| E merkure, 16.05.2012, 09:00 PM |
Lamtumirë
poetit të Kosovës!
(Një pëllumb Paqeje në postën time)
Nga Keze Kozeta Zylo
Sot nën një qiell të vranët dhe me vesë
të butëz shiu duke u kthyer nga puna para se të hapja portën e shtëpisë mora
postën time. Ndërmjet letrave gjeta një
zarf të ardhur nga Mëmëdheu ynë i
dashur, nga Komuna e Rahovecit, Republika e Kosovës. Kishte ardhur si një pëllumb paqeje duke
fluturuar mbi Atllantik libri me poezi nën titullin “Përballje” me autor z.Adem
Berisha, botuar nga shtëpia botuese shtypshkronja “Berati” Prizren. Të parin zarf që hapa ishte pikërisht kjo
dhuratë e bukur me dedikimin brenda nga vetë autori. Ai midis të tjerave shkruante se këtë libër
jua dhuroj miqve të mi të shtrenjtë Kozetës dhe Qemalit. Dhe në fund vazhdonte se: “Kujtoni xhaxhi Ademin
edhe atëhere kur nuk do të jetë”...
Sa
shumë më trishtoi kjo frazë, ndërkohë shfletoja me një frymë faqet e mbushura
me poezi me tematikë të ndryshme.
Ndalova në parathënien e librit shkruar mjeshtërisht nga shkrimtari dhe
kritiku i mirënjohur z.Xheladin Mjeku i cili me penën e hollë analizonte: “Në çastet
kur po përballoja rrugëtimin plot befasi dhe retushime të reja estetike në
poezitë e “Përballjes” para më qëndronte trinomi enigmatik i Adem Berishës. Ai vinte si poet, rapsod dhe si vështrues i
kujdesshëm ngjarjesh me elemente të dëshmitarit të kohës, që vepron me ngulm në
skalitjen e gurit të kalasë poetike të tij dhe që shpërthen si vullkan, në të
shumtën, plot mllef e dhimbje”....
Por
ndërkohe që lexoja e lexoja poezitë po hapja internetin t’i shkruaja falënderimin
dhe mirënjohjen për këtë dhuratë të bukur të ndjerit Adem Berisha që më kishte
dërguar prej Kosove, po papritur gishtrinjtë e mi ngrinë në tastierë, m’u duk
vetja në një ëndërr të tmerrshme kur lexova e rilexova e përsëri e rilexova shkrimin
homazh nga z.Xheladin Mjeku botuar tek gazeta e mirënjohur në online “Fjala e
Lirë” me botues shkrimtarin z.Fatmir Terziu.
Shkrimi
homazh më solli ndërmend vargjet e para nga poema e Pitagorës i cili thote: “Ndero
zotat, ndero të vdekurit, ndero prindërit!”
Unë jam shumë e bindur se ikja e tij e beftë do t’ju
mungojë gjatë shumë miqve, njerëzve të letrave që e deshën dhe e respektuan aq
shumë, ngase vetë poeti iu kishte dhënë pafund respekt e mirësi.
Të nderosh të ikurit është detyrë, është ndjenjënjerëzore,
cdokush fisnikërohet. Ndodhem para dy “përballjeve”
ndonëse krejtësisht të ndryshme, e pare me librin e autorit me titull “Përballje”
dhe e dyta me përballjen e lajmit të kobshëm të ikjes së autorit larg në botën
e përtejme...
Autori qysh në ngjallje nuk e kishte frikë vdekjen ai
e çmonte atë si pjesë të jetës biles dhe më shumë dhe ja si shkruan: “Gjallë as i vdekur nuk ndahem nga ti/ vetëm
në ty dua të prehem në varr!/ I tëri ai dhè që do të kem përmbi/ nuk është vetëm
dhè/ është më tepër se ar”!...
Luftove
Bacë Ademi, luftove me trimëri për Kosovën që e deshe aq shumë, luftove bashkë
me familjen tënde patriote, dhe jam e sigurtë se ke ikur i qetë ngase i keni lënë
vetë me shkrim në “Poemën e Lirisë” : ...“nëna m’i mësoi ato që s’i kisha ditur/ më
e rëndë thoshte është robëria se vdekja/ për ditë të sotme biro, të kam lindur
e rritur’/...
Ike Bacë Ademi dhe do të ndalosh atje ku të pret Diellza
mbeska tënde e ikur tragjikisht, një lule e bukur që la lulishten... Ike në këto
ditë të bukura Maji ku lulet do të rëndohen nga kripëza e lotit të lexueseve të
panumërt që të çmonin dhe të vlerësonin aq shumë.
Rahoveci
do të hedhë supeve shallin e zi për humbjen e një zëri të veçantë poetik në
Gjyrgjevik, por jo vetëm kaq...ngase brenda librave të tu gjithmonë gjenë gati
–gati vargje të shenjta për Kombin tonë të perbashket dhe ti digjesh plot zjarr
për të: “Atë e Mëmë të vetëm të kam/ ndaj të thërras plot mall o At-Mëmëdhe!/
Me gjak të kem larë pëllembë për pëllëmbë/ asgjë përveç teje nuk ka më të
shenjtë për ne”!
Me poezinë tuaj ju keni ngritur një bibliotekë modeste
të prushtë që ngroh me dashurinë e një biri të përulur ndaj Atdheut. Vargjet do te jenë si përskuqje e lules
bozhur me metafora të lyera e diell Kosove.
Pranë qiparisit do të ulen butë – butë dhe zogjtë
shtegtarë, pëllumbat e paqes me pendë të mëdafshta për të të dhënë lamtumirën e
fundit të mergjimtarëve që s’të ndodhen dot pranë për një dorë dhe...
Ne nuk të harrojme poet, nuk të harrojme kurrë, erdhe
bashkë me vëllain tënd prof.Berisha dhe familjen që nga Kosova në Muzeumin
Kombëtar në Tiranë për të marrë pjesë në promovimin e librave të mi, viti 2010. Ishte një bashkim vëllazëror midis nesh,
ishte një bashkim që ju e ëndërronit pakufi me Shqipërinë, Kosovën dhe të të
gjitha trevave te tjera. Brenda vargut
tuaj ka ngritur folenë bashkimi i Kombit dhe jam e sigurtë se dhe në botën e përtejme
do të pëshpërisësh amanetin: Bashkohuni!
Eshtë amanet me shpirt të bardhë, është amaneti i një
pëllumbi paqeje të Lirisë, që s’tretet kurrë, ndaj prehu i qetë miku ynë prej
Kosove!
Të rëntë dheu lehtë!
Lamtumirë poet!
15 Maj,
2012
Staten Island, New York