| E diele, 27.05.2012, 02:49 PM |
Veterani,
komandanti dhe prokurori
“Thaçi mban nofkën gjarpër. Ai, në korrent me modën, e ndërron shpesh lëkurën dhe ka një metabolizëm të jashtëzakonshëm. E ka shumë të zhvilluar mekanizmin e mbijetesës dhe përshtatjes”. BEHXHET SHALA
Nga Shpëtim Golemi
- Alo, Shpëtim, Ademi jam. A ke kohë me pi një kafe?...
E po, mirë, takohemi atje ku ishim herën e fundit.
Komandant
Ademi, këto ditë pat qenë me punë në Prishtinë dhe e mora me mend se duhej të kish
habere të mira rreth shokëve tanë të luftës. Pasi u përshëndetëm, Ademi filloi
të më jepte të falat e gjithë atyre që pat takuar dhe më së fundi qëndroi në bisedën
që pat bërë me Lirim H.
- Dëgjo, Shpëtim, se çfarë më tregoi, mes të tjerave,
Lirimi
Edhe ty
komandant Ademi i poshtën paske kenë. Pse kam qenë i poshtën? Ke qenë i poshtën,
o komandant, se gjatë luftës nuk na ke lanë me pre as nji pulë, asnji kingj,
asnji del dhe asnji motak. Pse s’m’i ke thanë atëherë këto, por m’i thu tash? T’i
them tash, o komandant, se atëherë ti na vritshe. Ke qenë shumë i keq, o
komandant. Tashti kemi të drejtë me t’i thanë, sepse tash e kuptum se po të na
kishe lanë me pre e me vjedh atëherë, sot do të ishim në mos ministra, deputetë
në Parlament ose në komuna. Boll me kenë pak hajn dhe ma leht bahesh ministër
se sa shef zyre, o komandant. Po shyqyr Zotit na vjen ka i herë në Kosovë dhe
shmallemi, se te ty kena besim, o komandant. Me dëgju hallet që kemi ne, o
komandant, hallet e tuja i gjujm deri në Shkup. Por ty Zoti ta shpërbleftë se
ne nuk jemi mirënjohës ndaj jush. A më ni, o komandant, a më kupton ça po të them?
Ça po thu, o Lirim? Eh mor komandant. Ti e din se para nji viti, ne fillum grevën
e urisë para portave të qeverisë, në Prishtinë, dhe ditën e 61-të, besoj se e
ke marrë vesh, na thirri Hashimi në zyrën e vet, në kryeministri, bre. Shkum 7
veta, nga nji përfaqësues për zonë. Në atë shtatëshe isha edhe unë. Pasi foli
kryeministri fillum me fol të gjithë ne me radhë. Më erdhi radha edhe mu me fol.
Dhe a ta merr mendja se çfarë i thashë Hashimit, o komandant? Fol, pra, çfarë i
the? Eh, çfarë i thashë? Ja çfarë i thashë: O Hashim, unë e kuptoj që për ne ty
nuk të bien mendja fare. Por, po për ata të Shqypnisë, që erdhën me luftue
bashkë me ne, a të ka ra mendia no i herë. A e din ti që unë komandantin tem e
kam pas prej Shqypnie dhe quhet Adem Shehi. A të ka ranë ndonjiherë ndër mend që
ata lanë lirinë, familjen dhe punën dhe erdhën, tybe, të vriteshin me ne, ndërsa
ne lamë Kosovën e shkum atje? A e ke ditë se kanë kenë disa prej tyne dhe vetëm
tre kanë met gjallë?
Po, i
njoh dhe i di problemet e tyne, ma kthevi Hashimi, por mundësitë e tyne
ekonomike do të zgjidhen kur të miratojmë ligjin edhe për ata edhe për ju. Sot
nuk kemi mjete financiare që t’i ndihmojmë.
Jo mor
zotni Hashim, e ndërpreva unë, nuk asht e vërtetë se nuk kini mjete finaciare. Mjete
financiare ka, se vetëm xhipi jot kushton njëqidmijë Euro e leni ma të tjerat. Por
ti nuk ta nin as për ata në Shqypni e as për ne këtu në Kosovë. Ty lyp për ta
kajt nanën. Po njëzet Euro në muj, sa me i kujtu, si shenjë respekti, nuk
ekziston mundësia me ua dhanë? Po me i thirr nji herë e me i pyt se si janë me
shënet, edhe për këtë nuk keni mjete financiare? Po me u dërgu të fala me
ndonji vozist prej Kosove që shkon për plazh në Durrës a për biznes, nuk ke pas
me ua dërgu? Po me i thanë ambasadorit tat atje, me i thirr e me u dhanë nji
kafe, edhe për kaq gja nuk keni mjete financiare, a? Turp, pasha zotin, se na
marrut e na lat pa fytyrë, bre Hashim. Kështu i thash, o komandant. A më ni, o
komandant?
Po, hë si
vazhdoi puna e grevës më tej?, e pyeta unë.
E pastaj,
Hashimi na lexoi ligjin që kishin përgatit për me e miratu në qeveri, me gjasë se
donte edhe mendimin tonë. Ligji, o komandant, ishte sikur e kishim ba ne. Pasi
ramë dakort me ligjin, ai na bindi që ne ta lijshim grevën e urisë. Dhe ne i
besum Hashimit. Nesret, pas një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë, ku pikë
e vetme e rendit të ditës ishte miratimi i projektligjit për veteranët e UÇK-së,
pas miratimit të këtij projektligji nga ana e saj, ne si kryesi e këshillit të grevës
patëm marrë vendim për t’i dhënë fund greves së veteranëve me
shpresë se përfundimisht ky problem do të zgjidhej. Mirëpo, parlamenti e
shtyvi, si i thonë o kamandant, se tybe nuk e di mirë, e shtyvi për kalatë greke. Kalendat greke. Qashtu, o komandant. Dhe, që thu
ty, o komandant, që s’the asgjë, sot e një viti nuk ka ndodhur asnji gja
pozitive për ne veteranët, o komandant. Përkundrazi, po ndodhë e kundërta,
gjendja jonë po vazhdon të shkoi keq e
ma keq. Rasti i fundit ishte në Rahovec, besoj e ke marrë vesh o komandant, ku
veterani i luftës bëri vetëvrasje, i pa kënaqun me lirinë që kishte luftuar dhe i dha fund jetës. Është i
njëzetenjëjti!, o komandant. Po ashtu, bëjnë me dije se të tjerë veteranë do të
ndjekin rrugën e tij. Kot që jetojmë.
E që thua
ty, o komandant, kur e pamë se Hashimi me qeverinë e tij na rrejti, vendosëm me
ba nji protestë. Ishim gati 2000 vetë. U thashë shokëve, a marrim të gjithë ka
nji automatik dhe i mësyjmë qeverisë e ta shujm, se do shpëtojmë popullin nga
hajnat, por s’më dëgjun. Kur shkum para ndërtetsës së qeverisë ne që kishim qenë
në grevë nuk kishim fuqi me hudh gurrët as deri në dritaret e katit të parë.
Mirëpo
Hashimi, me sa duke, nuk ma kish harru çka i pata thanë në zyrë, ndaj edhe më kanë
ngrit akt-padi. Dhe një ditë prej ditësh më thirri prokurori i EULEX-it. Ishte
amerikan. Përkthyese ishte një çikë e jona. Prokurori, pasi hapi një dosje më lexoi
se akuzohesha për organizim grupesh me synim goditje të institucioneve me mjete
të dhunshme; rrezikim të jetës së personaliteteve me përgjegjësi dhe popullatës
përreth; prishje e qetësisë së rendit publik e të tjera, o komandant, që tybe
nuk i mbaj mend sa ishin. Dhe në fund më pyeti: A je dakort me akt-akuzën?
Oj ti çikë,
i fola përkthyeses, a përkthen mirë ti, a? Kështu është shkruajtur, sikundër të
tha prokurori, m’u përgjigj çika. E po përkthe, oj çikë.
O zoti
Prokuror, kjo nuk është gjë fare, dhe i tegova gjithë bisedën që pata ba me
Hashimin në zyrën e tij, e që ta tregova edhe ty, o komandant. Dhe vazhdova
duke i thanë: këto nuk janë gja fare, o zoti Prokuror. Unë u kërkova shokëve që
të gjithë sa ishim në demostratë të merrshim automatikët e t’i mëshonim qeverisë
që të mos frymojë ma as ajo e as Thaçi. Por ça me ba, zoti Prokuror, shokët nuk
më mbështetën. Lene këta radhë, ma kthyn ata, le të luftojmë me gurrë e tulla e
herë tjetër bajmë si thu ty.
Po ke parë
ty, o komandant? Kur unë pushova për me u ngop me frymë, prokurori pyeti çikën,
tuj ba edhe me dorë, se a jam në regull, mos ka vallë raport mjekësor që po
flet kështu? Jam sakllëm, zoti Prokuror, por nuk e di se sa më dënon ligja për
këto çka lexove ty? Rreth 25 vjet burg, ma kthevi Prokurori. Po pas 25 vjetësh
a mund me ia kajt nanën përsëri Hashimit, pasi tash jam veç 30?
Prokurori
stepi. Pas nji heshtje të shkurtër i tha asaj çikës për mos me shkrujt ma dhe m’u
drejtu mua. Çika përkthente. Kaluam në bisedë shoqnore.
Dëgjo mor
ti, i pandehuri Lirim. Edhe unë që po të marr ty në pyetje jam bir i një luftëtari
amerikan i Luftës së Dytë Botërore. Të njëjtën rrugë si ju ndoqën edhe babai im
me bashkluftëtarët e tij veteranë, ku një pjesë e tyre kishin humbur gjymtyrët
e trupit dhe të gjithë ishin ekonomikisht të varfër si dhe ju. Ky kalvar i
vuajtjeve të tyre mori kohë, sa disa prej tyne kryen edhe vetëvrasje, ndërsa të
tjerë kryen krime në popullatën civile nga dëshpërimi dhe për mbijetesë. Por e
veçanta e veteranëve amerikanë të Luftës së Dytë Botërore me tuajën është se
ata u mbështetën nga ish komandantët e tyre në pushtet dhe me pushtet ndaj dhe
i fituan të drejtat që i gëzojnë edhe sot, jo vetëm ata, por të gjithë veteranët
e luftrave të tjera pas Luftës së Dytë Botërore, që kanë luftuar për interesat
e Amerikës. Më la pa tekst, o komandant.
Dhe komandant Ademi nuk vijoi ma, nga lotët.