| E hene, 24.03.2008, 03:37 AM |
ME RASTIN E KREMTËS SË PASHKËVE:
Në kishat braziliane lutje dhe bekime speciale për Republikën dhe Popullin e Kosovës
Veprimtari e shkrimtari i mirënjohur kosovar – Engjëll Koliqi, si një ambasador i mirëfilltë, po depërton në të gjitha shtresat shoqërore të vendit tonë, me kërkesat për përkrahjen e vendit dhe të popullit të tij, në fazën më të rëndësishme të historisë së atij vendi, që dikur ishte Dardania e njohur. Ai në Javën e Shenjtë (Java e Madhe – siç thuhet në Kosovë) dhe në kremtimin solemn të Pashkëve, në vendin tonë siguroi lutje dhe bekime, për vendin e tij, nga besimtarët dhe klerikët – deri te Kardinali Ynë – Lartmadhëria e Tij Serafim Fernandes de Araújo.
Nga Caio WERNECK
Belo Horizonte, 24 mars 2008. – Mbas hapjes së mrekullueshme të konferencës ndërkombëtare, kushtuar luftës, organizuar nga Universiteti Papëror Katolik i Minas Geraisit, në Belo Horizonte, veprimtati i denjë dhe i devotshëm i Kosovës Dardane – Engjëll Koliqi, edhe në kremtimin dhe ritet e Javës së Shenjtë dhe të Pashkëve, nëpër kishat tona u fut me Flamurin e Republikës së Kosovës dhe denjësisht "nxori" lutje e bekime speciale për Shtetin dhe Popullin e Kosovës, nga besimtarët dhe klerikët tanë, përfshirë edhe Kardinalin e Minas Geraisit – Lartmadhërinë e Tij Serafim Fernandes de Araújo.
Caio WERNECK
Të Enjtën e Madhe, Z. Koliqi ishte i ftuar special në ceremoninë e Darkës së Fundit të Jezu Krishtit me apostujt, në Kishën e Shën Pjetrit në Belo Horizonte, ku famullitari At José Carlos Vieira Trópia i ka ftuar besimtarët që të lusin për përparimin e shpejtë të gjithëmbarshëm të shtetit më të ri në botë – Republikës së Kosovës. Të gjithë kanë lutur dhe kanë përshëndetur përfaqësuesin kosovar në mesin e tyre – veprimtarin e devotshëm Engjëll Koliqin, i cili i ka falënderuar në emër të mbarë popullit të tij, duke siguruar se Kosova do të jetë një shtet shembull i demokracisë së mirëfilltë dhe i tolerancës mes popujve dhe besimeve të ndryshme. Qindëra besimtarë, mbas falënderimit të Tij, në shenjë solidarizimi kanë duartrokitur frenetikisht për Republikën e Kosovës.
![]() |
Flamuri i Republikës së Kosovës bekohet në altar, gjatë Meshës së Mesnatës së Pashkëve |
Në Meshën Solemne të Ngjalljes së Jezu Krishtit (në Meshën e Mesnatës), në Famullinë e Shën Margaritës Maria Alakokue (Santa Margarida Maria Alacoque) ambasadori faktik i Kosovës në vendin tonë (edhepse atij nuk i pëlqen cilësimi ambasador), ishte i ftuar special. At Tiago dhe famullitari – At Philippe Jacques Barrucand e ftuan Z. Koliqin në altar. Mbasi një zonjë lexoi një lutje speciale për popullin e Kosovës, ia dha fjalën Z. Engjëll, i cili tha se aty ku ishte Dardania Antike, me mbi 110 mijë kilometra katrorë, tashmë përfundimisht u bë Republika e Kosovës me rreth 11 mijë kilometra katrorë – një shtet i vogël, por shumë domethënës për paqen e qëndrueshme në Ballkan dhe shembull tipik i demokracisë dhe drejtësisë së mirëfilltë njerëzore në botë. Me shembullin e bijës së Tokës së Kosovës, që mbarë bota e thirri Nënë – Nënë Terezës – ka thënë Ai – populli i Kosovës ka gjetë fuqinë t'i falë të gjitha ata që e kanë shtypur dhe martirizuar deri në gjenocid, por nuk do të lejojë kurrë më dhunë as gjakderdhje mbi tokën e vet, që tashmë është e paprekshme dhe e vulosur, edhe me hartën në flamur.
![]() |
Engjëll Koliqi, gjatë ritit të Darkës së Fundit, Të Enjtën e Madhe, në Kishën e Shën Pjetrit |
Famullitari pastaj ka bekuar Flamurin e Republikës së Kosovës, shoqëruar me duartrokitje frenetike të qindëra besimtarëve, që ishin të pranishëm në kremtimin e ringjalljes së Jezu Krishtit. Ai ka thënë se së shpejti nga zyrtarë të Kishës së Minas Geraisit, në emrin e të gjithë besimtarëve, do t'i dërgohet Qeverisë Federative në Brasilia kërkesa për njohjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës. At Philippe ka shprehur gatishmërinë, që pranë kësaj famullie të organizoj promovimin e librit të Engjëll Koliqit "Nënë Tereza – një dashuri e pakufijshme", me praninë e Kardinalit tonë, i cili e ka shkruar parathënien e këtij libri. Autori, duke pranuar me kënaqësi këtë propozim, ka thënë se duke parë veprimtaritë e guximshme sociale e humanitare të Komunitetit të këtushëm "Ecja e re" që ngjajnë në ato të Misionareve të Dashurisë, do të dëshironte që ky komunitet fetar të shtrinte veprimtarinë edhe në vendin e tij.
![]() |
At José Carlos Vieira Trópia përqafon Z.Koliqin, duke i ururar Pavarësinë e Republikës së Kosovës |
![]() |
E. Koliqi, të Premten e Madhe, me Eminencën e Tij Kardinal Serafim Fernandes de Araújo |
![]() |
E. Koliqi, duke folur për Republikën e Kosovës, me famullitarin José Feliciano da Costa Simões në Ouro Preto |
![]() |
Në kishën famullitare të Shën Margaritës Maria Alakokue, Flamuri i Republikës së Kosovës bekohet në altar, gjatë Meshës Solemne të Mesnatës, Dr Vera Lúcia Alves Neves shpjegon simbolikën e Flamurit |
![]() |
Engjëlli duke ndezë qiriun (Dritën e Krishtit), në Meshën e Mesnatës |