Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: Ndërgjegje e vrarë apo cinizëm vetëvrasës

| E shtune, 23.06.2012, 02:38 PM |


Ndërgjegje e vrarë apo cinizëm vetëvrasës

Pas gjithë asaj katrahure, ku të tjerët e prenë  kërthizën e qenies  sonë, ne sikur gjurmojmë në shtratin e iluzioneve, se ,,të tjerët janë fajtor”.  Dhe duke qenë të tjerët fajtor, vjen mashtrimi, se, të tjerët do merren me fajet dhe dënimin e fajtorëve. Kjo logjikë aspak frytdhënëse do bëhet pjesë e gjumit tonë.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Ndërgjegjja personale është pjesë e një tërësie pa të cilën nuk mbijeton dot jashtë ndërgjegjes kolektive. Individi i ka caktuar vetë limitet e saj ndijor që rikthehen në limitet vlerësues kolektiv nacional. Parë nga kjo prizëm çdo shqiptar do duhej të ri-pyes vetën: ku jam unë në detyrimet ndaj personales e të përbashkëtës, njerëzores? Kur në histori shikohen rrjedhat e jetës së njeriut tonë, do shohim veten në raport me të tjerët, apo të tjerët në raport me ne. Këto  jenë të lidhura dhe të tërhequra njëra me tjetrën në ,,lojën e litarit”. Derisa të tjerët e luajtën lojën mirë ndaj nesh, apo të paktën kështu na duket ne, ne nuk ishim lojtarë të tillë. Jo vetëm dje por as sot.

Këtu do hynte njëra nga hallkat e të përbashkëtës, përgjegjësia e jonë në bërjen të njohura masakrat si elemente gjenocidi kundër popullit shqiptar. Apo siç e quajti hebreu guximtar Leo Frendling, qe para një shekulli veprën e tij,,Golgota Shqiptare” e botuar në Vjenë më 1913. Apo dëshmitë nga Edit Durham mbi krimet serbe e malazeze të shprehura deri në kanibalizëm ndaj popullsisë shqiptare.

Si duket nuk u  mësuan, vlerësuan e as gjykuan në radhë të parë prej nesh ashtu si do duhej. Në kohë, çdo gjë që nuk dihet e nuk vlerësohet, nuk gjykohet ashtu si duhet edhe harrohet shpejt. Kjo ka për pasojë përsëritjen, tragjiken  në trevat tona shekuj me radhë qe nga antikiteti. Trojet tona u gjymtuan, tkurren ashtu siç është më keq. Kjo na përcolli deri këtu ku jemi aktualisht.

Masakrat e shekullit të kaluar ishin të ashpra. Nga ngulfatka që përjetuam sikur nuk patëm kohë të merremi me to. Pushtimi ishte i egër por edhe gabimet tona ishin shpesh herë fatale në historinë tonë aspak mike. Pas gjithë asaj katrahure, ku të tjerët e prenë  kërthizën e qenies  sonë, ne sikur gjurmojmë në shtratin e iluzioneve, se ,,të tjerët janë fajtor”.  Dhe duke qenë të tjerët fajtor, vjen mashtrimi, se, të tjerët do merren me fajet dhe dënimin e fajtorëve. Kjo logjikë aspak frytdhënëse do bëhet pjesë e gjumit tonë.

Fqinjët tanë grek e sllav ishin ata që u zgjeruan në territoret etnike shqiptare. Masakrat që ushtruan për ta dhanë fryte, fituan territor të ri, u zgjeruan dhe forcuan orekset grabitëse. Bile luftuan edhe mes veti, se cili do marr më shumë territor shqiptar. Për ta ky ishte vetëm një plaçkë e mbetur nga largimi i pushtimit shekullor turk në Ballkan.

A mund t’i numërojmë të krejt veprimet e tyre shfarosëse. Të gjitha dokumentet e masakrave më çnjerëzore që ushtruan serbet në trevat shqiptare në Toplicë, Vrajë, Medvexhë, Sanxhak, Kosovë, Tivar, Plavë e Gusi etj, nuk u hulumtuan dhe  nuk u denoncuan. Pushtuesit grek në Çamëri shkretuan çdo gjë shqiptare, masakruan barbarisht shqiptar dhe sot e luaj lojën e Epirit Verior në raport me shqiptarët e dobët nga të gjitha aspektet.  Masakrat e ushtrisë greke të prira nga krimineli Zerva, nuk u denoncuan asnjëherë faktikisht atje ku duhet, në gjyqet ndërkombëtare. Kjo do bëhej nga institucionet shtetërore, nga individët e dëmtuar, shoqatat, familjet e dëmtuara. Cili nga politikanët e lartë guxoi ti shtroi në bisedimet bilaterale me grekun gjenocidin mbi popullin çam? Bile, disa politikanë shqiptar    në momentet më të ndjeshme, siç janë zgjedhjet parlamentar, të presidentit, vrapojnë në Greqi që ta marrin bekimin e grekut për fitoren e tij ndaj rivalit, pa marr parasysh interesat kombëtare.  Fatkeqësisht kjo po përsëritet që nga pavarësia e një pjese dhe e  tragjikes së dy të tretave të territorit etnik shqiptar. Edhe tani njëqindvjetori i pavarësisë do duhej të na mobilizoj në mbledhje mend dhe korrigjimin e asaj çka është e mundur. Aq sa na bën krenar pavarësia, po aq na përkujton tragjiken e copëtimit të 93 mijë kilometrave dhe grabitjen nga armiqtë tanë shekullor.  Koha është të aktivizohemi në përkujtimin e të gjitha akteve gjenocide që u ushtruan në trevat shqiptare, të denoncohen në gjyqe dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pronës dhe dëmtimeve fizike tjera. Të dokumentohen pjesë të historisë sonë të trashëguar në breza. Nxjerrja e të vërtetës mbi historinë shqiptare dhe gjenocidin e gjithanshëm të ushtruar nga serbo-sllavët. Kjo nuk ishte e lehtë në faza të caktuara të historisë sonë. Këtë e dëshmon rasti i albanologut kroat Milan Shuflaj.

Njëra nga masakrat më të përgjakshme ishte  Masakra e Tivarit në vitin 1945. Aty  u vranë shqiptarë, të gjithë djem të ri të pa armatosur dhe të marr peng nga falanga çetnike- komuniste. I vetmi faj i tyre ishte se  ata ishin shqiptar dhe jetonin në trevat e lashta stërgjyshore.  Tivari mbeti aty, kodra buzë deti me godinën  ku u ekzekutuan po aty. Derisa dje ishte temë e ndaluar dhe dikush do e pësonte fatin e Shuflajt, sot është shumë më lehtë që të organizohet një përkujtim, një simpozium, një përmendore, një lutje, një film. Kjo do duhej të ishte frymëzim i krijuesve shqiptar në thurjen e veprave letrare po edhe filmave.  Gjeneratat duhej të mësonin dhe edukoheshin jo për hakmarrje por në respekt të vlerës së jetës së shuar të aq shumë të rinjve shqiptar të pafajshëm. Le të mësohet e gjykohet drejt gjendja dhe qëndrimi i të tjerëve ndaj nesh në etapat historike kur populli pësoj gjenocid e holokaust nga më të rëndit në glob.

Vetëm në shekullin e kaluar trevat shqiptare u rrafshuan katër herë. Ato u ngritën si Feniksi nga dheu dhe u ringjall në truallin e lashtë ilir duke i treguar armikut se ne jemi e do mbesim këtu. Por ne ku jemi sot, në nxjerrjen e fakteve para opinionit botëror të pastrimeve etnike që i ushtruan serbet, grekët e bullgarët. Shqiptarët para një shekulli ishin në numër më të madh se serbët dhe grekët së bashku. Fakte këto nga burime të shumta pikërisht në arkivat e atyre vendeve. Vetëm Serbia ka hartuar 24 programe për shfarosjen e shqiptarëve qe nga viti 1844 me ,,Naçertania” deri tek Memorandumi i të ashtuquajtur ,,Akademi Serbe” e vitit 1986. Por holokausti shqiptar daton me shekuj dhe saktësisht siç shkruan ,,The Irish Times”para disa vitesh me titullin ,,Gjashtëqind vjet masakra të serbëve mbi shqiptarët”. Një fakt ky se shfarosja e shqiptarëve ishte gjenocid i përmasave biblike.

U shuan mbi 5oo fshatra nga rrethi i Nishit, Pllanës, Vranjes. Nipërit e mbesat e tyre që shpëtuan i gjejmë sot ,,muhaxhir” në vise të ndryshme në Ballkan e deri në Azi. Çamëria u shkretua nga greku i cili synon akoma pushtimin e viseve shqiptare. Nga fakte të pamohueshme vërtetohet se holokausti i parë në Europë ishte ai shqiptar. Disa e quajtën edhe ,,Golgota shqiptare” e pa krahasuar me asnjë popull në Europë. Zërit të hebreut Leo Frojndling nga Vjena, drejtuar Anglisë dhe Francës në emër të humanizmit dhe qytetërimit që t’i mbroj nga zhdukja shqiptarët nga gjenocidi kanibal serb, iu përgjigjen me copëtimin e trevave shqiptare, duke i shpërblyer kështu serbet kriminel me territore shqiptare. Kjo ishte Europa e qytetëruar e asaj kohe.  Në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve në shekuj na mbetet detyrë e ngutshme dhe detyrim ndaj brezave të tërë në shekuj.

Tani me krijimin e rrethanave të reja do duhej të lëvizin gjërat në zbardhjen e krimeve, ndryshimin e qëndrimit tonë ndaj tyre. Do duhej një strategji kombëtar mbrojtëse nga masakrat e mundshme në të ardhmen. Mësimi i saj do duhej të fillonte shekuj më parë duke bashkuar energjitë në dokumentimin dhe shtruarjen e lëndëve para gjykatave përkatëse kudo në Europë, , veçan në Kosovë.

Këtë po përpiqen ta bëjnë vetëm individë veprimtar dhe pak shoqata të shoqërisë civile. Ku zëri i tyre i vetmuar dhe i shterur nga mungesat materiale nuk dëgjohet më larg se matanë rrugës. Këtu do hynte shoqata ,,Ngrite Zërin” e cila aktivitetin e saj e ka shtri në disa komuna të Kosovës. Selia e saj  në Drenicën e martirizuar pareshtur në shekuj e  pret ndihmën nga ne.

Atë që do duhej ta bëjnë organet shtetërore të Kosovë po përpiqet ta bëjë shoqata dhe njerëzit e saj vullnetmirë dhe patriot.

Një vepër me vlerë në këtë vazhdë është ajo e  Dr. Nysret Pllana, me punën e tij studimore e të faktuar me argumente në librin e tij të cilin e promovoi në disa qendra të Europës. Një promovim ky i vonuar pas sulmit  nga deputeti në PU - Dick Marti. Dhe kur u aktivizua ky zë ndjellakeq?  Atëherë kur Kosova bënte hapa e parë të lindjes. Ashtu sikur hienat që krimin e presin nga lindja e re, edhe armiqtë e përbetuar dhe veglat e tyre u sulën mbi Kosovën e posa lindur e të gjakosur pareshtur. Ky do duhej të ishte edhe një mësim për ne. Armiku nuk fle.

Një kapitull tjetër fare i pa hulumtuar dhe e pa denoncuar është masakra e Tivarit më 1 prill të vitit 1945 nga forcat çetnike-komuniste serbo-malazeze mbi të rinjtë shqiptar të marr peng nga të gjitha viset e Kosovës. Asnjë kurorë lulesh nga nënat shqiptare, asnjë drite qiriu, asnjë pllakë përkujtimor në vendin ku u vranë rreth 3ooo të rinj. A është kjo një absurditet i llojit të veçantë i vet shqiptarëve, disa nga të cilët e ndihmuan masakrën. Apo në jugun e trevave shqiptare, Çamërinë martire, krim makaber me përmasa biblike.

Kjo tregon dobësinë tonë në radhë të parë si komb e pastaj edhe si individ. Po nuk e denoncuam gjithanshëm gjenocidin mbi kombin tonë ai do përsëritët. Element tregues është sot qëndrimi serb, grek, maqedon e malazez ndaj shqiptarëve. Fyerja dhe nënçmimi i përditshëm është prekës. Është koha që ne të shohim pak më larg ,,se hunda”, përndryshe do ngelim vetëm në iluzione që sjellin gjumë e shkatërrim të mëtejmë të qenies shqiptare.