Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fitnete Gruda: Fëmijët nuk janë lodër e politikës!

| E premte, 21.03.2008, 11:01 AM |


Fëmijët nuk janë lodër e politikës!

Nga Fitnete Gruda
    
Ngjarja e Gërdecit është tragjike dhe shumë e dhimbshme. Kur është e tillë për ne qe vetëm e dëgjojmë, sa e sa e dhimbshme është për ato që e kanë përjetuar dhe kanë humbur njerëz. Mirëpo në gjithë këtë situatë dëgjohen thirrje të opozitës për dorëheqje të qeveritarëve duke e lidhur me komente te vazhdueshme se në fabrikë kanë punuar fëmijë. Të kenë punuar fëmijë nuk është aspak mirë por ku ishte para ndodhjes së kësaj ngjarje opozita? Pse nuk e denoncoi këtë fenomen?! Opozita luan rol të madh në aspektin e zhvillimit të vendit. Ajo duhet të jetë shumë e vëmendshme dhe të ndikojë në zhvillimet e vendit nëpërmjet kërkesave ndaj qeverisë, përsëritjes së tyre në rast moszbatimi dhe kritikave për mosecuritë në drejtime të ndryshme të një qeverisje. Nëse fëmijët punonin aty, ajo zonë ka qeverisje vendore dhe në të ka edhe përfaqësues të opozitës. Këto të fundit duhet të nginin zërin pasi flitej për të drejtat e fëmijëve. Fakti që deri tani askush nga opozita nuk është ndjerë do të thotë që këtu nuk bëhet fjalë thjesht për të mbrojtur fëmijët, por është diçka shumë më e thellë se kaq dhe më e rëndësishme për to, diçka politike. Këto politikanë janë parë vetëm në ditë festash tek mbledhin fëmijë të rrugës apo jetimë. Kush u kujtua të bëj diçka për këto fëmijë në ditë normale, të ndryshojë sadopak jetën e tyre?!!! Në rastin në fjalë dhe nëse vërtet do kishin kërkuar më parë mbrojtjen e këtyre fëmijëve, në këto ditë të dhimbshme nuk duhet të merren me këto thirrje, por të ndihmojnë në të gjitha mënyrat e mundshme për të ndihmuar këta njerëz. Fakti që është e kundërta nuk kanë të drejtë morale para këtyre njerëzve të bëjnë komente në favorin e politikës së tyre. Opozita duhet të jetë më humane, të lehtësoj dhimbjet dhe jo të ngacmoj plagët e këtyre njerëzve të dëmtuar jo vetëm ekonomikisht, fizikisht por edhe me humbje jetësh. Të gjithë dëshirojmë dhe kërkojmë që fëmijët të mbrohen, të respektohen të drejtat e tyre. Por në këto momente, pozitë dhe opozitë të bashkëpunojnë për të ndihmuar këta njerëz, të gjejnë mundësitë që fëmijët e këtyre familjeve të vazhdojnë shkollën. Politikanët gjithmonë le të mendojnë më shumë për shkollimin e fëmijëve, për të ngritur kënde lodrash dhe sportive, të punësojnë prindërit e tyre dhe jo kur tu duhen t’i përdorin ato (fëmijët) për të realizuar lojëra politike. Fëmijët nuk janë lodër e politikës. Askush mos harrojë se, siç është formimi i brezit të ri sot, do jetë e ardhmja e vendit nesër.

Autorja është Drejtoreshë e shkollës “Gjon Buzuku”, Tiranë

Burimi: Gazeta 55