| E hene, 04.06.2012, 09:59 AM |
Ina Rama dhe Jonida Maliqi janë femrat që vishen më bukur
Nga Albert
ZHOLI
...Është padyshim
një ndër fotografët më të njohur shqiptarë, me një famë të padiskutueshme në shkallë
botërore. Para aparatit të tij kanë pozuar me qindra personazhe të shquar nga
bota e modës, politikës, muzikës, biznesit e jo vetëm prej tyre… Sepse i tillë
është Sonny, një shqiptar me një dashuri të thellë për vendlindjen e tij, emrin
e së cilës mundohet çdo ditë ta ngrejë më lart nëpërmjet punës së tij si
fotograf me iniciativa të jashtëzakonshme e humanitare. Por jo shumëkush i di
fillesat e të madhit Sonny në artin e fotografisë. Emri i tij është padyshim më
i lakuari për sot dhe vërtetë i dashur për publikun shqiptar. Në një intervistë
ekskluzive për “Telegraf”, Sonny rrëfen fillimet e tij në fotografi,
personazhet shqiptarë me të cilët ka punuar dhe shumë gjëra të tjera. Ai rrëfehet
natyrshëm pa emocion por me shumë përgjegjësi. Në bisedë tregohet korrekt duke
ruajtur sensin e masës. Është i lidhur shumë me profesionin dhe pëlqen
konkurrencën e ndershme në profesion.
Si je
gjendur në profesionin aktual ?
Jo rastësisht.
Jo çdo gjë është e rastësishme në jetë. Që i vogël më pëlqente të bëja foto me çfarëdo
aparati të më binte në dorë. Ishte ky pasion i madh për aparatin fotografik, që
më futi në botën e madhe dhe të bukur të fotografisë, ku tashmë u bënë vite që ushtroj këtë profesion.
Si e
vazhdove këtë rrugë?
Duke
lexuar çdo gjë që kishte dhe ka lidhje me fotografinë. Lexoja për jetën e
fotografëve më të mirë të botës sigurisht dhe për markat dhe llojet e aparateve
fotografikë. Fotografët me zë kanë një jetë shumë interesante që më fusnin dhe
më fusin në mendime dhe në zhbirime të tilla
jetësore, që më japin dije të mëdha. Aq më tepër që industria e aparateve
fotografikë ka marrë një zhvillim të paparë. Sot sheh aparate që të shtangin
kur i vëren nga vitrinat.
Cilat
kanë qenë firmat më të mira dhe më të mëdha që kanë qenë të besuara në punën tënde?
Sigurisht
të shumta, saqë dhe nuk i mbaj mend. Përmend këtu: “Albtelekom”, “Plus”, “Bonavita”,
“Stef”, “Birra Tirana”, “Birra Stela”, “Bellair” e shumë të tjera.
Cilat
janë angazhimet e momentit?
Si
fillim, dua të them që unë jam fotografi zyrtar i një agjencie mode : Icon-Agency,
gjithashtu, kam disa projekte fotografike me disa personazhe nga bota artit. Pra,
është një jetë e ndërthurur, ku koha vetiu ecën pa e ndjerë. Bota e fotografisë
është një magji që ta heq nocionin kohë.
Para
jush kanë pozuar me qindra personazhe të njohur nga bota e modës, politikës,
muzikës etj.. Na përmend disa emra?
Siç e përfshitë
dhe në pyetje janë shumë, ku unë mund të përmend vetëm disa si: Ilir Meta, Jozefina Topalli, Rozana Radi,
Ermal Merdani, Hermes Nikaj etj..
Thonë që
nuk ka industri mode në Shqipëri, Ju si fotograf, çfarë mund të thoni?
Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq
sepse e thonë pikërisht ata që ndërkohë merren me këtë gjë. Është mëse normale
që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi edhe këtu ka
shumë përpjekje për të arritur. Stiliste, Modelë, Fotografë, janë në gamën e
modës, ku secili përpiqet në një mënyrë apo tjetër të sjellë diçka të re. Ndoshta,
fakti është se shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë mode shumë gjëra nuk
perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër sesa të ecësh me hapin e kohës.
Në gjykimin
tuaj, si janë shqiptarët me modën dhe a mendoni se ata dinë t’i diferencojnë veshjet
?
Mendoj që
shqiptarët nuk kanë një etikë veshjeje dhe që nuk dinë ta diferencojnë atë.
Çfarë do
të donit të këshillonit për modën?
Këshilla
ime do të ishte që ta ndajnë veshjen, ndryshon një veshje për të shkuar ne
shkollë ose punë dhe ndryshon një veshje kur del në darkë për të pirë një gotë.
Cili është
personazhi shqiptar i veshur më mirë, sipas jush?
Do të vecoja Ina Ramën, e cila në daljet e saj
publike duket vërtet këndshëm dhe me një veshje të përshtatshme që i takon
postit të saj. Gjithashtu dhe Jonida Maliqi, e cila është një kameleon i shndërrimeve
në look, gjithmonë na surprizon.
Jeni për
martesë apo bashkëjetesë?
Sigurisht, të dyja në kohën e duhur. Mendoj se
një bashkëjetesë ka më shumë shanse për një martesë korrekte.
Pro
apo kundër martesave Gay ?
Totalisht
Pro. Është viti 2012 ! Tashmë në jetë, në demokraci nuk ka pse të ketë tabu. Jeta
shfaqet me të gjitha ngjyrat e ylberit.