| E shtune, 19.05.2012, 03:51 PM |
NJË DHEMBJE DHE HUMBJE E MADHE
PËR KOMBIN
Nga Xhafer Leci,
Gjermani-Koblenz, 01.05.2012
Sot jemi këtu për të nderuar
kujtimin dhe veprën e paharrueshme të tre heronjve të Kosovës, tre burrave që u
flijuan për lirinë tonë, për lirinë e kombit tonë, tre bijve që Kosova dhe
shqiptaria do t’i mbajë kurdoherë si krenarinë e saj. Jusuf Gërvalla, Bardhosh
Gërvalla dhe Kadri Zeka i kanë dhënë Kosovës dhe mërgimtarëve tanë frymëzimin
për të kontribuar me vetëmohim për çeshtjen tonë kombëtare. Vepra e tyre është
sa e lavdishme, aq dhe burim i sakrificës dhe mobilizimit të shqiptarëve në
radhët e UÇK-së për çlirimin tonë kombëtar prej pushtimit të Serbisë.
Në janarin e vitit 1982 u vranë tre veprimtarë të shquar të kombit
shqiptar, tre bij të devotshëm të Kosovës dhe mërgatës shqiptare. Jusufi,
Bardhoshi dhe Kadriu ishin bërë emblema e shqiptarizmit. Ata u vunë në ballë të
përpjekjeve dhe të luftës për lirinë e kombit shqiptar. Ata ishin të parët dhe
të vetmit, bashkë me Enver Hadrin, të cilët kishin në platformën e tyre
bashkimin kombëtar të shqiptarëve pa dallim feje, ideje, krahine dhe besimi.
Kur Jusuf Gërvalla i shkruante Enver Hoxhës dhe i thoshte se “Kosova nuk mund
të presë fitoren e komunizmit në Jugosllavi e në të gjithë botën që të
bashkohet me Shqipërinë”, kjo shprehte bindjen e tij në kontributin real për
bashkimin e trojeve shqiptare. Ajo letër e publikuar më 1999 në revistën Koha
të Tiranës shpreh thelbin e kontributeve jashtë skemave të ideologjisë të Jusufit,
Bardhoshit dhe Kadri Zekës.
Vrasja e hershme në moshën shumë të re e tre veprimtarëve më të shquar
të mërgatës sonë, organizatorë të demonstratave e protestave në Perëndim për
ndëkombkombëtarizimin e zgjidhjes së problemit të Kosovës dhe visive tjera shqiptare
në ish Jugosllavi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishte humbje
tepër e madhe cila dëmtoj shumë procesin për arritjen e zgjidhjës të çështjes
tonë kombëtare në veçanti të Kosovës cila kishte për qëllim
bashkimin e trojeve tona për bërjen e Shqipërisë Etnike.
Kjo vrasje e projektuar dhe në mnyrë profesioniste e organizuar nga UDB-a
Jugosllave, cila i ndiqte kamba këmbës këta tre Pishtarë të lirisë, u krye në
momentin më tragjik për popullin shqiptar, duke ekzekutuar përnjëherë bashkarisht
të tre organizatorët kryesorë të mërgatës.
Takimet e shumta të ktyre Tre heronjëve me bashkatdhetar dhe veprimtar të
kauzës kombëtare, si në Istamboll me Sabri Novosellën, në Göppingen të
Gjermanisë me Emin Fazlin e Beslidhjes, e tjera takime, na kujtojnë menqurinë
dhe rrugën e drejtë që ndiqnin Ata. Sikur të ishin sot gjallë këta Tre
heronj, veprat dhe puna e Tyre do ishte më shumë vlerë të madhe për
interancionalizimin,institucionalizimin dhe unifilimin e problemeve të pa
zgjidhura.
Jusufi pak para se të vritej mer leje-qendrimin nga organet zyrtare germane,
kjo ishte pengesa kryesore që Jusufi nuk mund udhëtonte jashtë Gjermanisë pa
dokumente udhitimi për të takuar e zhvilluar biseda bashkëpunimi me shumë
veprimtarë cilët punonin për barazi kombëtare…si Enver Hadri e Vehbi Ibrahimi
në Belgjikë, e veprimtar tjerë kudo në Botë.
Përvijime kujtimesh nga vitet 80-a për vëllezërit Gërvalla e Kadri
Zeka
Diku në Pranëver të vitit 1980-të shkova për një vizitë tek miku im Beçir Emini
në Esslingen, cili punonte dhe banonte bashkë me Hysen Gegen,në koridor
takova Bardhosh Gëvallën me një tjetër person cilin nuk e njihja, u përshëndeta
me ta, dhe pas një kohe mora vesh se Ai kishte qenë i vëllai Bardhit, Jusufi,
cilët me gjasë kishin shkuar për vizitë pune… tek Hysen Gega, më vonë i
burgosur politik shumë vjeçar.
Udhtimi me autobus për Demonstratën e Zhenevës të 30 maijt 1981, me
Bardhosh Gërvallën, Nami Ramadanin, Selim Kocen, Nuhi Sylejmanin e shumë të
tjerë. Bardhi me vete kishte marrë harmonikën me qëllim që gjatë rrugës të
këndonte ndonjë këngë, sepse udhëtimi deri në Gje-nevë ishte bukur i gjatë.
Posa u nis autobusi, Bardhi mori mikrofonin, na përshendeti dhe foli për
rëndësinë që do të ketë protesta.
Gjatë udhëtimit lexoja “Rilindjen” Bardhi më pati thënë “ Xhafer merre
mikrofonin, përshëndeti shokët dhe fol pak për karakterin e protestës që do të
mbahet në Gjenevë".
I thash "Bardh, kurrë në jetën time s’kam folur me mikrofon dhe nuk
mundem, të lutëm", kurse ai ma ktheu "Patjetër duhet të mësohesh të
flasësh para njerëzve."
Aq shumë jam ngushtuar në ato çaste, sa as vetë nuk e dij çka kam folur,
derisa s’i kam pyetur shokët më vonë.
Më të vërtetë ishte hera e parë që flisja me mikrofon para një mase njerëzish.
Kur arritëm në Zhenevë para masës së tubuar për ballë ndërtesës të Kombeve të
Bashkuara, foli Kadri Zeka me një zë të thekshëm emocional e të kjartë. Kadriut
me trup të vogël e zemër të madhe, mikrofonin gjatë diskutimit të tij ja mbante
në dorë Sali Basha, i Koretinit të Dardanës ish Kamenicë.
Më 1981 Njazi Biçkaj, student kishte ardhur në Gjermani për vizitë
te babai i vet Jakupi. Njaziu ishte anëtar i grupit „Albanikos", të cilin
atëherë e drejtonte Emin Krasniqi, aktualisht deputet i Parlamentit të Kosovës.
Njaziu me porosinë e të madhit Metush Krasniqi kishte kërkuar një takim me
Jusuf Gërvallën. Takimin e organizoi Nami Ramadani në Wendlin-gen ku banonte
Jakupi.
Në fillim të bisedës, Jusufi e pyet Njaziun se me porosinë e kujt
dëshiron të më takosh dhe të bisedosh me mua? Njaziu i kishte thënë me porosinë
e Metush dhe Emin Krasniqit.
Jusufi e pyet Njaziun si e di ti që unë jam Jusufi?
Namiu më ka treguar i thotë. Ku e njeh ti Namiun që të kërkosh takim me mua?
Njaziu: Namiun e njoh përmes babait tim, Jakupit.
Pas disa ditësh, Bardhi vjen tek Namiu përsëri dhe kërkon takim me Njaziun, për
të marrë informata se ku gjendet djali i Metush Krasniqit, Besniku, sepse këtë
e kishte kërkuar Bardhi qysh më herët në një kamp rrefugjatësh në Itali, por
nuk e kishte gjetur. Njaziu i tregon Bardhit se Besniku ndodhet në Australi.
Pas një kohe të shkurtër, Njaziu kthehet në Kosovë. Nga Jusufi kishte marrë
disa materiale të ndaluara. Nuk vonon shumë dhe burgoset i tërë grupi
„Albanikos".
Më 5 shkurt 1982 u bë varrimi i tre dëshmorve të kombit. Ishte ditë
pune, por askujt nuk i punohej. Ishte dita më e dhembshme në historinë e
mërgatës shqiptare në perëndim, bile më e dhimbshme se dita e 17 janarit 1982
kur u vranë.
Nëna Ajshe kishte arritur me kohë dhe ua kishte parë djemëve të saj së paku
fytyrat për së vdekuri në morgun e spitalit të Heilbronn-it. I ndjeri baca
Pajazit-Ziti, mjerisht nuk arriti me kohë. Me sa duket, ai kishte patur
probleme me rregullimin e pasaportës nga organet serbe në Gjilan.
Thuaja se shumë pak pjesëmarrës në varrim kishte që nuk po qanin.
Qaja edhe unë si fëmij. Më afrohet Qamil Isufi, kushëri i parë i Saime
Isufit, të fejuarës së Kadri Zekës dhe më thotë "Xhafer pse po qanë?"
I them "Po më dhembsën shumë këta tre patriotë që na i vrau shkjau."
Qamili më thotë "Unë Kadri Zekën e kam pasur djalë tezeje dhe ja shihe se
si po qëndroj". "Po i them Qamilit, por sigurisht ti je ngopur duke
qajtur
Fjalën lamtumirëse i pari e lexoi mësuesi Remzi Ademi, sot hero i Kosovës, i
vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Remziu ishte tezak i aktivistit të madh
Shaban Bobaj. Pastaj një nga miqtë tanë gjermanë mbajti një fjalim. Foli edhe
Ibrahim Kelmendi dhe një vajzë.
Kurrë në jetën time nuk e harroj edhe sot më rrinë para syve të ndjerët
nëna Ajshe dhe baca Pajazit , sa të fortë që ishin, si graniti. Të vegjël nga
trupi, por të mëdhenj nga zemra e shpirti. Ishin ulur mbi dy gurë, nuk qanin,
por neve na jepnin forcë duke na thënë » Mos u mërzitni se edhe ju i
kishit shokë » .Të gjithë u kthyem pa ba zë, sikur s’kishim gojë, sepse
ndarja nga këta bij të kombit ishte më e rëndë se toka.
Rrethë vrasjes së ktyre tre heronjëve edhe sot ruaj mbi 10
artikuj orgjinal të asaj kohe të gazetave dhe revistave të ndryshme
gjermane.
Nga të rënët në mërgim Jusuf Gërvalla dhe Enver Hadri janë shpallur hero
të Kosovës nga presidenti Ibrahim Rugova. Më vonë nga institucionet e Kosovës
janë shpallur hero edhe Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla. Por institucionet tona
i lanë në harres veprimtarët dëshmorin Vehbi Ibrahimi dhe të plagosurin rëndë,
Rasim Zenelaj.
Neve mërgimtarët për çdo vit bënim homazhe mbi varrezat e ktyre martirëve
Dhe për fund një Citat nga gazeta Stuttgarter Zeitung
”Për të dhjetën herë
përkujtohen tre të vrarët në Heilbronn, shqiptarë nga Kosova
”Die
Regierung fürchtet diese Toten”
QEVERIA U FRIKËSOHET KËTYRE TË VDEKURVE
Kështu ky përkujtim ishte edhe një protestë. Policia gjermane bënte roje
para varrezave, për arsye se viteve të mëhershme shërbimet sekrete serbe
vazhdimisht ishin prezente këtu për t’i fotografuar pjesëmarrësit. "Ndaj
të fotografuarve kur të shkojnë në Kosovë bëhen keqtrajtime policore",
shpjegon Komisari i lartë i policisë gjermane Uwe Würker.
Stuttgarter Zeitung, E hënë, 20. 01.1992, nga Roger Reppelinger“
P.S.Ky shkrim është përgaditur dhe lexuar me rastin e Akademisë Përkujtimore për
30 vjetorin e vrasjes së 3-e heronjëve
të Vëllazërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka-Nga Xhafer Leci, Kryetar
nderi i SHKSH-së ”Kadri Zeka” në Nürtingen
të Gjermanisë.