet titulli “Kavalier i Punës”, siç e kanë shumë vende të Perëndimit? Mjaft më me mjeshtra e mjeshtra të merituar, të huazuar nga Lindja!

Gazeta Tema