Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Meri Lalaj: Didi Biçaku (Maliqi): ose Zonja Didi, që i shpëtoi pushkatimit për “bombën” tek Ambasada Sovjetike

| E diele, 15.04.2012, 07:34 PM |


Didi Biçaku (Maliqi):

ose Zonja Didi, që i shpëtoi pushkatimit për “bombën” tek Ambasada Sovjetike.

Nga Meri Lalaj

Disa herë isha ulur për të pirë kafe me zonjat, të cilat kanë qenë dikur nxënëse në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” dhe ato takohen tek “Taivani” çdo datë 15 të muajit. Tok me ne ka qenë edhe zonja Didi Biçaku, por unë nuk e dija historinë e saj. Prandaj shkoj për vizitë që të bisedoj me zonjën Didi. Kur hyj në apartamentin e saj mrekullohem duke parë aq shumë filxhanë, kupa, servise të argjendta, nëpër mure janë varur piktura të vjetra dhe kolltukët janë të punuar bukur si dikur me gdhendje e mbuluar me kadife pellushi. Zonja Didi më tregon se dikur në shtëpinë e tyre kanë pasur edhe shumë sende të tjera, madje edhe mobilje të stilit Luigji i XIV-të, por   pas çlirimit humbën kur i nxorën nga shtëpia dhe sendet e saj ua lanë fqinjëve për t’i fshehur.

Hedije (Didi) bashkë me motrën e saj pak më të madhe, Semije Sejdini (Biçaku), bija të Qani Biçakut, mbesa të Aqif Pashë Elbasanit, ndoqën që të dyja Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Ato ishin vetëm dy motra pasi babain e tyre e patën futur në burg xhonturqit sepse merrej me çështjen kombëtare dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Atje ai u sëmur dhe vdiq duke i lënë bijat e tij jetime fare të vogla Hedijen dy vjeç dhe Semijen katër vjeç. Megjithëse ato vinin nga familja patriote dhe fisnike më me emër e Biçakçinjëve, të dy motrat silleshin fare thjesht njëlloj si vajzat e tjera. Gjatë kohës së mësimeve Didi merrej edhe me sport duke rrëshqitur me patina nëpër rrugët e Tiranës.

Pas mbarimit të shkollës në vitin 1947 Didi emërohet mësuese në fshatin Paftal të Beratit. Aty përveç mësimdhënies me nxënësit hap edhe kurse kundër analfabetizmit, kurse për rrobaqepësinë. Vazhdon punën edhe në qytetin e Beratit duke nxjerrë një skuadër me vajza volejbolliste për të marrë pjesë në spartakiadën kombëtare dhe gjatë konkurimit dalin të parat. Pas dy vitesh punë e pushojnë pasi dajën e saj e futin në burg. Shkon ankohet dhe fillon punë tek një farmaci e Kryqit të Kuq Shqiptar, por sërish e pushojnë.

Në vitin 1951, ato banonin tok me nënën dhe burrin e motrës avokatin e shquar Fejzo Sejdini tek shtëpia e bijës së Bajram Currit. Pas mesit të natës, asaj nate shumë të ftohtë të 23 shkurtit, troket porta me forcë, futen me vrull tre ushtarakë të Sigurimit të armatosur dhe me listën që kishin në duar lexojnë emrat e pjesëtarëve të familjes. Kur lexojnë emrin Didi Biçaku i thonë: “Në emër të popullit je e arrestuar! Duart lart!” Ata kontrollojnë shtëpinë cep më cep, motra e saj, Semija rri ulur në kolltuk, aty poshtë ishte libri i gjuhës angleze që mësonte Didija dhe ata nuk duhej ta shihnin sepse gjuhët e huaja qenë të ndaluara. Nëna po qante, Didija shumë e tronditur  u thotë njerëzve të familjes: ”Mos u mërzitni se nuk kam bërë asgjë... Nuk kam bërë asgjë!” Ajo qëndroi krenare e tronditur pa lot në sy veshi pallton e trashë, burri i motrës i hodhi supeve një shall të madh të leshtë dhe sigurimsat e morën duarlidhur. E shpunë tek Sheshi “Skënderbej” ku ishin mbledhur edhe qindra të tjerë, të kërcënuar nga armët e atyre që i ruanin ecën drejt Burgut të Ri.

Tek dera e burgut Didi priti gati dy orë, duhej të hynin një e nga një. Kapërceu portën e madhe, pastaj portën tjetër, e shtynë tek një derë biruce. Aty brenda ishin shumë njerëz dhe ishte errësirë e plotë. U ndez një shkrepse dhe një zë femre pyeti: “Cila je?” “Jam Didi Biçaku..” “Uah, Didi eja, jam unë Sabiha Kasimati...” (Sabihaja kishte ndenjur për të fjetur në konviktin e Institutit Femnor teksa punonte si mësuese, prandaj njihej me Didin.) Sabihaja ishte e sëmurë me ethe sepse ishte ftohur, e mori Didin tek dysheku i saj të shtrirë përtokë. Ato u ulën dhe folën tërë kohës në errësirë. Nuk kuptohej kur ishte ditë apo natë, dhoma nuk kishte dritare. Një natë, sigurisht ishte natë, sepse komunistët të gjitha veprimet i kryenin në errësirën e natës i lajmëruan se do t’i nxirrnin nga ajo dhomë e errët. Sabihaja dridhej nga ethet dhe Didi i veshi pallton e saj (dhe me atë pallto e vranë...) Më së fundi u hap dera drang e drung. I nxorrën nga dhoma. Dora e Didit ishte e  lidhur me pranga pas dorës së Sabihasë. Aty në korridor ndriçonte vetëm një fener. Nuk i lejonin të ngrinin kokat për të parë njëri tjetrin, por befas Didi pa një oficer, të cilin e njihte që nga koha e shkollës. Ai uli kokën. Aty në krye të korridorit tek tavolina Didi njohu Mehmet Shehun, që thërriste me sa i hante zëri: “Ju jeni armiq të popullit... Do merrni dënimin maksimal!”Askush nuk guxonte të ngrinte kokën. Didi rrëfen: “U dëgjua një zhurmë makine. U hap dera dhe të burgosurit po i futnin në makinë, në fund isha unë me Sabihanë. Ajo hipi, kur do hipja unë, ndërsa kisha hedhur njërën këmbë më shtyu njëri nga rojet, më shkëputi prangën prej dorës. (Sepse emri i saj nuk ndodhej në listën e atyre që do të pushkatoheshin). Sabihaja po më fliste të shkoja. Unë pandeha se ata po i lirojnë dhe po qaja se doja të shkoja me ta. Sabihaja ishte e vetme midis gjithë atyre burrave...Gardiani që po më shpinte në birucë më tha: Po ti deshe të shkoje te Ura e Beshirit?””Më futën në birucën e madhe. Dy ditë nuk futa bukë në gojë vetëm qaja dhe përmes lotëve thurja vargje me mend për nënën time, për motrën, mbesën e vogël... Ato vargje i mbaj mend edhe sot e kësaj dite. Motrës sime i kishin thënë aty tek porta e burgut se më kishin pushkatuar dhe asaj i kishte rënë të fikët. Pas tri a katër ditësh më izoluan. Kur isha vetëm në qeli nuk kisha frikë se çfarë mund të më ndodhte, por më tepër frikësohesha nga kacabujtë, akrepët dhe minjtë e mëdhen,j që vinin vërdallë nëpër birucë. Nga qelia më nxirrnin  dhe më shpinin në hetuesi tek “Shtëpia me gjethe”. Më kishte porositur njëra nga të burgosurat që të mos përmendja emra se më prisnin tortura të tmerrshme. Më mbajtën pesë muaj në burg. Kur dola mora vesh se ata të gjithë që hipën në atë makinë i kishin pushkatuar për gjoja atë ‘bombën’ tek ambasada sovjetike. Sabihaja kish mbetur gjysmë e vdekur pa dhënë shpirt dhe klithmat e saj ishin dëgjuar deri në agim.”

Pas daljes nga burgu Didi Biçaku punoi si rrobaqepëse, më vonë në ndërtim punëtore krahu dhe mori kategorinë e gjashtë. U martua në familjen Maliqi njerëz patriotë që kanë punuar e luftuar për Pavarësinë e Shqipërisë. U bë me dy fëmijë: djalë e vajzë. Nuk punoi më në arsim, profesion për të cilin kishte kryer Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”.

Didi Biçaku ka vite që jeton e qetë. Tani është 86 vjeç. Me dhjetëra vite e mbajti brenda vetes ndodhinë se si shpëtoi nga pushkatimi nuk guxonte të rrëfente. Tani nuk ka dëshirë të kujtojë të kaluarën, ata pesë muaj të errët në burg për të cilët ende nuk ka marrë dëmshpërblim.