| E diele, 27.05.2012, 06:53 PM |
Vasaliteti
dhe kryeneçësia virusi që përçan shqiptarët
Nga Arben LLALLA
Shkas për
këtë shkrim është nisma e ish-kongresistit shqiptaro-amerikan Joe Dioguardi i
cili ka marrë nismën për bashkimin politik të partive opozitare shqiptare në Maqedoni.
Mendimet e mia ja bëra të qarta miqve të mi në SHBA, kur më pyetën për këtë projekt
që nuk do të realizohet. Sepse çdo iniciativë që do të marrin shqiptarët në Maqedoni
është e destinuar të dështojë për arsye se zbulimi dhe kundërzbulim sllav me
vasalët e tyre shqiptar do të punojë që bashkimi ynë politik mos të arrihet.
Sipas
lajmeve të fundit disa parti të vogla si RDK, DR,BDSH etj., e mbështesin këtë nismë
madhore, por pesha e këtyre partive politike tani për tani është e vogël. Vetëm
një vit më parë këta nuk mundën ta gjenin gjuhën e tyre të përbashkët në zgjedhjet
e fundit për në Kuvendin e Maqedonisë dhe unë jap pesimist për unifikim e
opozitës shqiptare. Ky pesimizëm ka shkaqet e veta, një ndër to është kryeneçësia
që i karakterizon shqiptarët, në veçanti liderët ose bajraktarët e vegjël të qosheve
në trevat shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë. Por edhe futja në çdo
parti të vasalëve dhe shërbëtorëve të agjenturave sllave të përgatitur ndër
vite për tu aktivizuar në kohën dhe vendin e duhur.
Kryeneçësia
në shekuj ka bërë që shqiptarët të mos njohin gjuhën e mirëkuptimit midis tyre.
Virtytet e krenarisë së tepruar, të kryeneçësisë janë të shprehura edhe në fjalët
e urta popullore në çdo trevë shqiptare si p.sh “për inat të vjehrrës shkoj e
flejë me mullixhiun”, “për inat të rejës të më vdesë djali”, “shqiptari për një
plesht djeg jorganin” etj., fatkeqësisht këto kryeneçësi janë shumë të shprehura
edhe në klasën politike shqiptare.
Problemi
i bashkimit apo gjuhës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni
ka bërë që klasa politike të mos kenë një program koordinimi afat gjatë për
zgjidhjen e problemeve që ndeshin shqiptarët këtu. Inatet personale të liderëve
partiak reflektohen në inate kolektive partiake. Mëritë për UNIN, KRYENEÇËSINË INDIVIDUALE,
kanë çuar në acarimet e thella midis kokave të politikës shqiptare në Maqedoni
dhe më gjerë, duke bërë që shpeshherë shqiptarët të jenë të papërgatitur përballë
ndryshimeve të mëdha politike që po ndodhin në Europë dhe Ballkan. Ajo çka është
shqetësuese sot për mendimin tim, janë marrëdhëniet e acaruara që ekzistojnë midis
liderëve dhe që transmetohen tek anëtarësia e thjeshtë partiake.
Sot më shumë
se kurrë kërkohet që liderët e partive politike të zhvishen nga paragjykimet, të
jenë më seriozë, të ndahen nga padronët politik maqedonas edhe të të tjerëve. Të
shikojnë mundësinë e krijimit të Këshillit për koordinimit e politikës
shqiptare midis partive, shoqatave, të iniciativave qytetare etj. Për të realizuar
qëllimet e të drejtave të shqiptarëve, të zgjidhjeve përfundimtare të çështjeve
të gjuhës, flamurit, invalidëve të luftës së 2001 etj. Liderët e partive
politike shqiptare në Maqedoni duhen të çlirohen nga ndikimet e partive
politike në Shqipëri dhe Kosovë, por të funksionojnë në mënyrë Institucionale,
pra nëpërmjet funksionimit shtetëror. Sepse injorimi i strukturave shtetërore
do të shfrytëzohet nga politika përçarëse. Ka ndonjë lider partie që çirret se është
më “patrioti”, ndërsa një tjetër bërtet për “forcën patriotike” që ka, një tip
i veçantë i politikanit shqiptar është edhe ai lider që kur shikohet në pasqyrë
i duket vetja Aleksandri i Madh, Berluskon, Putin, por në të vërtetë këta janë plehra
të shëmtuara të shoqërisë sonë. Sepse burrat e shquar punojnë për kombin, e këta
punojnë për tu pasuruar vetë me gjithë farefisin e tyre.
Meqenëse
disa politikan të këtushëm janë të ndjeshëm ndaj opinioneve të mia, mund të jenë
të qetë e të mos shqetësohen nëse mizën nuk e kanë nën kësulë.
Në këtë shkrim
mund të flisja edhe me fakte më konkrete, por interesi kombëtar e kërkon që të bashkohemi
dhe jo të përçahemi.
I shkruaj
këto rreshta dhe mendime për ata që kanë mend e duan mend, e jo për ata që nuk
kanë mend e nuk duan mend, dhe mbi të gjitha këto sigurisht “ia them nuses që t’i
dëgjojë vjehrra”. Dhe në këtë rast “vjehrra” është udhëheqja politike e
shqiptare në Maqedoni që i uroj të mos ketë “vesh të rëndë” këtë herë përpara
ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në riciklimin e politikave ndërkombëtare.