| E diele, 10.06.2012, 10:28 AM |
Republika e dytë turke e Thaçit
Nga Astrit Gashi
Lajmi i
ditur që moti, u bë edhe publik. Një konzorciumi turk iu dha nga Qeveria e
Kosovëse e drejta për të privatizuar sistemin e distribuimit të energjisë elektrike,
me një çmim qesharak në krahasim me ato të rajonit. Ky është sektori i ri ”strategjik
i vendit, i cili bie në duar të “pashallarëve të Stambollit” pas koncesionimit
të mëhershëm të Aeroportit të Prishtinës.
Çuditshëm
aspak, pjesë e konzorciumit të shpërblyer ishte sërish kompania Limak, po e njëjta
që udhëheq edhe atë që mori Aeroportin e Prishtinës, duke lënë kështu dyert
hapur për Autoritetin e konkurrencës që të shqyrtojë nëse kemi të bëjmë këtu
edhe me krijimin e monopoleve.
Një dyshim
ky për mua plotësisht i bazuar që duhet hetuar. Po të jenë të sakta gojëdhënat
kjo kompani gjatë mandatit të kësaj qeverie pritet të na e privatizojë jo vetëm
tërë pasurinë publike, por madje edhe “bashqet” private.
Pasanikët
e “vëllait të madh” (Erdoganit jo këtyre biologjikë) të kryeministrit tonë dhe
miqtë e jahtave të disa ministrave aktualë e pretendentëve për ambasadorë në vende
të largëta, pritet t’i konvertojnë lirat e tyre në euro edhe për pazaret tjera –
si Telekomi dhe Termocentrali Kosova B, e kudo tjetër që të kenë nevojë qeveritarët
tanë.
Arsyeja e
vetme për këtë mirëpritje qeveritare të investitorëve turq në Kosovë duket se
fshihet bash te ky konvertimi i lirave në euro.
Një konvertim
ky me hesap jashtë kursit zyrtar prej 2 (lira) me 1 (euro), por ta zëmë hipotetikisht
me 2.5, shumë kjo e mjaftueshme për të bindur “pazarxhinjtë” e pushtetit tonë jo
vetëm që t’i lënë të investojnë, por po të jetë nevoja edhe që ta ndërrojnë gjuhën.
Ndërrimin
e historisë së shkruar nuk e vë më në dyshim askush. Për të qartësuar pra me
gjasë ata lejohen të investojnë vetëm dhe vetëm pasi që së pari ta kenë dhënë edhe
“tallin” (qoftë edhe me mallra dhe shërbime) aq të majmë sa cilidi evropian a
perëndimor, të cilit i është kërkuar ka ikur vrap nga frika. Edhe për këtë dikush
në mesin tonë duhet të japë përgjegjësi.
Nuk është
puna se jam viktimë e një “turko-fobie” të stilit francez dhe as të një nënçmimi
të rolit e ndikimit global të Turqisë apo kompanive të saj, siç mund të mendojë
ndonjëri nga pasardhësit e argatëve të bejlerëve turq nëpër Kosovë, që sot mund
ta konsiderojnë veten edhe elitë. Dhe as të një tendence për mbyllje të tregut
ndaj një shteti, e më së paku ndaj Turqisë, si një shtet shumë miqësor i yni.
Edhe pse
Turqit janë të pranishëm në Kosovë përmes shumë kompanive tregtare e prodhuese
dhe në sektorin bankar, unë nuk e kam dëgjuar dikënd të jetë ankuar për këtë. Politikat
shtetërore turke për shtrirje të dominimit në hapësirat e dikurshme të otomanëve,
qoftë përmes politikës ashtu edhe përmes ekonomisë janë para së gjithash tërësisht
legjitime.
Janë orientime
strategjike të tyre, por të cilat nuk mendoj se janë në përputhje me orientimet
strategjike të Qeverisë sonë, ta paktën ashtu siç janë deklaruar, si orientim
evropian dhe pro-perendimorë.
Përderisa
ekonomia dhe investimet janë pikat kyçe që e përcaktojnë orientimin e një shteti
duke u dhënë sektorët strategjikë investuesve turq, atëherë ky orientim
devijohet strategjikisht.
Nuk e
besoj që mund të gjendet një njeri serioz që mund të mendojë se ekonomikisht
mund të orientohemi kah orienti, ndërsa politikisht e kulturalisht kah Perëndimi,
thjesht sepse në fakt është paraja ajo që përcakton kahun, duam ne apo jo.
Pastaj
disa sektorëve të ekonomisë nuk u është dhënë kot termi “strategjikë”, përveç se
për të treguar se aty përveç interesit ekonomik ekziston edhe një interes më i
gjerë – social e politik ose gjeopolitik, quajeni si të doni.
E çuditshmja
është se bash këta sektorë po privatizohen nga kjo Qeveri atje ku ajo nuk është
deklaruar se synon politikisht e gjeopolitikisht, andaj dikush aty duhet të japë
përgjegjësi politike e nëse ka fakte edhe juridike.
Pra, në këtë rast dikush atje duhet të paguajë politikisht “tallin” që mundet se e kanë marrë nga ndërrimi i strategjisë së privatizimeve. Të paguajë pra atë çmimin ekstra të konvertimit të lirës turke me të cilën dyshohet si i kanë ngarkuar investitorët.