| E shtune, 26.05.2012, 09:28 PM |
Vullkan
ende i pafikun, qi bán, bëzân, prân, por qi zien kurdoherë permbrenda, vullkan
qi zhberthen kur t’i teket. I randë e hijemadh si malet e hjedhta, me të cilat âsht
e thurun kjo tokë, fisi ynë pau boenat e historive, ndieu hungrimet e kafshimet
e egercive: u shkel, u shtrue, nuk u shue. Borë jetike e tretun gerdhatash të vetmueme,
shí as diell nuk muejten me e shkrí; kermí krepatuese, fushkulluese, të cillen
rribëve të kohës nuk u duel kurr me e ndalë. Ky kje, ky âsht fisi i shqyptarit.
Ndo’i shkarth repacak mund të zgerdhîhet. Jetoi gjithmonë i lirë. Jetoi i lirë edhe
në robní. Pse lirija nuk epet, nuk bieret, nuk fitohet. Lirija gufon kur trolli
i sajë të jetë i shndoshtë, kur nendheu të ketë fuqi me e mbajtë të ngrohtë, me
e ushqye. Lirija mugullon, qet synin, zberthen, shprazet, hîn nen dhé, zhduket:
pret. Pret puntorët me duer të pastra, të dêjë me kênë flamurtarërt e sajë. E
Shqypnís nder kohë të vjetra e dikur nuk i munguen kësi puntorësh. Prej ksaj çerdhe
dolen skyferë me çapoj perandorësh. Vigâj idésh së mëdhaja qi i realizuen me
hov. Tokë e shkelun, popull i shtypun, komb gati në rektim. Kështu qindrote
Shqypnija në XIII shekull. Gerhatëte në nji gjumë bore robnísh të pershkueme,
flête e strukun, e hîme, mbetë gati kurrgjâ prej asaj qi dikuer kje. Trup i
plagosun, i mbluem prej mizash, pá fuqín e duehun me i largue. Çë farë burrash
e trimash mund të përftote gjaku i idhtë i racës s’onë. Në crescendo-n e këtij
epos të madhënueshëm të fisit t’ynë, frati na del para gjithkund. Në daç me
butsin e shêjtit, në daç me urtín e diplomatit, në daç edhe me hovin e ushtarit
t’eger e fatos. P. Pál Matja hidhet në luftë, e, tu u perleshun fyta-fyt me
turk, rrxon prej kështjellit flamurin e gjysë hanës e në vend të tij ngulë atê të
Lirís. Frati matjanë del prej qytetit të dorzuem me flamur nen sjetull e
zhduket. Por ká lanë shokë mbas vetit. Këta kan me mës? kurdoherë qi flamuri të
jetë në rrezik. Plumbi e salvimet janë shperblimi i dêjë qi presin prej anmikut.
Konopi, hûni e skreditimet janë nderimi qi u bân vllau i çoroditun. Nder stuhi
të ndrrimeve politike janë këta qi i han furra mâ të parët. Flamurtarë desin,
flamurtarë zhduken; por flamurtarët françiskan Shqypnín “edhè në vorr do t’a
permendin.” Kan me e permendë edhè kur vorri të jetë ndo’i muranë e stolisun. Per
me e dashtë nji popull, duehet me e njohtë. Nuk mjafton por as me e njohtë. Duehet
me pasë lé, me u pasë rritë me at popull. Lypet qi vuejtjet e deka t’i kenë shkrî
zbashku zêmbrat. Kur dy vetë duehen fort, të dekmen njani, des edhe tjetri. Historija
e Shqypnís e historija franciskane në ket vendin t’onë ndjekin shoqa shoqen. Janë
dý historí qi shkojn paralel: të njillojta në të çueme, të njillojta në të rrxueme,
të njillojta në humbëje. Por gurgullimi i termegëshem i gjakut të fisit t’ynë shfren
rregullisht nder perjoda të shkurta, veç të lumnueshme, qi lân jeh të kumbueshëm
per perjoda të gjata heshtimit. Shka i fali franciskani nder kohet e mbrame
Shqypnís? I fali vehten, i fali jeten e vet. Janoshi e Zymbi janë stërklatë e lá
me gjak fretensh të vrám. I fali, i pasqyroi Shqypnís edhè vehten e sajë. I këndoi
më Lahutë Kangët e Kreshnikëve, Besën e Burrnin, i ruejti Kanunin e Lek
Dukagjinit. Prrallat e Lojët kombtare, Gojëdhanen e Skanderbegut. Pse e pat
gjithmonë per zêmer Visarin Kombtar. Franciskant i falen Shqypnís Poetin e
fisit, të rracës. Shka u ká detyrë Shqypnija Franciskanvet? Kurrgjâ. Pse
Francikant janë të Shqypnís.
Botue tek «Hylli i Dritës», 1940, n. 12 (At Gjon Shllaku 27/7/1907 – 4/3/1946)