| E shtune, 21.04.2012, 11:17 AM |
A JEMI
NE, SHQIPTARËT BESIMTARË ?
Nga Gjon Neçaj
Dymijë e
kusur vjet më parë, një pasdite pranvere, një centurion romak vështronte
vdekjen e ngadalshme dhe agonike të tre burrave . Veçanarisht, ai ushtari vërente
njërin prej tyre: Jezu Krishtin. Kur vdiq, toka u trondit me forcë, e
ushtari bërtiti : “Me të vërtetë ky njeri ishte biri i Perëndisë”,
sepse, siç na mëson Bibla, qielli i mesditës u nxi, kur vdiq ai dhe toka u
trondit me forcë. Po përse kishte lejuar që i biri të vdiste ? Sepse ky ishte
mjeti që Perëndia kishte zgjedhur për të shpëtuar nga mëkati dhe vdekja.
Titulli i
këtij shkrimi mund të lejohet të quhet nga lexuesit e shumtë të “Shekullit”,
mbase një e vërtetë e hidhur, por argumentet e tregojnë këtë katërcipërisht, e bile pompoziteti se rinia shqiptare ka përqafuar
fenë, asesi nuk qëndron. Po këto argumenta, mund të pyes ndonjëri ndodhin kudo
në botën e qytetëruar, ne i kundërpërgjigjemi
sigurisht negativisht, se mbase duhet marrë parasysh specifika e shoqërisë shqiptare
në këto dy dekada denokraci dhe rininë e lindur pas viteve nëntëdhjetë, edukata
qytetare dhe familjare e saj në veçanti.
Mbaj mend
se në fëmijërinë time të hershme, kur jetonte im atë, ndjesë pastë, ndonëse
feja ishte e ndaluar, ai kishte dy betime që i mbante: “pasha kishë e xhami” dhe “pasha kishën e Deçanit”,
kurse të tretën “pasha bukën që na mban gjallë”, e përdorte në disa raste
specifike, në takime odash apo mbledhje të ndryshme. E ditën e verës, betohej
se për 365 ditë asnjë prej familjes së tij nuk do prekte pasurimnë e tjetrit,
me dhjetra e dhjetra here më shkonte lëng për goje kur piqej rrushi i kushëririt
tim të parë në oborrin tim të kullës, e
ne nuk kishim tagër ta kërkjonim qoftë edhe një kokërr. Ky ishte betimi dhe
besa e mbajtur.
Jo pa qëllim,
ceka këta dy shembuj të ndryshëmpor me
një përmbajtje, e pikërisht për të dalë tek tema që ka edhe si titull ky shkrim.
Betohemi çdo
orë dhe ditë në Zot, Krisht, Allah, kishë e xhami, e nuk themi të vërtetën, trumbetojmë me të madhe
vajtjen në kishë e xhami, themi uratë, falemi , përulemi para hyit, e kur kthejnë
shpinën objektit të kishës apo xhamisë, harrojmë se ç’kemi thënë pak më parë;
rrëfehemi në kishë para priftit, përfaqësues i gjithpushtetshëm e Zotit në tokë, e nuk mbajmë asnjë premtim. betohemi që nuk
do gënjejmë, nuk do prekim mallin e huaj, nuk pajtohem me të keqen, por ndodhin
vrasje, vjedhje e krime të tjera të patolerueshme. Mirë, këto ndodhin dhe kanë ndodhur
kurdoherë. Ne jemi dakord, por gjërat duhet të vijnë të zvogëlohen e jo të zmadhohen,
pra këto veprime të dënushme duhen minimizuar, anipse tek ne janë drejt rritjes…
Tani
duhet cekur se si reagon mosha e 20 vjeçarëve të lindur pas viteve nëntëdhjetë.
Sot rininë shkollore, studentore , fsahtare, qytetare dhe të papunët i sheh në kishë
dhe në xhami duke u rrëfyer e duke u falur, por në antitezë me këtë, shumica dërmuese e vjedhjeve, grabitjeve me dhunë ndodhin nga të
rinjët e kësaj moshe. Atëherë vetvetiu lidh pyejta: a janë besimtarë të devotshëm
, biles këta të rinj të rritur dhe edukuar me frymën e re të lirisë dhe
demokracisë në shoqëri pluraliste, dale nga një sistem dictatorial dhe
specifik? Sigurisht se e thëna dhe e bëra janë krejt ndryshe tek ky brez i ri
shqiptarësh. Sigurisht duhet përgjithësuar se shumica përqafojnë një rini
shqiptare për ta pasur zili edhe çdo vend europian, por ne gjithsesi luftojnë anët
negative të problemeve.
E veçanta
që duhet të cekim është se edhe ky brez, i lidhur dhe rritur krejt ndryshe nga
baballarët e tyre, nuk ndjek dhe zbaton në praktikë atë linjë edukimi të prindërve të tyre, të besimit
, nepërmjet betimit dhe besës së dhënë.