Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Mark Gjonaj mësynë Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut

| E premte, 22.06.2012, 07:55 PM |


MARK GJONAJ MËSYNË ASAMBLENË E SHTETIT TË NJU JORKUT

Nga Frank Shkreli

Ky vit zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara është gjithashtu edhe viti që disa shqiptaro-amerikanë kanë vendosur t'i futen politikës amerikane duke shpallur kandidaturat e tyre për zyra në nivel të pushtetit vendor dhe shtetëror.   Njëri nga këta është Mark Gjonaj i cili ka shpallur kandidaturën për anëtar të Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut, dhe pak kohë më parë unë kisha nderin të hapja fushatën e Ken Biberaj për anëtar të Këshillit të qytetit të Nju Jorkut.  Është absolutisht kritike që shqiptaro-amerikanët të bëhen pjesë e sistemit elektoral amerikan duke marrë pjesë në votime dhe duke kandiduar për zyra, sidomos të pushtetit vendor, pasi sipas një thënjeje këtu në Amerikë, e githë politika është lokale ose vendore.  Mark Gjonaj, si shqiptaro-amerikan, i lindur në Amerikë nga prindër që kanë emigruar në Amerikë  nga Ulqini, duhet përshëndetur për  vendimin e tij për të kandiduar, por edhe për të sakrifikuar në shërbim të publikut në përgjithësi dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti, pasi zona ku ai kandidon është një lagje e banuar me një numër të konsiderueshëm shqiptaro-amerikanësh.

Mark Gjonaj, një aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork merret me prona të patundshme. Ai është anëtar i Partisë Demokrate dhe si i tillë ai duhet të zhvillojë fushatë paraprake për të fituar kundër kandidatit ose kandidatëve të tjerë  në zonën elektorale të tij brenda kësaj partie,  e pastaj të ballafaqohet me një ose më shumë kandidatë të partive të tjera në zgjedhjet e përgjithëshme.  Kështu është sistemi amerikan, që u jep mundësi votuesve të kenë rast që gjatë fushatës paraprake të kalojnë kandidatët në një site të imtë dhe të zgjedhin kandidatin më të mirë të partisë së tyre.  Më vonë, elektorati i përgjithëshëm ka mundësi, që pas prononcimit të qëndrimeve të tyre publike dhe debateve midis kandidatëve, të vlerësojë dhe të mësojë mbi aftësitë e kandidatëve për tu votuar në detyrat që pretendojnë.  Ky është një proces i gjatë e shpesh i lodhëshëm, si për kandidatët ashtu edhe për publikun, por është një proces i nevojshëm që ka për qëllim të zgjidhet personi më i mire e më i zoti nga kandidatët e partive konkuruese.

Mark Gjonaj ështe duke bërë fushatë për të bindur votuesit e Bronksit se ai do të jetë një përkrahës i fortë i interesave të tyre në kryeqytetin e Nju Jorkut, Albany, përfshirë mbështetjen e tij për një sistem më të mirë të shkollave,  krijimin e vendeve të reja të punës,  luftën kundër krimit  dhe plotësimin e nevojave shëndetësore të banorëve të lagjës  që ai shpreson të përfaqësojë në Asamblenë e Nju Jorkut.

Ai thotë se Bronksi ka një papunësi prej 14%. Është detyrë e qeverisë  që të krijojë një ambient të favorshëm që tregëtitë e vogëla të rriten e të zgjërohen, shton ai në literaturën e fushatës së tij, dhe premton se do të punojë me sektorin privat dhe publik për të përmirësuar ekonominë në lagjën e Bronksit.  Në lidhje me problemet e arsimit në shkollat lokale,  Mark Gjonaj premton se si anëtar i Asamblesë së Nju Jorkut, interesat e studentëve do të jenë të prioritetit më të lartë, pasi Bronksi ka numërin më të madh të studentëve,  në krahasim me lagjet e tjera të Nju Jorkut.  Ai gjithashtu premton se do të luftojë krimin nepërmjet edukimit dhe hapjes së mundësive të reja për punë, duke thënë se, në të njëjtën kohë, do të punojë ngushtë edhe me forcat e rendit për të siguruar se ato kanë burimet e nevojshme për të bërë punën e tyre, ndërkohë që siguron se do të mbrojë vendosmërisht të drejtat  civile të individit.  Përsa i përket përkujdesjes shëndetsore të banorëve, kandidati Gjonaj angazhohet që qendrat shëndetsore në lagjën që ai shpreson të përfaqësojë në Albany do të mbeten të hapura për të gjithë.

Gjatë një interviste me Zërin e Amerikës, në fillim të këtij muaji, kandidati demokrat nga Bronksi i Nju Jorkut, Mark Gjonaj thekësoi rëndësinë që komuniteti shqiptaro-amerikan ka nevojë të fillojë të merret me politikën lokale ku jetojnë.  “Komuniteti shqiptar (në Amerikë) tha ai, është marrë gjatë shumë viteve me nevojat dhe çështjet e mëdha që lidheshin me zhvillimet në Ballkan.   Prandaj shqiptarët e këtushëm kanë mbretur mbrapa në çështjet e përfaqsësimit lokal,  megjithëse kanë biznese e shtëpi nuk janë marrë me politikë lokale’’, duke shtuar se ne si komunitet shqiptaro-amerikan duhet të ndihmojmë veten që si komunitet të ecim përpara, i tha ai Zërit të Amerikës.

Pritet që Zoti Gjonaj të përballet me një konkurencë të fortë në këtë fushatë, sepse si kandidat i ri pa përvojë të mëparshme fushate politike do të nevojitë shumë takime,  me shumë votues për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të përpiluar zgjidhje të mundshme.  Por mos përvoja e mëparshme e një fushate politike, mund të jetë një gjë në favor të tij, pasi sipas sondazheve të shumëta, votuesit amerikanë janë lodhur me bosët dhe politikat e vjetëra, si dhe me mënyrën se si ata kanë udhëhequr punët deri tani.  Janë të nevojshëm zëra dhe pikëpamje të reja për zgjidhjen e problemeve të lagjës së Bronksit.  Mark Gjonaj është një kandidat i cili do të luftojë për të drejtat e popullit të lagjës që ai shpreson të përfaqësojë, pasi siç tha edhe në intervistën me Zërin e Amerikës, që të jeshë zëri dhe fytyra e popullit, duhet të jeshë syri dhe veshi i tij, që të dëgjosh pra, dhe të marrësh parasyshë ankesat e tyre.   Shpresoj se komuniteti shqiptaro-amerikan i Nju Jorkut dhe më gjërë, do të tregojë përkrahjen e tij të vendosur duke i dhënë Mark Gjonajt ndihmën dhe votën për tu zgjedhur si anëtari i parë shqiptaro-amerikan në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut.