| E hene, 28.05.2012, 08:00 PM |
Vepër e
dijes dhe e vlerësimit kritik
(Nuhi Ismajli: “Përsiatje letrare”, bot. “Era”, Prishtinë, 2012).
Nga Nijazi RAMADANI
Studiuesi
Nuhi Ismajli, pas veprave: “Nga vlerat e traditës” (2000), “Kureshtje letrare” (2001),
“Aktualizime letrare” (2009) e “Vepra e Gjon Buzukut” (2010), këto ditë nxori
edhe veprën “Përsiatje letrare”.
Vepra “Përsiatje
letrare” shquhet për larminë dhe gjerësinë e interesimeve letrare të autorit. Në
të trajtohen e vlerësohen dukuri, autorë e vepra të periudhave e formacioneve të
ndryshme letrare të letërsisë shqipe, duke filluar nga fillimet e njohura të letërsisë
shqipe e deri në letërsinë e sotme shqipe.
Autori
merret me çështjet e ndryshme të letërsisë shqiptare të humanizmit, letërsinë shqipe
të shek. XVI-XVII, letërsinë shqipe të romantizmit, letërsinë shqipe ndërmjet
dy luftërave botërore, letërsinë shqipe të viteve tridhjetë dhe veprat e letërsisë
së sotme shqipe.
Veprën e
përbëjnë shkrimet për vlerësimin e mendimit për letërsinë (termat letrarë,
historia e romanit në letërsinë shqipe), letërsinë e hershme shqipe, veprën e
Migjenit, M. Kutelit etj.; shkrimet për vlerësimin e veprave të ndryshme
letrare në prozë e në poezi.
Kështu,
autori vlerëson mënyrën e përdorimit të termave letërsi shqipe dhe letërsi
shqiptare, interpretimin e paqëndrueshëm dhe mohimin e vlerave të letërsisë shqiptare
të humanizmit dhe të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII; interpretimin e paqëndrueshëm
të veprës së Gj. Fishtës, të Migjenit të Kutelit etj.
Në veprën
“Përsiatje letrare”, një vend i rëndësishëm i jipet vlerësimit të teksteve të letërsisë
për shkollat e mesme. Në këtë rast, në mënyrë kritike, autori ka vlerësuar
tekstet për letërsinë shqipe (për kl. 10, 11 dhe 12), të Sabri Hamitit. Nga vështrimi
kritik i këtyre teksteve
Studiuesi
N. Ismajli, në veprën “Përsiatje letrare”, jep edhe vlerësimet e tij për një varg
veprash shkencore të autorëve, si: Z. Xholi, A. Hamiti, B. Kosumi, K. M. Shala.
A. Atashi, A. Gojçaj, B. Çapriqi, N. Krasniqi, M. Dreshaj- Baliu e Stefan Çapaliku.
Vlerësimet
e tilla shquhen për erudicionin e autorit dhe akribinë shkencore.
Në veprën
“Përsiatje letrare” zënë vend edhe interpretimet e vlerësimet për veprat në prozë
të autorëve, si: Migjeni, M. Kuteli, I. Kadare, K. Trebeshina, B. Musliu e I. Kadriu,
si dhe veprave në poezi, të autorëve, si: De Rada, Migjeni, M. Ramadani, G. Xhafolli,
S. Gjergji e N. Ukaj.
Në shkrimet
për prozën e poezinë shqipe, përmes një argumentimi të qëndrueshëm, autori vë në
dukje veçanti dhe vlera të veprave të autorëve të rëndësishëm.
Në shkrimet
e veprës “Përsiatje letrare” vërehet këmbëngulja e vazhdueshme e autorit për një
vështrim të thellë e të argumentuar, të çështjeve të ndryshme letrare që trajton,
dhe shmangies së mendimit sipërfaqësor e gjykimit subjektiv për to.
Në mënyrë
të veçantë, shkrimet e veprës “Përsiatje letrare”, shquhen për artikulimin e
mendimit kritik për letërsinë shqipe. I çliruar tërësisht nga interesa jashtëletrare,
autori përpiqet që në saje të dijes dhe arguenteve të qëndrueshme, të japë mendime
e vlerësime të çmuara për letërsinë shqipe. Prandaj, në këtë kohë kur nuk kemi
një kritikë të mirëfilltë në letërsinë shqipe, vepra “Përsiatje letrare” e N. Ismajlit
paraqet një kontribut shumë të çmuar për ktitikën letrare shqipe.