| E marte, 29.05.2012, 07:18 PM |
Kristaq
Turtulli
Zhgënjimi
Tregim
Jam në pritje
të gruas, Meritës e cila po kthehet prej vendlindjes pas nje muaj të gjatë mungese.
Pritja e gruas ka një tjetër kuptim në jetën e burrit, aq më tepër kur është ikja
e e saj e parë pas krijimit të çerdhes sonë të re. Gjithë natën nuk fjeta, jastëku
më dukej i fortë si gur dhe mbulesën e pambuktë e flakja tutje e shtyja me këmbë.
Më dukej sikur ora ishte hutuar, bërë përtace, akrepat lëviznin me ngathtësi, në
përshpejtimin e ardhjen e ditës së re. Më vinte ta qëlloja me këpucë për ta
shkundur. Ngrihesha ndënjur në shtroja, vështroja lojën e verbër të reklamave përtej
dritares dhe thosha me vete:
'- Merita
tani është duke fluturuar në qiell në barkun e reve të bardha, të pafundme mbi
oqeanin Atlantik.
Gruaja
ime e dhembshur shkoi ngutshëm, si e çakërdisur në mëmëdhe, për të sjellë dhe
operuar në Kanada të atin, Demirin, pijetarin shembullor të konjakut dhe të fërnetit,
i cili është në gjendje kritike, rrezik vdekje. Mezi pres ta takoj të ëmblën
time, ta përqafoj me mall dhe dashuri, të puth me zjarr buzët e kuqe gjithë tul,
si dy qershi belice. Ti përkëdhel flokët e zinj kaçurrela, që i derdhen si ujëvarë
në shpatullat e hijshme dhe të prehem i qetë një copë herë në gjoksin e plotë dhe
të fortë. Të ndjej erën e këndshme të kurmit të gruas sime dhe të besoj vërtet
se, gjithsecili ka nevojë të dojë dhe ta duan...
Më erdhi
nëpër mend mëngjesi i dytë i ardhjes se Meritës për herë të parë në Kanada . Gruaja
kërceu prej shtratit si drenushë duke lënë në shtroje ngrohtësinë e trupit. U
shtriq dhe eci me hapa të lehta në majat e gishtërinjve drejt dritares që binte
kah liqenit. Në trup kish vetëm të linjtat e holla gati të tejdukshme. Më dukej
sikur fluide, vallëzonte në ajër, ashtu e tejdukshme dhe e mbështjellë prej
magjisë së mëngjesit. U shtriqa dhe thitha me vrull erën e veçantë të jorganit
me të cilin ishin mbështjellë dhe fjetur së bashku, u mbështeta në shpinë dhe
mora frymë i kënaqur. I lehtësuar u mblodha këmbët, bëra jastëkun më dysh dhe u
mbështeta në të. Nisa të sodisja trupin e derdhur dhe të kolmë të nuses sime të
re. U gëzova që e Merita e flaku shpejt ndrojtjen, pasigurinë dhe hutimin e
djeshëm.
Natën e
parë qëndroi shpatullmbledhur e topitur, disi e frikësuar e turpëruar e ngrirë,
vështrimi i shprehte një pështjellim të pakuptueshëm aq sa mu bë të qeshja. Kafshova
buzën nuk mund të fyeja nusen time të re. I matur e preka me kujdes butë, me
majat e gishtërinjve; flokët e kadifenjta të derdhura mbi shpatulla, të cilat më
dukej sikur shkëndijonin, pastaj buzët, faqet, qafën e derdhur, gjoksin e vogël
dhe të fortë. Ajo mbodhi shpatullat si një trumcake e trembur, u shpupurit dhe
u drodh si gjeth prej erës së lehtë. E përkëdhelja ëmbël sikur të ish lule e
brishtë. Merita befas u përshkund dhe unë e shtrëngova fort me afsh, dëshirë të
zjarrtë. Ajo vari kokën dhe qëndroi gati si e mpirë, sytë e saj të bukur
zmadhoheshin më vështronin si me habi. Herë
picërroheshin, fshiheshin prej qerpikëve të gjatë dhe më dukej sikur bridhja i
përhumbur në një tunel me fllad pranveror.
-Kam shumë
turp, mbylle dritën,- më pëshpëriti.
Mbylla
dritën. Kur e ç'vesha, i hoqa të brendshmet, Merita u përdrodh, kafshoi buzën
dhe dy lot të mëdhenj iu rrokullisën në faqe. Qerpikët i rrahën fort si krahë dallëndysheje,
sytë iu fshehën prej turpit më pas iu veshën me avull. E shtrëngova fort e
ngjesha pas trupit, zemrat na rrihnin me furi, na vlonte gjaku në damarë. U përfshimë
krejt prej rrëkeve vullkanore të epshit. U kërleshëm në shtrat duke u puthur,
thithur dhe rënkuar, u rrokullisëm në dysheme nën dritën e portokalltë të reklamave
të vendosura në tarracën e godinës përballë dritares. Vonë qëndruam të zhveshur
lakuriq mbi shpinë, kthyem kryet ngadalë, vështruam njeri tjetrin, në fillim
buzëqeshëm të ndrojtur, pastaj qeshëm të kënaqur. Merita duke u mbështetur në bërryla
më erdhi fare pranë dhe mu ngjesh në gjoks. Mbanim vesh frymëmarrjet tona të shpejta.
Të zënë dorë për dore u ngritën dhe u futëm në shtrat të flinim.
Merita u
përshtatet shumë shpejt! Fundja nuk kish përse të ndruhej, erdhi së largu përtej
oqeanit, mijëra kilometra të jetonim së bashku. Femra në jetën e vet e ka një udhëtim
të rëndësishëm; krijimin e çerdhes së re.
Rrezet e
ngrohta të diellit mëngjesor i derdheshin drejt trupit dhe ajo dukej sikur rrëzëllente.
Mu mbush goja gjithë lëng.
Merita
ktheu kryhen ngadalë, vështroi nga unë, buzëqeshi ëmbël, u zgjat dhe me buzët e
saj të plota, të tulta më puthi fort në buzë. Buzët e saj ishin gjithë jetë, më
gjallëruan, më larguan në çast plogështinë dhe gjumin. U përfshiva nga afshi,
zgjata duart të tërhiqja nusen time të re në shtrat, të thithja sërish aromë gruaje.
Ajo u përdrodh, u gicilis, qeshi dhe hyri në banjë. Pas disa sekondash dëgjova
ujin e dushit të binte me zhurmë. Merita më hodhi shkëndijën, më ndezi zjarrin.
U ngrita me vrull prej shtratit dhe hyra në dush. Ajo u struk, u përkëdhel,
kukurisi, fshiu fytyrën prej ujit, kryqëzoi duart në qafë dhe mu ngjesh tërësisht
pas trupit. Uji trokëllinte mbi trupat tanë dhe derdhej përdhe. U puthëm butësisht
nën rrëketë e ngrohta të ujit të dushit. Ashtu të lagur siç ishim prej ujit
shkuam në shtrat dhe bëmë dashuri. Ish e natyrshme, mëngjesi i dytë që ishim së
bashku, nuk ngopeshim. Të dy kishim mall, ndjenjë dhe dashuri.
Pimë nga
një gotë qumësht dhe hëngrëm mëngjes me vezë të fërguar të cilat nusja e re i përgatiti
me shkathtësi. Merita më puthi përsëri, këtë herë lehtë me majat e buzëve si pëllumbeshë
dhe mu lut të dilnin në shëtitje përgjatë rrugës King, të cilën ia përshkruaja
aq shpesh dhe me ngjyra të ndezura në letrat që i dërgoja. Meritën e brente
kureshtja për të njohur dhe mësuar sa më shpejt dhe më shumë për vendin e ri
dhe ku po fillonte jetën e re. Ajo u rrotullua, mu kacavirr në trup dhe u puthëm
sërish fort.
U veshëm
duke vështruar njëri tjetrin dhe qeshur ëmbël. Ajo veshi fustanin e kaltër me
jakë të bardhë, krehu flokët me shikim ëndërrimtar. Dukej vërtet e
mrekullueshme, i dilte në pah trupi i derdhur, beli i ngushtë, gjoksi i
ngritur, këmbët e drejta. Nuk e di kush fërgëllonte më shumë unë apo Merita? U
puthëm sërish, Buzët tona qëndruan një copë herë të puthitura. Sa mirë është të
kesh pranë një njeri që të do. Koha e beqarisë së gjatë mori fund. Në jetën
time hyri një tjetër njeri. Një vajzë e bukur me plot hire, me emrin Merita, përzuri
vetminë dhe mbushi me fllad dhe jetë kthinën time. Ashtu thjeshtësisht pruri erën
e nevojshme të bashkëjetesës dhe të ardhmërisë. Nuk kisha përse të ankohesha, më
ra për shtat një femër e mirë e pashme e çiltër. Mbi të gjitha nga qyteti i
lindjes. Merita më futi butësisht krahun si për ti përforcuar meditimet, e këndshme
dhe e ngazëllyer më mbështeti kryet në sup.
Dolëm. Merita
lëshonte herë pas here pasthirrma të ulëta habie, mi kapte gishtërinjtë mi shtrëngonte.
Atë po e befasonte rruga e vjetër King e populluar kryesisht me polakë dhe
irlandezë, godinat e larta me arkitekturë karakteristike, me dyqane dhe lokale
të shumta, gjallërinë e shëtitësve e të gjitha moshave. Edhe unë kur erdha në fillim
rruga më la mbresa, ndaj bëra ç'është e mundur për të gjetur një vend diku pranë
kësaj rruge, ku lëvizin tranvaja dhe në buzë mbrëmje rruga rrëzëllen prej
dritave të shumta dhe reklamave. Diçka të ngjashme me qytetin tim.
-Këtu
pranë është një lokal i mirë,- i fola me zë të ëmbël, i tregova një mjedis në krahun
e djathtë të rrugës dhe shtova: - Çdo mëngjes kthehem dhe pi Tim Hortons. Dëshiron
ta provosh dhe ti Merita?
-Ç'është kjo
Tim Hortons? -E pyeti Merita.
Buzëqeshi
me zemërgjerësi.
-Kafe,- i
thashë, - ka emrin e një lojtari të njohur të hockey, mbahet si kafeja më e
famshme në Kanada.
Hymë brenda
në lokal, porosita dy kafe të mesme Tim Hortons dhe Merita nuk reshte së pyeturi.
-Andrea,
ti e di, në vendlindje pimë kafe turke me filxhanë të vegjël. Këtu ta japin ta
pish me gota dhe filxhanë të mëdha,- foli Merita me zë të ulët.
Buzëqesha,
ia përkëdhela lehtë doçkën e plotë, të vogël dhe i pëshpërita:
-Kafja që
pimë në Shqipëri është e fortë. Kjo që po pi tani është e butë.
Merita
piu një gllënjkë të madhe me kafe, me shikim të përqendruar në fund të lokalit
dhe nuk më ktheu përgjigje.
Në trekëndëshin
që lidh rrugët King dhe Queen lartohet dyqani i madh i luleve, i firmës së madhe
Dion. Çatia konike e dyqanit dhe fasada janë lyer me ngjyrë të portokalltë. Kolonadat
në ngjyrë të gjelbër të çelur. Pjesa e përparme, dritaret e mëdha dhe dyert janë
mbuluar me xhama. Për tu lënë mundësi kalimtarëve të sodisnin me lehtësi dhe
joshur me mallin e ekspozuar nëpër vitrina. Meritën e tërhoqi ndërtesa, më shtrëngoi
krahun dhe u drejtuam për aty. Përpara saj u shfaq si një kopsht i madh me lule
shumëngjyrëshe, tulipanë, trëndafila, karafila, borzilokë, manushaqe dhe që përhapnin erë mrekullueshme.
-Oh nëne,
sa lule të bukura, si në parajsë!- ia bëri nusja e re dhe klithi lehtë.
Pranë luleve
shumëngjyrëshe me germa të mëdha ishin vendosur
çmimet. Ajo hodhi një hap prapa dhe rrudhi vetullat, kënaqësia iu fashit.
Tundi kryet e menduar dhe vendosi pëllëmbën
e vogël përpara gojës. U afrua përsëri, ngjeshi ballin pas xhamit të vitrinës së
dyqanit, puliti qerpikët gjithë naivitet
dhe mërmëriti:
-Oh
Andrea, çmimet në këtë dyqan qenkan marramendëse! Doja të thosha të çmendura!- lëshoi
një pasthirrmë të thellë, pastaj shtoi:- Fundja lule janë të shkretën dhe nuk
janë kostume dhe fustane!
-E
dashur, janë lule organike, të freskëta dhe plot aromë, - i thashë.
Ajo
luajti kokën e pabindur prej fjalëve të mia, puliti qerpikët përsëri dhe mërmëriti:
-Sidoqoftë,
këto lule nuk do ti blija kurrë.
Buzëqesha
lehtë me zemërgjerësi, nuk iu mërzita nuses së re. Ajo ish ritur, mësuar me jetën
e thjeshtë, pa pretendime të qytetit tonë provincial. Të blesh lule disa dhjetëra
dollarë nuk është e pakët, aq më tepër që këto lule pas disa ditë ose e shumta
një javë mund të fishken dhe flaken.
Merita
hyri fare thjesht në jetën time. E ndjeva menjëherë që ndryshimi ndodhi. Vetmia
është molë e tmerrshme, të gërryhen ngadalë pandierë në mënyrë të pashmangshme.
Ngujuar në një kthinë të vogël, nën darën e fortë e të ftohtë të qytetit të madh,
ku ndjehet i tendosur rituali i pandryshueshëm. Stresi për të mbajtur me thonj
vendin e punës, ngjitja dhe zbritja nëpër trena dhe autobusë. Gjumi i shqetësuar
dhe shumë gjëra të rëndësishme të rrëshqasin nga mendja. Miqtë e vërtetë të fëmijërisë
së bashku me lojnat, argëtimet dhe shëtitjet buzë mbrëmjeve nën rrugën e blirëve
mbetën në memorie, strukur në mënyrë në padukshme në rrugicat e ngushta me
kalldrëm të qytetit të dashur.
Lidhja me
Meritën u bë në bazën e rekomandimit dhe dëshirës së mirë të nënës, të miqësisë
dhe të fqinjësisë, siç ndodh rëndom me djemtë e mërguar vite larg në dhjetëra
male kaptuar, në dete, oqeane. Kur i
thanë nënës sime për Meritën, vajzën e Kumrie Tamburasë që punon në postë- telegraf-
telefonit. E mira nëna ime u çelëtit, sa e pa çupën e pëlqeu dhe e puthi me mirësi
në faqet e fishkura. Iu ngjit nënës vajza e Kumries, sa nuk fluturoi dhe gjithë
shend e verë më lajmëroi të vija, të shihja vajzën, të bisedoja me të dhe për
hair qoftë. Të vendosja.
Takimi me
Meritën dhe familjen e saj u bë në shtëpinë e Lefterisë fqinjës së vjetër. Merita qëndronte ulur në cep të divanit të kuq
të Lefterisë, veshur me një fustan të thjeshtë, me lule, i derdhej bukur në trup
dhe mbante vazhdimisht gjunjët mbledhura dhe sytë përtokë. E kisha të turbullt
kujtesën për Meritën, siç ma treguan në fotografi me veshje sportive dhe buzëqeshje
të ëmbël si në kartolina. Mbase ngaqë ajo jetonte në lagjen e lumit dhe rruga më
binte shumë rrallë për andej. Në takimin dypalësh më shumë folën Kumria, nëna e
Meritës dhe Lefteria, fqinja. Nëna luante kryet ngadalë dhe fshinte lotët me
cepin e shamisë së bardhë. Ajo ende pa u çmallur mirë me mua, nuk i durua sa të
më tregonte kandidaten për nuse të ardhshme, mërmëriste e mallëngjyer:
-Biri im,
përpara se të vdes le ti ngrohet zemra nënës për fllad nuseje dhe çerdhe fëmijësh.
Heshtja,
akoma kisha në fyt lëmshin e madh të mallit dhe nostalgjisë. Merita mbante kokën
pakës të anuar mënjanë, bardhoshe e kolme, plot vlagë dhe afsh. Gjoksi i plotë ngrihej
dhe ulej me shpejtësi, buzët e plota gjithë tul i mbante pakës të hapura. Flokët
e zinj dhe të dredhur i derdheshin si ujëvarë. Në qafën e bukur dhe të bardhë i
dallohej një nishan i zi. Pa e kuptuar më hipi dëshira marroqe ta puthja atë nishan.
Ajo puliste qerpikët e gjatë, si krahë dallëndyshe e fshihte shikimin përdhe
dhe e pasigurt shtronte mbi gju palën e fustanit të kaltër. E vështroja herë ballas
dhe here me bisht të syrit. Nisi të më pëlqente vajza, kandidatja për nuse. E
freskët e ëmbël, ndezëtare,me dy gropëza të hijshme në faqet e purpurta, nuk
kish të sharë. Merita buzëqeshte ndrojtur e pastërvitur me të tilla ceremoni
dhe me pafajësi e zbriste shikimin butë në dysheme.
Mbasi përfundoi
ceremonia e prezantimit dhe e hollësive të mëtejshme për dy njerëz që do lidhnin
jetën për fare së bashku. Përfaqësitë u tërhoqën me buzëqeshje mirëdashje. Na
lanë të dilnim të shëtisnim, të bisedonim dhe të njiheshim më mirë. Dita ishte
plot diell dhe në bulevardin kryesor të qytetit kishin shpërthyer lulet e blirëve.
Të dy ecnim në heshtje ngadalë, krah për krah nën erën e mrekullueshme të blirëve.
Më dukej sikur kurmi i vajzës fërgëllonte. Vazhdoja ta këqyrja herë ballas dhe
herë me bisht të syrit. Sa të sikletshme dhe torturuese qenkan ceremonitë e
lidhjeve të ardhshme, sidomos për vajzat, të cilat presin me sinqeritet dhe me
bindje një fat të mirë. Më në fund u kollita dhe theva heshtjen. Nisa ti flisja
për qytetin e madh dhe jetën e vrullshme kanadeze. Ujëvarën e famshëm të Niagarës,
liqenet e ngrira në dimër, ku të rinj dhe të reja luajnë me patina. Merita dëgjonte
kokë anuar, s'fliste, kuptohej ndjehej e ndrojtur e pastërvitur por sytë e saj
vezullonin.
Lefteria
më rekomandoi të shkonim në lokalin e njohur të mishit të qengjit të fshatit
Boboshticë me ambiente të qeta dhe intime. Lokali ish vërtet interesant dhe
karakteristik. Merita hyri e para dhe gjeti një ambient të këndshëm. Darkuan me
mish qengji. Vetëm unë flisja si për ti a lehtësuar sikletin kandidates për
nuse. Vajza dëgjonte e përqendruar më ndërpriste rrallë, me pulitjen e pandërprerë
të qerpikëve dhe më pas shikimi i saj binte në dysheme. Zgjata gishtërinjtë, i
përkëdhela lehtë dorën e vogël të butë dhe të ngrohë. Dora e saj u drodh por
nuk u tërhoq. Kur u ndamë e pyeta:
-Merita
nuk jam i sigurt a dëshiron të jetosh me mua në Kanada?
-Dua,- murmuriti
ajo,- vetëm se kam pak frikë.
-Frikë!- ia
bëra i habitur,- po përse?
-Nuk e
di, është hera e parë që largohem prej qytetit të lindjes dhe familjes.
-Të premtoj
se do të ndodhem në krah për çdo gjë,- i thashë me dhembshuri.
Merita
ngriti kokën vrulltas dhe me lëvizje nazike hodhi flokët mënjanë, më vështroi
gjatë, buzëqeshi ëmbël dhe gjithë mirënjohje.
-Faleminderit
dhe të besoj,- pëshpëriti,- dukeni që jeni njeri i mirë.
E tërhoqa
pranë vetes dhe e putha lehtë në buzët tulta. Ajo nuk lëvizi, qëndronte
symbyllur e putha përsëri...
Morra
frymë thellë dhe rregullova me kujdes letrën e tejdukshme të buqetës me tulipanë,
karafila dhe trëndafila. Këtë buqetë e bleva
pikërisht në dyqanin e shtrenjtë Dion
për t'ia bërë surprizë Meritës. Lëviza me ngadalë përmes turmës së pritësve dhe
shpërndava erë lulemirë.
Brodhi vështrimin
në mizërinë e pritësve të afërmeve të tyre, të grumbulluar përpara dyerve vetëlëvizëse
të aeroportit të madh. Jeta si gjithnjë është e ngarkuar me ikje, pritje,
takime, çmallje dhe përqafime. Udhëtarët e lodhur prej fluturimit të gjatë dhe
të rënduar nga valixhet, ndjehen të lumtur kur dëgjojnë klithmat e gëzimit dhe
të pritjes.
Mbajta erë
me ëndje karafilave, tulipanëve dhe trëndafilave. Lulet janë të freskëta dhe lëshojnë
erë dehëse. Erëmirën e luleve e ndjenin
të gjithë pritësit ndaj kthenin kryet nga unë kur lëviz afër tyre. Bëj kujdes
kur mbledh gishtërinjtë rreth buqetës, të mos e zhubros letrën e tejdukshme mbështjellëse,
të mos i dëmtoj fletët e gjelbra, kërcellet e brishta, prandaj lëviz rrëshqanthi
gati i kontraktuar, me frikën e përplasjes së paparashikuar.
Buqetën
me lule e bleva pesëdhjetë e nëntë dollarë dhe nëntëdhjetë e nëntë cent plus
taksë. Sa herë bënim shëtitjen e së dielës Merita ngadalësonte hapat, thithte
me etje erën e mrekullueshme të luleve dhe sodiste me zili karafilat, trëndafilat,
tulipanët etj, vendosur kujdesshëm në vitrinë. Ajo habitej me aromën dhe
freskinë e tyre, paçka se jashtë binte borë. Por çmimet e luleve të këtij
dyqani ishin të kripura. Kur e përcolla Meritën i premtova se do ta prisja me
karafilat dhe trëndafilat e dyqanit të luleve 'Dion'. Ajo fshehu sytë përdhe. Prisja
që Merita të rrihte shuplakat dhe të bërtiste prej kënaqësisë. Nusja e ime e
mirë ish e përhumbur, tmerrësisht e shqetësuar prej merakut të sëmundjes së papritur
të babait dhe nuk më ktheu përgjigje.
Për disa
gjëra dhe trille femërore Merita tërhiqej mënjanë dhe fshihej me fanatizëm. E vështroja
në hop i habitur. Ajo përgjonte vështrimin e tim pastaj më përdridhej gjithë naze
dhe më puthte në cepin e buzës. Më pas më kapte buzën me majat e dhëmbëve, më përkëdhelej
përpara hundës, e qeshte si çilimi.
-I dashur
Andrea mos u bëj kështu, vetëm ty të kam në këtë botë të huaj dhe qytet të madh.
Eh i dashur im, femra po të mos ketë një çikë sekrete nuk ka kuptim të jetë femër,-
më pëshpëriste.
Tërhiqesha
menjëherë, vërtet s' ish fort e hijshme të ngulmoja, të tregohesha skuth i keq
në sytë e gruas sime që e doja aq shumë. Zakonisht femrës i pëlqen të mbajë për
vete disa sekrete të vogla simpatike, për tu bërë pakës enigmatike. Nazet e
bukura dhe sekretet e vogla e bëjnë femrën më tërheqëse. Qeshja me zemërgjerësi
dhe Merita ime shkrihej prej kënaqësisë.
Për të qenë
i pranishëm në ceremoninë kur Merita të marrte certifikatën e përfundimit me
sukses të kursit mora lejë nga puna një javë më parë. Merita qëndronte hijshëm
ulur në stol veshur me uniformën blu dhe kordele të kuqe të graduantit, zgjatej
dhe më përshëndeste lehtë me dorë. Ishte vërtet një ngjarje e rëndësishme. Më shumë
isha unë i emocionuar se sa ajo. Kur iu thirr emri Meritës për të marrë certifikatën,
pa e kuptuar brofa në këmbë i emocionuar duartrokita dhe fërshëlleva. Ajo eci rëndë-
rëndë e sigurt në podium, më erdhi vërtet për të qeshur.
Darkuam në
një lokal luksoz, në qendër të qytetit, pimë verë 'Bordo'. Atë ditë e lëshova
dorën lashë dyqindepesëdhjetë dollarë,
një shumë e konsiderueshme për xhepin tim modest. Të dy ardhëm në qejf. Merita
më varej si kotele në shpatull dhe më ngjitej gjatë gjithë rrugës. Kur hymë në dhomë
Merita i kërkoi ta mbaja në krahë. E ngriti hopa e putha fort në gushë, e
gudulisa por kur u zhveshëm lakuriq për të bërë seks, çuditërisht u bë krejt esëll.
U ngrit vrulltas në këmbë, veshi me shpejtësi të brendshmet, këmishën natës dhe
më kundërshtoi ashpër, prerë, me ngulm dhe hyri me vrap në banjë. Në lakuriqësi
vështroja dritën e zbehtë të neonit pa ditur çfarë të bëja. Ajo qëndroi gjatë në
banjë duke zbrazur herë pas here ujin e tualetit. Unë mbaja vesh, kur doli eci
në majat e gishtërinjve, u fut në shtroje dhe mbuloi kokën.
Të nesërmen
u ngrita si zakonisht herët. Kokën e kisha të rëndë prej verës të cilën
vazhdova ta pija dhe më vonë, kundërshtimi i pakuptimtë gruas në kulmin e gazit të bukur më mërziti. Merita
u rrotullua në shtrat, futi krahun poshtë jastëkun, puliti qerpikët dhe u
shtriq. Ndiqte me vëmendje lëvizjet e mia.
Pa vështruar nga ajo e përshëndeta:
-Mirëmëngjes!
Ajo
luajti kryet dhe fërkoi mjekrën mbas jastëkut. Shikimin i saj ish i zbrazët,
nuk kish mbetur në to asnjë gjurmë prej euforisë së djeshme. Tërhoqa derën dhe
zbrita poshtë. Ndeza makinën, prita disa minuta të ngrohej motori dhe u nisa për
në punë. Nuk më shqitej prej mendjes ndryshimi i beftë i mos dëshirës së Meritës
për të dhenë ngrohtësi. Shpesh më habiste gjithnjë me ca ndryshime dhe trille të
befasishme, aq sa ndjehesha i pështjelluar. Herë më dukej më e brishtë nga ç'duhej,
si fëmijë e llastuar, prekej shpejt për hiç mos gjë, trishtohej, përlotej dhe i pëlqente të qëndronte vetëm. Përpiqesha
të mos i jepja shkak për sherr, e falja gjithnjë, e mbaja në duar si pëllumbeshë
Kur u
ktheva nga puna gjeta Meritën që qante me dënesë. Mu dhimbs, e harrova në çast
mërinë mbrëmshme e afrova pranë me kujdes, i përkëdhela flokët e butë si kadife
dhe e pyeta përse qante. Ajo ngriti kokën, mjekra i dridhej prej ngashërimit. Fytyra
e saj mu duk e zbehtë dhe sytë e skuqur. Sa delikate, të pakuptueshme dhe të çuditshme
janë gratë, punoja dy turne e mbaja pa punë në shtëpi të përfundonte kursin,
dje për kënaqësi shpenzova dyqind dollarë. Në vend të isha unë i mërzitur, i
trishtuar, që po bëja gjithçka që mundja për të dhe ajo... Po ajo kish një det
të madh ndër sy, çfarë kish ndodhur?
I bëra
kafe të fortë dhe prita me gjakftohtësi të ndalte ngashërimin dhe të fliste. Më
në fund mora vesh se Demiri, pijetari shembullor i konjakut dhe fërnetit, babai
i saj ishte i sëmurë rëndë nga zemra. Ajo mblodhi shpatullat, fshiu hundët dhe
shtoi:
-Ah i
dashur, nuk e di si do ti shkojë filli i jetës babit tim. Në vendlindje mjekët
janë mafiozë të paskrupullt, të shikojnë duart.
-Mos u mërzit,-
thashë dhe e përkëdhela në faqen e qullur nga lotët,- i dërgojmë që sot një çek
për të përballuar shpenzimet e spitalit dhe të mjekëve.
Merita
tundi kryet me nervozizëm dhe shtrëngoi shaminë e qullur.
-Jo, në asnjë
mënyrë jo. Nuk mund ta lë babin tim në dorë të atyre mjekëve dhe infermierëve
ku përkujdesja për të sëmurët është për faqe të zezë.
-Sille këtu,-
i thashë pa e zgjatur.
Merita u çel
në fytyrë, brofi prej shtratit dhe mu hodh në krahë.
U
interesova të tërhiqte formular nga ambasada, ia dhashë Meritës ta mbushte dhe
ti a niste menjëherë familjes. Kur shkoja në punë e linja gruan të ngrehur. Ajo
gjithnjë kontrollonte postën dhe qëndronte në pritje të telefonatave, për
aprovimin e vizës së të atit për të ardhur në Kanada. Prej padurimit nga dita në
ditë po bëhej nervoze, kruante kokën, psherëtinte dhe vërtitej nëpër dhomë.
-Të lutem
Merita eja fli, jam i sigurt se dokumentet do vijnë shumë shpejt,-e ngushëlloja.
Gruaja e
bindur flakte rrobat mbi komodinë, futej në shtroje dhe mbulonte kokën. Ndruhesha
ta prekja, ta trazoja, kisha merak se mos e lëndoja.
Merita
shkoi tmerrësisht e mërzitur në vendlindje, me sy të përmbytur prej mjegullës. Gjendja
shëndetësore e të atit ish tejet rënduar, ajo e do shumë babin dhe ne kemi
vendosur ti a bëjnë këtu operacionin koronar të zemrës. Me përfshiu edhe mua
akthi i pritjes dhe operacionit të Demirit, babai i gruas është pothuajse dhe
babai im. E merrja gjithnjë në telefon por më dilte Kumria, e ëma e cila më fliste
me zërin si piskamë, sa më shurdhonin veshët,
më thoshte se, Merita është dobësuar prej merakut dhe më të shumtën e
kohës qëndron në spital pranë të atit. Mu leqendis çupa Andrea mu bë gjysmë njeri...
Vështrova
orën e dorës, ish koha të shfaqej Merita, ajo do të vrapojë drejt meje me mall
do më hidhet në krahë. Duart më dridheshin prej emocionit, lulet fërfërinin. Jam
i impresionuar, apo i shqetësuar, ndoshta e kam nga malli dhe padurimi. Ikja e
gruas e la shtëpinë bosh dhe për të mos qëndruar vetëm shpesh punonte dy turne.
Piva një kafe të mesme shpejt e shpejt me sytë e mbërthyer nga dyert e mëdha lëvizëse.
Me sa mësova
avioni Alitalia, Romë-Toronto, kish më shumë se tre orë që kish mbërritur në aeroport
dhe Merita nuk po dukej. Mu shtua meraku për vonesën e paparashikuar. Merita
kish qenë shumë e preokupuar me sëmundjen e babit dhe orën e saktë të mbërritjes
ia tha nëna. Mos ndoshta i kish ndodhur Demirit gjatë udhëtimit ndonjë krizë e
fortë zemre, ose ndonjë keqkuptim i rëndomtë me valixhet? Buqeta e madhe me
lule më lodhi krahun e hodha në dorën tjetër. Pritësit kthenin kokën me kujdes,
u mbanin erë luleve të buqetës sime. Ngado që lëvizja shpërndaja aromë luleje
erëmirë dhe nuk u pendova që pagova për to pesëdhjetë e nëntë dollarë dhe nëntëdhjetë
e nëntë cent plus taksë..
Gishtërinjtë
që mbanin të shtrënguar tufën me karafila dhe trëndafila mu qullën shpejt dhe lëvizën pakujdesish mbi mbështjellësen e
lëmuar dhe të tejdukshme. Fleta u zhubros dhe kërciti lehtë. Gishti i vogël u
pickua dhe u gjakos. As vetë nuk e mora vesh nga u ndodh teli i mprehtë apo
gjembi në atë buqetë të shtrenjtë me lule kundërmuese që më përgjaku dorën.
Më mbërtheu
një nervozizëm i pakuptueshëm. Fshiva gjakun me një copë letër që mu ndodh në xhep
dhe lëviza sa më afër, duke mbajtur buqetën me lule lart me kujdesin e
eliminimit të ngjeshjes së pakontrolluar të pritësve.
U mbështeta
në kolonën e betontë dhe nuk po vendosja se çfarë duhej të bëja. Të merrja një kafe
tjetër por rreziku i pagjumësisë ma
largoi këtë dëshirë. Dyer hapeshin dhe mbylleshin me shpejtësi, dilnin udhëtarë
të rënduar prej valixheve. Dreqi ta hajë sa torturuese qenka pritja. Sidoqoftë kur
pret njeriun që do, ke lidhur jetën, pritja dhe takimi i afërt merr një kuptim
të madh dhe zemra të gufon prej gëzimit.
Më në fund
u shfaq Merita duke tërhequr pas dy valixhe të madha dhe të kuqe. Kur iku mori
me vete vetëm një valixhe të vogël blu. Fytyra e Meritës dukej lodhur e skuqur
si e flakëruar.
-Merita,
Merita!- i thirra dhe tunda buqetën me
lule. U turra drejt saj për ta ndihmuar, mos më lodhej gruaja. Ç'ishte e nevojshme të sfilitej, të mbarte
lecka në mijëra kilometra kur e porosita disa herë të mos ngarkohej. Gruaja ime
e mirë tashmë e di, në Kanada të gjitha gjërat janë shumë më të mira dhe më të lira.
Eh, femrat si femra!
-Merita!- i thirra përsëri.
E shoqja
shkundi kokën me vrull, më hodhi një vështrim të ngrirë dhe puliti qerpikë. Me trupin
e tendosur dhe kokën përpara tërhoqi valixhet për në drejtim të kundërt.
-Merita!?
Kaq të jetë
hutuar, lodhur, ti jenë shurdhuar veshët Meritës sime prej këtij dreq
fluturimi? Kot nuk morra lejë dhe nuk shkova me të. Kur gjendesh i larguar, i
vetëm në vend të huaj, preokupohesh dhe e do akoma më shumë njeriun me të cilin
ke lidhur jetën. Eh, Merita, Merita, do më bësh me zemër ndonjë ditë. U afrova
me ngut dhe qëndrova përpara saj. I lumturuar i zgjata buqetën me lule. I çliruar
prej ankthit dhe i malluar u bëra gati ta përqafoja. Merita për një sekondë ngriu,
tërhoqi me forcë kokën prapa. Më vështroi ftohtë, gjithë egërsi si të kish përpara
një të huaj. Rrotat e vogla të valixheve u fërkuan ashpër pas parketit. Prisja
të shikoja të dilte i ulur në karrocë i
ati i sëmurë. E hoqa një ndenjëse nga makina për ti lënë hapësirë të bollshme e
të rehatshme të sëmurit të dërmuar prej udhëtimit të gjatë.
Atë çast
pranë nesh u afrua një djalë i gjatë, hundëgjerë, fytyrëegër, me një vëth të madh
në veshin e djathtë. Ai hyri mes nesh duke na shtyrë me bërryla.
-Hapna
rrugën! -hungëriti.
-Çfarë!- i
a pata.
-Të thashë
lirona rrugën.
-Shko ore
me tutje, ka vend boll, nuk e sheh po
takoj gruan time, -i fola i pështjelluar dhe me zë të mbytur.
-Mos na mërzit
kokën shumë, largohu!- shkrofëtiri ai.
-Ore, je
mirë nga trutë ti,- i bërtita. Goja mu bë farmak, ç'donte ky skërfyell mes meje
dhe gruas sime. Zë ngjirur i fola- Merr vesh, po takoj gruan time?!
Inati po
më shkundte gjoksin. Ç'kërkonte ky bubuzhel? Shtrëngova grushtet gati për sherr
dhe ndërkohë vështrova përreth mos shihja ndonjë polic. Merita përgjonte e
ngrehur vështrimin tim, që e kisha të murrëtyer, ma bleu mendjen. Brenda një viti
i kish studiuar mirë ligjet kanadeze dhe ma kaloi ujët nën rrogoz, me telefonatat
dhe letra sekrete. Lëpiu buzët e përthara dhe u bëri me kokë mua dhe atij skërfyellit
të lëviznin diku më tej
-Duhet të
qetësojmë gjakrat.- Pëshpëriti dhe eci e para. Rrotat e vogla të valixheve u fërkuan
zhurmshëm pas parketit.
Diku larg
qëndroi, hodhi vështrim gjetiu, më pas e
fshehu në dysheme dhe foli me zë të ashpër, gati urdhërues, shumë të huaj për
veshët e mi:
-Andrea përse
kërkon të bësh skandal?
-Unë po bëj
skandal!- ia bëra i pështjelluar dhe zë lënduar pëshpërita, - mezi të prisja
Merita.
Ajo shtrëngoi
buzët me inat dhe tha:
-Po, ti
do të bësh skandal përderisa e sheh që nuk jam vetëm. Do na çosh në shtëpi, apo
të shkojmë të flemë gjetiu?
Më dukej
gjendja e turbullt, Merita e ime e brishtë, delikate që trishtohej dhe përlotej
për hiç mos gjë, qe tjetërsuar, ish bërë e rëndë, autoritare e paturpshme, gati
zagare. Dora më djersiu tmerrësisht. Buqetën me karafila dhe trëndafila e hodha
gjithë maraz e ngjesha në dorën tjetër. Pëllëmba mu shpua dhe mu përgjak keq. U
kapërdiva me vështirësi, përqendrova nervat, një shkundje e madh po ndodhte. Gryka
më digjte dhe me zë të mbytur fola:
-Merita,
të prita me orë të tëra për të çuar në shtëpi.
-Mirë por
siç e sheh nuk jam vetëm, dua të vij në shtëpi me Çimin,- ia bëri ajo.
-Po kush është
ky Çimi?- Gërhita me dhembje dhe isha gati a ngjeshja atij skërfyelli me grusht
turinjve.
Rrotat e
vogla të valixheve u fërkuan ashpër pas parketit, mu gërryen zorrët dhe holli i
madh i aeroportit nisi të më vinte vërdallë.
-Kërkon të
dish se kush është Çimi,- ia bëri ajo.
-Sigurisht
dua ta di. Prisja të vije me babin e sëmurë rëndë, që siç më thoshe e do aq
fort dhe jo me këtë.
Skërfyelli
u skërmit.
-I
dashuri im,-më foli me zë të rëndë dhe pa turp,- dhe dëgjo mos më çaj kokën për
hollësi të tepërta...
-Çfarë!- ia
bëra zëngjirur si i goditur me tokmak prapa kokës dhe vështrova syçakërritur
njeriun që kisha përpara dhe që quhej gruaja ime.
Ika i ndërkryer.
Me tërbim bëra shuk buqetën me karafila dhe
trëndafila, e flaka në koshin më të parë. Dora mu përgjak sërish. Ndjehesha
i mjerë, i gënjyer, gruaja ime, Merita e brishtë më kish vënë brirë...
Vara kokën i zhgënjyer...