| E marte, 29.05.2012, 06:39 PM |
NEVOJA PER NJË POLITIKË TË QYTETËRUAR
Nga Frank Shkreli
Ndërkohë që
këtu në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një fushatë e nxehtë elektorale për
zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor midis dy kundërshtarëve
kryesorë politikë, kandidatit të Partisë Demokrate, Presidentit Barak Obama dhe
kandidatit të Partisë Republikane ish-governatorit Mit Ramni -- kanë filluar të
trashen fjalët, dhe të ashpërsohen akuzat dhe kundër akuzat, jo vetem midis dy
kandidatëve por edhe midis bashkpuntorëve
dhe përkrahësve të tyre politikë si dhe grupeve të interesave të posaçme, që përkrahin
njërin ose tjetrin kandidat.
Në të njëjtën
kohë edhe në Shqipëri po zhvillohet një proces për zgjedhjen e presidentit të ardhëshëm
të vendit. Megjithëse procesi për
zgjedhjen e presidentit në Shqipëri eshtë krejt ndryshe, kryesisht për nga kërkesat
kushtetetutore-- në krahasim me fushatën e gjatë elektorale për zgjedhjen e
presidentit që po zhvillohet në Amerikë -- duket sikurë i gjithë vendi është kaplluar
nga ato që media shqiptare karakterizon si "ethe presidenciale". Ndërkohë që këtu në Amerikë, megjithë akuzat
dhe kundër akuzat e ashpëra ndaj njëri tjetrit dhe midis përkrahësve të dy
kandidatëve, përgjithësisht debatohet në
lidhje me çështje që i interesojnë votuesit, ose të pakën segmente të ndryshme
votuesish. Mbi të gjitha për çështje siç
është ekonomia, papunësia, dhe deficitet buxhetore në nivel kombëtar, shtetërorë
dhe vendorë.
Votuesit
amerikanë, mbi të gjitha, duanë të dine, mbi të gjitha, se cili prej kandidatëve
të dy partive kryesore mund ta nxjerrë vendin nga këjo situatë e rëndë ekonomike,
dhe nuk janë të interesuar aspak në sulmet politike, që normalisht dhe për mirë
ose për keq, janë pjesë e procesit të zgjedhjeve në këtë vend. Për fat të keq,
shkëmbimi i akuzave të tilla dhe sulmeve personale tërheqin më shumë vëmendjen
se sa çështjet serioze me të cilat pëballet vendi. Mungesa e qytetërimit politik, sidomos gjatë
fushatave elektorale, ekziston pra në Amerikë dhe në vende të tjera
demokratike, pasi është bërë pjesë e procesit.
Edhe në Shqiperi duket sikur mungesa e qytetërimit politik, paragjykimet
dhe sulmet personale kundër kandidatëve të mundshëm ose fiktiv për presdient,
kanë tërhequr një vëmendje më të madhe në median shqiptare dhe në qarqet
diplomatike në Tirane, se sa vet procesi për zgjedhjen e presidentit, madje
edhe më tepër se ç’duhej të tërheqin debatet mbi aftësitë politike dhe morale që
duhet të ketë një kandidat, cilido qoftë ai ose ajo, për të kryer detyrën e
kryetarit të shtetit.
Ideja e këtij
shkrimi lindi duke shikuar reklama elektorale në televizionin amerikan të presidentit
Obama dhe ish-governatorit Ramni kundër njëri tjetrit e të cilave sipas ekspertëve
dallohen nga ashpërsia dhe nga mungesa e të ashtuquajturit qytetërim politik. Sipas anketave publike, rreth 80 për qind e
amerikanëve thonë se janë të shqetësuar nga mungesa e një diskursi të qytetëruar
dhe të respektueshëm në procesin politik të vendit. Por mora shkas gjithashtu edhe nga saga e
gjatë dhe debatet e ashpëra midis pozitës dhe opozitës si dhe grupeve të tjera
politike dhe ndërmjetsimit të diplomatëve përendimorë në Shqipëri për zgjedhjen
e presidentit të ardhëshëm të vendit.
Mungesa e
qytetërimit politik në fushata elektorale dhe diskurse politike në Shtetet e
Bashkuara është aq e vjetër sa edhe ekzistenca e Amerikës si shtet, pra nuk është
diçka e re as këtu në Amerikë, një vend ky që ka një traditë të gjatë demokratike. Madje, madje këtu në Amerikë ishte presidenti
i parë i Shteteve te Bashkuara Xhorxh Uashingtoni, ai që në fjalimin e
inaugurimit të tij si president i kombit te ri, i cili që atëherë theksoi nevojën
dhe paraljmëroi kombin për një qytetërim politik duke u premtuar bashkadhetarëve
të tij, "një angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit tonë nepërmjet
qytetërimit politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral. Mbi të gjitha, Amerika duhet të përshtatë dhe
të harmonizojë angazhimet e saj parimore me shqetësimet dhe me nevojën për një shoqëri
politikisht të qytetëruar."
Ushtrimi
dhe përvehtësimi i qytetërimit në politikë dhe në jetën e përditshme nënkupton
resepktin dhe vlerën që ne kemi për një person tjetër. Stiven Karter, i cili komenton për shumë gazeta
amerikane, në librin e tij me titull “Qytetërimi’’,
shkruan se sjelljet tona, me vepra dhe me fjalë, “Janë shenjë e respektit tonë për
bashkqytetarët tanë, që t’i konsiderojmë ata si të barabartë me ne, si para
ligjit ashtu edhe para Perëndisë. Kështuqë
rregullat e qytetërimit politik janë, në të njëjtën kohë, edhe rregullat e
moralit. Është e moralshme’’, thotë ai, “që
bashkqytetarët tanë t’i trajtojmë me respekt dhe e pa-morlashme nëqoftse nuk bëjmë
një gjë të tillë. Kriza e mungesës së qytetërimit
civil e politik në kohën tonë, është pjesë e një krize më të madhe morale’’,
shton Stiven Karter.
Për të përshkruar
këtë qytetërim ose sjelljet e mira politike, në anglisht përdoret fraza "political civility" dhe në frëngjisht
fjala "civilite' " e që e ka të njëjtën rrënjë etimologjike me fjalët
"qytetërim" ose i "qytetruar", e që me fjalë të tjera nënkupton
njerëz të shtëpisë ose pjesëtarë të një familjeje. Si rrjedhim, në jetën e çdo familjeje ka disa
rregulla që mundësojnë anëtaret e familjes të jetojnë në paqë e harmoni me njëri
tjetrin. Edhe në sistemin dhe jetën
politike të çdo vendi, ekzistojnë disa rregulla të qytetërimit politik që, nëqoftse
zbatohen, duhet të bejnë të mundur të jetuarit në paqë dhe respekt për njëri
tjetrin dhe tolerancë për mendimet e ndryshme të njeri tjetrit, qofshin ata
edhe kundërshtarë politikë. Ashtu si çdo
anëtar i familjes ka përgjegjësi për mirëvajtjen e familjes së vet në terësi, në
të njëjtën kohë, secili prej nesh si pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, kemi përgjegjësi
dhe obligime jo vetem karshi njëri tjetërit, por edhe ndaj shoqërisë, shtetit
dhe kombit të cilit i përkasim.
Xhim Liç,
një ish-kongresmen republikan i cili ka shërbyer 30 vjetë ne Kongresin
amerikan, thotë në një artikull mbi këtë
subjekt se "qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me sjellje të mira dhe
nuk do të thotë se debatet e ashpëra duhet të shmangen. Përkundrazi, ajo që nevojitë
qytetërimi politik është gatishmëria nga ana e një individi për të dëgjuar me
respekt pikëpamjet dhe qendrimet e të tjerëve, duke qenë të vetdijshëm se të gjithë
ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri.'' Kongresmeni Liç, vazhdon duke thënë se "është
krejtësisht e natyrshme dhe në të vërtetë
është normale dhe pritet që qytetarët të mos jenë dakord me njëri tjetrin mbi çështje
politike dhe me qëndrimet e kandidatëve të ndryshëm dhe që më në fund këto
mosmarrveshje t’i shprehin me votën e tyre." Por ajo që është me e rëndësishme sipas tij,
" është nëse kandidatët ose partia që më në fund fiton zgjedhjet, kanë seriozitetin
e duhur dhe kurajon politike të nevojshëme për tu angazhuar për një bashkpunim
me të gjithë, për të mirën dhe interesat e përbashkëta madhore."
Më kujtohet
kur ndërroi jetë ish-presidenti amerikan Ronald Reagan më 2004. Varrimi i tij
dhe ritet funerale, bashkuan politikanët amerikanë të të gjitha ngjyrave, konservatorë,
liberalë dhe të qendrës, republikanë e demokratë. Kur vdiq ai, në Amerikë ishte gjithashtu
kulmi i një fushate të egër politike për president midis republikanit Xhorxh W
Bush dhe demokratit Xhon Kerri. Në shenjë
respekti që të gjithë kishin për presidentin Reagan, për ceremonitë e varrimit,
të dy fushatat nderprenë reklamat armiqësore kundër njëri tjetrit dhe të gjithë
të bashkuar në kujtim dhë për të nderuar ish presidentin Reagan dhe politikën e
tij të qytëruar karshi kundërshtarëve të tij politikë, për të cilën ai ishte i
njohur -- të pakën përkohësisht shpallën paqë në luftën e tyre politike të egër
për pushtet.
Në Shqipëri
në këte 100-vjetor të pavarësisë së vendit, me të drejtë dhe me plot krenari po
bëhen plane dhe po miratohen programe dhe po organizohen evenimente madhështore
për të festuar arritjen më të madhe të kombit në 100-vjetë, pavarësinë e
shtetit shqiptar. Por nderi me i madh që
mund t’i bëhej Shqipërise dhe kombit shqiptar në ketë vit jubilar, do të ishte
vendosja e diskursit dhe qytetërimit politik në jetën dhe debatin politik të vendit
– të pakën këtë vit -- midis partive kryesore politike dhe aleatëve të tyre me
zgjedhjen e një presidenti me konsensus të gjërë, duke i dhënë kështu vendit një fillim të ri në
jetën demokratike dhe duke lënë pas gabimet dhe armiqësitë politike të së kaluarës
si dhe frustrimet e shumëta të popullit me proceset politike në vend -- ashtuqë Kuvendi Shqiptar të bëhet me të vërtetë organi
politik që përfaqëson interesat e popullit dhe për të cilin ka nevojë dhe e do
populli dhe kombi. “Bën shoqëri me burra me cilësi të mira nëqoftse vlerëson
reputacionin tënd, sepse është më mirë të jeshë vetëm se sa të jeshë në shoqëri
të keqe.’’ (Xhorxh Uashington)
Por në fund
të fundit, qoftë në Amerikë, qoftë në Shqipëri, janë votuesit ata të cilët
duhet të kërkojnë llogari dhe dhënjen fund të sjelljeve dhe debateve të ligshta
politike në radhët e politikanëve dhe të përfaqsuesve të partive në parlament ,
gjatë fushatave elektorale, në nivele të ndryshme të qeverisë dhe shtetit dhe të
kërkojnë prej të gjithëve që tu jepet fund grindjeve të përhershme politike e të
punojnë për të mirën e përbashkët, pasi politikanët kudo angazhohen në sulme të
ligështa personale ndaj kundërshtarëve politikë për derisa sjellje të tilla
tolerohen nga elektorati.