| E merkure, 20.06.2012, 07:01 PM |
KRAHËT E
SHQIPES
Botoi: shtypshkronja Shkrola, Prishtinë 1012. Botues: Radio Kosova e Lirë
Nga
Begzad Baliu
Është vepër
epike-heroike, kushtuar luftës çlirimtare të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përgjithësisht, popullit shqiptar për çlirimin
e Kosovës, kundër terrorizmit policor, ushtarak e paramilitar serb në vitët 1998-9,
përmes modelit heroik të epikës letrare në vargje, deri me çlirimin e Kosovës,
pikërisht më 12 qershor 1999. Në vepër janë vijëzuar rreth 30 betejat më të rëndësishme
shqiptare-serbe, disa minibeteja verbale brendaserbe, si dhe asosh diplomatike
ndërkombëtare.
Veprimet
në vepër e në terren zhvillohen në tri rrafshe: hapësinore përmes betejash të përgjakshme
shqiptare-serbe, betejash verbale brendaserbe rreth dështimit dhe atyre diplomatike në tryeza. Vepra trajton
kontraste luftarake dimensionesh të ndryshme, si lufta kundër së keqes, një ndër
idetë bosht të epit, mbi bazën e së cilës krijohet një sistem i tërë luftarak,
që e trodiiti botën, duke zënë vendet e para informative në mediumet
elektronike botërore, që shkaktoi një organizim përkrahës diplomatik e ushtarak
ndërkombëtar për çlirimin e Kosovës.
Esenca
dhe aktualiteti i epit: trajtohet përmes raportit midis pushtuesit dhe popullit
të robëruar.
Të këqiat,
në ep fillojnë nga pushtuesi, që e shkaktoi luftën çlirimtare të përkrahur nga
bashkësia progressive ndërkombëtare.
Thelbi i
kuptimit të epit është përpjekja për t’i shpëtuar vdekjes së ngadalshme, përmes
shtypjes e shfrytëzimit, por edhe gjenocidit të pahetuar gjithaq, për të mos rënë
në sy të botës,
Mënyra e
rrëfimit epik përmes vargjeve të rimuara me mjeshtri të rrallë, funksioni i
veprimit, krijimi i tablove, imazheve poetike, tipizimi i situatave dhe
karaktereve, i detajeve, karakterizimi i personazheve, e bëjnë veprën
artistikisht të vlefshme, më tepër se historike.
Epi
realizohet brenda një hapësire përmes episodeve të ndryshme, dialogëve sa në një
taborr, sa në tjetrin (serb-shqiptar serb-serb; ndërkombëtar / diplomatik, i përzier),
Bota
poetike e epit, struktura, sistemi shprehës i tij dhe metrika janë ngritur mbi
modelin e krijimtarisë folklorike të epikës gojore. Formulësimet kanë një funksion
të vaçantë. Ato përdoren me rastin e tipizimit të heroizmit të personazheve, në
detajet e përshkrimit të betejave e ndërluftimeve, gjendjes shpirtërore e
fizike të personazheve etj.
Këtë luftë
autori e vëzhgoi, e përjetoi dhe artistikisht e letrarizoi nga afër, si
aktivist në krye të informimeve nga terreni i luftës, duke e njohur kështu nga
afër frymëmarrjen çlirimtare shqiptare, përballë çirrjeve të tërbuara
terroriste serbe, qëmoti, si student, mësimdhënës e aktivist tridhjetë vjeçar i Lëvizjes ilegale çlirimtare, që nga
demonstratat e 68-shit, kur ishte student, të 81-shit, kur edhe vuajti edhe
denim, përndjekje e papunësi disavjeçare.
Stili i
veprës është i qëndisur me figura stilistike të shumëllojshme, si: metafora,
epitete, krahasime etj., që i japin epit shije dhe fuqi shprehëse të gatshme për
lexim, përjetim, recitim, e interpretim.
Gjuha e
veprës, sidomos frazeologjia e pasur vihen në shërbim të figurshmërisë. Vetë autori
është ekspert i gjuhës dhe studiues i leksiko-semantikës e frazeologjisë.
Ideja e
veprës përqëndrohet në luftën e drejtë çlirimtare, me gjithë arsenalin e varfër
luftarak, por me ndihmën e faktorit diplomatik e ushtarak ndërkombëtar, duke
dalur kështu fituese kundrejt pushtuesit barbar, me gjithë numrin shumëfish më të
madh ushtarak dhe të arsenalin e fortë luftarak, me të cilin synoi asgjësimin e
një populli.