| E shtune, 19.05.2012, 04:55 PM |
Resmi
Osmani
Novelë
VDEKJA E NËPUNËSIT
E quanin
Kristaq, por shkurt e thërrisnin Kiço, më shpesh shef Kiçua. Shtat mesatar, me
pak bark të rrumbullt, qafa e shkurtër aq sa koka i dukej e ngulur mbi
shpatulla, fytyra vezake, e shëndetshme, me një buzagaz të përhershëm, që e bënte
të dukej i gjindshëm e shpirt njeriu. Hunda e shkurtër, mishtore, mbi të syzet
e trasha me skelet kafkulli, që linin të dukeshin ca sy të zbërdhylët, të vegjël si rruaza. Flokët e kishin lënë që heret
dhe koka i ndrinte si pjatë. Vishej me sqimë, kravatën se ndante dimër-verë. Ecte
me çape të shkurtër, por të shpejtë, si i sëkëlldisur dhe i hutuar. Përherë me
një dosje ngjyrë rozë nën sqetull. Më të rinjtë, thoshin se ai flinte me të edhe
në shtrat! Nuk e mbanin mënd që kur
kishte filluar punë në dikaster. Kishte pritur e përcjellë shumë, por ai kishte
mbetur aty, si gur themeli. Tashmë, ishte nga më të vjetërit, dhe siç pati thënë
ministri, në një rast kur e dekoruan, ishte një nga vlerat e atij dikasteri. Shef’ i zyrës së statistikës, që ishte zemra
e mekanizmit të stërmadh të dikasterit.
1
Punonte e
robëtohej me orar të zgjatur edhe
pasditeve, nuk njihte pushim të dielave. Ishte përherë aty, në krye të detyrës,
apo aksioneve dhe punës vullnetare, por ftohma e frikës së qarkullimit të kuadrit,
ia ngrinte shpirtin. Bëhej keq, lemerisej
e zinin drithmat dhe ndjente një boshllëk
në lukth, kur mendonte se era e qarkullimit mund ta përfshinte në vorbullëne
saj e ta degdiste në ndonjë rreth të humbur e të largët. Sa herë bëheshin
listat e reja, bëhej i padukshëm, si hije, që askush të mos e shihte. Paçka se
nuk e jepte veten, ai mpakej e plakej, vogëlohej sa mezi dukej prapa pirgjeve me letra të tryezës së madhe të punës.
Gjithmonë
ishte përpjekur t’i delte të keqes përpara. Çohej heret, rruhej me kujdes,
vinte kravatën, shihej në pasqyrë mos kishte ndonjë cen në pamje, merrte nën
sqetull dosjen dhe që nga pallatet e Shallvareve, me hapa të shkurtër e të shpejtë,
duke përshëndetur me pavëmendje majtas e djathtas të njohurit, mbrrinte në dikaster,
të paktën një gjysmë ore më shpejt. Në hyrje, në krah të djathtë, mbante këmbët
dhe i hidhte një sy tabelës së nderit
dhe kënaqej e lumturohej teksa shihte
fotografinë e tij, që ishte bërë e përhershme aty. I shkelte syrin dhe I thoshte: ”Mirmëngjes,
i dashur”. I ngjante se edhe portreti i buzëqeshte dhe ia kthente përshëndetjen.
Dita kishte filluar mirë! Ishte i pari, që shkelte në bufenë që ndodhej në bodrum. Aroma e kafes së sapo
pjekur e kënaqte. Rrufiste ngadalë, gllënjkë pas gllënjke që ti shijonte, një kafe pa sheqer. Në ndërkohë, këmbente nj’a
dy fjalë për motin me Dijen , bufetjeren, që ankohej se I thernin eshtrat sa
herë vrenjtej koha . Pesë minuta para se të hapeshin zyrat, shef Kiçua ngjitej
në katin e dytë, çelte zyrën, e linte
derën pakëz të hapur, por nuk hynte brenda. Me dosjen nën sqetull, sillej
varavingo në koridorin e gjatë në pritje
të ngjarjes së ditës: ardhjen e shokut ministër! Veshi i tij i stërvitur si me një melodi të njohur,ia
dëgjonte gjurmët teksa ngjitej në shkallë dhe si langoi i gjahut i ndjente aromwn e veçantë të parfumit. Ndërsa ministri
afrohej atë e kapnin emocione të forta dhe i hipte një zjarmi e çuditëshme. Me
gjishtat që I dridheshin, mbërthente komçën e setrës dhe kur ndjente, që titullari
ishte krah tij, merrte qëndrim gatitu. Në kalim e sipër, ministri e përshëndeste:
-Mirëmëngjes,
shef Kiço - dhe i rrihte shpatullat- çfarë na ke përgatitur për sot?
Kiços i
mbahej goja nga ngazëllimi:
-Bu- bu-le-tin-in
e ri javor,shoku Ministër.
Titullari
pa u ndalur, ecte përpara, Kiçua i shkonte prapa si manar në kabinet. Hapte
dosjen, kapte me majat e gjishatave buletinin, si të kishte frikë mos i thërmohej
në dorë
dhe e linte mbi tryezë. Me një përkulje të hijshme e gazmend që e mbante
përbrenda, i uronte ditën e mirë titullarit dhe duke ecur praptazi, dilte nga
kabineti, teksa sekretarja në paradhomë e shihte me qesëndi.
Kur hynte
në zyrë, qëndronte më këmbë pas tryezës, e zbonte buzëqeshjen dhe fitonte rëndësi,
e kollitej nj’a dy herë. Nga dera e brendshme, që lidhte zyrën e shefit me të personelit,
shfaqeshin dy vartëset e tij, që ai i quante dy V-_të: Vera dhe Vjollca.
-Mirë mëngjes,
shef Kiço!- E përshëndesnin njëhershe e me një zë gazmor- Ishe te ministri? Lumë
si ti, ne vegjëlisë s’na bie radha t’a
takojmë as një herë në vit!
Shefi
ngrysej edhe më shumë dhe trashte zërin:
-Lerini këto.
Pse erdhët me vonesë? Sa herë u kam porositur, do të vini mënt ju apo si e keni
hallin!
Ato, që ishin
mësuar me këtë ritual të përditshëm, bënin të habiturin, betoheshin për kryet e
kalamajve se ishin në zyrë në tetë fiks. Shefi bënte sikur zbutej:
-Boll se
na mallëngjyet, mos e përsërisni më. Hajd shoqe, shtrojuni punës dhe shikoni të
mos më bezdisni, se kam një qerre punë. Derën
po e kyç. Kushdo që të më kërkojë,
kuptohet, veç udhëheqjes, nuk jam këtu. Qartë?
-Si urdhëron
shef Kiço!
Ato mbyllnin derën , pastaj kukuriseshin
mbyturazi, pa zë që shefi të mos I dëgjonte.
2
Shef Kiçua
mbyllte derën dhe zhytej në punë. Puna për ‘të ishte si një përhumbje mistike,
meditative. Kishte filozofinë e tij për botën e numrave. Për të numrat ishin të
magjishëm, pjesë e zbulesës hyjnore universale. Njeriu nuk i kishte zbuluar
ata, por numrat i ishin shfaqur njeriut në shumëformësinë e tyre, para se ai të
fliste e të shprehte mendimet, dinte të përcaktonte shumicën dhe pakicën. Në natyrë,
çdo send, çdo dukuri, çdo gjallesë, ishte një shumësi numrash apo shprehej nëpërmjet
tyre. A s’ishte vetë njeriu një ndërthurje e habitshme harmonike numrash! Dy
sy, dy veshë, dy duar, dy këmbë, nga dhjetë gjishta, pesë shqisa. Edhe zemra
kishte të rrahurat, përbërësit e gjakut, të gjitha të shprehura në numra. Koha
i nënshtrohej numrave, me ta bëhej e matshme: Sekonda, minuta, orë, ditë, javë,
muaj, vite, shekuj. Me shifra matej rënia e lirë e trupave, tërheqja universale
me to bëhej e matshme dhe e njohur bota, me paralele e meridian, distancat dhe
hapësirat, apogjeu dhe perigjeu, ekuinokset, shpejtësia e zërit dhe e dritës. Edhe
te një lule trëndafili ishin numrat. Me ‘to mateshin petlat, pjalmoret,
pistilet. Edhe shkronjat ktheheshin në shifra, emëri i tij fillonte me shifrën 11-të,me
shkronja të kthyera në numra ndërtoheshin kode të mistershme e sekrete. Ngado që t’a kthente, s’kishte veç numra.
Numrat kishin bukurinë dhe poezinë e tyre dhe ai, Kiçua ishte mbreti i tyre , mjeshtri e magjistari, që i bënte
ti bindeshin,ti nënshtroheshin, të lidhur në vargonjtë e shifrave, të ngujuar në
kolonat e tabelave. Ata flisnin dhe rrëfenin
vetëm atë, që dëshironte ai dhe kur të donte ai.
Vinin
numrat me postë, me telefonata, me telegrame, me sjellës të veçantë, nga e
gjithë Shqipëria.Ishin si ca rrëkeza që rridhnin pa pushim për të mbushur
burimin e zyrës së tij. Aty mbushnin dosjet, renditeshin me rregull me dhjetëditorë, tremujorë,
gjashtmujorë dhe vjetorë. Dosjet mbushnin raftet, me rregull që ai ti gjente pa
mundim sa herë ti duheshin. Ata ishin të burgosurit, skllevërit e tij. I thërriste
sa herë i duheshin dhe ata të bindur si ushtarët në rresht , qëndronin ”gatitu”
në kolonat e gjata në pritje të urdhërave.
Në ato dosje ishte gjithë Shqipëria: Toka, detet, liqenet, ditët e vrenjtura
dhe ato me diell,orët e ndriçimit diellor, shirat dhe erërat, ecuria e
temperaturave, pyjet, pasuritë, njerëzit,lindjet dhe vdekjet, prodhimi bujqësor
dhe ai industrial, në sasi dhe në vlerë. Ishin aq shumë sa të merreshin mendtë ti
numëroje. Në ditët që vinin pas netëve me hënë të plotë, Kiçua kishte vënë re
një dukje të çuditshme: Disa lidhëse të dosjeve ishin të zgjidhura dhe kapakët
pak të hapur. Sado që vriste mendjen nuk i kujtohej ti kishte zgjidhur. Nisi të
dyshojë se numrat dilnin natën dhe shëtisnin
në sheshin “Skënderbej”, pastaj kur zbardhte agimi ktheheshin në vendet e tyre.
Kjo ishte thjesht një hamendje, që ai s’kishte si ta vërtetonte, megjithatë e bëri
të mendohej.
Dita e
punës përherë fillonte si një lojë e dëshirueshme, që për të ishte vërtet
zbavitëse dhe emocionuese. Numrat ishin të
mrekullueshëm: Mblidheshin, zbriteshin, shumëzoheshin, pjestoheshin,
shprehnin pjesën ndaj të tërës me thyesa apo me presjet dhjetore, hynin në formula
dhe ekuacione nga ku përftoheshin produkte të habitshme. Kiçua, në letrën e
bardhë, në ordinatat dhe absisat e ndara në pjesëza hidhte shifrat e treguesve,
krijoheshin lakore që sipas rastit ngriheshin apo uleshin kur gjërat merrnin
tatëpjetën. Kur kjo ndodhte, ishte jashtë vullnetit të tij, ai s’kishte ç’të bënte, ngaqë numrat ishin kokëfortë, atëhere binte tërmet:
dridheshin themelet e shtetit dhe rrëzoheshin
koka. Kishte edhe një zgjidhje: Mesatarja e bekuar, që fshihte brenda
vetes me dinakëri plot të fshehta dhe i rrafshonte gjërat për të qenë të pranueshme.
I pëlqenin lakoret inteligjente, por edhe grafikët vertikalë ishin shprehës
elokuentë të dukurive të matshme, pa folur pastaj për rrathët që rëndom i
quanin “kuleçë”,ku çdo sektor ngjyhej me një ngjyrë të veçantë, i fliste syrit
dhe mendjes më bindshëm se çdo fjalë .Numrat
flisnin ,numrat këndonin. Pastaj treguesit i jepeshin udhëheqjes. Ata me to
referonin dhe numuronin sukseset, arritjet. Për ato numra duartrokitej dhe
jepeshin lavdërime.
Kiëua nuk
çlodhej, nuk zbriste për kafe. Kujtohej për drekë kur ndjente boshllëk në lukth. Shihte orën: Kishte
kaluar orari zyrtar. Vishte setrën, vinte nën sqetullën e majtë dosjen dhe
nisej për në shtëpi.Kur dilte, dikasteri ishte si i shurdhër. Nxitonte në koridoret
e boshatisur,i thoshte “Mirupafshim “-nëpunsit
të rojes dhe delte në këmbësoren e bulevardit. Nxitonte se e priste që të drekonin
bashkë e shoqja, Filloreta, që me siguri e kishte bërë drekën gati. Mësuese në fillore,
ajo e linte më shpejt punën në shkollë.Tryeza ishte e shtruar. Nuk mungonte njw
kupw raki mani që ia dërgonin nga Boboshtica. Hanin në heshtje dhe rrall këmbenin
ndonjë fjalë, Filloreta rrëfente ndonjë prapësi të nxënësve të saj trazovaçë,
pastaj Kiçua merrte një sy gjumë. Ishte një rregull që s ‘e prishte dimër-verë. Pasi zgjohej, Filla i bënte një kafe
të fortë dhe ai, me dosje nën sqetull nisej për në dikaster ku e gjente mbrëmja.
Kështu
shkonin ditët, javët , muajt e vitet. Bënte përjashtim ndonjë e diel pasdite,
kur delte me Fillën për ndonjë vizitë apo shëtitje në boulevard, sa për të marrë
ajër, por edhe në këto raste Kiços I punonte mendja gjetk: Sa njerëz mund të ishin
në shëtitoren e bulevardit, sa meshkuj, sa femra, sa të rinj e sa të moshuar,
sa të martuar e sa beqarë, sa me shkuesi dhe sa me dashuri, sa orë të humbura
shkonin kot në këto shëtitje dhe çmund të bëhej me ‘to po të shndërroheshin në punë
efektive? Ja një studim statistikor interesant!……Kur I fliste, e shoqja
detyrohej t’ia përsëriste fjalën, që të merrte
përgjigje, se ai ishte i hutuar, si të jetonte në një botë tjetër. Por ajo ishte
mësuar me këtë gjendje.
3
Nëntori
dhe dhjetori I vitit 90-të, erdhën me llohë, shira , me të ftohtë të acartë e të hidhur, me mitingje,
demonstrate dhe parti të reja politike. Dridhjet e tërmetit që kish nisur në qytetin
studenti, Kiçua, ashtu si minjtë e kishte ndjerë më heret. E shihte në rebelimin
e numërave. Kishte një mosbindje të heshtur nga ata që i dërgonin. Dosjet po
mbeteshin të mangëta dhe lakoret e grafikëve kishin një ulje të frikshme. Mungesa
e dritave u bë dukuri e zakonshme. Viti i Ri kaloi I zymtë e pa gëzim, por me
një ankth në pritje të së panjohurës. Në udhëheqjen e dikasterit ndodhën
ndryshime. U shfaqën edhe aty të revoltuarit që kërkonin ndryshime politike. I
thanë edhe Kiços të bashkohej me ‘ta, por ai i refuzoi. Nuk kishte ç’i duhej
politika. Nga ngjarjet që po ndodhnin Kiços iu prish baraspesha e jetës. Jo, me
të vërtetë atij nuk i interesonte politika, ishte e huaj për të. Gjithëçka që po ndodhte, demonstratat, mitingjet,
partitë që po lindnin, ai I shihte si një
dukuri numerike: Po qe se nga ana
numerike, sasiore, ato bëheshin me peshë, patjetër që do të vinin edhe
ndryshimet sasiore e cilësore, e tillë ishte
dialektika e numrave dhe filozofia e interpretimit të tyre. Kur ai pa masën
dhjetra mijëshe të demonstruesve instinktivisht e kuptoi që regjimi po rrokullisej. Në dikaster
askush nuk punonte, askush nuk kërkonte llogari, kurrkush nuk kërkonte të dhëna
dhe tregues. Ishte si një ngecje në vend, një paralizë. Nëpër korridore kishte
ecejake të paprera, flisnin me zë të lartë, debatonin ashpër, nëpër zyra bëhej
politikë. Kohë rrumpalle, dalldisjeje, një tollovi e përditshme, gjithëçka kishte dalë nga
rrjedha e natyrshme. Kiçua ndjehej ligsht në këtë asgjë e mosgjë, por për ti
harruar të gjitha, zhytej në punën e tij të dashur. Edhe pse me mangësi, po përgatiste
vjetarin e ri statistikor, që do të mbyllte një dhjetëvjeçar, ndofta edhe një periudhë
historike.
Në dikaster
filluan të vinin punonjës të rinj. Drejtori i kuadrit u ndryshua i pari. Tani
atë post administrativ e quanin “Drejtor I burimeve njerëzore”. Drejtori nuk mënoi
të trokasë edhe në zyrën e Kiços. E shoqëronte
një vajzë e re. Drejtori, buzagaz e me pamje babaxhani hyri drejt e në temë :
-Zoti
Kristaq, Siç e dini, në zbatim të ligjit 24/1 të sapo miratuar nga parlamenti,
në dikaster ka filluar reforma administrative. E dime. Ke një jetë që punon, je
lodhur e robëtuar, ne e njohim zellin dhe përkushtimin tënd, por-“Ah ky por”,-mendoi
Kiçua - ka ardhur koha të çlodhesh. Ti, fatmirësisht, për pak muaj mbush edhe
moshën e pensionit. Udhëheqja-”Gjithmonë udhëheqja “- i shkoi në mëndje Kiços- ka
vendosur që shefe e re e zyrës të jetë zonjushe Liliana. Dorëzimet do t’ia bësh
asaj. Të tjerat ajo do ti thojë vetë. Puna e mbarë Lili- e uroi drejtori dhe shkoi në punë të vet.
Kiçua
mbeti si I goditur, zemra filloi ti përpëlitej si zog e ti rrihte me ritëm të shpejtuar. Shikimi iu
mjegullua, gjunjët iu prenë, duart iu mbushën me djersë, tensioni kush e di sa
ishte rritur dhe, që të mos rrëzohej u
mbajt në anë të tryezës.
-Zoti Kiço,
nuk ndjeheni mirë, doni t’u sjell një gotë ujë? – I tha e sapo ardhura.
-Jo, Jam
mirë. Faleminderit për mirësjelljen.
“Mbaje
veten,shef Kiço! Ti e dije, që po shkelje në fushë të minuar, por pa e ditur se
kur mund të shpërthente. Dhe ja, sot ishte dita, mina shpërtheu- I tha ai vetes
për të hedhur në erë këta pak muaj pune që kishin mbetur- kaq e pat, por sidoqoftë nuk është fundi I botës!”-
dhe gjunjë prerë u ul në karrige. Syzet ishin veshur nga zjarrmia dhe djersa
dhe sendet e njerëzit I dukeshin të dyzuara dhe sikur notonin në ajër. Kur I
hoqi për ti fshirë, fytyra e tij plloçake me atë hundën e vogël e të tultë,
Lilianës iu duk fare e shplarë. E la sa
t’i kalonte paksa tronditja, pastaj I tha:
-Sa për t’u
njohur.Më quajnë Liliana Guri, shkurt më thërrasin Lili. Beqare. Ekonomiste e
diplomuar.Studente dhjetoriste. E kam punën e parë që filloj. Dorëzimin e zyrës
dhe të detyrës, them ta lemë për nesër. Ditën e mirë zoti Kiço-tha ajo dhe doli
duke shtuar: - Edhe ju bëni mirë të delni e të merrni ca ajër,do të bëjë mirë!
Pas një nate
të skëterrshme e të pagjumë, sado që Filloreta u mundua ta qetësojë e ngushëllojë,ai
mezi priti të zbardhte dita dhe të shkonte në zyrë.
Liliana
hyri pa trokitur. Kiçua ishte ulur pas tryezës së rëndë me dru lisi me një skedar
përpara. Ajo mori një karrige dhe i
ndenji përballë, por pak larg, pranë murit. Kiçua nisi ta kundronte me nge dhe mllef atë që I zuri vendin. Vinte shtat
hedhur, me flokë të verdhë, të gjatë, të lëmuar që i binin mbi shpatulla e
gjoks. Ovalin e fytyrës e hijeshonin sytë e mëdhenj ngjyrë lajthie, qerpikët e
gjatë dhe hunda e drejtë. Buzët e plota e të kuqe I bënin të dukej hijeshija e
gojës së vogël e nazike. Kishte veshur
një dekolte të hapur që i linte ti dukeshin supet dhe gjinjtë e plotë me reflekse qelibari. Fundi-“fund
i thënçin “ mendoi Kiçua, i linte
zbuluar këmbët elegante dhe I dukeshin paksa breçkat ngjyrë rozë. Ajo kishte një
shikim të ngulët, që e turbulloi Kiçon. Ajo
e kuptoi sikletin e tij dhe bëri ta ulte pak fundin. “Femër,jo llafe”- mendoi
Kiçua. Në krahasim me Lilin, ato dy V-të që ishin në zyrën tjetër ngjanin si
dordolece!
Në zyrë s’kishte
shumë gjëra për të dorzuar. Magazinieri bëri inventarin e orendive. Asgjë nuk
mungonte. Pastaj sipas radhës së skedarit, ai i rrëfeu dosjet sipas viteve dhe
përmbajtjes, dosjet e legjislacionit dhe ato korrente. U mbajt një process-verbal
dhe u firmos nga të dy.
-Gjithësa
ndodhen në këtë zyrë, në ato dosje të mykuar e të pluhurosura, reliket e së kaluarës,
janë për në plehra- tha Lili me përçëmim- ne do ti dixhitalizojmë gjithëçka që do
t’a gjykojmë se do të na duhet, do t’a hedhim në kompjuter. Kompjuterat do të lidhen
me rrjetin dhe do japim e marrim të dhënat me zyrat e rretheve. Metodat e punës
që keni përdorur i përkasin sistemit të kaluar. Kanë ardhur këshilltarë të huaj,
për të na ndihmuar. Ne do të zbatojmë sisteme modern: Me vrojtim, sondazhe dhe intervistim. Bota përdor
edhe satelitët. Në vend të atyre dy
punonjëseve të ndryshkura,( deshi të thoshte
shushkave,por e mbajti veten) do të sjellim
vajza të reja, operatore kompjuterike. Mëndje të reja dhe gjak të ri!
Kiços iu
ravijëzua një buzagaz sarkastik nga fjalët e kësaj cuce të llastuar. Mëkat , që
nga ajo gojë e bukur dilnin ato fjalë të vrazhda e të shëmtuara.
-Vera dhe
Vjollca, janë punonjëse shëmbullore dhe kanë një jetë që punojnë- u doli zot ai
punonjësve të veta- bëni si t ë keni
programet tuaja, por mos i fyeni!
Ajo nuk e
pa me vend ti kthente përgjigje. Kiçua mori dy arka kartoni dhe rrasi aty tërë sendet
personale, por pa harruar dosjen e tij që i ishte bërë si një gjymtyrë e pestë.
Lili u tregua e gjindshme, i ofroi një kafe, por ai e refuzoi dhe i tha se I rriste tensionin. Pastaj, me
telefon,thirri një makinë. Dy V-të e përcollën si të përcillnin një funeral. Shoferi
mori plaçkat dhe tok me Kiçon u nisën për në shtëpi.
4
Nisën ditët
e zymta pa ngjyrë, të heshtura, pa jetë e gjallëri. Gjithëçka gri. e përhinjtë,
e ftohtë. Netët e shqetësuara, me ëndrra të rrëmujshme dhe makthe. Filloreta
kujdesej për të shoqin, hapte dhe biseda që tihiqte mendjen, por ato shuheshin
si flaka e shkrepses. Kiçua përgjigjej me po
ose jo dhe pllakoste heshtja, një heshtje e rëndë, shtypëse. Ditët e
para ai I harxhoi me përgatitjen e letrave për të përfituar asistencën, pastaj,
rob I shprehive të veta, ngrihej heret, hante sillën dhe me dosje nen sqetull
arrinte në dikaster. Përshëndeste nëpunësin e rojes dhe shkonte në bufe. Atje
nuk ishte më Dija që e kish fjalën mjaltë(edhe atë e kishte zënë reforma). Kishte
ardhur një e re që iu duk noprane. Ajo nuk e njihte Kiçon. Pas disa ditësh,
roja I kërkoi fletëhyrjen. Kiçua mbeti i shtangur.
-Si kështu? Ti më njeh mirë.
-Më vjen
keq , zoti Kiço. Kështu e kemi porosinë. Kuptomë , nuk mund ti bëj keq vetes!
Kiçua
doli përjashta. Ja kishin mbyllur derën. Pasi e hodhën në rrugë të madhe, nuk
donin më ti shihnin as fytyrën! Iku nga e shpinin këmbët, buzë Lanës. Të dy anët
e lumit ishin mbushur me kioska. Nga uji i ndotur ngrihej duhma e rëndë, nga nënurat
të shponte hundët amoniaku I urinës që përzihej me tymin e qofteve të zgarës. U
kthye në shtëpi. Kishte dëgjuar se ata që kishin dalë në asistencë mblidheshin
te kafe “Europa”, shkëmbenin të rejat dhe kërkonin ndonjë vend pune. Kiçua nuk
shkonte aty se nuk kishte shokë, pastaj sa për punë nuk bëhej fjalë, do të priste
muajt e mbetur që të merrte pensionin. Ndofta ishte e para herë që ai u ngushëllua
për mungesën e fëmijëve: Bashkë me fillën, do të bënin si të bënin me pensionet
e tyre.
Për ditë të
tëra u mbyll Brenda. Hapi dosjet, vjetarin statistikor të dhjetvjeçarit të fundit
dhe mëndja e tij studjuese e kurioze nëpërmjet zhbirimit dhe analizës së numrave
deshi të pasqyronte fillimin e tatëpjetës dhe rrokullimën që solli shëmbjen e
regjimit. Me makinën llogaritëse mbi tryezë, mblidhte, zbriste, pjestonte dhe
shumëzonte shifrat, ndërtonte ekuacione
të ndërlikuara, i paraqiste
grafikisht. Ishte një diagnozë që ai
donte ta bënte thjesht për njohuritë e tij. Përditë vazhdonte të manipulonte
numrat. Për çudi ai vërejti një mos bindje dhe rebelim të heshtur të tyre. Shpesh
nuk bindeshin dhe nuk i jepnin rezultatin që priste. Numrat ndaheshin,shpërbëheshin
, nuk pasqyronin të vërtetën dhe ndryshe nga kombinimet e detyruar, ata
formonin çifte sipas ngjashmërive dhe pëlqimit të tyre. Kiçua I zemëruar, nisi
ti ndëshkojë me lapsin e kuq. Dukej sikur nga numrat rridhte gjak.
E para që
pikasi se diçka po ndodhte ishte Filloreta. Në një natë me hënë, ajo dëgjoi një
si shushurimë të lehtë dhe ca ciatje të çuditshme. Mbajti frymën. Jo nuk I bënin
veshët. Në shtëpi diçka po ndodhte. U ngrit për të hapur dritën. Nga dyshemeja
u dëgjua një rënkim: “Kujdës se më shtype”Asaj i shkuan drithma në trup dhe
hapi dritën. Në tërë dyshemenë ajo pa mizëri pikëzash si kandrra të zeza që lëvizën me shpejtësi drejt raftit të librave
dhe u zhdukën. Filloreta lëvizi dosjet dhe librat, por nuk pa më asgjë. Nuk e
kuptoi se çfarë kishte ndodhur, në se ishte zgjuar apo në ëndërr. E tronditur u
fut në shtresa por dritën nuk e shoi.
Të nesërmen
vuri në dijeni të shoqin.
-Kiço,
shtëpinë na e kanë pushtuar kandrrat, ato furrtaret e zeza, ose më keq, shpirtërat!
Zot na ruaj, lere po t ë na kenë bërë magji!
- Mblidh
mendjen, grua. Ç’janë këta shpirtëra dhe magjira. U bëre dhe bestyte tani !
Filloreta
i rrëfeu se çfarë kishte përjetuar gjatë natës. Kur ajo i tha se hëna ishte e
plotë , atij i shkoi mendja te ato dosjet që i gjente të zgjidhura në raftet e
zyrës së tij, por së shoqes nuk i tha gjë.
Dita
pranverore ishte plot diell dhe Kiçua vendosi të delte nga parku I liqenit. Mori
dosjen me vjetarin statistikor dhe makinën llogaritëse.
-Bëre mirë
që po del. Unë do të tund e shkund shtëpinë. Kur të kthehesh blij një shishkë me
ilaç nga ai që mbyt furrtaret. Mos harro!
Ndjehej
aroma e pranverës. Në lindje dielli derdhte bujarisht arin e drtës së vakët. Mimozat
që kishin hedhur vellon e luleve të erëndëshme shpalosnin flamurin e pranverës
që po vinte. E bukur pranvera po ai nuk
i gëzohej dot. i dukej sikur rronte
fare kot. Ishte I padobishëm. “ E si tia çoj? Rroj fare kot- u thoshte ai atyre
pak të njohurve që e pyesnin si ia çonte- ha si miu dhe fle si ariu dhe si hyj
në punw njeriu!” Kishte humbur kuptimin
dhe shijen e jetës. Por fati nuk ishte aq mizor. Ai kishte ushtrinë e numërave,që
i bindej dhe e linte të bënte me të ç’të donte! Ishte një ngushëllim.
Kiçua u
ul në stol përball pasqyrës së ndritur të ujrave të liqenit, por sapo u ul,
ndjeu një shtrëngesë në zemër, por nuk u shqetësua, i kishte ndodhur dhe herë tjetër.
Sapo hapi dosjen, ngjau hataja: Prej saj nisën të delnin numrat, me qindëra,me
mijëra,miliona,hidheshin nga stoli kacavareshin
dhe binin mbërdhe mbi asfalt. Kiçua u llahtaris. Mori vjetarin dhe e
hapi. Faqet ishin të bardha, as kollona, as tabela, as numra, një shkretëtirë e
bardhë, e braktisur. Kishin mbetur vetëm faqet e fundit, por edhe ato po
zbardheshin. Numrat që ciasnin, u vunë në radhë pa rregull dhe si një vargan i
pafund milingonash, po merrnin arratinë Pas tyre krijohej një udhëz pa bar. Kiçua
brofi në këmbë: “Ndaluni, ku shkoni,
kthehuni, mos më braktisni” - klithi ai me sa zë kishte. Numrat e dëgjuan
padronin e tyre dhe për herë të fundit skllevërit e rebeluar u bindën. U kthyen
dhe e rrethuan. Si mijëra milingona në trungun e lisit. iu ngjitën në trup, nga këmbët e pantallonës,
nga mëngët e këmishës e të setrës, duke ciatur e bubrruar. Ai ndjeu nëpër tërë trupin
ca pickime të lehta, i hipi harareti i të kruarit dhe trupi iu mbush me pulla të
kuqërremta dhe nisi ti ënjtej. ”Më lini, më lini, se më morët shpirtin, ju lë të
lirë, shkoni ku të doni!”- u lut ai.
Ata e dëgjuan,
e braktisën dhe morën arratinë drejt lëndinave, shkurreve dhe pemëve duke
thirrur:”Liri,liri”. Qëndruan Zerua dhe Njëshi. Kiçua, që ndjehej si i helmuar,
pa fuqi, mendje çartur e me shikim të mjegulluar nga syzet që I kishin shkarë e
thyer, në një çast kthjelltësie pa t’i qëndronte para vetes Zerua. Ovali i saj
u zmadhua. Ç’donte ajo vallë, mos dëshironte ti thoshte që i kishte qëndruar
besnike, apo se ai ishte si ajo, një hiç e i
pavlerë? Zerua i kërceu mbi kokë dhe
pastaj I zbriti në qafë dhe nisi ta shtrëngonte si laku i litarit. Motrës së tij
i erdhi në ndihmë 1-shi. Ai u zmadhua një bojë njeriu, shkoi gremçin e tij te
laku I zeros dhe filloi ta hiqte inkuizitorin e tyre osh. Kiços iu mor fryma,
sytë i kërcyen, gjuha i doli jashtë dhe nga goja i kulloi shkuma, por gjeti
forcë sa të bërtiste: “Ndihmë,ndihmë, po më vrasin”. Njëshi vraponte dhe e hoqi
zvarrë.
Kalimtarët
e rastit u çuditën nga britma e tij. Atë askush se ndiqte. Kur e panë që u rrëzua
dhe u shtri përmbys, me krahët të hapur,u
afruan. Pranë kishte një dosje që I
kishte rënë anash dhe syzet me xhamat e thyer. Kishte vdekur.
Në kapakun e dosjes gjetën emërin, mbiemërin, numrin e telefonit të shtëpisë dhe adresën. Policii shërbimit thirri një ambulancë dhe lajmëroi familjen. Mjeku ligjor dyshoi për një vdekje nga goditja e zemrës, por nuk diti të spjegonte se përse rreth qafës kishte një rreth mavi.