| E merkure, 18.04.2012, 07:46 PM |
Për një shtet
demokratik, shekullor e të europianizuar
Nga Romeo
Gurakuqi
Neootomanizmi
është sot më së shumti emërtim i medias, por jo vetëm sjellë në diskutimin
publik të kohëve të fundit, krijuar në rrethanat
e turbullirës së brendshme politike dhe të stopimit të ecjes integruese të Shqipërisë
drejt hapësirës gjeopolitike perëndimore, krijuar në kushtet e ekzistencës së një
disponibiliteti përulës e puthadorës në një spektër të rëndësishëm të politikës
shqiptare ndaj segmenteve të dallueshme të qeverisjes aktuale në Republikën e
Turqisë, dhe një prirjeje çorientuese të krijuar brenda shoqërisë shqiptare. Në
qoftë se kjo tezë do të gëzonte një përkrahje politike, të fshehur apo të hapur,
dhe, për rrjedhojë, do të merrte një ton orientues në politikën tonë të brendshme
dhe të jashtme, ajo do të përbënte ogurin më të zi në jetën e shtetit tonë në këtë
100-vjetor të pavarësimit, pikërisht nga zgjedha hamidiane, sepse do të shkaktonte
një çarje të thellë të brendshme, që mund të rezultojë e pariparueshme, brenda
popullit tonë dhe qytetarëve të lirë të këtij vendi.
Në qoftë së
kjo prirje politike, me funksionalitet teorik të brendshëm dhe të jashtëm, do të
vendoset në veprim, ajo do të shkelë plotësisht dhe do t’i kundërvihet
filozofisë që ka drejtuar Rilindjen tonë nacionale, filozofisë që ka ndërtuar
bazamentin e shtetit shqiptar, që më kuadrin rendor institucional të krijuar
nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Dom Nikoll Kaçorri dhe patriotët e tjerë të mëdhenj
të Vlorës 1912, pastaj me Statutin Organik të Mbretit të parë të shqiptarëve,
Vilhelm Vid, kuadrit ligjor organik të Qeverisë së Durrësit, atij kuadri të dalë
nga Kongresi i Lushnjës, kuadrit konstitucional të Monarkisë se kryesueme nga
Ahmet Zogu e deri me Kushtetutën e vitit 1998. Kjo rrymë do të mund të godasë para
së gjithash prirjet e pacenueshme laike dhe shekullore të shtetit shqiptar,
filozofinë albanianiste që ka orientuar të gjithë etërit e kombit e të shtetit
tonë për nga toleranca dhe barazia e përfaqësimit të bashkësive tona kulturore
në administratë e qeveri, orientimin europianizues dhe integrues të politikës së
jashtme të shtetit shqiptar, do të jetë një shembull shumë i keq për Kosovën me
demokraci të brishtë, dhe, mbi të gjitha, do të jetë pragu i një ballafaqimi të
ftohtë të brendshëm, në mes atyre segmenteve të popullit tonë që syrin, zemrën
dhe trurin e kanë pasur historikisht të hapur për kah liria adriatikase dhe
joniane dhe çdokujt që mendjen dhe gojën e mban të lidhur me qasjen hamidiane
dhe xhonturke të Davutoglusë.
Historikisht,
kjo qasje ishte harruar deri para pak kohësh në jetën politike shqiptare, për
shkak se shpresa e madhe e publikut ishte e orientuar për nga Europa, për shkak
se zhvillimi i Shqipërisë deri në fillimin e krizës ekonomike botërore ishte
gjithnjë në ngjitje e në progres, për shkak se politika europiane dhe amerikane
kishin shumë shpresë deri vonë në ecjen e pandalshme të Republikës sonë drejt bërjes
një shtet serioz, me sundim të ligjit, që lufton korrupsionin e krimin e
organizuar dhe orienton e konsolidon për nga e drejta sistemin e drejtësisë. Ajo
u shfaq, mediatikisht, por ndoshta edhe politikisht, pikërisht në momentin kur
kriza ekonomike botërore ka hedhur shuplakën e saj të fortë edhe mbi ekonominë shqiptare,
duke frenuar apo ngadalësuar çdo gjë në ecjen e saj, u shfaq kur i
ashtuquajturi “ngërç politik” (që në fakt është një mbërthim hermetik frenues i
klasës politike shqiptare, i përkundërt me parimet demokratike) ka stopuar përparimin
e shtetit të së drejtës për kah sigurimi i lirisë së qytetarëve, për kah
konsolidimi i ligjshmërisë dhe forcimi i parimit të ligjit të barabartë për të gjithë,
për kah shkatërrimi i forcave korrupsioniste antishtet, për kah mbjellja dhe
lulëzimi i farës së demokracisë liberale dhe orientimi për nga Adriatiku. Do të
duhej të ishte detyrë e klasës politike shqiptare sot, në këtë prag 100-vjetori
të formimit të shtetit, të hidhte sytë për nga Austria, Hungaria, SHBA, Italia,
Britania e Madhe etj., për të falënderuar ato shtete që kontribuuan në arritjen
e kësaj dite për Shqipërinë dhe Kosovën, me një mesimnxënie serioze,
demokratike, liberale e shekullare që do të krijonte besimin e mjaftueshëm që Shqipëria
të mos ndalej në ecjen e saj drejt Perëndimit. Për fat të keq, kjo nuk ndodh
qartë dhe pa mëdyshje. Nga ana tjetër, mbi kokën e trazuar të Shqipërisë së përçarë
politikisht po hidhen shashka që mund të na ndajnë thellë kulturalisht, po
hidhen hije harrese mbi gjakun e dëshmorëve të pavarësimit dhe shtetformimit të
Shqipërisë dhe mbi vuajtjet e jetët e viktimave të pafajshme të krimeve të okupatorit.
Normalisht që e kaluara, në një vend europian, i lihet vetëm historisë së shkruar,
njohjes së saj dhe historia e djeshme nuk do të duhet të asnjë mënyrë të ndikojë
në marrëdhëniet bashkëkohore bilaterale. Por kjo nuk do të thotë që mbi
shkrimin real të historisë të ushtrohet
presion politik, aq më pak i jashtëm. Kjo nuk do të thotë që për qëllime
imediate politike të risillet ndryshe nga realizmi, si alibi e kundërt me të vërtetën,
sentenca e historisë së kaluar për publikun e shekullit XXI.
Është hera
e dytë që në historinë 100-vjeçare të mbijetesës së shtetit tonë hija hamidiane
i ofrohet si tendencë, si një provokim destabilizues, jetës sonë publike. Babai
i parë i kësaj prirjeje ka qenë Esad Pashë Toptani, i cili u përpoq ta shndërrojë
në linjë sunduese në shtet, qoftë në periudhën tranzitore tetor 1913-janar 1914,
qoftë edhe në muajt e parë të mbretërimit të Princ Vidit, kur Esadi mbante njëkohësisht
postin e ministrit të Brendshëm dhe atë të ministrit të Luftës. Ajo rrymë aso
kohe ka qenë qartësisht otomaniste, reaksionare e tërësisht hamidiane, e cila
kishte këto objektiva kryesore: a) vendosjen e një princi otoman në fronin e
Principatës së pavarur shqiptare; b) formimin e një force të armatosur të komanduar
prej oficerëve të importuar nga Stambolli dhe tërësisht të pavarur nga holandezët,
të ngarkuar ndërkombëtarisht për krijimin e forcave të xhandarmërisë së shtetit
shqiptar; c) përjetësimin e gjuhës turke si gjuhë zyrtare; d) përqendrimin e të
gjithë pushtetit në duart e bandave të bejlerëve feudalë dhe krijesave të tyre,
shtypjen e të gjitha lirive popullore, ndërtimin e gjykatave penale ushtarake
dhe eliminimin, sa të ishte i mundshëm, të elementëve të krishterë nga
administrata e shtetit shqiptar. Ajo rrymë u ballafaqua ashpërsisht me rrymën e
dytë kombëtariste, shekullore, demokratike dhe liberale, të promovuar në periudhën
kur Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës ishte Ismail Qemali dhe më pas,
nën Princ Vidin, nga pjesa e mbetur e kabinetit të Turhan Pashës, mes të cilëve
dallohen trashëgimtarët e Frashërllinjve, Dr. Turtulli, Dr. Adhamides, Preng
Bibdoda e të tjerë. Kësaj rryme të dytë patriotike i përkisnin qartësisht edhe
Abdi Toptani, Fadil Toptani, Aqif Pashë Biçakçiu etj. Arrestimi dhe largimi i
detyruar prej Shqipërisë i Esad Pashës në maj 1914, vërtet e largoi politikisht
këtë rrymë nga drejtimi politik i vendit, por nuk e shmangu dot farën
otomaniste që ai kishte mbjellë në mjediset e paditura të Shqipërisë së asaj
kohe, gjë që u shpreh krejtësisht qartë në lëvizjen otomaniste të Shqipërisë së
Mesme që shkatërroi në themel shtetin e parë shqiptar në historinë bashkëkohore.
Në gjithë
pjesën tjetër të historisë deri më sot, një qasje e tillë filo-otomane ka qenë e
papërfillshme në nivelet drejtuese të jetës politike dhe publike. Sidomos për
një seri rrethanash personale të Mbretit Zog, por edhe për shkak të largpamësisë
së Tij dhe qasjes së personale laike dhe shekullore në shtet, kjo ndjenjë filo-otomane
ka qenë inekzistente. Ai, në fakt, krijoi në shtet qartësisht të deotomanizuar,
filloi dhe kreu procesin e europianizimit legjislativ e institucional të Monarkisë
Kushtetuese shqiptare, ruajti në mënyrë të drejtë raportet shekullore të shtetit,
pa arritur gjithsesi të shkojë drejt qasjes parlamentare dhe liberale. Mbi të gjitha,
Republika e Turqisë, e drejtuar nga figura e ndritur e historisë së saj
moderne, dhe jo vetëm, Mustafa Qemali ka qenë shembulli më i qartë i orientimit
të një vendi me trashëgimi hamidiane për kah deotomanizimi, modernizimi dhe
europianizimi e, për rrjedhojë, çdo suport i jashtëm nga politika turke mbi
klasën politike shqiptare ka qenë mungues në sensin filo-otoman, deri vonë.
E gjithë pjesa
tjetër e jetës shtetërore, politike dhe publike në Shqipëri është zhvilluar pa
hijen hamidiane mbi krye. Periudha diktatoriale shërbeu në fshirjen e çdo
suporti të këtij lloji por, nga ana tjetër, ajo periudhë shmangu vendin nga
zhvillimi progresiv perëndimizues, i filluar në vitet 1920 dhe 1930. Shqipëria
e post 1990-s u gjend e zhveshur nga pëlhura identitare demokratike, liberale
dhe europiane dhe rruga drejt Europës për këtë vend ka qenë e mbetet e vështirë
për shkak të varfërisë së njeriut të ri shqiptar dhe diletantizmit dhe përkuljes
së shpeshtë që klasa politike e paorientuar qartë strategjikisht, bën sa herë që
gjendet në vështirësi financiare dhe në izolacione politike nga Perëndimi.
Shqipëria
është themeluar si një shtet laik, shekullor. Që me Statutin Organik të vitit 1914
dhe në vijim në aktet e tjera konstitucionale vijuese është theksuar laiciteti
i shtetit, që përbën një aksiomë ligjore të pacenueshme dhe formative. Historikisht
klasat politike e këtij vendi deri më 29 nëntor 1944, janë kujdesur të ruajnë strikt,
krahas laicitetit, edhe përfaqësimin e balancuar të bashkësive kulturore në administratën
e lartë shtetërore dhe në organet themelore të shtetit (një ligj zakonor
konstitucional që nuk do te duhet asnjëherë të harrohet). Vendosja e diktaturës
komuniste zhbalancoi frikshëm këtë përfaqësim krahinor dhe kulturor
brendashqiptar. Me gjithë përpjekjet shumë pozitive të bëra për ta rivendosur këtë
strukturë përfaqësuese në periudhën 1992-1997, në kohën vijuese udhëheqësitë post
1997, sidomos në mandatin e dytë të PS e pas, e kanë lënë në harrese këtë detyrim
zakonor konstitucional të pashkruar të shtetit shqiptar. Rivendosja e balancës
përfaqësuese në parametrat ekuilibrues realë në të gjitha hallkat e drejtimit të
shtetit dhe qeverisë është një trashëgim që na e kanë lënë etërit e mëdhenj të kombit
tonë, është një detyrim ndaj publikut shqiptar, është një angazhim serioziteti
ndaj Shtetit dhe pjesë thelbësore e angazhimit politik europianizues.
*Instituti
i Historisë Bashkëkohore, Universiteti Europian i Tiranës