| E diele, 22.04.2012, 03:58 PM |
Burhanedin Xhemaili
Befasia e papritur
Shokun Z. dhjetë vjet e brente një dyshim
i rëndë, prandaj nuk besonte se do të gjejë punë, edhe pse i premtonin miqtë...
Kur, pothuaj, i kishte humbur të gjitha shpresat‚ e kishin lajmëruar miqtë se
ia kishin rregulluar çështjen e punësimit...!!
Kur e mora lajmin për punësimin e
shokut Z., vërtet u gëzova shumë‚ por gëzimi u shtua edhe më tepër kur kuptova
për planin e tij gjenial që kishte vendosur të na shtrojë një drekë në qytetin
turistik. Në qytetin e S. kisha dëshirë të shkoj, sepse sa herë që shkoja atje
ndjeja kënaqësi dhe rehati të veçantë...!! Sidomos, kur uleshim me miqtë përreth
lumit për të pirë kafe, më mbushte me energji pozitive peizazhi i bukur dhe
flladi i këndshëm... Pastaj, kur shëtitnim rreth liqenit dhe, kur lu-ndronim me
barkën e madhe nga qyteti O. për Shën Naum, ndjeja në vete një trazim shpirtëror...
Sa më shpejt lundronim me barkën e madhe në largim, aq më pak dukej qyteti...!!
Në atë moment emocional, m’u kujtua poeti i famshëm Bajroni, dhe kënga e tij përkushtuese
Lamtumirë...
Saherë që kam shkuar në atë qytet të bukur,
më ka pushtuar ndjenja e lumturisë... Mirëpo, këtë herë, nuk u ndjeva ashtu...??
Kur arritëm atje‚ nuk di pse menjëherë më lindi një parandjenjë e pakëndshme...?!
Me-gjithatë, nuk u tregova miqve, edhe pse me vështirësi e mbajta veten si të disponuar
kur mendja më shkonte rrotull te kthimi nëpër rrugën e vështirë me kthesa të mëdha...!!
Frika kishte zënë vendin e merituar në mendjen time, meqë ia shtruam birrave të
ftohta përreth lumit...
Ata deshtën të rrimë për darkë‚ por
unë i kundërshtova meqë kisha dilema të turbullta, edhe pse krijuan një atmosferë
të mirë festive...?! Pastaj vendosëm disi që të kthehemi në shtëpi, mirëpo vetëm
sa dolëm nga qyteti piktoresk vërejtëm vetura të ndaluara në rrugë...?! Menduam
se po e bënte punën e vet policia, por nuk doli ashtu meqë disa udhëtarë që ktheheshin
për në S... na thanë se kishte ndeshje të rëndë komunikacioni... Disa minuta qëndruam
në gjendje mërzie, pastaj pa pritur u kthye vetura jonë. ?Do të shkojmë në një restorant
shumë të mirë... Atje bëjnë muzikë...?- tha shoku Z.
Këtë herë nuk e kundërshtova‚ meqë nuk
kisha rrugëdalje tjetër, edhe pse paragjykimi i mbrapsht më sillej në kokë dhe
nuk më linte rehat. Dhe kur arritëm në parkingun e restorantit, menjëherë më ra
në kokë ushtima e muzikës‚ por nuk e jepja veten edhe pse më vinte rëndë, dhe
nuk dija se si do të hyj brenda‚ meqë e paramendoja këngëtaren dhe njerëzit që do
të na i zgurdullonin sytë... Lokali i madh ishte përplot me njerëz, por
kamerieri na e gjeti një tryezë të lirë në anën e djathtë, disa hapa larg
orkestrës. Në atë afërsi më fort dëgjohej muzika, ndërsa këngëtarja ecte prej
tavoline në tavolinë duke u buzëqeshur mysafirëve... Megjithatë, këngëtarja këndonte
bukur dhe, më pëlqente zëri i saj, e në veçanti më pëlqenin këngët popullore që
i këndonte me shpirtë të trazuar, por nuk më pëlqente sjellja e valltareve
gjysmë lakuriqe që i pushtonin mysafirët e pasur...!? Ndër mysafirët e pasur
ishte edhe i zgjedhuri i mbrëmjes, ministri me qëndrim joministror që vallëzonte
me valltaret e pispi-llosura...!! Nuk arsyetohej shfrenimi i tij dhe pamja
groteske, edhe pse ishte i dehur tapë... Shumë keq u binte në sy njerëzve, ish
ministri i shkarkuar nga posti, për shkak të aferës...!! Të gjithë e shikonim
me neveri ministrin trashaman që kishte shkopsitur pullat e këmishës, sikur të ishte
në fshat duke ujitur arën me lakra‚ ndërsa kravatën e verdhë e mbante të lëshuar
në qafë, sikur të ishte bollë e vrarë... Valltaret më tepër silleshin rreth
tryezës së pasur të mysafirëve flokë rruar me qafore të arit në qafët e trasha...
Të gjithë shikonim me habi dhe me neveri, meqë zotërinjtë e shkujdesur e kishin
kaluar kufirin e normales, kështu që përveç porosive që ia bënin këngëtares
binte në sy edhe derdhja e parave mbi tryezë, ku herë njëri e herë tjetri mbërthenin
me gishtërinjtë e mëdhenj paratë e shumta dhe ia jepnin valltareve...!!
Më irritonte pa masë pamja e shëmtuar‚
prandaj dëshiroja që sa më shpejt të largohemi nga restoranti, mirëpo nuk i
lejoja vetes që edhe një herë të marr guximin për t’u larguar...?! Me thënë të vërtetën‚
pritja me padurim se ndonjërit do t’i kujtohej që t’i japim fund mbrëmjes
gazmore, por ata nuk merrnin ndonjë iniciativë të tillë... Prandaj, dëgjoja këngët
jo-shëse dhe pija duhan me vështrim nga këngëtarja, se nuk doja të shoh kurrgjë
tjetër edhe pse njëra valltare i humbte sytë nga unë me një përmallim dhe
ndjenjë mërzie...?! Por, unë besoja që shikonte dikë pas meje, edhe pse nuk e
ktheja kokën mbrapa... Nuk isha i sigurt që më shikonte valltarja e përmalluar,
edhe pse kur më shikonte me habi atëherë më ngjante si fytyrë e njohur, por nuk
isha në gjendje të kuptoj diçka më tepër për valltaren e re që më shikonte me
mallëngjim. Pastaj, fluturimthi, më iku mendja te mundësia e përngjarjes;
ndoshta unë i përngjaja ndonjë të afërmi të saj...?? Mund t’i përngjaja
prindit, xhaxhait‚ dajës‚ apo thjesht ndonjë të afërmi që ndoshta nuk e kishte
parë me vite‚ apo ndoshta nuk guxonte ta shihte...?! Nuk di pse në atë gjendje
të rëndë, përfytyrimet më sillnin në kokë ide të paqarta që më turbullonin
tmerrësisht. Dhe, kur këngëtarja e paralajmëroi ndërprerjen e muzikës për të bërë
një pushim të shkurtër, u gëzova meqë ma mori mendja se do të ngrihen miqtë e
mi, por ata edhe mëtej e vazhduan ndejën... Pastaj, për çudi, u drejtua nga
tryeza jonë valltarja e përmalluar, dhe pa u hamendur u ndalë aty dhe na përshë-ndeti
me një përshëndetje të ngrohtë...!! Kur kërkoi leje të ulet në tryezën tonë,
shokët e mi më shikuan me një dozë dyshimi dhe, njëzëri i thanë: ?Urdhëroni, uluni...?
Në atë moment mbeta i habitur nga
gjesti imponues, ndërsa ajo përnjëherë m’u drejtua me fjalët zjarr:?A po më njihni profesor...?
Duke e shikuar me habi, iu përgjigja:
?Jo, nuk të njoh...?!?
- Para dhjetë vjetëve më keni dhënë mësim...
Rrija ulur në bankën e katërt në mes...
- E pabesueshme...
- Kështu po më thotë mendja...
- Po në cilën shkollë keni mësuar...??
- Në gjimnazin...
- Po unë nuk kam dhënë mësim në gjimnaz...!!
- Sigurisht se memorien e kam të rënduar‚
por megjithatë ju mbaj mend... Prindi më ka folur fjalë të mira për juve...
- Jo, jo, gaboni... Unë kam punuar në shkollën e mesme ekonomike...
- Megjithatë, ju mbaj mend...!! Më tha
me një shqetësim të papër-mbajtur...
- Ndoshta, ndoshta më mbani mend kur
kam mbajtur mësimin praktik për provimin shtetëror në Sh...
- Është e mundur...
- Po, vërtet kam mbajtur një orë në një
klasë të vitit të dytë...!!
- Në vitin e dytë braktisa mësimet...
- Po çka ju solli në këtë vend...?? I
thashë në heshtje, dhe përnjëherë më kaploi një ndjenjë e përzier që m’i
turbulloi sytë dhe nuk shihja më kurrgjë përpara vetes, saqë më vinte të bie në
tokë nga plogështia, dhe dëshiroja që ta ndjejë veten se jam duke parë ndonjë ëndërr
abstrakte...
- Histori e gjatë‚ tha me mërmërimë...
U mashtrova keq, meqë nuk më punoi mendja... Ai më përcillte nga shkolla me një
veturë të re... Më ofronte martesë dhe jetë të lumtur në Zvicër, por...
- Ç? ndodhi pastaj, pse gjendesh këtu...??
- Vetëm një muaj më mbajti në Zvicër...
- Po, si e more pasaportën në atë moshë...?!
- Ishte false... Më ktheu për pushim
dhe më la peng këtu...
- Po, a e keni njoftuar prindin...??
- Jo, nuk e kam njoftuar...!!
- Po, pse...??
- Nuk munda t’i fus anëtarët e
familjes në konflikt... Ka mbaruar jeta ime në kthetrat e personit që edhe një kohë
do t’më mbajë peng, pastaj do t’më lirojë por s’kam ku të shkoj...
- Kush është ai person, i thashë me habi...
- Pronari i restorantit... Por, nuk ka
faj... Pastaj...
- Çka pastaj, ke frikë...??
-Jo, jo, kështu kam pranuar, se rrugë tjetër
nuk kisha... Por, edhe pse është njëzet vjet më i moshuar, më ofroi martesë qysh
në fillim dhe, ndoshta nuk do ta refuzoj...
- Martesë me dhunë apo me dëshirë, i
tha shoku im...
- Po, mund të them, me dëshirë të dhunshme,
mirëpo megjithatë jam e kënaqur pse nuk veproi si personi nga Zvicra... E
ruajti me xhelozi nderin tim, edhe pse është i martuar...
Pastaj, u ngrit me nxitim, na shikoi
me dhimbje, dhe na e la një kartelë në tavolinë..!! Ishte numri i telefonit të saj...
Ndërkohë kërkoi një laps për të shënuar numrin e telefonit, dhe m’u lut që t’i
paraqitem prindit të saj që t’ia jap numrin...
- Në rregull, do të provoj ta gjej
dhe t’ia jap numrin, nëse dëshiron të takohet...
- Ju njeh prindi... Të lutem binde t’më
paraqitet, nëse e tejkalon inatin...
Kështu tha dhe nisi të ecë me optimizëm
të thellë...
Ylli i arratisur
Me sytë e mi e pashë yllin me fytyrë të
praruar, kur u shkëput vetë-timthi nga vallja e yjeve...
Në fillim e shikova me kënaqësi, por
pastaj kur më humbi nga pamja u ndjeva keq, dhe nuk munda të kuptoj pse ylli
magjik u shkëput për-gjithmonë nga ajo mrekulli e këndshme...?!
Ndoshta për t’u kënaqur në botën njerëzore,
por nuk ishte e mu-ndur...?! Prandaj, kur më humbi nga sytë ylli i arratisur,
thashë me zë të lartë:?Pse po e lëshon
këtë mrekulli të këndshme...???
Por, nuk mora përgjigje...
Pastaj u përpoqa të kuptoj më hollësisht,
çka pashë me sytë e mi: yllin e arratisur‚ apo shkreptimën e zjarrtë...?!
Por nuk kuptova kurrgjë në atë mbrëmje
të vonshme, kur ylli i arratisur u humb ndër njerëz...
Pastaj, pa e vrarë mendjen, thashë: ?U humb ndër njerëz, që t’i mësojë të dashurojnë njerëzisht...!! Apo, ndoshta, për të pësuar keq e më keq nga hipokrizia e njerëzve që po identifikohen me yjet, vetëm atëherë, kur nga brendia e shpirtit po i nxisin demonët e tërbuar për ndonjë veprim të llahtarshëm...?