| E hene, 28.05.2012, 03:19 PM |
Kadare,
mos refuzo, prano të jesh President
Nga Nikollë Lesi
I madhi
Kadare!
Pa i rënë
rrotull fjalës e që të mos lodh lexuesin, edhe Ju, më lejoni t'ju drejtohem
hapur: Duhet të pranoni kandidaturën e Presidentit të Republikës! Nuk mundet që
Ju, në këtë katrahurë politike, ku vendi është shumë pranë statusit kandidat për
në Bashkimin Europian, të refuzoni apo të rrini duke e vrojtuar nga larg
zjarrin që po vjen, zjarr që do të djegë edhe për disa vite ëndërrat e shqiptarëve,
për ato ëndërra e për atë shpirt për të cilin ju keni shkruar e derdhur në art,
art për të cilin, çdo shqiptar, krenohet kur përmend emrin tënd, ISMAIL KADARE.
Nuk mundet të heshtni apo të refuzoni, nuk mund të pini kafen e mëngjezit i qetë
apo të shkruani ndonjë vepër të madhe, edhe këto dite, kur me sa shikojmë të gjithë
po turremi me vrap drejt greminës se nuk kemi emer apo se nuk duam të merremi
vesh për emrin e numrit një të shtetit shqiptar. Si mund të flini i qetë, nëse
flini, kur edhe në rrugën tënde ku banon, do të dëgjosh britma sherri apo do të
kaloni pa e vrarë mendjen për politikën duke menduar skicën e një libri të ri
brilant, siç dini vetëm ju të shkruani? Nuk mundet të rrini mënjanë, ndonëse Ju
mund të thoni, siç keni thënë se jeni larg politikës dhe i përkisni botës së letrave,
kulturës së kombit. Si mund të rrini e të refuzoni për President i gjithë shqiptarëve,
ku nuk ka shqiptar, i cili ndjehet më europian e më njeri, kur thotë emrin tënd,
aq më tepër kur je jashtë në Perëndim. Emigrantët, atyre iu shkëlqejnë sytë e
ndjehen britanikë, amerikanë, francezë, gjermanë, italianë e spanjollë në sensin
e kulturës e dinjitetit, pasi jeni edhe Ju që na keni lartësuar. Natyrisht që Ju
keni dalë nga ne, nga ky vend që po përpiqet, përditë e nga pak, të lartësojë vetveten;
porse a mund ta vini në punë imagjinatën tuaj shekspiriane nëse pranoni
kandidaturën e Presidentit të Republikës. Provojeni njëherë sikur jeni
President, bisedo me vetveten dhe me ndërgjegjen tënde shqiptare, të përzierë me
atë franceze. Nuk ka njeri që nuk përulet para jush, jo në sensin e
servilizmit, por të respektit për institucionin e lartë të Presidentit të Republikës.
Çdo njeri, çdo politikan nuk ka nga të shkojë e do të dridhet në sensin e
shtetit kur do të mendojë se do të trokasë në zyrën e kryetarit të shtetit, aty
ku mund të jeni Ju. Ky do të ishte shans i madh për ne, shqiptarët, por edhe për
Ju, i dashur, i madhi Kadare. Nëse për çdo emër, sado të mirë që mund të gjendet
në politikë, porse politika do ta hajë e do ta masakrojë, tek Ju nuk mundet të përdoret
kosa e masakrës së përditshme politike. Ju i shërbeni shtetit, shqiptarëve e jo
politikës së konflikteve apo pazareve të kulisave që janë bërë modë vitet e
fundit. Ju mund të thoni se jam mirë kështu, i nderuar e i respektuar e përse të
bëhem "shoshë" nga "plumbat" e politikës?! Epo, nëse ndodh
kjo, që edhe mund të ndodhë, atëhere ajo politikë apo ai politikan që do të ngrejë
dorën e sulmit ndaj Jush ka prerë biletën e pensionit ose edhe më keq, atë të mërisë
popullore.
I dashur
Kadare !
Ju mund të
thoni se po fluturoni në botën e hamendjeve, pasi, edhe nëse unë dua, ende nuk
kam propozim publik nga ata që kanë të drejtë të më propozojnë. Gaboheni ose
gjeni mënyrën për të gabuar, duke mos pranuar! Edhe ata që mundet të mos duan
brenda vetvetes janë të detyruar të vijnë tek Ju, pasi kanë pas vetes qindra e
mijëra shqiptarë, të cilët, nesër janë vota. Dhe çdo votë është një njeri, një njeri
që Ju nuk lejoni që vota t'i vidhet, që vota të merret e të keqpërdoret nga
pushteti. Në fund të fundit Ju duhet ta jepni një mesazh, për ne, shqiptarët,
se jeni gati të sakrifikoni diçka nga jeta juaj duke u vënë në krye. Dikush
mund të të ketë thënë se është një stërmundim, porse nga stërmundimi, nganjëherë,
mund të dalin veprat e mëdha edhe në fushën e letrave, i dashur Kadare. Nëse e
pranoni, do t'i bënit një të mirë jo vetëm popullit e vendit, por edhe krejt
politikës. Politika do të bëhej më elokuente e më njerëzore. E detyruar, porse
do të bëhej në pak vite, e tillë, siç ju thashë, pasi nuk mund të thuhet nesër
nga asnjë politikan asnjë fjalë kundër Presidentit Kadare. Se të gjithë e dinë mirë
se kur flet Kadare nuk ka folur interesi personal apo klanor, por ka folur
Kryetari i Shtetit. Në të vërtetë kanë folur edhe ndonjë President në këto 21
vite, me shpirt e me ndërgjegje shtetari, porse ose është akuzuar ose nuk është
besuar deri në fund me hamendjen se "për kë po luan". Ndërsa për Ju
nuk mundet të ketë hamendje të tilla diversive. se Ju i përkisni tjetër bote,
asaj të drejtësisë, të shpirtit të madh, ose më saktë atje ku duam të gjithë të
jemi, në një botë më të drejtë. Dikush mund të thotë se janë tone letrare apo
hiperbolike këto që unë po përdor. Mundet, porse a nuk kemi të drejtë të kërkojmë
më shumë e për më mirë? Ndaj Ju, i madhi Kadare, duhet të pranoni ose edhe
vetofroheni për President se i bëni nder Shqipërisë, por edhe vetes Tuaj. Fjala
vetofrim mund të ketë marrë një konatacion të keq gjatë këtyre muajve qëkur u
vetëofrua një njeri me emrin Fatos Nano, porse harrojeni atë, siç edhe e kemi
harruar të gjithë. Nganjëherë del një ambassador dhe ia lakon emrin dhe bën
gabimin më të madh diplomatik, pasi zoti Nano, dikur e në njëkohë, akuzohej nga
ata që sot edhe mund ta propozojne si "njeri që korrupton çdo njeri e çdo
ambasador". Dikur!
I dashur
Kadare !
Unë jam
njeri i lirë në këtë vend të bukur, por herëpashere të rrëmujshem, rrëmujë që vjen
vetëm nga politika. Ndaj politika ka nevojë, si dhe vetë shqiptarët, të kenë, më
në fund një njeri me vlera botërore, siç jeni Ju.