| E enjte, 31.05.2012, 07:09 PM |
UNË TANI
ECI VETË ...
Tregim
Nga Sami ISLAMI
Unë jam
Klea. Besoj se më njihni! Si shumë moshatarë e moshatare të mia u linda jashtë Kosovës. Edhe
pse këtu në mërgim jam mirë, megjithatë më
shumë kam pasë dëshirë të jetoja në Kosovë!
S’di pse më tërheq më shumë vendlindja e prindërve të mi, Kosova? Në Kosovë kam qenë nja dy a tri herë. Dhe sigurisht do
të shkoj prapë për pushime. Këtu në Londër
jetoj me prindërit, gjyshin, gjyshen, dajat, tetet, që i dua dhe më donë,
por edhe në Kosovë kam shumë njerëz të mi. Edhe ata i dua pa masë!
Një ditë mami
më tha se së shpejti do të shkojmë në Kosovë!
Ah, sa u gëzova! Atje i kam gjyshërit
e mi, që mezi po pres t’i takoj! Si dhe
hallat, xhaxhin , tetet ! Do të më shohin se sa jam rritë! Do t’u tregoj
se sa gjana të reja kam mësuar! Tash po i bëj njëzet muaj. Kam nisë edhe
të flas. Di ta them shumë bukur emrin tim Klea, pastaj fjalët: babi, mami, daja
, axhi, e shumë të tjera. Gjyshen dhe gjyshin i thërras njësoj. Po, të
dyve u them “gjys”. Kur po e them këtë fjalë
gjyshi e gjyshja po qeshin me mua, ndoshta,
që nuk po di ta shqiptoj mire, apo poi u duket interesant shqiptimi im. Ku
ta dish? Ç’është e vërteta, njëherë për
një herë kjo fjalë po më duket e vështirë. Po do ta mësoj edhe këtë. Prej kur
mami filloi të më dërgojë në qerdhe e kam vërejtë se gjuha që po flet mësuesja
nuk është si kjo e jona. Megjithate edhe në gjuhën e vendit ku jetoj kam nisë të kuptoj nga pak, bile i kam mësuar dy këngë…
Para një muaji,
kur isha pikërisht nëntëmbëdhjetë muajshe,
fillova të eci mjaft e sigurtë. Po e them nëntëmbëdhjetë muajshe , se të
rriturit neve fëmijëve moshën na e llogarisin
kështu, pra me muaj. Bile kur jemi edhe më të vegjël na e llogarisin
edhe me javë! Na e llogarisin kështu, ndoshta, sepse ,ata kanë dëshirë që ne të
rritemi sa më shpejt! Bile, më kujtohet,
prej kur linda, shpesh më ka rënë ta dëgjoj
mamin , babin , kur u thoshin të tjerëve,
se Klea ka mbushë një javë, dy,
tri; pasataj kur e mbusha një muaj, ia
nisën me muaj; një, dy, tre muaj e keshtu me radhë.
Nejse .
Të kthehem
prapë te “shqetësimi” i prindërve të mi. Është e vërtetë se unë nisa të eci pak
më vonë se disa moshatare të mia. Po kjo nuk ishte pse unë nuk mundja, po
thjesht pse nuk doja. Thashë t’i vë pak
në siklet dhe t’i baj merak prindët e mi, por edhe të tjerët nga familja
ime më e gjanë , që po bezdiseshin për ecjen time!
Më kujtohet që kur isha rreth një vjeçe, nisa të eci, por
nuk e di si ndodhi dhe u rrëzova. Nga inati më nuk desha të eci për disa muaj rresht. Me ecë këmbadoras,
si disa fëmijë të tjerë, nuk kam provuar
thuaja fare. Nuk doja të ecja ashtu, si mace! Fundja as nuk kisha nevojë,
se mami, gjyshi e gjyshja më merrnin hopa ose
për dore sa herë që doja unë. Kur isha vetëm me mamin, e dija se ajo nuk
kishte edhe aq kohë të merrej vetëm me mua,
sikur kur isha me gjyshërit, prandaj kur
doja të ecja më duhej të mbahesha për
kanape ose për muri! Babi nuk ishte aq kohë të më shetiste , po ai ma pat blerë nje lloj karroce për t’u mbajtur
dhe me ecë me të, të cilën e përdora
disa kohë, por më vonë edhe atë e lashë.
Puna e
ecjes sime shkoi deri aty, sa u vunë në dijeni edhe gjyshi, gjyshja, axhi teta dhe hallat edhe në Kosovë! Po kjo mua nuk më bënte thuaja fare përshtypje, se e
dija veten se nuk kisha asnjë problem. Thashë nuk ecja se nuk doja dhe pikë. Unë vazhdoja të ndihesha rehat. Mu për këtë
çështje unë kisha përkrahjen edhe të gjyshit
tim në Angli, i cili më inkurajonte.
Shpesh e kam dëgjuar t’u thoshte
të tjerëve: “Mos e keni atë kasavet, se Klea do të ecë kur do vetë!”
Një ditë,
pra kur i mbusha nëntëmbëdhjetë muaj, derisa isha me prindërit, me gjyshin dhe me
gjyshen në dhomën e ditës u shkëputa nga mami
dhe me vrap iu hodha gjyshit në krahëror! Eca vetë! U tregova se unë mund
të eci, madje pa problem. “Ja!- thashë,
e shihni se unë mund të eci vetë”! E vërejta
se gjyshit i erdhi mirë që doli fjala e tij, por m’u duk se prindërit e mi u gëzuan edhe më shumë. Edhe
mua m’u shfaq një ndjenjë krenarie,
prandaj, si për ta dëshmuar
guximin, të njëjten gjë e përsërita disa herë!
Javën
tjetër, derisa mami po më përgatiste për të më dërguar në qerdhe, erdhën heret
tek shtëpia jonë gjyshi dhe gjyshja.
Kësaj radhe ata më morën dhe më dërguan në qerdhe, kurse mami mbeti për
t’i kryer punët e shtëpisë. U nisa për në qerdhe me gjyshin dhe gjyshen! Mami më
vendosi në karrocën time, kurse herë gjyshi, e herë gjyshja më vozitnin
trotuarit ku kishte shumë këmbësorë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë tjerë si
unë me nënat e tyre që po i dërgonin , sigurisht në qerdhe , ku po shkoja edhe
unë. Të them të drejtën nuk më pëlqeu
karroca, po nuk kundërshtova, se thashë mos ta hidhëroj mamin. E dija mirë që gjyshi
e gjyshja nuk do të ma kishin prishur
qefin, por e lashë me kaq.
Edhe në qerdhe
angazhohem shumë duke vrapuar sa te një lojë
sa te një tjeter.U, sa shumë lodra ka në qerdhe!, Atje kam qenë edhe herave të tjera. Unë atë ditë kam ecë më shumë se asnjëherë më
parë.Jam ulur vetëm atëherë kur mësuesja
na solli drekën dhe kur nisëm t’i këndonim këngët dhe lojërat e preferuara, të cilat
i pëlqej shumë!
Koha në qerdhe
më kaloi shpejt. Edhe pse dy orë eca dhe luajta, prapëseprapë nuk
u lodha sa rrugës për në shtëpi nuk hypa
fare në karrocë, por gjatë gjithë rrugës eca vetë.