| E hene, 14.05.2012, 09:52 PM |
Lajthitja
fatale e inteligjencës maqedonase
Nga Halil Matoshi
Vrasjen e
qytetarëve të pafajshëm në Smilkovc e “parapërgatiti” (nëse nuk është vetë ekzekutori?)
shërbimi inteligjent maqedonas për të pasur shkas për t’i goditur qytetarët
shqiptarë dhe për t’i “përzënë” ata nga shteti “antik” të cilin e duan njëetnik.
Dhe e gjetën formulën magjike: Goditi shqiptarët dhe thuaj për ta se janë islamikë
radikalë, kështu tërë botën e ke në krah. Edhe thirrjet “Allahu-Ekber” nga do
qytetarë shqiptarë me identitet konfuz, rrugëve të Shkupit, janë të orkestruara
nga kjo inteligjencë infantile, për ta kompozuar mozaikun, të cilit nuk ka për
t’ia dalë: “I kapëm shqiptarët e Al-Qaedas!”
Gjithçka
shkoi sipas një skenari, tashmë të parë në Ballkan, “për vrasje popujsh”.
Së pari
ia
Përrallë më
e pështirë nuk është dëgjuar në këto humbëtira gjeografike.
Vrasësit
e pesë qytetarëve në Smilkovc të Shkupit ndodh as të mos jen kapur fare, por
ata nga një shtet policor janë paragjykuar.
Ata
paraprakisht dhe domosdoshmërisht për logjikat e shteteve policore (paranojake)
janë shqiptarë!???
Fillimisht
hamendësimet shkonin nga ish-guerilja shqiptare, UÇK, pastaj sikur shteti
maqedonas u tremb nga konflikti i brendshëm dhe reperkusionet ndërkombëtare dhe
e hodhi gështenjën e nxehtë te grupet islamike radikale, që më së paku janë të implikuara
në këtë rast tragjik. Madje fillimisht policia e Gruevskit pretendonte se të dyshuarit
po fshiheshin në shtetin fqinj, Kosovë. Por shpejt ndodhi kthesa dhe ky
informacion u hesht.
Madje së voni
ministrja e policisë Jankullovska deklaroi se nuk ka informacione plotësuese që
mund të informojë opinionin. Pra nuk i shkoi rrenës deri në fund.
Operacioni
i policisë, i koduar si “Monster” i shkon më së miri vetë shërbimit sekret
maqedonas, pra një dore të padukshme, monstruoze!?
Sepse
ndoshta nga frika e reagimit të vendosur të BDI-së (që është pasardhëse e UÇK-së)
që mund të dilte nga Qeveria, Shkupi
zyrtar u step. Duhej adresuar faji tjetërkund dhe, më lehtë se goditja e
islamit radikal aktualisht nuk ka, sepse mbi ta është vënë stigma, e përmasave
globale. Kështu, qytetarët do të mashtroheshin, se u kapën kriminelët, Gruevski
mund ta vazhdojë qeverisjen me Ali Ahmetin, askush nuk e paguan çmimin, pos që shiten
lirë lëkurat e do shqiptarëve konfuzë, që i japin vetë shkas shtetit brutal t’i
survejojë, madje edhe t’i ketë në shënjestër, vetëm pse ata i përkasin fesë islame
dhe këtë e manifestojnë ndoshta në mënyrë më të zhurmshme se gjithkund dhe
gjithherë ndër shqiptarët, të cilët as kur nën udhëheqjen e Isa Boletinit e
Hasan Prishtinës e çliruan Shkupin dhe e ngritën flamurin shqiptar në Shkup më 1910
nuk brohoritën “Allahu-Ekber” dhe nuk nxorën flamujt jeshilë të islamit.
Pas
bastisjeve dhe arrestimeve të shumta të shqiptarëve etnikë, shteti policor u
step, sepse nuk po mund të hartonte akuza aq të rënda, për terrorizëm, sipas
operacionit “Monster”, sepse ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme e
Gruevskit ka pranuar se nuk ka gjetur armët me të cilat është shtënë në pesë viktimat
e vrara më 12 prill 2012 pranë liqenit të Hekuranës në fshatin Smilkovc të Shkupit.
Ministrja
e MPB-së, Gordana Jankullovska, deklaroi se edhe ekzistojnë dëshmi materiale të
mjaftueshme, që janë konfirmuar si cilësore edhe nga prokurori, përmes të cilave
mund të formohet aktakuzë që do të ngarkojë personat e dyshuar si kryerës të veprës
'terrorizëm'. Ndërkohë një burim nga prokuroria maqedonase zbulon se “provat
janë tejet të zbehta.”
Do si do “Monstrumi”
duhet ta hajë me dhëmbë dikë, këdo qoftë, vetëm të shpëtohet dora e zezë e
shtetit pa u zbuluar.
Shkupi
zyrtar me politikat e tij etnonacionaliste, duke ngjizur një shtet kishtar
ortodoks dhe duke përjashtuar nga debati shtetin qytetar, po rrëshqet nga një lloj
i ri i fashizmit (fashizëm kulturor), i cili do t'i kthehet si bumerang, duke e
ndarë këtë shtet në rrafshin kulturor dhe qytetar, e pastaj edhe etnik dhe
shtetëror.
Në këtë sfond
tejdukshëm vërehet se spiunët e Nikola Gruevskit motivuan dhe nxitën incidente
ndëretnike, veçanërisht duke yshtur nacionalistët e rinj të Shkupit kundër
qytetarëve shqiptarë, për dy arsye të kalkuluara dhe një arsye fiktive.
Së pari,
për ta zhvendosur vëmendjen e publikut sllavo-maqedonas nga koncesioni që detyrohen
t’ia bëjnë Greqisë rreth emrit kushtetues të shtetit dhe, së dyti, që përmes
rrahjes dhe poshtërimit të shqiptarëve ta mobilizojë dhe homogjenizojë nacionalizmin
maqedonas si kundërpërgjigje ndaj zërave që vijnë nga Sofja zyrtare, se shteti
i Gruevskit dhe nacionalistëve të rinj rreth tij po i diskriminon bullgarët
etnikë, por edhe të zmbrapsë nacionalizmin shqiptar që thërret për një Shqipëri
etnike.
Kështu
kryeministri Gruevski mësyn rritjen e patriotizmit maqedonas dhe t’i zbehë ndjenjat
pro bullgare të shumicës prej tyre në kurriz të shqiptarëve, të cilët të shtyrë
në margjina mund të rebelohen dhe eventualisht t’i cenojnë edhe interesat e vet
shqiptarëve kosovarë.
Dhe së treti,
vjen në pah një bashkëpunim i heshtur me shtetin policor serb (dy policitë e
kanë të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në ndjekje të terrorizmit) për
ta vënë bashkërisht në shënjestër stabilitetin e Kosovës, me kusht që Shkupi
zyrtar ta fshehë dorën, për t’u shitur karshi Prishtinës si një “lavire e
respektueshme.”
Mirëpo,
favoret e projektuara, por të kalkuluara keq e kanë zënë në kurth Shkupin
zyrtar. Ndonëse synimi është i qartë. Të goditen shqiptarët, të margjinalizohen
ata para çdo mundësie për t’u integruar në BE, duke i stigmatizuar ata si
islamikë radikalë dhe pjesëtarë të “Al-Qaeda-s”. Kësisoj Gruevski ka përllogaritur
se goditja e shqiptarëve që falen dhe i luten Zotit, zvogëlon potencën e
qytetarisë shqiptare për reagim dhe kërkesa institucionale, ndërkaq që rrit
reaksionin e grupeve proislamike dhe më këtë shteti fiton legjitimitet për luftë
ndaj shqiptarëve në emër të luftës globale antiterror.
Por kjo
lojë policore do të prodhojë kundërefekt. Do të rritet nacionalizmi qytetar
shqiptar dhe do të margjinalizohen grupet e proviniencës së islamit politik,
sepse goditja e Shkupit është në thelb e orientuar nga forcimi i faktorit të moderuar
shqiptar.
Këtë,
besohet se do ta kuptojnë shpejt në rend të parë qytetarët shqiptarë dhe të ulen
e të mendojnë gjatë, ftohtë e pa zjarr.
Por mundësitë
e Shkupit zyrtar për të reflektuar duken se janë shterur.
Shteti është
zvetënuar nga sëmundja e fashizmit.
Klasa
politike shqiptare dhe elitat kulturore në Maqedoni duhet t’i zbërthejnë këto
kode të fshehta dhe të organizohen në bazë qytetare për vetëmbrojtje edhe nga
shteti policor edhe nga etiketa e islamit radikal. Prandaj faji më i madh bie
mbi partitë politike të shqiptarëve, e posaçërisht mbi BDI-në që nuk artikulon
dot kërkesat e shqiptarëve dhe nuk kontrollon dot skenografinë neootomane, përkatësisht
islamin politik. Këto parti shqiptare është dashur qytetarisht t’u prijnë protestave
paqësore në Shkup, duke mënjanuar skenografinë islame nga një protestë e
ligjshme e për të protestuar qytetarisht kundër terrorit policor dhe jo të sillen
si vëzhgues pasiv nga zyrat e Qeverisë së Shkupit.
Kjo është
e pafalshme, joetike dhe nxjerrje e flamurit të bardhë para dhunës shtetërore
ndaj shqiptarëve.