| E shtune, 02.06.2012, 11:09 AM |
Prite, prite Isakun me shokë
Shkruan: Ireshtansi
Isakun e
kisha njohur në Gjermani. Bashkë u kthyem në luftë kur shtabi I përgjithshëm u
bëri thirrje shqiptarëve që t’i bashkoheshin. U nisëm me autobus nga
Shtutgarti, pastaj me anije nga Bari i Italisë deri në Durrës.
Në Bari
ishim mbledhur shqiptarë nga e gjithë Evropa që po ktheheshim. Ishim veshur të gjithë
me uniformën e ushtrisë me shqiponjën në krahë dhe ngado që hyje a endeshe
takoje dikë prej nesh. Isaku thoshte që duhet ta mbajmë Barin të pushtuar së paku
një ditë. Dhe ashtu ndodhi. Ne ndenjëm në Bari pothuaj dhjetë orë e pastaj diku
kah mesi i natës u nisëm për Shqipëri.
Në Burrel
ndenjëm rreth dy javë për të marrë mësime ushtarake e pastaj u nisëm për në Koshare.
Të tjerë për në Pashtrik.
Kur mbërritëm
në Koshare na dhanë një kazmë, një lopatë dhe një sharrë që të rregullonim një bunker
në mal. Por na shkoi ters që ditën e parë. Isaku duke prerë një degë u rrëzua
nga lisi dhe lëndoi rëndë këmbën. Thoshin e ka thyer. Sidoqoftë ne e bartëm
deri në fshatin më të afërt të Shqipërisë dhe më s’e pamë. Më vonë mësova që ai
ishte kthyer në Gjermani. Disi më erdhi mirë që ishte kthyer atje, por edhe keq
që fatkeqsia e detyroi të largohej nga lufta ku kishte ardhur me vullnetin e
tij.
Pasi e
morëm pak veten nga kjo ngjarje , e bëmë bunkerin, dhe na doli më i mirë se që e
kishim menduar. Duke njohur më shumë vendin gjetëm edhe gurin e kufirit. E
kishim pasur afër. Tani e pamë që bunkerin e kishim ndërtuar në tokën e Shqipërisë,
ndërsa minahedhsin e kishim vendosur në tokën e Kosovës. Megjithatë nuk ishte
ndonjë vend i mirë. Ishe një si luginë që tërhiqte predhat ose armiku kishte shënjestruar
këtë vend ashtu kot dhe asgjësonte municionin e tepërt. Ne ishim vënë në siklet
aty, nuk po na linin rehat, ndërsa ne ende s’kishim gjuajtur asnjë predhë, ende
asnjë krismë nga ana jonë. Se kush na solli këtu, vetëm na lëshoi e shkoi. Madje
për disa ditë askush s’u interesua për ne, vetëm se për ushqim na kishin
llogaritur. Bukën na e sillnin përditë.
Pas dy-tri
ditësh dikush erdhi e na tha të lëviznim më përpara. Ne lëvizëm nëpër mal dhe
mbërritëm në një vend shumë më të përshtashëm. Kishte aty afër dhe një përrua që
do të na hynte shumë në punë. Këtu ndërtuam një bunker të ri. Në fakt dy, se ishim dy grupe me dy
minahedhës.
Vendosëm
minahedhësit, shënjestruam dhe filluam të gjuanim. Ashtu pa ndonjë komandë. Kur
na tekej. Por edhe duhej ta ruanim municionin. Jo që nuk kishte por ishte
problem bartja. Këtu ku ishim ne nuk vinte traktori dhe një pjesë të rrugës
duhej ta bartnim në këmbë. Ndërsa serbët gjuanin më shumë. Rrallëherë pushonin,
por mundësia për tu vrarë nga minahedhësi ishte shumë e vogël. Ne që ditët e
para ia morëm dorën, dhe kur dëgjonim predhën e dinim me saktësi se ku do të binte.
Minahedhësit ishin aty, mbase për të përkrahur përparimin e ushtarëve të vijës
së parë, por kjo nuk ishte e thënë të bëhej. Aeroplanët e NATO-s që na vëzhgonin
pandërprerë, vazhdimisht bombardonin pjesën mes nesh dhe serbëve. Ky ishte një mesazh
i përditshëm për të dyja palët që të mos marrin turr e të rrinë në pozicionet e
veta. Megjithatë lufta vazhdonte me gjithë ashpërsinë e saj. Ata të vijës së parë
ishin më të rrezikuar dhe prej tyre pati më shumë të rënë. Ne të vijës së dytë,
në krahasim me ta ishim më rehat.
Dhe kështu
si gjithëçka që ecën drejt fundit, edhe kjo luftë e preku fundin e saj. Marrëveshja
ishte nënshkruar dhe ne prisnim komandën për të lëvizur para. Ishim ulur dhe po
pinim kafenë dhe rakinë e përditshme, të cilat i kishim blerë në fshatin më të afërt
të Shqipërisë, kur nga ana e Shqipërisë pamë të vinin disa ushtarë. Njëherë disa,
e pastaj secilën herë e më shumë. Disa u ndalën e na folën, disa marshuan para.
Ne e dinim që s’kishte ushtarë pas nesh. Ne ishim vija e fundit. Se ku kishin
qenë këta një zot e di, megjithatë këta shkuan e zunë pozicione pak më përpara
se ata të vijës së parë. Edhe kur marshuam pastaj ne, këta na prinë.
Unë prej
aty shkova drejt e në fshatin tim. Gjeta edhe disa të tjerë të rrethit të Prizrenit
dhe u nisëm këmbë. Gjatë gjithë rrugës pamë shtëpi të djegura e të shkatërruara.
Pamë qytete e fshatra të rrënuara. Edhe fshati im kishte pasur të njëjtin fat.
Këtej
rrotull s’kishte asgjë. Edhe njërëz kishte pak. Unë doja të blija cigare dhe më
thanë që në Prizren mund të gjenden. Shkova në Prizren dhe u habita kur pashë që
aty jo vetëm cigare por mund të gjendej çdo gjë. Të vetmin shkatërrim që e pashë
aty ishte shtëpia e lidhjes së Prizrenit, e cila po të mos e dije që ka qenë aty,
nuk do të prishte fare pamjen e këtij qyteti që gjithashtu ka dalë nga lufta. Vendi
ku kishte qenë shtëpia e lidhjes ishte pastruar, aty ishte mbjellë bari . Edhe
pishat e mbjellura mbase në themelet e saj kishin nxënë.
Me të përfunduar
lufta një pjesë e çlirimtarëve u turrën që të marrin hisen e vet. Hisja e tyre
ishte gjithë Kosova. Për ta tani nisi një luftë tjetër, ku kërkohej angazhim i
njëllojtë, ndoshta edhe më i madh. Gjithë trimëria e botës zuri vend në gojët e
tyre që tregonin skena të denja për filma holivudian. Unë habitesha kur i dëgjoja
dhe përpiqesha të gjeja edhe vet ndonjë trimëri që kisha bërë gjatë luftës, por
as atëherë as tash s’më kujtohet diçka e tillë.
Këto
tregime, që shpesh herë kishin edhe një kërcënim brenda, dhe gjaku i dëshmorëve
u bënë shkallë për tu ngjitur tek pasuria dhe pushteti. Dikush njëherë më tha që
shyqyr që në këtë luftë patëm edhe dëshmorë, se sikur rastësisht të përfundonte
lufta e të mos kishim asnjë dëshmor, ç’do të bënim ne të gjallët. Atëherë s’na
mbetej tjetër veq t’i vrisnim vetë disa, t’i shpallinim dëshmorë e pastaj të mblidheshim
për t’i përkujtuar. U bënë aq shumë akademi përkujtimore për dëshmorët, por jo
për shkak të dëshmorëve sa për shkak të shokëve të tyre.
Një ditë më
rastisi që edhe unë të merrja pjesë në një tubim të tillë. Isha në Prishtinë kur
mora vesh që do të mbahej një akademi përkujtimore për betejën e Koshares. Shkova
me mendimin se mos takoj ndonjërin që e njohë. Dhe ashtu më doli. Aty nga
rreshtat e fundit pashë Zekën. Ai gjatë luftës kishte humbur njërën këmbë, deri
tek gjuri. Më tha që tani është mirë. Kishte vendosur një këmbë plastike e cila
ia mundësonte ecjen. Edhe këtu kishte ardhur vetëm dhe me këmbë të veta.
-Më vjen
mirë që erdhe, më tha. Ta dëgjojmë bashkë historinë.
-Cilën
histori, ia ktheva unë.
-Ja këtë.
Këta do ta shkruajnë historinë, tha. Lumë ai që është afër tyre.
-Jo more
se nuk është kështu, i them.
-Nejse,
tha Zeka. Unë nuk është se kam bërë kushedi çka, por për disa lufta paska qenë biznes.
Edhe kjo akademi është pjesë e këtij biznesi. Unë edhe po ta kthenim kohën prapa
nuk do të ndryshoja gjë. Përsëri do të më gjeje të ulur këtej kah fundi. Unë nuk
mund ta nis muhabetin, me unë kam luftuar, e të shtyhem të përfitoj nga kjo. Do
të më vinte turp. Pastaj, kush ka qenë Skendërbeu dhe thoshte, lirinë nuk ua
solla unë, e këta?!.Na lodhën.
Në ato
memente spikerja lajmëroi folësin e radhës. Për çudinë time, në foltore u ngjit
Isaku që t’i thoshte dy fjalë për betejën e Koshares. Unë s’e kisha parë qysh
atëherë kur theu këmbën, e ja tani tek po e shikoja tek mbante një fjalim që do
t’i kishte hije vet një heroi të rënë në fushën e betejës.
Unë…Beteja…Dëshmorët…Sypatrembur…-thoshte
me zjarr Isaku. Me të njëjtin zjarr i duartrokiste dhe salla. Mbase shumica nuk
e njihnin, ndërsa ata që kishin qenë në luftën e Kosharës, e këtë s’ia kishin zënë
sytë askund, sigurisht mendonin që ky ka qenë në atë bataljonin tjetër.
-E njeh këtë?
më pyeti Zeka.
-Jo, I
thashë, por me të dëgjuar e di që ky ka lënduar këmbën në luftë.
-Aha, tha
Zeka. Këta që kanë lënduar këmbën në luftë janë shumë të rrezikshëm.
-Ky është
më I rrezikshmi, më trimi nga të gjithë ju që keni lënduar këmbën në luftë, i
thashë.
-Kjo gjë duket,
më tha Zeka duke qeshur. Dhe të dy vazhduam ta shikojmë programin artistik që ishte
përgaditur me këtë rast.