| E hene, 07.05.2012, 12:35 PM |
Historia e vajzës së Institutit “Nana Mbretneshë”
Nga Meri Lalaj
Ganimet Gjilani (Fratari): Ato qenë dy motra Ganimeti dhe Fazileti. Babai i tyre, Avni Gjilani, pat ardhur që fëmijë i vogël në Shqipëri nga Gjilani i Kosovës në kohën e përndjekjeve serbe. Të dyja motrat së pari ndoqën Institutin “Kyriaz” të motrave Qiriazi në Kamëz dhe pastaj Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” duke qenë nën kujdesin dhe dashurinë e të gjitha shoqeve të shkollës si vajza me prejardhje kosovare, por edhe ato nga ana e tyre i deshën fort shoqet gjatë gjithë jetës. Ganimeti shquhej në të gjitha veprimtaritë artistike të shkollës sidomos në manifestimet e fundvitit. Ajo mbaroi shkëlqyer Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” dhe pas diplomimit iu dha e drejta për të vazhduar studimet në njërin nga universitetet e Italisë bashkë me shoqen e saj Musine Kokalari. Ndërkohë Ganimeti fejohet dhe martohet me Rauf Fratarin, birin e patriotit të mirënjohur të Mallakastrës, Hajredin Fratari, i vrarë nga forcat rebele të Haxhi Qamilit. Bashkëshorti i Ganimetit, Raufi, duke qenë ushtarak pat shërbyer në Gardën Mbretërore të Mbretit Zog. Kështu që gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Rauf Fratari krijoi lidhje me Abaz Kupin duke e shoqëruar në Konferencën e Pezës në shtator 1942 dhe në Konferencën e Mukjes në shtator 1943. Edhe pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, Raufi qëndroi pranë Abaz Kupit dhe duke qëndruar në këtë krah të luftës ky ishte shkaku që më 27 nëntor të vitit 1944, ai largohet nga Shqipëria për t’i shpëtuar hakmarrjes së komunistëve. Tani Ganimet Fratari mbetet fill e vetme me dy fëmijë të vegjël për të rritur vajzën, Sabire dhe djalin Hajredin, që mban emrin e gjyshit martir. Ganimeti gjeti mbrojtje tek familja e babait të saj, Avni Gjilani njëri nga personalitetet e Luftës Nacionalçlirimtare.Nëna e saj Sadija dhe vëllai Feti, Për Ganimetin tani e tutje filloi një jetë tjetër, ajo vazhdimisht duhej të qëndronte nën hije e padukshme për të shpëtuar nga internimet si bashkëshorte e njeriut që
ishte shpallur kriminel lufte. Ganimeti asnjëherë nuk punoi në arsim në profesionin për të cilin pat kryer shkollimin, po ashtu ajo dinte disa gjuhë të huaja edhe gjuhët nuk mund t’i jepte si mësim, vetëm se falë edukimit në atë Institut, falë lëndës së ekonomisë shtëpiake ajo u bë e zonja që të priste e të qepte rroba e kështu me duart e saj ushtroi në heshtje profesionin e rrobaqepëses për të ushqyer, rritur dhe shkolluar fëmijët.
Kurrë më nuk e takoi bashkëshortin, Rauf Fratari, të cilin e vrau dora e Sigurimit të Shtetit atje ku ndodhej i arratisur në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Ganimeti jetonte me zemrën e copëtuar për të parë Kosovën, vendlindjen e të atit, me brengën që po rriste dy jetimë me babën gjallë (dramë që u përjetua nga sa e sa gra të Shqipërisë), por provoi edhe më të vështirën kur birin e saj të vetëm, Hajredinin ia futën në burg në vitin 1978. Ganimeti u detyrua për dhjetë vite me radhë të ndjekë të birin nga njëri burg në tjetrin.
Ganimeti pat qenë shoqe klase me Musine Kokalarin dhe njëherë pas shumë e shumë vitesh kur mori vesh se Musineja ishte e shtruar në spital dhe vuante nga sëmundja e pashërueshme, ajo vajti për ta takuar, Musineja u gëzua shumë kur e pa, por kishte frikë se mos i ndodhte ndonjë e keqe sepse ajo përgjohej vazhdimisht nga sigurimsat dhe fjalët e saj ishin: “Ik, pse erdhe moj Ganimet, ik se do të shohin!” Ishte koha e përgjimeve.
Ky ishte fati i trishtë i njërës prej vajzave që kryen Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”, që patën aq shumë ëndrra për jetën, për të ardhmen dhe që e deshën aq shumë Shqipërinë. Ganimeti nuk jeton më, por ky është një nderim për një grua të mençur të thjeshtë shqiptare.