Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sinan Sadiku: Përjetimet dramatike dhe mbijetesa e shpresës të përjetuara në vargje

| E enjte, 26.04.2012, 06:45 PM |


PËRJETIMET DRAMATIKE DHE MBIJETESA E SHPRESËS TË PËRJETËSUARA NË VARGJE

Fehmi Ajvazi “Porta e hapur”, botoi  “Bota e re” Prishtinë 1995, fq 60

Nga Sinan Sadiku

Njëri ndër poetët më të talentuar i cili para lexuesit doli me librin e parë gjatë viteve nëntëdhjetë është Fehmi Ajvazi. Librin e tij     titulluar “Porta e hapur” e botoi gazeta e studentëve të Universitetit të Prishtinës “Bota e re” në vitin 1995.  Është ky njëri ndër librat më të mirë poetik të botuar në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit që lamë pas. I ka gjithsej 38 poezi të ndara në tri cikle: “Ky s`është fati ynë”, “Kush je ti”, dhe “Mes tri deteve”. Po ashtu në kuadër të librit  janë edhe tri ese poetike të cilat janë të lidhura me poezitë, pra i plotësojnë ato dhe e kompletojnë veprën si tërësi.

Temat bosht të librit janë fati dhe fatkeqësia kombëtare, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e tij. Përmes simboleve, metaforave, përsëritjeve dhe në përgjithësi përmes gjuhës specifike të poezisë autori na flet për të kaluarën e populli tonë, e kaluar kjo e lavdishme në antikë dhe në epokën e Skënderbeut, por e mbushur përplot me vuajtje, tragjedi, tmerre, luftëra, pushtime të njëpasnjëshme nga barbarët gjatë periudhave të tjera historike, të këqija këto që e goditën duke i zhbërë qytetet, kështjellat, tempujt,  amfiteatrot, kulturën e bile edhe substancën etnike, përmes vrasjeve, dëbimeve etj. Duke qenë i preokupuar me gjendjen e rëndë  të kombit nën okupim, me “fisin e përgjakur” autori mediton, ëndërron, pyet, përpiqet të gjejë zgjidhje, të ndërtoj vizione, të jep sugjerime dhe të përcjell mesazhe. Këtë gjendje të kombit, pjesë e të cilit është edhe vet e përjeton në mënyrë dramatike me tërë qenien, me tërë intelektin me tërë shpirtin duke pasur dilema e herë herë edhe  frikë e pasiguri në përpjekjet e tij për ta zgjuar nga gjumi, për t`ia hequr gjarprin nga zemra dhe për ta mësuar se duhet vrarë ujkun. Të gjitha këto autori i materializon në poezitë e tij me një kreativitet dhe origjinalitet të lakmueshëm duke e shpreh botën e vet poetike, një botë kjo tipike  e krijuesit shqiptar gjatë viteve nëntëdhjetë, e krijuesit të shqetësuar  për fatet e kombit dhe të atdheut.

Rindërtimi i të kaluarës dramatike

Poezia e parë e kësaj vepre titullohet “Narona” . Nga historia e dimë se lumi i sotëm Neretva  i cili buron dhe rrjedh më së shumti  në Bosnje dhe Hercegovinë e disa kilometra i kalon edhe në Kroaci,  para se të derdhet në detin Adriatik, në antikë është quajtur Narona. Përveç këtij lumi në kohën antike në Dalmaci ka ekzistuar edhe qyteti Narona, një qytet mjaft i rëndësishëm i cili më vonë ka pushuar së ekzistuari. Te kjo poezi shihet se poeti e ka fjalën për lumin të cilin me qëllim e quan me emrin e tij  antik, lumë ky që ka buruar dhe ka rrjedhë në atë pjesë të Ilirisë. Kjo poezi me gjithsej shtatë vargje të ndara në dy strofa është ndër realizimet më të mira të librit përmes të cilës autori e fillon atë.

O lumë me trup në det

kah shkuan kolonat e të parëve të mi

Antika ku mbet

Janë vargjet e strofës së dytë, që njëkohësisht është strofa e fundit e kësaj poezie të shkurtër të cilat vargje  e shprehin dramaticitetin që thuajse në tërësi e përshkon këtë vepër. Poeti i drejtohet këtij  lumi dhe e pyet ku mbeti antika, ku mbetën banorët e hershëm të këtyre trevave, kah shkuan, çka ndodhi me ta? Nga leximi i poezive në vijim dhe i librit si tërësi shohim se antika në këtë vepër është simbol i idealizuar i një qytetërimi të lashtë, simbol i kulturës, i dijes, i të mirës, simbol i vlerave dhe i lirisë. Ajo sa është simbol i përgjithshëm, universal aq  është edhe simbol kombëtar. Me Antikën lidhet edhe Troja me emrin e së cilës është titulluar poezia e tretë e librit e cila fillon me vargjet “Troja është te këmbët tona / enigmë tradhtie”. Troja ky  simbol i tragjedisë,  i tmerrit që ka ndodhë dikur moti , por që autori e percepton se është duke ndodhë edhe në kohën kur e shkruan poezinë, sepse ai e ndien gjëmën, e sheh varrin, funeralin dhe konstaton se “Troja (është S.S.)/ varr i gjallë / kurrë i zhbirë”.  Te poezia “Udhëtoj kah ti” konkretizohen gjerat, bëhen më të qarta.

Bukuria të mori në qafë

ç`kishe për të shpëtuar

ta morën barbarët.

Lule libra qytete

nata trishtuese i mbuloi

Udhëtoj kah ti

të të kërkoj kohëve

Shpirt të të jap

zemër e dashuri

Pra barbarët duke i lakmuar bukuritë e këtyre trojeve i pushtuan ato, i morën lulet, i dogjën librat, i ndezën qytetet, ndërsa poeti udhëton nëpër kohë për ta rindërtuar këtë të kaluar, për t`i dhënë shpirt, zemër e dashuri. Kuptohet këtë e bënë përmes vargjeve. Kjo është poezi programatike, që e shpreh programin poetik të autorit, program ky që realizohet me përpikëri nga vargu në varg, nga poezia në poezi. Kur jemi te shkatërrimi i qyteteve, djegia e librave, vrasjet, plaçkitjet, ngushtimi i hapësirës kombëtare, te ndodhitë e së kaluarës që janë analoge me ndodhitë e kohës kur poeti i shkruante poezitë, pra që ndodhnin aktualisht ose pritej të ndodhnin në të ardhmen e afërt, të themi se autori i ka shpreh me formulime të zgjedhura,  plot dramaticitet si: “Fluturojnë mbi shtëpitë tona / grumbuj korbash / antikën verbojnë me lojëra” (poezia “Psalm në karantinë”) ose

Koha si një varr që brenda ka ngrica

copa lirie të prera me thikë

portrete zotash thyhen ndër prita

ti je Nata e Zezë humnera pa dritë

siç shkruan ai në strofën e pestë të poezisë “Lëngata e qyqeve”. Poeti është i dëshpëruar me fatin gjegjësisht fatkeqësinë kolektive, sepse “Gjithë ç’është shkruar për ne / është shkruar natën” (vargje të poezisë “Beso në frymën tënde”), ose “Lumturia i ka braktisur njerëzit e mi”, gjegjësisht “libri i ndaluar përsëri ta ha kokën” (vargje të poezisë “Imazhi për asgjënë”).

Megjithatë fajin për gjendjen në të cilën është katandisur njeriu i këtyre hapësirave, në të cilën është katandisur  populli nuk e kanë vetëm armiqtë, barbarët, por një pjesë të madhe të atij faji e kemi ne vet sepse

Liria rri aty ti ik prej saj

pelegrin i verdhë mjerim asgjë

zog i shqiponjës i lidhur me pranga

kulpër pluhur i bërë nga egërsia

asht e lëkurë i bërë nga robëria

shkruan ai në poezinë “Porta e mbyllur”, për të vazhduar te poezia “Popull”

Vraje ujkun vraje Kleopatrën

ti je amshimi im toka që e dua

ç`vlen liria pa ty dhe zoti

ç`vlejmë ne të dy pa lirinë

prandaj si të merresh vesh me mua

këndoje rrënjën tënde deri në qiell

dhe shpëtoje fisin e përgjakur

Pra pasiviteti , ikja nga liria, përgjumja janë disa nga  dobësitë tona që ia  kanë hap rrugën  robërisë, andaj janë domethënëse vargjet

Gushëpëllumb flatrat kush t`i preu

zgjoje nga gjumi etninë se s`të tretë dheu

Përkundër të gjitha këtyre të këqijave, përkundër pengesave të shumta, përkundër dobësive të brendshme poeti shpreson dhe beson se populli i ynë do të arrijë të çlirohet, ta fitojë lirinë. Kjo bindje e tij shprehet në poezinë “Epikë në zemër” dy vargjet e fundit të së cilës janë “Ka për të ndodhë loti i gëzimit / festa e Arbrit”,  ndërsa  te poezia “Ringjallje” që është e fundit në libër poeti nuk e ka asnjë dileme, është plotësisht i sigurt se liria do të vijë, bile mënyra si është shkruar lenë të kuptohet se ajo (poezia) e paraqet gjendjen e pas disa viteve kur liria tashme ishte bërë realitet.

Sado që shumica e librave të botuara në Kosovë qe tri e më tepër dekada, e kam fjalën për librat e mirë, janë tërësi të organizuara, janë jo përmbledhje poezish, po libra poetik, ky libër  dallohet edhe në këtë aspekt, nga se shumë poezi disi dalin më të zbehta, më të varfra në aspektin semantik dhe thuaja jo të plota po të veçohen nga tërësia, pjesë e së cilës janë. Vetëm në kuadër të tërësisë dalin  në pah, bëhen të dukshme rrezatimet e shumta semantike dhe estetike, shihen dhe shijohen vlerat e tyre.  Me këtë nuk dua të them se poezitë të veçuara nga libri nuk kanë vlera, sepse ato edhe si njësi janë të përpunuara, janë pjesë të finalizuara të një tërësie, disa  thuajse me vlera antologjike, porse në kuadër të tërësisë janë më të pasura, më të kompletuara veçmas në planin semantik.

Parashikimi i tmerrit dhe lirisë

Derisa poezia e parë “Narona” ka një intonim dramatik, intonim ky që vjen duke u shtuar derisa e arrin kulminacionin në disa krijime të tjera, poezia e fundit “Ringjallje” ka intonim solemn, sepse ka ngjarë ringjallja, është fituar liria. Pasi që nuk është e gjatë poezinë e fundit po e prezantojmë në tërësi:

Unë jam Liria ajo zonja e tokës

klithma e shqiponjës

Unë jam Iliria ajo zonja e detit

që i bëra ballë tërmetit

Mos më pyetni pse u vonova një mijë vjet

unë jam ajo zonja Iliria vet

Represioni shtetëror, burgosjet, kërcënimet, ringjallja e projekteve serbe për shfarosjen e shqiptarëve gjatë viteve tetëdhjetë ndikuan edhe në poezi. Një pjesë e saj u bë më dramatike. Disa nga poetët më të mirë duke i ndier dhe parandier shumë ngjarje tanimë e parashikuan katrahurën, krimin, gjenocidin, plojën që veç kishte filluar dhe do të kulmonte në fund të viteve nëntëdhjetë dhe në një mënyrë orvateshin t`i zgjonin njerëzit, që ata të lëviznin, të vepronin, të bënin diçka që armiku, gjegjësisht krimineli të mos i therte në gjumë. Ndër librat e tillë ku ka vetmi, frikë, ankth, vdekje, fatalitet, kob janë: “Lum lumi” (1982) i Ali Podrimjes, “Kënga e hutinit” (1986) e Azem Shkrelit, “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (1994) i Halil Matoshit etj. Fjalën e kam për disa nga librat më të mirë të shkruar gjatë viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë. Ky i fundit thuajse me përpikëri i ka parashikuar disa nga veprat më mizore të barbarëve të cilat mjerisht u jetësuan pas disa viteve. I afërt me këta libra për nga përjetimi dramatik dhe parashikimi i tmerrit që po vinte është edhe libri për të cilin jam duke shkruar. Ai në këtë aspekt dhe në elemente të tjera të poetikës qëndron në mes të disa librave të Podrimjes dhe librit të përmendur të Matoshit, duke qenë më i afërt me librin e këtij të fundit. Të mos keqkuptohemi Ajvazi e ka botën e vet, identitetin e vet poetik, botëkuptimet e veta dhe stilin e vet krejt të veçantë. Porse, se është i afërt me përvojat më të mira poetike, se ka përfituar nga ato përvoja, kjo është e vërtetë dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi.

Siç e shënova më lartë temë bosht e librit janë fati dhe fatkeqësia kombëtare, porse të lidhura herë më shumë e herë më pak me temën bosht janë edhe jo pak tema e motive të tjera, si fati i pa fat i Fatmires, kësaj vajze të bukur te poezia “Plakja e hershme”, dashuria te poezia “Intimë”, kthimi në vitet e fëmijërisë te poezia “Kthimi në lojën e fëmijërisë”, dhe jo pak tema që kanë të bëjnë me njerëzimin në përgjithësi, pra tema universale.

Njëra ndër poezitë më të bukura të librit është “Tupanet e Gjelinës”, një poezi interesante dhe e veçantë ku përshkruhen fati dhe përjetimet e një vajze të bukur në ditën që shkon nuse. Martesa e vajzës edhe në rastin kur ajo e ka zgjedh njeriun me të cilin do të bashkëjetojë, me zgjedhjen e së cilës janë pajtuar edhe prindërit dhe te afërmit e tjerë, përveç me gëzim përcillet edhe me vajë dhe lot, sepse ajo po ndahet nga njerëzit më të dashur me të cilët ka jetuar, me të cilët i ka nda të mirat dhe të këqijat, me të cilët e lidhin kujtime dhe përjetime të këndshme, po ndahet nga vendlindja, nga fëmijëria, nga lojërat dhe po shkon në një mes tjetër, të ndryshëm në të cilin mbase edhe mund të ketë vështirësi për t’u përshtatur. Kur martesa bëhet pa pëlqimin e vajzës, po dihet mungojnë si festa ashtu edhe gëzimi e vendin e tyre e zënë lotët. Te poezia e përmendur, Gjelinë Ukaj martohet për dikë që nuk e do, andaj mallkon perëndinë, përplas uratat e fatit, loton me klithmë shtëpinë. Është e vështirë, gati e pamundur, që me pak rreshta të prezantohen vlerat e shumta poetike të kësaj poezie. Për t’i shijuar ato duhet të lexohet poezia.

Shprehja Poetike

Sa i përket shprehjes poetike vepra është mjaft e përsosur. Simbolet, metaforat, figurat e përsëritjes dhe të intonacionit e më rrallë antitezat e përbëjnë gjuhën figurative të librit. Janë shfrytëzuar simbolet tradicionale nga letërsia dhe mitologjia antike, personalitetet e ndryshme historike, ngjarjet e ndryshme, vendet ku janë zhvilluar ngjarjet etj. dhe këto simbole janë përdorë me mjeshtri për t’i shpreh ato që ka dashur t’i thotë autori. Edhe metaforat janë të ndërtuara me përkushtim dhe kreativitet, duke u ndërlidhur e kompletuar me simbole për ta bartur kuptimin, sugjerimin, kërkesën, mesazhin...Rreth një e treta e poezive janë me rimë. Rima ato i bënë më ritmike, të këndshme për veshin e lexuesit, mbresëlënëse. Disa nga rimat e gjetura e të përpunuara nga ai janë të përsosura, brilante. Kjo mund të shihet edhe në shembujt e prezantuar dhe të analizuar në këtë punim. Disa nga krijimet më të bukura të librit janë: “Narona”, “Tupanet e Gjelinës”, “Troja”,“Ringjallje”, “Kush je ti”, “Psalm në karantinë”, “Deti i mëkateve”, “Epikë në zemër”, “Etnia”, “Porta e mbyllur” etj. edhe pse të gjitha poezitë janë të përpunuara dhe pjesa më e madhe e tyre përafërsisht e kanë të njëjtin nivel artistik, andaj diferencimi i tyre është relativ. Sa iu përket vlerave, nivelit artistik, tri esetë poetike qëndrojnë mirë, aty diku te poezitë më të mira. Fjalën e kam për esenë e parë të titulluar “Anatemë” e cila është vendosur në fillim të librit, para poezive dhe nuk i përket asnjë cikli, për esenë e dytë të titulluar “Klithma” e vendosur në fund të ciklit të parë dhe për esenë e tretë apo të fundit të titulluar “Emblema” e vendosur në fund të ciklit të dytë.

Eseja e parë është një përmbledhje e shkurtër sintetike e tërë asaj që thuhet në libër, është një punim i plotë, i përfunduar i cili edhe po të lexohet ndaras nga libri e ka domethënien e vet. Është vendos në fillim të librit si parathënie, e ka mundur të vendoset edhe në fund të tij si përfundim apo rezyme. Gjithsesi ajo duhet të lexohet edhe pas përfundimit të leximit të librit, sepse është pjesë e tij, apo më mirë të themi është libri në miniaturë që na ndihmon t’i interpretojmë disa simbole, t’i zbërthejmë disa figura t’i kuptojmë disa poezi duke e formuar një mendim dhe vlerësim sa më të plotë për të. Gjithnjë duhet ta kemi parasysh faktin se kemi të bëjmë me një ese poetike, me një lloj të artit letrar i cili për nga shprehja gjuhësore është poezi, madje e shkruar me një gjuhë të zgjedhur poetike. Kjo që u shkrua për shprehjen poetike të kësaj eseje vlen edhe për dy esetë tjera të cilat në aspektin semantik, pra në aspektin e ideve, kuptimeve, mesazheve më shumë lidhen me ndonjë cikël të veçantë. Thjeshtë autori përmes eseve i ka thënë, i ka shpreh, kuptohet në një mënyrë tjetër, po ato mendime, po ato përjetime, po ato ndjenja, po ato sugjerime e botëkuptime që i ka shpreh në vargje, gjithnjë duke thënë edhe diçka, duke plotësuar diçka ose duke i bërë ato më konkrete, më të afërta.

Në fund mund të konstatojmë se libri “Porta e hapur” i autorit Fehmi Ajvazi është njëra ndër veprat më të mira poetike të botuara gjatë viteve nëntëdhjetë në Kosovë, të cilën e karakterizon përjetimi dramatik i robërisë, parashikimi i tmerrit, gjegjësisht katrahurës pas së cilës do të vinte liria, të gjitha këto të shprehura me një gjuhë të përsosur poetike.