Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pjesë të shkëputura nga libri: " Legjenda vlonjate në Amerikë"

| E diele, 15.04.2012, 11:03 AM |


Titulli: Legjenda vlonjate në Amerikë
Autori: Pierre-Pandeli Simsia
Përgatiti për botim: Albert Zholi
Kopertina - Përkujdesja grafike: Lindita Çalliku


Në ditët e para të mbërritjes sime familjarisht në SH.B.A. të vetmuar dhe pa përkrahje, shpesh herë pyesnimveten: “Ku janë shqiptarët e Amerikës...?!”
Donim edhe ne të njihnim e të takonim gjakun tonë shqiptar.
Pas disa kohësh, nëpërmjet disa shkrimeve që më botoheshin në gazetën shqiptaro-amerikane “
Illyria” m’u krijua mundësia të njihem me shokë, të njohur e të panjohur, që më vonë shoqëria jonë kaloi edhe në miqësi.
Kështu ndodhi edhe në vitin 2004. Pas një shkrimi të botuar në gazetën New York Times nga gazetari i asaj gazete z. Wallace Schroeder, i cili sapo ishte kthyer nga Shqipëria, përshtypjen e mirë që i la vendi ynë, nuk vonoi ta paraqesë edhe me fotografi në atë gazetë, duke ia ngritur vlerat e larta turistike dhe historike që ka vendi ynë, unë iu përgjigja
atij gazetari me një shkrim falenderimi në Gazetën Shqiptaro- Amerikane “ILLYRIA.
Ishte vërtet një e papritur dhe fat i madh për mua kur shokët e gazetës
Illyria, pas botimit të shkrimit tim në gazetë, më njoftuan se një zotëri i nderuar i komunitetit tonë kërkonte
takim me mua. Gjatë bisedës me telefon, zotëria, përveç urimit dhe falenderimit të tij për shkrimin tim, më propozoi, nëse mund ta lejoja, sipas bisedës që kishte bërë me gazetarin e NY Times, që shkrimi im të përkthehej në gjuhën angleze e të botohej edhe në atë gazetë prestigjioze, madje përkthimin e shkrimit e mori vetë përsipër zotëria...
Në fund kur mbaruam bisedën, më thotë se dëshironte që edhe të takoheshim e të njiheshim nga afër me njëri tjetrin. Lamë vendin dhe orën për t’u takuar...
Një burrë i gjatë, i mbajtur mirë, inteligjent, ku fisnikëria i lexohej qartë në pamjen e tij të jashtme... Ishte prezantimi i parë me atë burrë që e takoja për herë të parë.
Gjatë bisedës, më foli edhe për emigracionin, emigrantët e hershëm të ardhur në Sh.B.A. për punën dhe aktivitetin e tyre...
E kuptova, ndërsa fliste shumë për ta, e kishte të vështirë të fliste për veten e tij.
Kjo më shtyu edhe më tepër kureshtjen të mësoja më shumë rreth atij njeriu inteligjent, që shpesh herë bisedën e tij e shoqëronte edhe me humor, atij burri të nderuar që kishte 60- të vite larguar nga atdheu ynë dhe fliste pastër gjuhën tonë të bukur, shqipe.
U ndjeva i lumtur në ato çastet e para të njohjes me të dhe gjatë gjithë kohës që biseduam.
Njeri i zgjuar, me kulturë që ka lexuar shumë, biznesmen i suksesshëm në kompaninë New York Life. Nuk ka qenë anëtar i ndonjë partie politike. Partia e tij ka qenë vetëm Shqipëria, Kombi Shqiptar, çështja shqiptare, patriotizmi, shqetësimi i tij prej qytetari për fatet e Shqipërisë...
Edhe pse shumë vite i larguar nga atdheu mëmë, Shqipëria, mendja dhe zemra e tij vazhdojnë ende të punojnë dhe të mendojnë për mëmëdheun.

Selahedin Velaj!

Emër i nderuar dhe i respektuar me origjinë nga Kanina e Vlorës, tashmë është më se i njohur; jo vetëm për ata që i njohin trashëgimtarët e atij fisi, por edhe lexuesit e shumtë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nuk besoj se ka njeri sot në komunitetin tonë në Sh. B. A. të mos e njohë këtë emër të nderuar.
Veprimtar i zjarrtë, antikomunist dhe atdhetar i flaktë që gjithë jetën e tij në emigracion ia ka kushtuar çështjes shqiptare dhe mbrojtjes së saj, një ndër emigrantët e hershëm politik i ardhur në SH.B.A.
Burrë i respektuar nga të gjithë anëtarët e Komunitetit Shqiptar në Amerikë, inkurajues, ku i jepej fjala e mbajtjes në mitingjet, tubimet dhe demonstratat e ndryshme që organizonte komuniteti në atë kohë për çështjet e ndryshme shqiptare.
Për shumë kohë emri i tij u ndalua të gërmëzohej në Shqipëri. I shpallur si “armik” nga regjimi komunist, jo vetëm Selahedin Velaj, por gjithë të afërmit e tij do të ishin në qendër të persekutimeve të gjata, deri gati në shfarosje të mbiemrit.
Megjithatë, dhimbja dhe malli do ta bënin më të fortë.
Në Shqipëri, vëllai i tij i madh, Hulusi, i cili në atë kohë ishte nëndrejtor i Bankës Kombëtare në Vlorë, u akuzua nga regjimi komunist si bashkëpunëtor me amerikanët. Për këtë
akuzë ai u pushkatua në moshën 38-vjeçare.

Vëllai tjetër, i mesmi, Petriti, vuajti 37 vjet në burgjet dhe fushat shfarosëse komuniste shqiptare. Është quajtur si i burgosuri Nr. 2 me gjatësi burgimi pas Mandelës së Afrikës, ku më vonë Vlora i dha titullin “Mandela i Shqipërisë”.
Ndërsa vëllai tjetër i vogël, Fehmiu, vuajti më tepër se 15 vjet burg, ku në trupin e tij u përdorën torturat nga më çnjerëzoret.

Të njihesh me doktorin e nderuar, Selahedin Velaj, është një fat dhe privilegj i madh, jo vetëm se ai është një arkiv i tërë, personalitet që duhet të ndriçohet dhe të çmohet, por ai
njeri, me “magjinë” dhe humorin e tij ta largon druajtjen dhe emocionin nëse të kanë pushtuar në ato çastet e para të takimit me të. Gjatë bisedës me Dr. Velaj-n nuk ke si të heshtësh kur mëson për atë njeri antikomunist, larguar nga atdheu për më tepër se 60-të vjet, njeri me vlera të rralla njerëzore, humanitar me zemër të madhe, njeriu që ndihmoi për hapjen e shkollave shqipe në disa lagje të Nju Jorkut, njeriu që u bë edhe vatra e shumë emigrantëve shqiptarë të ardhur në Sh.B.A...
Malli i madh për familjen që e la në Shqipëri, prindërit, motrën, vëllezërit, njerëzit, miqtë shokët, gjithë të afërmit që i
la pas, Vlorën, vendlindjen e tij të shtrenjtë, i digjte si vullkan, që nuk kishte det dhe oqean t’ia shuante atë mall.
Sa herë ai njeri i mirë, i mallëngjyer për tokë shqiptare, kishte shkuar nga Amerika e largët në brigjet e Adriatikut, pranë Otrantos, përballë Shqipërisë për të shuar sado pak atë mall, me shpresën se mos shihte tej në horizont Vlorën, Kaninën, Llogoranë, malet shqiptare... Asnjëherë nuk mundi të shihte një pjesë
tokë shqiptare nga ato brigje.
Për të realizuar atë dëshirë, mallin që e ngacmonte dhe që nuk e linte të qetë edhe në gjumë kur flinte, Selahedin Velaj mendoi diçka tjetër. Shkoi si turist në ishullin Korfuz në Greqi, vetëm e vetëm për të parë pak tokë shqiptare. Dhe vërtet, fati i trokiti, jo vetëm në derë, por edhe në shpirtin e tij të përvëluar.
Një mëngjes, mes mjegullës së lehtë të detit Jon, përballë Korfuzit iu shfaq profili i qytetit bregdetar shqiptar, Saranda.
Pa e kontrolluar dot veten, nga ajo dëshirë dhe mall i zjarrtë i shumëpritur, mes atij gëzimi dhe pamjes që iu duk hyjnore, u çua në këmbë, me trupin që i dridhej nga emocionet dhe gëzimi, me sy të përlotur, kishte bërtitur: “Ja Shqipëria ime e bekuar...” sa që edhe turistët e tjerë të shumtë përreth tij, ishin habitur me atë veprim të tij.
.........................................................................................................
                                   Epilog

Që kur u njoha për herë të parë me Dr. Selahedin Velaj dhe gjatë viteve në vazhdim, si njeri, si bashkatdhetar, humanitar, patriot... gjithmonë më ka ngacmuar si një limë e bezdisshme në ndërgjegjen time ndjenja dhe dëshira të shkruaja për të. Një zë i brendshëm shpirtëror më fliste shpesh të bëja atë, që vetë Dr. Velaj e ka të vështirë të flasë e të shkruajë për veten e tij. Ai gjithmonë ka ditur të zgjedhë heshtjen.
Heshtja e tij... ! Gjithë jetën, Dr. Selahedin Velaj ka punuar për Kombin Shqiptar në heshtje, pa e ngritur zërin të reklamonte e ta dëgjonin të tjerët atë që ai e bënte me vetëmohim dhe dashuri, me sakrifica, me përkushtim...
Por edhe nëse Dr. Velaj zgjedh heshtjen, janë faktet historike ato që nuk heshtin, janë puna dhe vepra e tij madhore në shërbim të Kombit, janë bashkatdhetarët, janë arkivat e
VATRËS ku Dr. Selahedin Velaj ka dhënë një kontribut të madh në rritjen dhe jetëgjatësinë e saj si ndër anëtarët e Kryesisë së Vatrës, si Kryetar i Degës së Vatrës për dy vjet në Nju Jork, është vetë vepra e tij madhore brilante patriotike, janë shoqatat dhe njerëzit e ndryshëm në nevojë ekonomike ato që nuk heshtin kur Dr. Velaj u është gjendur pranë duke i ndihmuar në çastet e tyre më të vështira, janë “arkivat” në mendjet dhe zemrat e bashkatdhetarëve që e kanë njohur dhe që vazhdojnë ta njohin nga afër atë burrë kolos të ndritur të shqiptarizmës.
Dr. Velaj sot është një burrë i mbajtur mirë fizikisht. Fisnikëria vazhdon akoma të lexohet në fytyrën e tij. Edhe pse mosha bën të vetën, në rrudhat e tij mbi ballë, në flokët e tij të zbardhur, ne shohim vitet e kaluara të jetës së tij, merakun për vendin dhe popullin e tij, qetësinë e tij shpirtërore, që më në fund Shqipëria u çlirua nga vampiri komunist, që Kosova fitoi njëherë e përgjithmonë lirinë e përjetshme, që së shpejti edhe Çamëria të çlirohet njëherë e përgjithmonë e të marrë frymë lirisht.
Heshtja e Dr. Velaj-t!
Nuk mund të rri pa përmendur edhe një fakt: Në vitin 2005 i shpreha dëshirën time Dr. Velaj-t të bënim një bashkëbisedim (intervistë) një përmbledhje të jetës së tij në emigracion për t’a botuar në gazetën Shqiptaro-Amerikane ILLYRIA këtu në New York. Më falënderoi për ç’farë i kërkova, por më refuzoi, duke
më thënë disa arsye që mua nuk më bindën. (“arsyet” e tij ishin, sepse nuk donte të publikonte ato që kishte bërë... i dukej si mburrje përpara bashkatdhetarëve të tij...)
Ditët në vazhdim, me insistimin tim, e “binda” dhe lamë vendin e takimit. Pas disa ditësh, kur shkrim-intervistën e kisha përfunduar dhe ishte gati për t’u botuar në gazetë, Dr. Velaj më njofton që të mos e dërgoja për botim shkrimin dhe, për t’u bindur në vendosmërinë e tij dhe në dëshirën dhe insistimin tim, në
të njëjtën kohë u kishte telefonuar edhe punonjësve të gazetës ILLYRIA që të mos e botonin në gazetë dërgesën time. Vetkputohet, nuk u ndjeva mirë, por unë kisha qëllimin tim ta realizoja atë që doja. Edhe pse nuk u botua në gazetën ILLYRIA, shkrimin bashkë me intervistën me Dr. Selahedinin të shoqëruara edhe me disa foto ia dërgova shtypit të pavarur në Shqipëri, ku edhe u botua, madje u botua edhe në disa gazeta evropiane
ku ka shqiptarë dhe në web site dhe gruplista të ndryshme në
internet....
Edhe pse jeta me të papriturat e saja e goditi pamëshirshëm familjen dhe shpirtin e tij, duke i shkaktuar dhimbjen më të madhe që mund të ndjejë një prind për humbjen e fëmijës së tij, Dr. Selahedin Velaj, me virtytet e tij të larta burrërore, me dashurinë për atdheun e tij dhe tonin bashkë, me patriotizmin që e karakterizon, vazhdon të ndjejë dhimbje në çdo kohë, kur mëson për politikat e mbrapshta, pabesitë dhe shantazhet, dinakërinë e shteteve fqinje ndaj Shqipërisë dhe ëndrrat e tyre të vjetruara dhe mjerane, copëtimin e territorit shqiptar.
Kështu ndodhi edhe muajt e fundit, kur Dr. Selahedin Velaj, ishte nismëtari dhe organizatori i takimit me intelektualë të ndryshëm që jetojnë në Nju Jork, ku diskutuam për pretendimet territoriale dhe detare që shtetet fqinje kanë ndaj vendit tonë.
Ishte Dr. Velaj ai që propozoi në atë takim për t’i dërguar një peticionin Parlamentit Evropian, Qeverisë Shqiptare, që edhe ajo, nëpërmjet eurodeputetëve që përfaqësojnë Shqipërinë në Parlamentin Evropian, ta ngrejë zërin e saj për këto probleme, propozim ky, që u pranua nga të gjithë ne dhe peticioni u dërgua.
Në biseda të ndryshme me njerëz që e njohin Dr. Selahedinin të thonë në koinfidencë se ai njeri është Nderi i Komunitetit Shqiptar në Amerikë, Nderi i Kombit tonë. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kaninioti Selahedin Velaj, legjenda vlonjate në shqiptarët e Amerikës dhe në mbarë Diasporën Shqiptare.
Gjithë jeta, puna, vepra e tij, janë histori, janë muze, janë thesaret e paçmueshme që ruhen në atë muze për të gjithë emigrantët dhe mbarë shqiptarët, për të njohur bijtë e rrallë e të ndershëm të Kombit tonë. Duke u njohur me jetën, vuajtjet, aktivitetin e të nderuarit Dr. Selahedin Velaj e kupton përsëri se bijtë e ndershëm të Shqipërisë janë dhe do të mbeten përherë të nderuar. Dr. Selahedin Velaj, Simboli i Diasporës Shqiptare në Sh.B.A. biri i shtrenjtë i shqiptarisë, një ndër vatranët e vjetër
që ka dhënë një kontribut të çmuar në jetëgjatësinë e saj duke bërë edhe fushata për të grumbulluar ndihma në bashkatdhetarë për Vatrën . Një ndër rastet e shumtë, ka qenë edhe atëherë, kur grumbulloi njëzetë mijë dollarë, shumë e madhe me kursin e asaj kohe, kur Kryetar i Vatrës me qendër në Boston ka qenë zoti Pjetër Lukaj. Njeri i angazhuar me pjesëmarrjen e tij fizike në nismat dhe aktivitetet e ndryshme është ndër burrat e mëdhenj të Diasporës Shqiptare në Amerikë, një figurë e ndritur e Kombit tonë.

Vlora heroike dhe historike, ajo vatër e ndezur për liri, që tregoi heroizëm kundër pushtuesit turq e deri tek heroizmi kundër pushtuesit italianë, Vlora, vendlindja e Pavarësisë
së Shqipërisë dhe e Ismail Qemalit, qyteti bregdetar turistik dhe piktoresk, sigurisht, ndjehet krenare për birin e saj të ndritur që e lindi dhe e riti, burrin e nderuar Selahedin Velaj, siç ndjehemi të gjithë ne krenarë, pjesëtarët e Komunitetit Shqiptar të Amerikës që patëm fatin e mirë të kemi në gjirin tonë doktorin e nderuar Selahedin Velaj, siç ndjehet krenarë çdo shqiptar kur mëson për aktivitetin patriotik humanitar të tij, siç ndjehet krenarë mbarë Kombi Shqiptar.
Vepra patriotike e Dr. Selahedin Velaj-t, respekti dhe vlerësimi që kanë bashkatdhetarët për të, vlejnë më tepër se një dekoratë mirënjohjeje, se një titull i lartë nderi, që duhet t’i jepej nga instancat më të larta të shtetit shqiptar. Titujt më të lartë të nderit, Dr. Velaj i ka marrë prej kohësh nga bashkatdhetarët dhe mbarë shqiptarët me dashurinë dhe respektin që kanë ndaj tij për kontributin e tij të përkushtuar.
Faleminderit nga zemra Dr. Selahedin Velaj për çdo gjë ka bërë gjatë gjithë jetës së tij për Kombin Shqiptar dhe trojet shqiptare. Njerëz të tillë si Dr. Velaj patriotë të zjarrtë mbeten përherë Nderi i Kombit.
Jetë të lumtur të ketë përherë.
Suksese në misionin e tij individual patriotik.