Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Terma të gabuara politike në përditshmërinë tonë

| E diele, 20.05.2012, 07:07 PM |


TERMA TË GABUARA POLITIKE NË PËRDITSHMËRINË TONË

Shkruan: Demir KRASNIQI

Jo rrallë, në përditshmërinë tonë, na bien që t’i lexojmë dhe t’i dëgjojmë disa terma, apo shprehje të cilat fund e krye janë të pakuptimta dhe të palogjikshme .

Ndër to, kësaj radhe po i marrim si shembull vetëm dy prej tyre, të cilat në vazhdimësi po na përsëriten nëpër mediat tona të shkruara dhe elektronike :

1. Termi Serbia e ka humbur Kosovën “ është bërë refren bajat , i cili po na përsëritet tash e 13 vjet më parë .

Kur thuhet se “Serbia e ka humbur Kosovën”, kjo nënkuptohet se Kosova paska qenë pronë e patundshme dhe e përhershme e Serbisë, apo një pasuri të cilën Serbia e paska humbur, që është një soj sikur të thuhet :”Një person e ka humbur një portofol me dokumente e para, por mbesim me shpresë se dikush do ta gjejë atë portofol dhe do t’ia rikthejë pronarit të dëmtuar”!

Serbia në asnjë mënyrë nuk e ka humbur Kosovën , por Kosova është rikthyer aty ku e ka vendin e duhur, për të cilin ka luftuar me shekuj .

Kosova  tani është shkëputur nga kolonializmi serbë dhe e ka fituar lirinë, pavarësinë , sovranitetin dhe shtetin e vet të pavarur .

Pra, Serbia nuk e ka humbur Kosovën, por e ka rikthyer aty ku e ka marrë me forcë, dhunë dhe padrejtësi .

2. Termi tjetër i palogjikshëm , është:  “Zbardhja e fatit te të pagjeturve (zhdukurve)”, apo “Zbardhja e krimit”, terme këto që po ashtu janë refren i përditshmërisë sonë tash e 13 vjet më parë.

Fati i të zhdukurve , të humburve , apo i të pagjeturve , në asnjë mënyrë nuk mund të “zbardhet”, nga se dihet mirëfilli se fati i tyre nuk është “i bardhë”, por është “i zi” dhe shumë i hidhur !

Viktimat e kësaj kategorie nuk e kanë humbur rrugën diku nëpër male, apo nëpër mjegull, ku mund të pritet kthjellimi i motit për t’ a  ndriçuar terrin dhe për t’i gjetur ata, por dihet mirëfilli se kush i mori dhe nga kush u zhduken ata!

I njëjti term  jo logjik , përdoret edhe në rastet e zbulimeve të krimeve të rënda, kur thuhet:  “Zbardhja e krimit”, ose :”Jemi afër zbardhjes së krimit”!

Në terminologjinë profesioniste , dihet mirëfilli se krimet në asnjë mënyrë nuk “zbardhen”, as nuk “ndriçohen”, por ato hulumtohen, hetohen , zbulohen, argumentohen dhe dënohen .

Gjilan, më 20 Maj 2012.