Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


4 Poezi nga Timo Mërkuri

| E hene, 16.04.2012, 01:30 PM |


Timo Mërkuri

 

Kur vjen prilli

 

Sa herë që vjen prilli, o, po sa herë që vjen prilli

Në lagjen time,

                         pranvera struket e trëmbur  në rrugica.

 

Zogjtë heshtin,. Ne ndalim hapin.

                                                      Trëndafilat ulin kokën.

Dhe një nënë nis e vajton me ligje të birin e vetëm.

 

Pëllumbave

 

…mos u ktheni në qytetin tim këtë pranverë

se do ju ngurtësojmë mbi përkujtimore.

 

Pranvera e plagosur

 

E qëlluan me një plumb

                                         e po zvaritet nëpër luginë

duke pikuar lulkëkuqe nga plaga e ngrohtë.

 

O,po e qëlluan, more,

                                    mu në prag të prillit

e luleshqerat kanë ulur kokën,

                                               në pritje,

                                                             si vajtore.

 

Oi…oi.

 

 

Ëngjëjt* e qytetit tim.

 

Ëngjëjt janë vrarë

                                 dhe Zoti,

 s’ka me kë na i dërgon ëndërat e bardha.

 

 

 

*-Fëmijëve të vrarë në ’97 në qytetin tim