| E shtune, 12.05.2012, 12:56 PM |
Çamëria
zhduket nga harta e Greqisë, kurse ne … qetë, qetë !
(Një leksion që na u dha rreth diplomacisë, nacionalizmës dhe populizmit).
Shkruar nga: Mërgim Korça
E kisha të
madhe shpresën që reagimi si edhe sugjerimet rreth trajtimit të cakut gjuhësor ÇAMËRI-a,
si njësi gjeografike e zhdukur nga lista toponimike greke, do të arrinin t’a
sensibilizonin opinionin e drejtuesve të politikës së jashtme
shqiptare lidhur me rishikimin e pozicionimeve si edhe natyrshëm edhe
deklaratave të tyre në vazhdim. Mirëpo
me keqardhje replika e tyre ishte larg, shumë larg asaj që pritej. Ky qëndrim është në sinkroní të plotë me
atmosferën e frikës çnjerëzore që kishte ngjallur partia edhe diktatori kur
ndokush binte në çfarëdo gabimi sepse, t’a pranoje gabimin përbënte faj dhe
faji … DËNOHEJ ! Pra, duke qen’i vetmi
shpëtim mospranimi i gabimit dhe, nisur nga kjo mendësí e cila vazhdoka dhe
qenka dominante te kjo kategori drejtuesish, arrijmë në përfundimin se për ta në
radhë të parë dhe themelore është të mos pranohet asnjë farë gabimi e në vazhdim,
mbase merret në konsideratë si çështje dalja zot territorit të ÇAMËRISË.
Mbështetjen
ndaj qëndrimit tonë e gjejmë nga një mëndje universale si ajo e mendimtarit
edhe filozofit përmasash botërore Confuc-it, i cili ka pohuar për historinë :
- Studjojeni
të kaluarën po deshët t’a parashikoni të ardhmen !
I prirur
nga ky pohim kaq i goditur i këtij mjeshtri mendimtar, dhe me shpresën që për të kaluarën historike jo fort të largët,
dokumentat rreth së cilës mund të qëmtohen, studjohen edhe së fundi të nxirren
edhe përfundime të mirëfillta nga drejtuesit e diplomacisë shqiptare, do t’ia
hyj të shkruaj edhe një herë, mbështetur në informacionin që disponoj, t’i bëj
një paraqitje fluturimthi, (për aq sa na
e lejojnë kufijt’e një shkrimi të kësaj natyre), historisë së ÇAMËRISË. Doemos
dritëhedhja historike si mbrapavështrim mbase e nxit sadopak që edhe
pozicionimi zyrtar, lidhur me të ardhmen, të jetë më objektiv, i themeltë dhe
funksjonal në drejtim të mbrojtjes së interesave kombëtare e pa u mjegulluar
nga ëndërra e B.E.- së. Ësht’e vërtetë se
vetë koncepti B.E. gjen shtrat të ngrohtë
ndër elementë që janë mëkuar me iden’e internacionalizmit proletar ku do të çonte
zbatimi i ëndrrës vënjes në jetë të shoqërisë komuniste integrale. Mirëpo që kjo ëndërr ishte e parealizueshme e
provoi praktika botërore e të gjitha vëndeve ku, me dhunë të skajëshme e nëpërmjet
krimesh të pashëmbullt, u tentua fillimisht të zbatohej e pastaj edhe të konsolidohej
ai sistem gjakatar i ëndrrës komuniste.
Prandaj pa hyr’edhe u çpërqëndruar
në diskutimin rreth funksjonalitetit një Bashkimi Europian potencial,
ku praktika në zbatim sa vjen edhe po
nxjerr probleme nga më të ndryshëmit, e duke marrë shkas nga replika që m’u
drejtua konkretisht lidhur me këndvështrimin tim rreth politikës jashtëme që ndjek udhëheqja e atij Dikasteri
dhe konkretisht zv/kryeministri si edhe ministri i Punëve të Jashtëme z.Edmond
Haxhinasto përqëndruar ndaj çështjeve kosovare si edhe çame, para se t’u
referohem fakteve historike rreth Çamërisë, e ndjej të nevojëshme t’ia sjell
lexuesit shkurtimisht qëndrimin tim ndaj
asaj replike të lartpërmendur e pastaj analiza historike e fakteve bëhet edhe më ndriçuese lidhur me pozicionimet që mendohet
se duhen mbajtur në të ardhmen.
Replika
ndaj shkrimit tim, lidhur me problemin e mos egzistencës cakut gjuhësor të përveçëm
ÇAMËRIA si pjesë përbërëse e listës toponimike territoriale greke, shkruar nga
e nderuara z-ja/z-sha Sara Golemi, (specialiste e fushës së diplomacísë si edhe
marrëdhënjeve ndërkombëtare - e cila na jep një leksion rreth caqeve gjuhësore “diplomací,
nacionalizëm si edhe populizëm), më fton t’a sqaroj lexuesin e ndershëm dhe të paanshëm,
lidhur me disa momente kyçe të problemit.
Un’e kam kritikuar dy herë pozicionimin e ministrit tonë të Punëve të Jashtme,
z.Edmond Haxhinasto, si lidhur me pikëpamje të çfaqura prej tij për Kosovën e
gjithashtu edhe lidhur me Çamërinë. (Secili
i interesuar mund t’i lexojë analizat, veç burimesh të tjera, edhe në adresën
elektronike : www.aafhsite.com).
Lidhur me
çështjen kosovare kryediplomati shqiptar qé shprehur si vijon :
- “ Bashkimi
kombëtar i popullit shqiptar, apo lëvizja e kufijve, ësht’e dëmshme si idé për
shqiptarët dhe si veprim për rajonin.”
Sa i
takon territorit të Çamërisë, i zhdukur ky nga lista toponimike greke,
kryediplomati ynë shprehet :
- “ Kjo
listë themi që tashmë ka marrë edhe fuqí ligjore, pasi ka mbi dhjetë vite që është
paraqitur në Kombet e Bashkuara dhe fjala Çamërí nuk ekziston … ky është një detyrim
që ne ta trajtojmë këtë çështje dhe do ta trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën
greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës.”
E ndjej për
detyrë t’ia pohoj lexuesit se në asnjë mënyrë
nuk prirem të ulem e të replikoj me shkrimin e lartpërmëndur veç për hir të tjerrjes bisedës. Jo, në asnjë mënyrë ! Pikësynimi im ishte dhe vazhdon të jetë të mos sillemi si të nënështruar ndaj
intrigave, makinacioneve si edhe krahmarrjeve djallëzore që përdoren nga politikanët grekë të cilët, si përgjatë diktaturës
komuniste edhe në vazhdim, kanë fituar vazhdimisht e kurdoherë terren ndaj
Shqipërisë. Kjo e gjitha ! Mirëpo kur ndaj këndvështrimit si edhe sugjerimeve nga më të sinqertat, si përgjigje vjen një replikë, e cila në themelin e saj ka vetëm mëndjemadhësín’e
mirëfilltë, para se të japim një mbrapavështrim
historik rreth ÇAMËRISË si edhe problemeve të lidhura me të, (prej të cilit
mendoj se sinqerisht duhet të nxirren përfundime
të ndërsjella), e përditësojmë fluturimthi lexuesin me problemin.
Replika
fillon me një pohim nga lart poshtë duke u shprehur : “… Politika e jashtme apo
puna e diplomatëve është gjëja e fundit
që mund t’a gjykojë publiku …”. Dakord. Ky mendimi i specialistes e cila e hartoi
replikën, (në mos edhe i kolegëve q’e hartuan bashkarisht). E me që si shëmbull për né si publik sillet
shprehja e përgjithëshme diplomatike : ”Sa
qen i mire, derisa te gjesh nje gur ose nje shkop”, të cilën ne doemos nuk e
kuptojmë, po i referohemi dy personaliteteve botërore dhe maksimave të tyre
rreth diplomacisë si edhe gjuhës së saj.
Honoré de Balzac ka lënë aforizmën
e famëshme : “Diplomacía është shkenca e
atyre që nuk e njohin një të tillë por, janë të thellë në boshllëkun e tyre”. Personalisht un’e vlerësoj si, deri në një farë
mase, pohim shumë të egër. Mirëpo kur i referohemi një mjeshtri të paskrupullt
të diplomacisë, por mjeshtër amá,
diplomatit tamam djallëzor
Talleyrand, ku njëra nga aforizmat e tija, e cila vlerësohet si më e
goditura rreth dipomacisë, pohon : “Ka
qenë më keq se sa një krim, ka qenë një gabim “. Pra, kur diplomacía e quan GABIM, ne publiku
i painformuar, ç’duhet të nënkuptojmë,
Krimin ?
Në vazhdim të replikës, sa i takon problemit të bashkimit
të Shqipërisë me Kosovën, lexojmë : “Qëndrimi
zyrtar është dhe ka qenë ky : “Bashkimi
do të arrihet në B.E. kur të gjithë popujt e Ballkanit të jenë anëtarë në Bashkimin
Europian … Të njejtin qëndrim ka pasur kurdoherë politika shqiptare e majtë apo
e djathtë kur ka qeverisur. Një qëndrim
ky jashtëzakonisht i vlerësuar nga ndërkombëtarët për rolin paqësor të Shqipërise në rajon. Çfarë qëndrimi do të donin kokat e nxehta
nacionaliste të Shqiperise … Një shpallje lufte ? … Këtë asnjë nga
pseudopatriotët shqiptarë nuk do ta dëshironte.”
Sa u
takon vlerësimeve të ndërkombëtarëve unë
personalisht, i mbështetur në leksionin që na jepet nga autorja kompetente e
replikës ku në radhën e pestë dhe të gjashtë shprehet : “ Te gjitha shtetet luftojne te japin 1 e te
marrin 10 ne kembim, thjeshte vazhdojne te bejne “lufte”, por ne menyren me te
sjelleshme te mundeshme”, nuk kam se
si t’a marr si vlerësim absolut sepse bije diametralisht ndesh me sa ka thën’e pohuar në krye. Pra një kundrathënje flagrante në mes
leksionit teorik si edhe zbatimit në praktikë të tij. Pra moskoherencë arsyetimi. Nejse, vazhdojmë.
Siç shquhet
dukshëm, replika e ka një herë me “kokat
e nxehta nacionaliste” dhe në vazhdim
edhe me ata që i quan “pseudopatriotë”. Dakord, i analizojmë të dyja këto kategorí cilësore. Që të dyja këto kategorí, përgjatë periudhës
diktaturës komuniste, kanë qenë objekt i asaj së mallkuare LUFTË KLLASASH,
apo e kemi gabim? Jo, aspak, sepse kjo pikëpamje ka qen’edhe vazhdon ndaj asaj
kategorie popullate që asokohe akuzohej si nacionaliste ose pjestarë familjesh
nacionaliste e të dekllasuara ! Po ata që
i a japin këtë të drejtë vetes sot t’i kategorizojnë ata si të tillë, në ç’ujëra
kanë pasë notuar asokohe dhe tashti, ku plluckojnë ? Këta n’atë kohë ose kanë qenë në vetë të parë
zbatues të politikës së partisë ose janë, bazuar në moshën e tyre në vazhdim,
pinjojt’e tyre ! Edhe kjo pak por e
sigurtë. Asokohe, kur kokat e sotme të nxehta
nacionaliste quheshin të dekllasuar, ata ishin të mëkuar nga familjet e tyre me
dashurinë nacionaliste për Kosovën, Plavën, Gucinë si edhe Çamërinë, që i
konsideronin pjes’e pandáshme e Atdheut të tyre! Kurse kategoría e cila sot jep
direktivat, asokohe ose ishin zbatues të direktivave si edhe mësimeve të partisë
lidhur me internacionalizmin proletar, ose i mëkonin pinjojt’e tyre me ato
ndjenja. Kurse sot, si pa gjë të keqe
shprehen pikërisht që në krye të “replikës” :
“… Jo të gjithë mund t’a kuptojnë se çfarë bluhet në kanalet diplomatike dhe si janë të detyruar të sillen … Të mëson
puna dhe bëhesh më patriot se patriotët !
Pra kategoria e ish internacionalistëve proletarë, nga të tillë dhe me
një gjykim rreth vetes, na u bëkan nacionalistë sot, pra të barabartë me ata që
partia e tyre i pushkatoi si … NACIONALISTË
të mot’e jetës !(?) Pra sipas kësaj
logjike, me një të rënë sfungjeri mbi dërrasën e zezë, e gjithë veprimtaría
patriotike luftarake për themelimin e Shtetit Shqiptar, së bashku me punën këmbëngulëse
në organizimin e mbledhjes e cila ngriti flamurin e pavarësisë si edhe
sanksjonoi ligjërisht shpalljen e pavarësisë,
hidhen poshtë, quhet i mirëqenë dënimi i tyre nga gjyqet e diktaturës, përbaltet
emri nacionalist duke e barazuar me tradhëtar dhe … papritmas, pikërisht dënuesit
e asaj kategorie, me që na u merrkan me diplomací, u bëkan tashti NACIONALISTË TË
MIRËFILLTË, në kundërshtim me tradhëtarët
e dënuar përparandej ! (???) Logjikë quhet
kjo ? Jo, të më falë lexuesi, po e mësova
nga replika : kjo na qenka GJUHA DIPLOMATIKE
! Tashti
e kuptova !
Në vazhdim,
përgjatë replikës, bëhet dhe një pohim i cili nuk më lejon t’i shmangem marrjes
me të. Po e riprodhoj integralisht
pohimin në thonjëza, (nënvizimet janë të mijtë) : “Së fundi shpërtheu në “media” një deklaratë e
ministrit tonë të Jashtëm e cila në dijeninë
time u keq’interpretua. Duke qënë
se i kam studjuar prej kohësh marrëdhënjet
tona me Greqinë, do të doja t’a ndaja këtë çështje me të gjithë ata që nuk
kanë informacion dhe qëllimisht e fryjnë problemin. Bëhet fjalë për çështjen e toponimeve greke të
cilat Greqia kërkon të shkruhen siç njihen ato sot në Greqi. Çështja ësht’e tillë : Në disa pasaporta shqiptare shkruhet p.sh. vënd-lindja Filat, Çamëri dhe
jo Filat, Greqi (siç kërkon Greqia) …”.
Jo, e nderuara, ose të nderuarit replikues. Ndërthurja e çështjes toponimike greke me
problemin se si shkruhen “pasaportat”, është jo vetëm një anashkalim i
problemit por edhe një mjegullim i qëllimshëm i vetë çështjes. E për t’a mjegulluar edhe më tej problemin,
trajtohet me stërhollime edhe se si na e paskan sheshuar Greqia me Turqinë çështjen
e listës toponimike shtoji këtu edhe pohimin autentik të replikueses që shton
se : “Ky ishte thelbi i çështjes në fjalë
që u fry qëllimisht nga nacionalistët, populistët dhe ata që kanë mungesë informacioni”. Jo, i nderuar lexues i këtyre radhëve. Problemi me të cilin ballafaqohemi është pikërisht
pohimi se si qenka keq’interpretuar deklarata e ministrit të Jashtëm z.Edmond
Haxhinasto. Për t’a rifreskuar kujtesën
e sjellim edhe një herë parasysh pjesën e deklaratës ministrit e cila nuk është
keq’interpretuar, përkundrazi. Ministri
i Punëve të Jashtme z.Edmond Haxhinasto ka deklaruar shprehimisht :
“ Kjo
listë themi që tashmë ka marrë edhe fuqí ligjore, pasi ka mbi dhjetë vite që është
paraqitur në Kombet e Bashkuara dhe fjala Çamërí nuk ekziston … ky është një detyrim
që ne ta trajtojmë këtë çështje dhe do ta trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën
greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës.”
Problemet
që ngremë janë jo vetëm nxjerrë nga pohimet e k/diplomatit shqiptar, por nga
ana tjetër kanë të bëjnë me dy çështje parimore :
1-Lista
toponimike greke, sipas kryediplomatit të Shqipërisë : “ … tashmë ka marrë edhe fuqi ligjore … “.
2-Kurse
lidhur me trajtimin e çështjes, edhe kjo sipas tij : “ … do ta trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën
greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës.”
Kurse
vrejtja e jonë e themeltë shprehet :
Me që lista
toponimike greke për t’u miratuar, jo vetëm që i është paraqitur O.K.B.-së nga
ana e Greqisë dhe aspak Shqipërisë por, nga ana tjetër gjithënjë sipas
ministrit tonë të Jashtëm, ka marrë edhe fuqí ligjore, duke pohuar edhe se
fjala ÇAMËRI nuk ekzistoka, pse jemi druajtur ne dhe vazhdojmë të druhemi, t’ia
paraqisim kërkesën tonë gjithashtu O.K.B.-së
?!
Lidhur me
cilësorët nacionalistë e pseudopatriotë folëm më lart. Një përndritje tashti rreth cakut gjuhësor
populist të cilin z-ja/z-sha S.Golemi e
lëshon dukshëm jo me dashamirësí ndaj atyre q’u mungon informacioni dhe që sipas
saj e frynë çështjen e deklaratës ministrit Haxhinasto, (ndërmjet të cilëve
edhe unë vetë). Sa për dijeni, Fjalori
i Gjuhës së Sotme Shqipe, nuk e trajton këtë cak gjuhësor. Në fjalorët e ndryshëm doracakë vendoset shënja
e barazimit mes “populist = demokrat”. Kurse
në diksionerët e ndryshëm trajtohet për herë të parë më 1891-shin si anëtar i
partisë që paraqiste të drejtat agrare e në vazhdimsi si kategori që beson në të drejtat ose në virtytet
e popullit dhe kryesisht në demokracinë, e kundërta e autokracisë. Por për të qenë më specifikë, me aq sa në mënyrë
modeste mund të shprehemi ne që kemi mangësí informacioni, e duke e ngushtuar
rrethin e kundrimit tek populizmi europian në kushtet e Bashkimit Europian në konditat
aktuale shumë të … diskutueshme, (për të mos thënë të paqëndrueshme pa lé në kufijt’e
dizintegrimit), bëjmë një përgjithësim
duke shtruar pyetjen :
“Përse
populizmi i djathtë, dhe jo i majti, ësht’i pranishëm në thuajse të gjithë shtetet
europianë, (mbase në Francë, në vazhdim, populizmi i majtë do të jetë dominuesi),? Cilat pikat q’i bashkojnë ?” Po të lexohen këndvështrime nga më të ndryshmet
dhe të bëhet një mesatarizim i dhjetra e dhjetra përfundimesh shkencore ku
puqen shkencëtarët-analistë të këtij
problemi, në vijim përgjithësimet e tyre
si përgjigje pyetjes :
1. Figura
karizmatike e udhëheqësit.
2. Kundrathënjet
mes popullit dhe ELITËS.
3. Përfitimet
e nxjerra nga Elita nga proceset komplekse.
4. Parimisht
flasin për demokrací por e instrumentalizojnë.
5. Liveli
i debateve shum’i ulët sepse politikanët
nuk janë të interesuar as në debate
konstruktive e gjithashtu as edhe në një demokraci të mirëfillt’edhe mbështetur
në ligjëshmërí të themeltë. E pyesim me
respektin e nevojshëm z-jën/z-shën Sara Golemi, kë shikon ajo mes saj dhe palës
sonë më pranë cilësorit populistët ?
Prandaj
na lind e drejta e ligjëshme edhe e mbështetur në logjikë racionale, të pyesim : Ku qëndron keq’interpretimi ynë ndaj deklaratës
k/diplomatit tonë z.Edmond Haxhinasto ?!
Kjo mënyrë të vepruari na bën që, duke e patur mirë parasysh maksimën e
cituar më lart: Studjojeni të kaluarën
po deshët t’a parashikoni të ardhmen, të kthehemi jo shumë por vetëm pesëdhjet’e
një vite mbrapa me syt’e mëndjes, (e theksojmë dhe e përsërisim … me syt’e mëndjes, logjike si edhe racionale),
dhe i referohemi gjëndjes në mes
Bashkimit të atëhershëm Sovjetik si edhe Perëndimit kur në N.Y. Herald Tribune
e datës 22 Shtator të vitit 1961, qé publikuar pohimi madhor i Charles De
Gaulle-it : “Në marrëdhënje me sovjetikët
ju filloni duke u dhënë kapelen tuaj, pastaj xhaketën, në vazhdim këmishën, pas
saj lëkurën dhe së fundi edhe shpirtin!”
Pa dashur të bëjmë asnjë përqasje sa i takon dorës së fortë, (gjë e cila
as që mund të na shkojë ndërmënd neve, të vegjëlve), por që duhet patur mirë parasysh
se politika e lëshimeve, kundruar përgjatë rrjedhave të historisë, gjithmonë ka
patur pasoja negative. Kjo nuk duhet
harruar dhe duhet patur mirë parasysh e sidomos për kategorinë tonë si shtete
si komb.
Për t’a
mbyllur edhe me këtë pjesë të shkrimit tonë, nuk rrijmë dot pa vënë në dukje edhe një kalim të replikës ku sillet si shëmbull
dhe theksohet vlerësimi i bërë nga ana e një diplomati gjerman sa u takon
sukseseve të administratës shqiptare. Pavarësisht faktit se informacioni ynë është
shum’i mangët, (sipas replikuesve), por i a vlen t’ia bëjmë të ditur lexuesit të
nderuar pohimin me të cilin mbyllet
replika lidhur me deklaratën e z.E.Haxhinasto:
“ Shqipëria
është në rrugë të mbarë për sa i përket politikës së jashtëme, jo më kot pak
kohë më parë politikani gjerman Kiesewetter u shpreh se politika e jashtme
shqiptare balancon mes Beogradit dhe Ankarasë.
Shqipëria nuk duhet të zhbëje me qëndrime nacionaliste, atë që mezi ka
arritur deri më sot : qënjen faktor stabiliteti në gjithë rajonin.”
Nuk po bëjmë
gjë tjetër por po e sjellim, (falë informacionit që … na thuhet se nuk
disponojmë), kalimin e zotit Roderich Kiesewetter ashtu si e ka shprehur ai vetë
përgjatë intervistës, (e jo vetëm atë cungim lidhur me balancimin mes Beogradit
dhe Athinës që zenë në gojë gjuhët diplomatike). Sikur të ishte i mirëfillt’edhe i gjithi ky
vlerësim, nuk kishte se si jo vetëm të mos kënaqeshim por edhe të mburreshim me
të edhe ne ! Mirëpo kur hetojm’edhe
gjejmë se si është shprehur në mënyrë të plotë
politikani i Partisë Christian Demokrate Gjermane lidhur me Shqipërinë,
pësojmë jo vetëm një zhgënjim por edhe na mërzit fakti se si paraqitet nga ana
e diplomacisë shqiptare një e vërtetë e
shfytyruar. E që të kuptohet nga ana e
lexuesit se as që duam të jemi agresivë nga që u hartua replika ndaj nesh, (as
që po e zemë në gojë si është shprehur ky diplomat lidhur me pararendësin e z.E.Haxhinasto
në post). Por ama nga ana tjetër nuk
rrijmë dot pa e sjellë të plotë një gjykim rreth gjëndjes së krijuar në vënd
nga administrata në fuqí ku politikani gjerman thotë se populli shqiptar e njeh
situatën dhe … ( ja si vijon integralisht
intervista) :
“ … Pra të
luftohet korrupsioni në shoqërinë shqiptare, të luftohet krimi i organizuar dhe
të sundojë shteti juridik si në gjyqësi ashtu edhe në shëndetësi. Që të mos shkojë dikush të blejë me para një shërbim
të mirë shëndetësor duke i anashkaluar të tjerët dhe që proceset gjyqësore të mos
influencohen nga asgjë tjetër, veç normave juridike … Njerëz që e njohin situatën
juridike në Shqipëri thonë se është krijuar përshtypja se ka një drejtësi për
disa politikanë të përzgjedhur dhe një tjetër për shqiptarët e thjeshtë. Para
ligjit dhe drejtësisë të gjithë duhet të jenë njësoj.” E në fund ky politikan gjerman shton edhe
pohimin kulmor sa i takon Bashkimit Europian, (i cili sinqerisht që na dëshpron
tej mase), kur thotë : “… Shqipëria nuk
ka arritur aq sa për t’u bërë kandidate.”
Sa janë shkruar
në thonjëza janë fjalët e diplomatit gjerman.
Pyetja e ime drejtuar replikueses, eventualisht z-ës/z-shës Sara Golemit
është : Kam unë mangësí informacioni si
dhe nuk e kuptoj gjuhën diplomatike, apo ju, që aktualisht flisni si kompetente
e fushës … citoni vetëm pjesë fjalishë, flisni diplomatikisht dhe mbase shikoni gjëra që unë
nuk jam në gjëndje t’i kuptoj
edhe t’i ndjek ?
Pavarësisht
nga e vërteta, por i prirur që problemi i territorit ÇAMËRI të trajtohet drejtësisht
dhe vetëm ashtu si i takon, do t’a nis pjesën në vazhdim, sipas këndvëshrimit
Confuc-it edhe me dy aforizma njerëzish të famshëm të cilat e plotësojnë njeratjetrën
më së miri dhe mirë është të theksohen jo në gjuhë diplomatike :
Nobelisti
indian Rabindranad Tagora ka pohuar : “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e
kaluara duke e ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhëshme. Ai ësht’i destinuar të zhduket”.
Kurse
shtetári i madh, Sir Winston Churchilli, e ka thelluar akoma më tej aforizmën e parë duke
pohuar se “ Sa më thellë arrihet të shikohet në të kaluarën, aq më larg shikohet në të ardhmen.”
ZANAFILLA
E PROBLEMIT GENOCIDI GREK NDAJ POPULLATËS ÇAME
I a
fillova pikërisht me këta dy pohime madhore sepse e ndjej të nevojëshme, ndërmjet
disa paralelizmave, të vij duke e ngushtuar rrethin e të hedh dritë mbi fakte si
edhe të vërteta historike të cilat kombin tonë e kanë goditur herë pas here e
madjé edhe rëndë !
Genocidi
grek ndaj popullatës Çame, i ushtruar në mënyrë të skajëshme përgjatë periudhës
kohore mes viteve 1913 deri më 1944, merr një rëndësi të madhe i shqyrtuar si
pjes’e pandar’e masave të marra nga qeveritë greke ndaj popullatës autoktone
shqiptare, muslimane apo orthodokse qoftë, banuese e territorit gjeografik të quajtur
ÇAMËRI. Nuk do të hyjmë e të rikujtojmë
fakte e dëshmira të pafundme trashëguar nga bashkëkohësit e atyre viteve
gjakatare, të shpëtuar gjallë e që me dëshmit’e tyre emrore si për fshatra të djegur
e gjithashtu me lista emrore viktimash të pafundme, e bëjnë sa të trishtë historin’e
popullatës çame banuese e atyre trojeve etnike shqiptare, por edhe janë dokumente
të pashlyeshme për t’a gjykuar shkencërisht atë periudhë historike të kombit
tonë. Të gjitha këto, të mbledhura e të dokumentuara, përbëjnë arkivin që eventualisht
do të duhej t’u paraqitet si O.K.B.- së e gjithashtu edhe vetë drejtuesve të Greqisë.
Mirëpo pikërisht këtu fillon e keqja e madhe: Shteti Grek, nëpërmjet drejtuesve
të tij nuk pranon asnjë ballafaqim historik shkencor lidhur me problemin çam. Këtu
tashti edhe ajo Nyje Gordiane e problemit çam që duhet analizuar dhe ku do të hedhim
sado fluturimthi dritë rreth gjëndjes, shanseve, interesave të ndërsjella si
edhe gabimeve të vërtetuara e që po vazhdojn’e vërtetohen akoma sot nga ata që u
ka rënë për pjesë t’a trajtojnë problemin ÇAMËRI ! E pikërisht që këta gabime të mos përsëriten
më ... vazhdojmë me këtë analizë.
Ka edhe
një varg studjuesish grekë, si p.sh. zonja Elefteria Manda ose zoti Jorgos
Margaritis, që krimet e pashëmbullta si edhe çpopullimin e territoreve çame i
kanë krahasuar me genocidin nazist ndaj hebrenjëve! Kjo pak por e saktë. Ata
janë mbështetur në pohimet e tyre duke e marrë zanafillën tek masakra e pabesë e
72 krerëve të Çamërisë nga famëkeqi kapiten Deli Janaqi tek përroi i Selanit në
Paramithí, e duke vazhduar me ligjin famëkeq të Reformës Agrare q’e ligjëroi
plaçkitjen e trojeve çame nga ana e grekëve ! Si u realizua ai plan djallëzor
dhe ato troje shqiptare u bënë pré e tyre ? Plumbi, hanxhari si edhe zjarri qenë
faktorët fillestarë si edhe parakushtet vendimtarë q’e sheshuan rrugën për shpërnguljet
masive të popullatës çame nga territori i quajtur ÇAMËRI për në tokat e shkreta
të ANADOLLIT! Vazhdimi nuk qé gjë tjetër veçse zbatimi i t’ashtuquajturës
reformë agrare e emërtuar “apallotriosis”, që në shqip do të thotë “TJETËRSIM” ! Këtu duhet kërkuar dhe “kyçi” i problemit. Nacionalistët e mirëfilltë, të brumosur me mësimet
e kësaj kategoríe shoqërore, ndërmjet tjerave nuk konformohen dot as me
apallotriosis-in, këtë xhvatje pasurije që qeveritë greke ushtrojnë ndaj
arvanitasve autoktonë në ÇAMËRI ! E pikërisht këndvështrimi ndaj kësaj dukuríje marrëdhënjesh
shoqërore në fushën ekonomike i shquan
dukshëm kategorinë e cila sot në Shqipëri emërtohet koka të nxehta nacionaliste
si edhe pseudopatriotë, nga ata që përgjatë diktaturës ishin partizanët e
internacionalizmit proletar kurse sot mendojnë se e drejtojnë politikën e
jashtme shqiptare me diplomací të mirëfilltë duke na ftuar të kemi durim derisá
të pranohemi në Bashkimin Europian ! (E
kaq pa i a hyr’e trajtuar pastaj
problemet me të cilat ballafaqohen
drejtuesit e shteteve anëtare të B.E-së).
Po nga
ana statistikore vallë, si qëndron çështja ? U theksua që në hyrje se nuk do të
hyjmë në hollësira por veç do të trajtohen parimet si edhe përvoja që duhet
nxjerrë, duke patur në themel idénë rreth gjakderdhjes shoqëruar me shpërngulje
masive të dhunëshme. Mbështetur në dokumenta
historike autorësije greke të P. Aravantinos-it të shekullit XIX-të, raporti i
popullsisë ÇAMËRISË paraqitej si vijon: 97.3% popullatë shqiptare dhe 2.7% popullatë greke. A nuk mjafton vetëm kjo shifër e thatë statistikore
të hedhë dritë të mjaftueshme dhe të bëjë që logjika e ftohtë të kuptojë pse
autoritetet greke si qeveritare, e pastaj mbas tyre edhe shkencëtarët historianë
konformistë , kategorikisht u shmangen ballafaqimeve ?!
EGOIZMI I
FUQIVE TË MËDHA DHE RRJEDHOJAT QË KONKRETISHT PASUAN
Ndalemi
tashti dhe e shikojmë me mbrapavështrim situatën nisur nga si u krijuan kushtet
historike që grekët ndoqën këtë rrugë krimi djallëzore që gjëndja arriti këtu
ku është ! Së pari dhe mirëfilli, duhet t’a kemi të qartë se sa herë që të drejtat
tona kanë pas qenë nëpërkëmbur, ose edhe kur kemi pas qenë ndihmuar nga Fuqit’e
Mëdha, asnjera syresh nuk na e ka pasë blatuar këtë “për hatër tonin”, as edhe
mohuar për “inat ndaj nesh”. Gjithmonë ka
qenë në mes interesi i secilës fuqi vënë në plan të parë ! Po sjell një shëmbull tipik interesash të tilla
i cili nuk ka nevojë për asnjë koment. Simbas studjuesit me famë botërore Franz
Bop, gjeneralit francez Xhentili, Napoleon Buonaparti i dërgoi një letër ku
theksonte : “... Është në interesin e Republikës që Ali Pasha Tepelena t’i mundë
të gjithë rivalët e tij që të bëhet i aftë t’i shërbejë Republikës ...” I mbështetur
në gjithë faktet si edhe dokumentat e studjuara të asaj kohe, historiani Edwin
Jacques pastaj nxjerr përfundimin : “... Lojën e dinakërisë Ali Pashai e dinte
fort mirë. Në marrëdhënjet e tij me Francën
ai nuk synonte t’i bënte shërbime Republikës Franceze, por që kjo e
fundit t’i shërbente atij !”
Me këtë i
a vlen të sillet në plan të parë pohimi madhor i humanistit mëndjendritur Baba
Rexheb-it i cili pohonte se “Kur egoizmi madhor i kalon kufinjtë personalë dhe
shtrihet në atë shtetëror, ballafaqohemi me të këqija të pamenduara nga mëndja
e njeriut”!
I
analizojmë tashti nga ky këndvështrim interesat e ndryshëme shtetërore të asaj
kohe që e çuan njerëzimin drejtë Luftës së I-rë Botërore.
Konferenca
e Londrës e 1912-1913-tës vetëm se ballafaqoi e kundërvuri projektet
kolonialiste sllavo-greke ndaj projektit etnik shqiptar. Cili ishte qëndrimi i
fuqive të mëdha ? Interesat e fqinjëve tanë territorialë, interesa këto kryekëput
grabitqare dhe kriminale të tyre, u mbështetën nga Franca si edhe Rusia. Lind
natyrshëm pyetja përse Franca e mbështeste politikën ruse? Sepse Franca e donte
nga ana e saj përkrahjen e Rusisë nga që e kishte si kundërvënje Gjermanisë, (me
të cilën ndante pjesë të madhe kufiri territorial të sajin), dhe Austro-Hungarisë.
Po kjo e fundit ç’qëndrim mbante? Ishte e vetmja që na doli zot sepse interesat
kundra-ruse të saja bënë që ajo t’i mbështeste interesat shqiptare. Kurse
Rusia, jo vetëm për interesat e saja pansllaviste që kishte, por për vetë objektivin
e saj të kishte mbështetje për të dalë në Mesdhé, automatikisht ishte kundra
formimit të një shteti të pavarur shqiptar ! Nuk kam tashti se si mos t’a përqëndroj
vëmëndjen tek Anglia të cilën, falë politikës së saj, atdhetari i shquar, (më falni,
ajo kok’e nxehtë pseudopatrioti), Patër Gjergj Fishta e kishte quajtur, KURVA E
MOTIT, duke e sjellë këtu pohimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë Sir
Edward Grey, i cili integralisht pohonte: “... Objektivi kryesor i konferencës,
(së Londrës – M.K.), ruajtja e marrëveshjes dhe mirëkuptimit mes Fuqive të Mëdha,
u arrit ...” ! Kurse simbas opinionit
tonë modest, pikërisht ajo barazpeshë nuk u arrit ! Ajo konferencë famëkeqe qé zanafilla
e atij genocidi barbar grek kundra popullatës etnike Çame si edhe atij sllav
kundra etnísë Shqiptare veriore, ku fuqit’e mëdha bënin sehir duarkryq shitjen
e interesave shqiptare, ndërlidhur këto me krime e masakra të paimagjinueshme,
për t’ashtuquajturën barazpeshë ndërkombëtare në viset ballkanike !
Duke
vazhduar tashti të përqëndruar në temën që sot trajtojmë, qëndrimin grek ndaj
popullatës Çame, kërkojmë mbështetje edhe tek humanisti si edhe letrari e
kritiku i shquar shqiptar, Faik Konica, i cili i qé drejtuar asokohe
kryeministrit të Britanisë së Madhe duke i thënë qart’edhe shkoqur se “... Ne,
shqiptarët, kemi frikë vetëm nga grekët, me qenë se ata kanë një armë të hatashme,
shumë të fortë, DINAKËRINË !”
Po
historia çfarë provoi? Mospërfillja si edhe nëpërkëmbja e interesave shqiptare
në Ballkan, jo që nuk solli barazpeshë ndërkombëtare në këto krahina si edhe më
gjerë, por vetëm se solli ngatërresa, ndërlikime ndërkombëtare e asgjë më shumë.
Cili ish
themeli i Luftës së Parë Ballkanike ? Sërbia e Mali i Zi nga Veriu si edhe
Greqia nga Jugu, kishin si objektiv ndarjen mes tyre të territoreve etnike
banuar historikisht nga shqiptarë ! Ja, kjo e gjitha me pak fjalë ! Edhe vetë shpërthimi
në vazhdim i Luftës së I-rë Botërore, si pasoj’e vrasjes Franc Ferdinandit në Sarajevë,
e fakton tensionin e krijuar në Ballkan !
NJË VËSHTRIM
RRETH MJEGULLNAJËS VITEVE 1941-1944 SI EDHE NË VAZHDIM
Nacionalistët
shqiptarë “en block”, kishin të njajtat pikëpamje si edhe qëndrime ndaj politikës
greke lidhur me popullatën çame. Edhe kjo pak por e vërtetë si drita e diellit.
Bilé në rezolucionin e Mbledhjes së Mukjes të datës 1 Gusht 1943, pika “2” e
vendimeve të marra formulohet si pason:
2: Luftë për
një Shqipëri të pavarur, për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar
nga Karta e Atlantikut të vendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike.
U hedhim
tashti një sy zhvillimeve në dy anët e kufirit shtetëror Shqiptaro-Grek. Shteti
Shqiptar u garantonte të gjithë banorëve "grekofonë” jo vetëm lejimin e përdorimit
të gjuhës së tyre por edhe shkollimin në po gjuhën e tyre greke. Këto doemos mbështetur
në konventat ndërkombëtare. Bilé gjatë regjistrimeve të popullatës ata
njiheshin si banorë shqiptarë por me kombësí greke. Kurse nga ana tjetër e
kufirit, jo që nuk u lejohej çamëve ORTHODOKSË të flisnin shqip, pa lé të kishin
shkollat e tyre në gjuhën shqipe. Por kulmi është se ata edhe sot as nuk i kanë
të drejtat e tjera qytetare si vendasit grekë !(???) Përgjatë kësaj hullíje nuk
kanë se si të mos përmënden dhe qëndrimet e P.K.Sh. gjatë luftës dhe pas saj: Fillimisht
përplasja fytyrës Enver Hoxhës nga ana e Miladin Popoviçit i rezolucionit të Konferencës
Mukjes dhe mosnjohja në vazhdim, me urdhër të po Enver Hoxhës, të atij
rezolucioni. Vlerësimi fillimisht si heroik i luftës së Batalionit Çamëria në L.N.Çl.
i komanduar ky nga komandanti Rexho Plaku, e në vazhdim fillë pas çlirimit, dy
burgosjet e Rexho Plakut si edhe internimet e tija familjarisht për 27 vite me
radhë ! Pa lé servilizmi ndaj shtetit grek ku jo vetëm që nga njera anë sajohet
e fryhet komploti absolutisht i paqenë i gjoja grupit çam të Teme Sejkos, e nga
ana tjetër përfaqësuesja e minoritetit grek Vitori Çuri emërohet zv/kryetare e
Kuvendit Popullor. Kaq, sado fluturimthi, rreth së kaluarës.
Hedhim
tashti dritë rreth zhvillimeve të sotme në Greqi sa i takon asaj pakice çame
orthodokse krejtësisht e “paqenë dhe e asimiluar”. As ndihet se ësht’e gjallë,
kurse tek ne në Shqipëri jo vetëm që kemi Krye-Peshkopin puro grek, por ai po
hamendëson ndërtime kishash greke orthodokse edhe në Peqin ose Kukës ku
historikisht nuk ka patur asnjë herë këmbë orthodoksi ! Pse ? Fare e thjeshtë. Të lihen pas vetes ato që emërtohen gjurmë arkeologjike
! Kjo që në të ardhmen, (ç’janë disa dhjetravjeçarë para
historisë shekullore), Greqija të ketë “dokumenta arkeologjike” lidhur me
etnicitetin e trojeve greke aty ku shqiptarët pretendojnë autoktoní ! Nga ana
tjetër refugjatëve shqiptarë në Greqi u bëjnë trysní gjithëdrejtimëshe dhe vetëm
marrja nga ana e tyre e nënshtetësisë greke i bën pastaj të rregullojnë një farë
standardi jetese në Greqi. Palé që brënda Shqipërisë, elementë aktivë grekë, u
propozonin qytetarëve shqiptarë si pa të keq që, mjaft të nënshkruanin, dhe të merrnin
pensjon pleqërie grek, (pa pasë punuar një ditë për person, pa le për
institucion, grek !(?)
Po nga
ana e jonë e barrikadës çfarë po ngjet? Një papërgjegjësí e skajëshme sa u
takon qëndrimeve me Greqinë si edhe më gjerë. Jo vetëm që pranohet të hapen
shkolla e universitete greke në Shqipëri, por edhe kur Presidenti i Greqisë pati
deklaruar publikisht se nuk ekziston problem çam, si Presidenti Mojsiu edhe
Kryeministri Nano: Heshtën në tribunë në syt’e tij si edhe të popullit që dëgjonte
!(?) Nuk mjaftoi kjo por në vijim të kësaj hullíje, ministrja e Jashtëme e
Greqisë, zonja Dora Bakojannis bëri të pamundurën t’a ndalonte vizitën e Presidentit
Karolos Papulias të vinte në Shqipëri me rastin e inaugurimit të Kolegjit
ARSAKEJO ! Përse? Sepse u trembej demonstratave eventuale çame!
Po
qeveria jonë ? Në vënd t’u qëndrojë pranë refugjatëve tanë në Greqi, t’i ftojë të
votojnë në Atdhe, etj., me mosinteresimin e saj praktikisht i shtyn të marrin
kartën e homogjenitetit greke e cila u krijon lehtësira si qytetarë grekë. (Jo se del nga tema, por nuk po zgjatemi
rreth diplomacisë trajtimit çeshtjes
Kanalit Korfuzit).
Pa lé që qeveria
shqiptare nuk duhet të heshtë për asnjë çast lidhur me dy probleme madhorë të cilët
vetëm në rrugë institucionale mund të gjejnë zgjidhje :
1-Problemi
i kthimit të pronave çamëve të cilat me zbatimin e apallotrosios-it (tjetërsimit
të pronës) i u rrëmbyen pronarëve legjitimë çamë dhe u përvetësuan nga grekët.
2-Kthimi
i çamëve në pronat e tyre në zbatim të të drejtave legjitime të tyre të sanksionuara
nga O.K.B.-ja.
Së fundi,
përgjatë këtij vrojtimi dhe radhitje faktesh historike, nuk heshtim dot pa e
theksuar se sipërfaqja e atij territorit gjeografik të quajtur ÇAMËRI kap një sipërfaqe prej 10.000 km2 e pra baraz
me 35.7 % të së gjithë Shqipërisë !
Si pasojë
pra, nuk kishin se si të mos na dëshpronin skajshëm deklaratat zyrtare të ministrit
të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Zotit Edmond Haxhinasto, si për Kosovën edhe
Çamërinë !
E keqja është
se përgjatë diktaturës i u ra fyellit për dyzet’e shtatë vite me radhë lidhur
me internacionalizmin proletar e ajo periudhë kohore gjysëmshekullore e shojti
krenarínë tonë kombëtare ! Prandaj nuk i shmangemi dot pohimit se si orientimi
më i dobishëm i shtetarëve tanë duhet të jetë t’i nuhasin e pastaj edhe t’i
shfrytëzojnë sa më në interes të kombit rrethanat, kur interesat tona kombëtare
përputhen me ato të më të mëdhenjëve ! Shëmbull i cili nuk duhet harruar në asnjë mënyrë
qé goditja që i bënë forcat e NATO-s Sërbisë
si agresore ndaj Kosovës në muajin Mars të vitit 1999 ! Kurrë të mos e harrojmë se si “... Lojën e dinakërisë Ali Pashai e dinte
fort mirë. Në marrëdhënjet e tij me Francën
ai nuk synonte t’i bënte shërbime Republikës Franceze, por që kjo e
fundit t’i shërbente atij !”
Për këtë qëndrim
kanë nevojë sot Shqipëria, Kosova si edhe problemi çam, përbërës të problemit të
përgjithshëm kombëtar !