| E enjte, 17.05.2012, 07:37 PM |
PERURIM
SOLEMN I LIBRIT "IMAZHE TE RINGJALLURA" NE KAHL AM
Në ambientin e bukur të restoranit „Seeterasse“ në Kahl am Main të Gjermanisë me një atmosferë solemne u bë përurimi i librit poetik i Sevëme Fetiqit „Imazhe të ringjallura“
Nga Sadik KRASNIQI
Në kuadër
të Lidhjes së Shkrimtarëve ,Krijuesve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani,të shtunën
e kaluar ,në praninë e shumë artdashësve dhe anëtarëve te kësaj Lidhjeje si dhe
ne prani te Kryetarit të Lidhjes së Shqiptarëve në Botë,Z.Sebastian
Nujiqit,mjekut-kirurg dhe aktivistit të njohur,Z.Dr.Safet Rexhës,këshilltarit në
Konsullatën e Kosovës në Frankfurt,Z.Emin Eminit,u bë përurimi i librit të ri „Imazhe
të ringjallura“ i autores Sevëme Fetiqi.
Promovimin
e hapi Z.Bekim Gashi,aktor shumëvjeçar i Teatrit të Prizrenit, i cili përshëndeti
të pranishmit si dhe prezantoi me radhë poetët, që diskutuan për vlerat e këtij
libri të kësaj autoreje ,që jeton dhe krijon në Gjermani. Poeti Z.Sadik
Krasniqi duke folur për autoren në mes tjerash theksoi se, Sevëmja tashmë është
një emër i afirmuar me vlera të mirëfillta letrare , e cila ka botuar tri përmbledhje
poetike:“Kurorë e kaltër“,„Dëshmia e kthimit tim“ si dhe „Imazhe të ringjallura“.Poezitë
e saj janë përfshirë në disa antologji poetike, janë përkthyer në gjuhën rumune
dhe atë gjermane.Kjo autore është lauerate e disa çmimeve letrare.
Poeti dhe
njëherit redaktori i këtij libri Z.Hasan Qyqalla ndër të tjera theksoi : “Vargjet
e Sevëme Fetiqit, me gjuhë komunikuese e të kapshme transmetojnë emocione,që doemos
provokojnë, jo vetëm lexuesin e pasionuar,por edhe ndjenjën e kritikës ,në kuptimësi
bilineare, tërësisht përfillëse karshi përmbajtjes e mesazhit.
Përurimi i këtj libri u mbështet kryesisht në vlerësimet e begatshme që i janë bërë
kësaj poeteshe nga kritikët e njohur të botuara në gazeta ,revista dhe libra
kritikësh ,e që u lexuan nga disa krijues të pranishëm.
Poeti Z.Neki Lulaj, lexoi vështrimin e poetit Z.Arif Molliqit ,në të cilin vlerësohet
lartë opusi poetik i Sevëmes me tematikë të larmishme, stil dhe gjuhë të zgjedhur.Ndërkaq,poetja
e re Znj. Gonxhe Letmi -Begisholli lexoi vlerësimin kritik të Laureta Miftarit
, një pjesë e së cilës është botuar edhe në kopertinën e librit.“Fuqia e
bukuria e shprehjes dhe e vargut në poezinë e Sevëmes nuk lind nga ndonjë shkollë
apo ndikim special e mësuar ose i përvetësuar nga poetë të rangjeve botërore
ose kombëtare.Ajo vjen si ujë burimi nga thellësitë e përjetimeve vetanake përgjatë
trazirave të njohura kombëtare dhe luftës së vazhdueshme për liri.Për më tepër
konsiderojmë se këto vargje janë sublime dhe shprehin një rrugëtim historik
shekullor të veshur me petk lirik tejet mbreslënës.“-veçoi në mes tjerash nga
ky tekst Znj.Begisholli.
Aktori Z.Nusret
Dërguti, parafrazoi pjesë nga një shkrim i gjatë i kritikut të mirënjohur Z.Ramadan
Musliu , i cili është edhe recenzent i librit „Imazhe të ringjallura: “Këto
poezi ,që janë pjesa komplementare veprës së saj poetike ,dëshmojnë një proces
të konsolidimit të mëtejmë të shprehjes,stabilitetin e figurës dhe prerjet
subjektive, që i bën aktualitetit, përmes një korrektivi imagjinativ.“
Në vazhdim
u recituan disa poezi të këtij libri. Poezitë e lexuara ishin të shoqëruara
me tingujë muzikor të pianos, të ekzekutuar për mrekulli nga të vegjëlit e
talentuar Jon Gashi dhe e bija e autores së librit, Brikena Preteni.Solemnitetit
të këtij takimi letrar i kontriboi këngëtarja e njohur Znj. Selvete Tërstena me
interpretimin e mrekullueshëm dhe plot ndjenja të këngës arbëreshe „Vajta
kalova tërë Kalabrinë“ e shoqëruar nga Z.Bekim Gashi me piano.
Në fund,
autorja e librit të promovuar Sevëme Fetiqi falënderoi të pranishmit si dhe
lexoi disa poezi nga libri i saj i ri .Asaj iu dhuruan buqeta lulesh nga miqtë.Poeteshën,
në emër të Shoqatës së Gruas “Nëna Terezë”në Hajdelberg, përgëzoi dhe përshëndeti
Znj.Afërdita Dauti-Xheladini.Autores iu dha mirënjohje edhe nga Lidhja e
Shkrimtarëve,Krijuesve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani ,e cila ishte edhe
organizatore e këtij promovimi. Pas manifestimit autorja, e ndihmuar nga
pronari i restorantit „Seeterasse“,Z.Bekim Gashi, shtroi një drekë miqësie
me gatime tradicionale.