| E hene, 16.04.2012, 12:58 PM |
MJESHTRI
I MADH I TURPIT
....Vazhdojnë të dekorohen komunistët
Nga KOLEC TRABOINI
“Më dhemb
kur hesht- më dhemb edhe kur flas/as vetë s'e di kur më dhemb më shumë”- Kam një jetë që endem në mes të kësaj alternative
të mundimshme eskiliane në gojën e Prometeut. Mesa duket dilemat që nga lashtësia
greke e sot e kësaj dite në shoqërinë njerëzore kanë mbetur po ato. Kjo dilema
ime jo se nuk kam folur, por se edhe të folurit tashmë është një punë e kotë. Askush
nuk do të dijë për të vërtetën. Askush nuk do të dijë çfarë ka ndodhur. Askush nuk do të dijë se ka
patur të djeshme. Askush nuk do të dijë se disa njerëz që ishin komunistët më të
devotshëm e më konservativë, që e zhvillonin luftën e klasave edhe kur nuk u kërkohej,
sot sikur të ishin kameleonë na janë kthyer në demokratë. Dhe të vjen çudi se
sa shpejt e realizuan katarsisin këta ish komunistë fanatikë.
Pas dy
dekadash mendoja se shoqëria ka shpëtuar nga sporia e keqe e komunizmit, ka shpëtuar
nga fanatikët që për idealet e partisë i bënin varrin shokut e të nxirrnin sytë
po t’i bëjë një vërejtje shoqërisë ku lufta e klasave i varroste njerëzit të gjallë.
Po si
ndodh që të tillë prototipa, sot mbas dy dekadash të na vlerësohen nga shoqëria
demokratike shqiptare bash në atë kohë kur ende nuk janë vlerësuar figura të mëdha
të kombit, kur ende nuk janë vlerësuar antikomunistët që u dergjën burgjeve,
apo nuk kanë as dhe një dekoratë të vetme të pushkatuarit.
Pikërisht
këto ditë na del njoftimi se kanë marrë tituj të lartë nga Presidenti i
Republikës katër kineastë. Meqë kam punuar gjashtëmbëdhjetë vjet në Kinostudio,
isha i interesuar se kush e për çfarë vlerësohen me tituj të lartë këta katër
persona. Disa prej atyre titujve i gjeta me vend, anipse ka edhe emra kineastësh
si regjisori i mirënjohur Gëzim Erebara, regjisori i suksesshëm Esat Musliu,
veterani i filmit vizatimor Vlash Droboniku, studiuesi i filmit Abaz Hoxha, apo
regjisorja e parë e montazhit të filmit shqiptar si Vitori Çeli që vdiq në New
York e harruar e pa asnjë njoftim në shtypin shqiptar e ndonjë tjetër që meritonin
të ishin në radhët e atyre që vlerësohen, sepse kanë dhënë një kontribut të madh
në filmin shqiptar. Natyrisht unë nuk prisja që në këtë listë kaq të ngushtë të
gjeja emra sekretarë partish, aq më tepër emrin e nëndrejtorit të Kinostudios i
cili ka qenë shquar si një komunist fanatik që e zhvillonte bukur mirë luftën e
klasave.
Shumë gjëra
kisha menduar, se t’i jepet ky titull ish sekretarit të partisë së punës për
Kinostudion, zëvëndësdrejtorit në fjalë, këtë as që e kisha menduar dhe as që mund
ta konceptoj. Që ta kuptoni se çfarë në të vërtetë do të thotë për mua emri i
personit që sapo ka marrë titullin “Mjeshtri
i madh” do të kujtoj se kam qenë ndër më
aktivët në proçeset demokratike dhe kur formova me disa kolegë të mi organizatën
e partisë demokratike për Kinostudion me autorizimin personal të Azem Hajdarit,
mbaj mend t’i kem thënë vetes se më së fundi erdhi dita të shembim monopolin e
komunistëve në këtë institucion. Mirëpo
pas dy dekadash kur pushtetin e kanë demokratët dhe president është një demokrat,
këtij Bozos, që edhe familjarisht është i lidhur me kastat më të larta të nomeklaturës
komuniste, i jepet ky titull i lartë me këtë motivacion: “Për kontribut të rëndësishëm
si një nga drejtuesit, organizatorët dhe producentët e filmit artistik dhe atij
dokumentar në kinematografinë shqiptare”.
Të vjen
keq edhe për më tepër se me këtë motivacion, duke shtuar edhe se i ka shërbyer
me devotshmëri partisë së punës, ka marrë kush e di sa dekorata ky shok i gardës
së komunistëve.
Por unë kam
edhe përvojën personale se si ky sekretar e nëndrejtor e zhvillonte me sukses e
fanatizëm luftën e klasave dhe vijën e Partisë. Një herë, aty nga fundi i
viteve ’70, sekretari më thërret në zyrën
e tij, më kërkon llogari dhe më heq vërejtje se më kish parë në rrugën e Kavajës
me një vajzë të deklasuar. Kur u përpoqa të shpjegoja se nuk kisha ndonjë shoqe
të deklasuar ma ktheu me seriozitet e disi me paralajmërim: “Pse nuk e dimë ne
se kush është mbesa e Rexho Plakut?” E pyeta kush ishte Rexho Plaku e më tha është
armik i partisë, çam, omandant i “Çetës plakë” që ka vdekur në burg si armik i
partisë.”
Kështu më
sqaroi dhe paralajmëroi sekretari i partisë dhe nëndrejtori Todi Bozo, ani pse
unë nuk i zbatova kurrë ato porosi dhe miqësinë familjare me mbesën e “armikut”
Rexho Plakut e ruajta gjithmonë. Por dhe kurrë nuk i thashë asaj se njeriu me të
cilin jetonte fqinj e konsideronte atë dhe familjen e saj si armiq.
Po se mos
ishte rasti i vetëm ku ky komunist i kulluar, me rrënjë e farefis të Bozollarëve
deri në Komitetin Qendror, për të cilët mund të lexohet në librin e Agim Mustës
"Gjëmat e komunizmit në Shqipëri", mprihte vigjilencën revolucionare
i ngujuem në bunkerin e luftës së klasave!?
Pa kaluar
shumë kohë më thërret sërish sekretari i Partisë T. Bozo. Shumë serioz e shumë i
vrejtur më thotë të ulem. Mesa duket e kishte me nge. Si më la ca minuta, kinse po merrej me
shkresa, u kthye e më tha:
“Pse na e
sjell në Kinostudio Zyhdi Moravën?”
Nuk po
arrija ta merrja veten. Zyhdiun e kisha njohur vite të shkuara kur isha nxënës
në shkollën Pedagogjike dy vjeçare “Ndrec Ndue Gjoka” dhe e kishim ruajtur miqësinë
sepse Zyhdiu shkruante dhe kishte pasion letërsinë. Ai nuk priti shumë e me
ftohtësi e shikim zhbirues me tha se e
dinte shumë mirë kush ishte Zyhdi Morava,
një ish i burgosur që është nën vëzhgim. Ti nëse do të punosh në Kinostudio
– më tha,- nuk mund të shoqërohesh me Zyhdi Moravën, ndryshe do të kesh
probleme.
E mbylli
bisedën. U detyrova t’i thoja Zyhdiut të mos vinte më në Kinostudio, por të takoheshim
diku tjetër. Por kjo nuk qe e nevojshme se nuk shkoi shumë dhe Zyhdi Moravën e
arrestuan sërish, e dënuan dhe e dërguan në Spaç.
Por kryebëma
e “Mjeshtrit të madh” Bozo ishte kur i kërkova
unë takim e i shkova në zyrë sepse duke qënë ai zëvendësdrejtor kishte në dorë gjithë
teknikën. I paraqita kërkesën për një makinë shërbimi në Shkodër sepse kisha në
plan për të bërë një film dokumentar për Ded Gjo Lulin. Gjatë kërkimeve kisha
arritur tek një dëshmitar që kishte qenë i pranishëm në varrimin e eshtrave të Ded
Gjo Lulit që u sollën Oroshi në Shkodër. Luigji që e kishte shtëpinë në rrugicën
ku dikur ka qenë shkolla pedagogjike e vajzave, më kish thënë se ai kishte qenë
xhaku (fëmijë që ndihmojnë në procesionet katolike), në rivarrimin e Heroit Ded
Gjo Luli dhe e mbante mend vendin ku qe
vendosur, por që nëpër vite i kishin humbur gjurmët. Luigji në moshë të thyer,
ishte i gatshëm të shkonte me mua në Shkodër për gjetjen e varrit me kusht që të
gjeja një makinë sepse nuk udhëtonte dot me tren apo autobuz.
Për këtë u
paraqita tek nëndrejtori Todi Bozo që duke patur edhe detyrën e sekretarit të partisë
ishte i plotfuqishëm në Kinostudio. Por Sekretari i partisë më tha se nuk kish
makina, nuk kish benzinë, se kishte plot probleme të tjera para Ded Gjo Lulit,
me një fjalë nuk kishte ndërmend të më jepte një makinë, kur për qëllime
personale ai i përdorte makinat si e ku të donte.
Tani që mikja
ime çame, inxhiniere, jeton emigrante në
Greqi; miku im i rinisë shkrimtari Zyhdi Morava nuk jeton më, varri me eshtrat e
heroit të panjollë Ded Gjo Luli është i humbur njëherë e përgjithmonë, sepse
edhe dëshmitari i fundit ka ndërruar jetë, na del një dekret presidencial dhe
sekretari i partisë së Kinostudios, që farkëtonte luftën e klasave në një betejë
megallomane pa kompromis, që nuk ka krijuar asnjë vepër artistike si krijues,
veç si bashkëregjisor i një filmi supermediokër e skematik si “Lugina e
pushkatarëve”, njeriu pra që zbatonte planet ekonomike të partisë me një besnikëri
fanatike, pasi ka marrë nga diktatura një vandak dekoratash, na shpallet pas 20
vjet demokraci, as më pak e as më shumë por “Mjeshtër i Madh” i këtij vendi.
Para se
ta mbyll këtë shkrim për kësisoj vlerësimesh tunduese e irrituese do të desha të
pyes: A ka këshilltarë për kulturën ky president? Dhe për ti dhënë fund kësaj
historie, pas gjithë këtyre që thamë, a
kam sadopak të drejtë ta deklaroj këtë lloj dekorimi - çmimi i madh
turpit?!