| E marte, 15.05.2012, 07:06 PM |
Ku po
shkon Maqedonia?
Nga Dorian Koçi
Marrëveshja
e Ohrit konsiderohet si një nga marrëveshjet bazë diplomatike që shpëtoi
Maqedoninë nga makthi etnik i luftërave në ish-Jugosllavi dhe themeloi
Maqedoninë shumë etnike. E përshëndetur që në nënshkrimin e saj nga komuniteti
ndërkombëtar, ajo u duk se do fitonte një qytetari afatgjatë në ndërgjegjen
shtet-formuese maqedonase dhe do të kontribuonte shumë në paqen dhe
stabilitetin e rajonit të trazuar të Ballkanit. Gjithsesi këto konstatime që përbëjnë
dhe thelbin dhe qëllimin për të cilën u nënshkrua marrëveshja nuk janë gjithmonë
të vërteta ose janë përgjysmë të vërtetë, çka bën që të realizohet paradoksi se
dy gjysmë të vërteta nuk përbëjnë një të vërtetë. Parë me një vështrim
analizues mund të vëresh se ndërsa konstatimi i dytë, tashmë ka zënë vend në fjalorin
politik europian dhe ishte dhe një nga arsyet që Maqedonisë iu dhurua statusi i
vendit kandidat në 2001 sipas teorisë së njohur të “shkopit dhe karotës” që aplikon
Bashkimi Europian për të nxitur reforma në vende që aspirojnë të bëhen anëtarë të
tij, konstatimi i parë nuk duket të ketë zënë mirë rrënjë në mentalitetin e
popullsisë. Për ta ilustruar më tej, më vijnë ndërmend fjalët e udhëheqësit
historik të shqiptarëve të Maqedonisë, Arbën Xhaferrit, një prej nënshkruesve të
Marrëveshjes së Ohrit, i cili kujton se kur dëshiroi ta provonte sesa efektiv
ishte konsensusi i arritur në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, përshëndeti
në gjuhën shqipe ngjarjen e rëndësishme për mbijetesën e dialogut midis dy palëve
në konflikt, mirëpo pala maqedonase e braktisi sallën duke shkelur një nga
pikat e marrëveshjes që s’i ishe tharë akoma boja e që fliste për barazinë e
gjuhëve në shtetin shumetnik të Maqedonisë. Ky fakt i thjeshtë besoj se mbetet
një nga pikat e dobëta të kësaj marrëveshje të arrirë me vullnet të imponuar
nga lart, por me konsensus shumë të dobët poshtë në shtresat e popullsisë,
maqedonase dhe shqiptare. Ngjarjet e fundit në Maqedoni e ilustrojnë më së miri
këtë fakt, dhe pak a shumë tregon ekzistencën e një bashkëjetese të vështirë.
Sigurisht
ata që ndihen në pozicionin më të vështirë janë shqiptarët të cilëve u është dashur
që të bëjnë dhe kompromiset më të mëdha dhe t’u nënshtrohen një klime
paragjykuese për ta, sikur janë ata fajtori për gjithçka që nuk ecën mirë në Maqedoni.
Kjo klimë e trashëguar që nga koha e ish-Jugosllavisë ku çdo e drejtë e tyre
legjitime e bazuar dhe në Kartat Ndërkombëtare të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut
është konsideruar nga pala maqedonase si kërkesa që i vënë “zjarrin” Maqedonisë
po jonizohet së tepërmi ditët e fundit me ngjarjet dhe incidentet që kanë minuar
së thelli besimin e ndërsjellët midis palëve. Arrestimet e 20 shtetasve
maqedonas me kombësi shqiptare, mes tyre dhe një grua plakë, nën akuzën për
terrorizëm dhe me fiaskon që pasoi pas këtyre arrestimeve, ku autoritetet nuk
ishin në gjendje të faktonin asnjë akuzë, treguan dhe një herë stereotipin që ekziston
në mentalitetin e elitës sllavo-maqedonase për demonizimin e shqiptarëve për çdo
krim dhe ngjarje të shëmtuar në Maqedoni. Mirëpo pavarësisht kësaj sjellje me
reminishenca të theksuara nga periudha e ish–Jugosllavisë, ajo që tërheq vëmendjen
është fakti se duket sikur pala maqedonase me reagimin e saj të ngadaltë e
aspak profesional, që kur filluan incidentet e rrahjes së fëmijëve shqiptarë,
po tenton të krijojë një klimë shantazhi dhe aspak bashkëpunuese për mbarëvajtjen
e paqes dhe stabilitetit në rajon, pasi ngjarjet që kanë shpërthyer nuk kanë shpërthyer
papritur si një rrufe në qiell të pastër, por janë korifeu i një sërë veprimeve
të papërgjegjshme të elitës maqedonase për të zhbërë Marrëveshjen e Ohrit. Vonesat
e pajustifikueshme në implementimin e të gjithë anekseve dhe neneve të Marrëveshjes
së Ohrit, si dhe nxitja dhe ringjallja e panevojshme e një nacionalizmi
primitiv maqedonas që kërkon ndërtimin e një shteti-komb në Maqedoni, çka
natyrisht bie ndesh jo vetëm me qëndrimin ndërkombëtar për Maqedoninë, por dhe
me vetë interesat e kombeve që e përbëjnë atë, kanë bërë të mundur që Maqedonia
të mos gjejë paqen, harmoninë sociale dhe etnike por të humbasë shumë kohë në spirale
konflikti të brendshëm të panevojshëm.
Kjo
humbje kohe është vërejtur dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë,
kryesisht me Greqinë, ku mungesa e një konsensusi për emrin ka bërë të mundur që
perspektiva e anëtarësimit të saj në NATO dhe BE të sfumohet dhe të mos gjejë entuziazmin
e duhur, madje dhe vetë popullsisë. Në vend të kësaj perspektive integruese
euroatlantike, elita maqedonase ka zgjedhur ekzaltimin e ndjenjave nacionaliste
të popullsisë nëpërmjet ndërtimit të monumenteve të figurave historike,
identitetin e të cilave shpeshherë e ndajnë me fqinjët e vet. Ashtu si me të drejtë
vërejnë dhe shumë analistë ndërkombëtarë të rajonit, kjo është një zgjedhje në një
vend të gabuar dhe kohë të gabuar. Maqedonia nuk është një vend monoetnik dhe
me shumicë sllavo maqedonase, gjë që u vërejt dhe në censusin e anuluar nga
qeveria, për shkak se shifrat që e tregonin deri më tash predominante këtë popullsi
ishin më të ulëta se më parë.
Deri më tash, shqiptarët i janë bindur dëshirës dhe vullnetit të komunitetit ndërkombëtar për të jetuar nën një çati të përbashkët së bashku me popullsitë e tjera në Maqedoni, duke mohuar në mënyrë vetëmohuese çfarëdolloj opsioni për bashkim me Shqipërinë dhe Kosovën, por kur ai që është zgjedhur për bashkë usta për ta mbajtur e riparuar së bashku çatinë që vjen që nga koha e largët e ish-Jugosllavisë, nuk e di se ku i pikon dhe aq më tepër, kur është i interesuar për të mos e riparuar atë, atëherë dhe shqiptarët s’kanë pse i besojnë më këtij, bashkë ustai, por do të marrin situatën në duart e veta për të ndërtuar një çati tjetër të re të përbashkët me vëllezërit e tyre në Shqipëri e Kosovë. Për të mos arritur deri në këtë pikë, që sipas ndërkombëtarëve krijon telashe të mëdha në rajon, sigurisht e ka një zgjidhje. Ajo është zbatimi një për një i Marrëveshjes së Ohrit, prej nga me siguri do të rrjedhë dhe paqja dhe harmonia etnike aq shumë e dëshiruar.