| E enjte, 26.04.2012, 06:00 PM |
Promovimi i librit Riva H. të Arbër Ahmetaj-t në Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë
Para disa ditësh, në mjediset e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, në sallën e pasqyrave, Shoqata Liga e Shqiptarëve të Rumanisë zhvilloi një veprimtari kushtuar librit të shkrimtarit Arbër Ahmetaj, të titulluar „Riva H., botuar kohëve të fundit në rumanisht, në Shtëpinë Botuese “Privirea”, në Bukuresht. Promovimi i vëllimit u krye në vigjilje të festës së madhe të popullit shqiptar: 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Shkrimtari Arbër Ahmetaj, i lindur në Tropojë më 1965, u diplomua si farmacist në Universitetin e Tiranës, por shumicën e kohës punoi si gazetar në shtypin shqiptar dhe në RadioTV. Më 1993 hyri në diplomaci dhe ngjarjet e vitit 1997 e gjetën në Ambasadën Shqiptare në Rumani si diplomat, prej nga u largua dhe u vendos në Zvicër, ku punon edhe sot e kësaj ditë si farmacist.
Vëllimi „Riva H.”, i përkthyer nga Marius Dobrescu, përmban tregime dhe novela, prozë të shkurtër, të zgjedhura, shumica e tyre me përmbajtje antikomuniste. Jeta e njeriut shqiptar në vitet e diktaturës, me gjithë mungesat materiale dhe mundimet shpirtërore, janë këto disa nga motivet që zënë shumicën e vëllimit dhe që lënë mbresa të forta tek lëçitësi rumun. Por, krahas këtyre motiveve mbisunduese, ka edhe disa rrëfime me trajta romantike, ku autori i kthehet me mall e nostalgji universit të fëmijërisë, duke krijuar një atmosferë romantike, plot magji dhe mister. Mënyra e të shkruarit dhe stili i Ahmetajt është hera herës i ashpër, burrëror, i prerë, disa herë i ngrohtë dhe poetik.
Në veprimtarinë kushtuar botimit në rumanisht të librit „Rivës H” morën pjesë anëtarë të komunitetit shqiptar të Bukureshtit, shkrimtarë dhe gazetarë rumunë, miq të Shqipërisë. Mori pjesë, gjithashtu, Znj. Rodica Precupetu nga Departamenti për Marrëdhënie Interetnike pranë Qeverisë Rumune. Në këtë veprimtari ishte i pranishëm vetë shkrimtari Arbër Ahmetaj, i ardhur nga Zvicra posaçërisht për promovimin e librit.
Për
librin e autorit shqiptar folën shkrimtari Marius Dobrescu, përkthyesi i vëllimit,
prof. Luan Topçiu, studiues dhe diplomat në kuadrin e Ambasadës së Shqipërisë në
Bukuresht, si dhe Arbër Ahmetaj si autor i librit. Në sallë ndodheshin,
gjithashtu, ambasadori i Shqipërisë Sami Shiba edhe ish-ambasadori rumun në Tiranë,
Gheorghe Micu.
Në fjalën
e tij të prezantimit Marius Dobrescu u shpreh se: “Duhet t’ju bëj të njohur
qysh në fillim se Shoqata Liga e Shqiptarëve të Rumanisë në këtë vit, të gjitha
veprimtaritë e saj kulturore-artistike do t’ia kushtojë njëqind-vjetorit të Pavarësisë
së Shqipërisë. Duke filluar me numrin e ardhshëm të revistës „Miku i Shqiptarit”
të muajit prill dhe deri në fund të vitit, të gjitha botimet nga Shtëpia jonë Botuese
do t’i kushtohen dhe shënjojnë këtë përvjetor të madh të popullit shqiptar.”
Në fund të
fjalës së tij, përkthyesi i librit riprodhoi një paragraf të një artikulli të gazetares
së kulturës Gabriela Lupu, redaktore e gazetës „România Liber?”, paragraf
dedikuar vëllimit që po prezantojmë sot i cili thotë gjithçka mbi librin dhe
autorin:
„Riva H."
është një lëçitje terapeutike për të gjithë kategoritë e rumunëve: për pleqtë nostalgjikë
që vuajnë nga amnezia, për antikomunistët e të gjitha moshave që falënderojnë Zotin
që shpëtuan nga mortaja e kuqe, por dhe për të rinjtë që duan të mësojnë se çfarë
kanë „humbur” duke lindur pas rënies së komunizmit. Shkurtimisht, një libër që nxjerr
djajtë e kuq nga mendjet e të gjithëve”.
Luan Topçiu
analizën e tij e lidhi me një kontekst më të gjerë, me ecurinë e letërsisë shqipe
pas viteve 1990, duke nënvizuar veçanësinë e prozës së Arbër Ahmetaj. „Peizazhi
i letërsisë shqiptare postkomuniste dëshmon të jetë tejet kompleks përmes bashkëjetesës
apo kryqëzimit të më shumë stileve dhe rrymave: neomodernizmit, postmodernizmit,
kulturës së zbavitjes, nënkulturës etc. Në letërsinë shqipe të sotme, proza e
Arbër Ahmetajt shënon një dukuri letrare të posaçme, të karakterizuar nga një trajtim
ekzemplar: elegancë, dendësi mesazhesh, rigorozitet, humor të zi ludik, ritëm
dhe frymëmarrje dinamike; i cili dallon për interesin e marrëdhënieve midis
fjalëve si një „farmacist” (profesioni i përditshmërisë së tij) në tekstet e
tij. Autori bën një radiografi të komunizmit, të shënjuar nga grotesku dhe nga
theksa të tjerë postmodernë.”
Shkrimtari
Arbër Ahmetaj bëri një paraqitje të lidhjeve të tij me letërsinë dhe me Rumaninë,
ku ai punoi si diplomat i shtetit shqiptar. „Tash nuk shkruaj më për veten
time, por për të tjerët, nuk shkruaj për t’u mbrojtur nga bota përreth, por për
t’u hapur para saj. Dhe jam bindur për diçka: letërsia ime, e mirë apo e keqe,
ka ndihmuar në afrimin ndërmjet njerëzve. Asht siç thoshte Friedrich Durrenmat,
tek e fundit gjëja më e rëndësishme mbetet miqësia. Ndoshta ky është misioni i
vërtetë i letërsisë dhe ndoshta për këtë letërsia është armiku më i madh i
diktaturës”. Mes të tjerash, shkrimtari tha: “Falenderoj Marius-in për dashamirësinë
dhe këmbënguljen për të përkthyer prozën time. E falënderoj Luanin për simpatinë
që ka treguar ndaj teksteve të mia letrare.”
Për të pranishmit,
artistja e njohur lirike shqiptare e skenave të operave rumune dhe europiane,
Arlinda Morava, e shoqëruar nga pianistja e Operas Nacionale Rumune, Mihaela
Valcea, këndoi disa pjesë nga repertori i muzikës së kultivuar shqiptare, duke
krijuar një atmosferë thellësisht shqiptare dhe emocione të veçanta tek pjesëmarrësit.
Pas
prezantimit të veprës, të pranishmit diskutuan gjerësisht mbi letërsinë e sotme
shqipe dhe uruan Shqipërinë dhe popullin shqiptar me rastin e vitit të Pavarësisë.
Një përshëndetje të veçantë bëri dhe ish Ambasadori i Rumanisë në Tiranë,
Gheorghe Micu, i cili uroi autorin dhe të gjithë ata që ndihmojnë për
promovimin e të dy kulturave, për njohjen reciproke të dy popujve dhe vendeve
tona.
Veprimtaria u pasqyrua nga kanali zyrtar rumun TVR1, ku autori i librit Arbër Ahmetaj dha një intervistë, si dhe nga RFI (Radio France International)
Një konstatim i padëshiruar
Është i çuditshëm dhe i pashpjegueshëm pozicioni i ambasadorit të Shqipërisë në Bukuresht, Sami Shiba, i cili erdhi në këtë veprimtari, qëndroi rreth 15 minuta, dhe, duke thënë se ka disa detyrime të tjera, u ngrit dhe u largua nga salla, duke çuditur me gjestin e tij gjithë pjesëmarrësit. Konsiderojmë se nuk mund të ekzistojë asgjë më e rëndësishme për një ambasador sesa pjesëmarrja në një eveniment kulturor që i kryhet në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit të tij. Dhe, fatkeqësisht, ky nuk është rast i vetëm në të cilin ai ndalon pjesëmarrjen e diplomatëve që varen prej tij në manifestime kulturore të komunitetit të shqiptarëve të Rumanisë, duke u justifikuar pas disa procedurave burokratike absurde. Ndoshta z. Shiba nuk ka asnjë lidhje me kulturën dhe i duket një luks tejet i kushtueshëm. Nuk e dimë. Mos janë këto sugjerimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Tiranës në lidhje me diasporën shqiptare?! Por pozicioni i ambasadorit aktual në Bukuresht është në kundërshtim me marrëdhëniet vëllazërore midis Rumanisë dhe Shqipërisë në këto 100 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe, në mënyrë paradoksale, na bën të kujtojmë me nostalgji diplomatët e kohës së komunizmit …
Marius
Dobrescu
Kryeredaktor i revistës „Miku i Shqiptarit” Bukuresht
__________
Kush është Marius Dobrescu
Marius Dobrescu, shkrimtar, përkthyes i mbi 40 librave nga gjuha shqipe në rumanisht. Përkthyes i veprës së Ismail Kadaresë, i Teodor Laços, Fahri Balliut, Ramiz Gjinit, Ermir Nikajt, Arbër Ahmetajt etj. Marius Dobrescu u lind në Braila (qyteti i Naum Veqilharxhit) më 23 prill 1951, ai mbaroi studimet për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 1975. Punoi si nëndrejtor i Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë (1990-1997), pastaj hyri në gazetari. Aktualisht është redaktor i periodikut të pakicës shqiptare të Rumanisë, revista "Miku i shqiptarit". Antar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë (nga viti 1990), antar i Shoqatës rumune për Politikën e Jashtme, finalist i konkursit vjetor letrar "Penda e Artë" (Tiranë, 2003). Shkrimtar për fëmijë - romani i tij, "Takimi te plepi i djegur", i përkthyer në gjuhën shqipe nga Dionis Bubani, u botua nga shtëpia botuese Enciklopedike në vitin 1996. Më 1996, Marius Dobrescu përktheu për Teatrin Nacional të Rumanisë dramatizimin e "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur", që u luajt një sezon në Bukuresht duke patur një sukses të jashtëzakonshëm. Nga letërsia shqipe përktheu gjithashtu, romanin "Një vit i hidhur" të shkrimtarit Teodor Laço (1997). Marius Dobrescu është autori i shumë artikujve publicistikë në shtypin rumun për Shqipërinë dhe letërsisë shqipe. Ka përkthyer nga poezia dhe proza shqipe në periodikun rumun. Eshtë konsideruar ambasadori i kulturës shqiptare në Rumani. Ismail Kadare, me rastin e vizitës më të fundit në Rumani, vitin e kaluar, e ka konsideruar si një nga përkthyesit e tij të preferuar dhe më produktivë.