| E diele, 15.04.2012, 08:35 AM |
Intervistë
me veprimtarin e njohur të cështjes kombëtare, z. Xhafer Shatri
Nga Selim
Nengurra
*-Në parim nuk i
komentoj shkrimet e mia. Por në analizën time të fundit lidhur me Veriun e
Kosovës kam shprehur drojen për rrezikun që paraqesin politikanët që e kanë
‘bishtin të zënë me derë’.
*- Fetë janë pjesë e identitetit tonë dhe
loja me to, është detyrimisht lojë me vetën dhe qenien tonë.
Besoj se për çdo besimtar abuzimi me fetë është
edhe abuzim me Gjithëkrijuesin: Ai për çdo besimtar normal është Një dhe i
kupton të gjithë, pavarësisht se a i drejtohen si ‘budistë’, si ‘katolikë’,
si‘muslimanë’, apo si ‘protestanë’. Përkatësia fetare është një çështje krejt
intime e personale dhe askush nuk ka të drejtë t’i përzihet tjetrit në të.
PYETJE1.
– Zotëri Xhafer Shatri,në Kosovë dhe në viset e pushtuara shqiptare në
ish-Jugosllavi, Ju keni qenë një luftëtar mjaft i njohur i rezistencës
shqiptare ndaj pushtimit…; veprimtaria Juej atdhetare është hetuar që nga mosha
fëmijënore, pastaj shkollimi i mesëm dhe jeta studentore, të cilën nuk u lanë
ta përfundonit për shkak të angazhimit tuaj politik në luftën nacional-clirimtare.
A mund të na e jipni një rrëfim paksa kronologjik se si ia nisët, kur dhe se si
u prek shpirti e ndërgjegja yte të thuash fëmijënore nga dhuna dhe terrori i
pushtuesit?
Para se të përgjigjem në pyetjet tuaja, më lejoni
të sqaroj për sa vijon: prej vitesh përkundër propozimeve e kërkesave të
shumëta, nuk jap intervista. Po përgjigjem në pyetjet tuaja për t’u
solidarizuar me ju, bashkëvendasit e mi, që keni filluar ta nxjerrni ‘Revistën
Drini’.
Qe në adoleshencë kam qenë i angazhuar kundër
pushtuesve jugosllavë. Ky angazhim me ka çuar në burg dhe në mërgim të
detyruar, ku kam kaluar gjysmën e jetës.
Në thelb të angazhimit tim ka qenë pamundësia
absolute që të pajtohem me pushtimin dhe me pushtuesit.
Për detaje etj., nuk dëshiroj të flas, sepse do
t’i kontribuoja rrënimit të mëtejmë të sistemit të vlerave ndër ne. Aktualisht,
sidomos në Kosovë, njerëzit pa u skuqur fare i thurin dhe i këndojnë këngë
vetës. Thjesht, nuk dijnë të ndalen duke folur në vetën e parë. Dikur të tillët
i kanë nxjerrë nga oda me rrapëllimë, ndërkaq sot mediet tona atyre ua hapin të
gjitha dyert. Një sharllatanëri e vërtetë. Asgjë si kjo praktikë nuk rrënon
sistemin e vlerave pa të cilin vështirë se ndërtohet shteti.
Prandaj të moçmit nuk e kanë thënë kot: kur lehin
qentë, burrat e mëshelin gojën.
PYETJE2. – Cilët ishin dishepujt shpirtëror që i
ndoqët në atë kohë e pastaj, cilat ishin kontaktet tueja me ta dhe a u hetuat
në fillim nga bashkëpunëtorët e armikut, njerëzit-vegla e me moral të
dyfisht,të cilët edhe punonin për “cështjen shqiptare e edhe për cështjen
e Serbisë-ish Jugosllavisë” në anën tjetër?!…
Xhafer Shatri
Për gjeneratën time dhe besoj jo vetëm për të, një
shëmbull i përhershëm frymëzimi ka qenë dhe ka mbetur kryeidealisti shqiptar
Hasan Prishtina, Shtjefën Gjeçovi, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Bajo Topulli.
Është krejt e pamundur që si anëtar i një
lëvizjeje ilegale që lufton për çlirimin e vendit të mos ndeshesh në çdo hap
edhe me kundërshtarë të vendosur. Në këtë përballje gjithsesi më e rrezikshmnja
është ‘kolona e pestë’, njerëzit e infiltruar, të cilët, për të qenë sa më
efikas, zakonisht mbarohen ‘më katolik edhe se Papa’.
Definitivisht, si edhe çdo lëvizje tjetër edhe
Lëvizja jonë kishte martirët, idealistët, pishtarët, prijësit, ndërtuesit e saj
etj., sikundër që i kishte edhe kopukët, spiunët, përçarësit dhe rrënuesit e
«vet».
PYETJE3.
– Deri më tash përkundër angazhimit tuaj të theksuar në luftën për liri,
burgosjes suaj të hershme, ikjes nga burgu etj, duket sikur nuk e keni shprehur
mendimiin tuaj për mënjanimin e heshtur që u është bërë nga ana e “luftëtarëve
të rinj” dhe “skileve të vjetra”… A ndiheni të mënjanuar personalisht si Xhafer
Shatri dhe në përgjithësi si lëvizje e gjerë dhe e fuqishme e rezistencës së
gjatë ndaj pushtimit?
Xhafer Shatri
Jo. Kjo ka qenë zgjedhja ime. Me ndjekjen e
Serbisë nga Kosova, angazhimi personal në politikë realisht më dukej i
pakuptimtë. Në anën tjetër, gjenerata ime ishte e stërlodhur nga burgjet,
mërgimi dhe lufta që kishin bërë me dekada kundër saj shërbimet sekrete më të
fuqishme të kohës. Në një jetë njeriu nuk mund të realizohen shumë ëndërra.
Fundja, bashkëluftëtarët e mi që mbijetuan dhe vetën i konsideroj me shumë fat,
ne e pamë të realizuar një pjesë rëndësore të idealeve tona, pra çlirimin e
Kosovës.
PYETJE4.
– A keni patur oferta që të kyceshit në ndërtimin politik e shtetëror të
Kosovës së pasluftës apo,si shumë të tjerë, u penguat dhe injoruat?!
Xhafer Shatri
Po, shumë herë më kanë propozuar të angazhohem në
subjekte politike etj., por nuk kam pranuar. Kisha dhe kam aq shumë gjëra të
tjera për të bërë.
PYETJE5. – Nese jeni pengue nga
kush ju erdhi pengesa?
Xhafer Shatri
Nuk kam pasur pengesa, ndoshta edhe për faktin se
isha krejt i painteresuar për çfarëdo angazhimi politik.
PYETJE6.
– Kur u kthyet në Kosovë për herë të parë pas të thuash shumë viteve të kaluara
në burgje dhe jetës së gjatë në mërgim?
Xhafer Shatri
Kam dalur apo, thënë më mirë, më kanë nxjerrrë me
përdhunë nga shtëpia kur isha 24 vjeçar dhe jam kthyer në shtëpi, në vitin
1999, si 50 vjeçar, kur një pjesë e mirë e njerëzve të mi të shtrenjtë nuk
jetonin më. Gjithsesi ishte një kthim edhe i shkrumtë.
PYETJE7.
– Zotëri Shatri, a e keni përshkrue me fakte e dëshmi të shumëta burgosjen
tuej, rrethanat, intrigat që i paraprinë asaj, kontaktet e dhunshme me
UDBashët, etj. Kur u morët në pyetje për herë të parë UDB-a, kush u mori, kush
u kishte spiunuar?
Xhafer Shatri
Jo. Deri tash nuk kam shkruar gati asgjë për
vetën. Por kam shumë shënime që i kam mbajtur rregullisht qoftë para burgosjes,
gjatë burgimit dhe sidomos në mërgim. Sigurisht se ato shënime meritojnë dhe do
ta shohin dritën një ditë, sepse janë pasqyrim i kohëve shumë të vështira dhe I
përpjekjeve mbinjerëzore të një gjenerate, të cilat kanë mundur të bëhen vetëm
në saje të një idealizmi të jashtëzakonshëm.
PYETJE8.
– Arratisja në Mërgim si ishte në atë kohë? Si arritët ta bashkonit familjen
dhe të krijonit një jetë të re, një familje që të thuash ngritej nga “hiri”?
Xhafer Shatri
Nuk ka qenë aspak e lehtë. Burgimi i gjatë është
një përvojë krejt e veçantë dhe njeriu do kohë ‘për ta marrë vetën’. Në anën
tjetër Lëvizja ilegale, pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, dhe
arrestimeve masive në Kosovë e gjetkë ishte dëmtuar rëndë dhe, krejt natyrshëm,
posa dola në mërgim u angazhova me shumë të tjerë për rimëkëmbjen e radhëve të
organizuara dhe avansimin e të gjitha formave të mundshme të qëndresës.
PYETJE9.
– A ishte i sinqertë angazhimi politik i mërgatës shqiptare në atë kohë dhe si
e pritën ardhjen tuaj mërgimtarët dhe udhëheqësit e lëvizjes së ilegalitetit në
Perëndim?
Xhafer Shatri
Përgjithësisht po, sepse ishte një atmosferë që
nuk linte shumë alternativa. Unë vetë s’kam pasur asnjë problem, sepse posa kam
dalur kam rënë në kontakt me radhët e organizatës ilegale që i kam takuar që
para burgosjes.
PYETJE10.
– Cilat janë kontaktet më dobiprurëse me udhëheqësit e kësaj mërgate politike
dhe cka nuk do të dëshiroje me e kujtue nga ajo kohë?
Xhafer Shatri
Unë kam pasur kontakte korrekte me përfaqësuesit e
shumë grupimeve politike në mërgim, dhe jo vetëm me shqiptarë, me të cilët jemi
përpjekur të gjejmë gjuhë të përbashkët me një qëllim të qartë e të thjeshtë:
çlirimin e Kosovës.
Qëllimi i pjesës dërrmuese prej nesh ka qenë që të
gjithë shqiptarët që e duan lirinë e Kosovës, pavarësisht bindjeve të tyre
ideologjike t’i takojnë Lëvizjes dhe të përpiqemi bashkarisht për çlirimin e
vendit.
Përkundër rreziqeve dhe vështirësive të mëdha ne
arritëm mjaft shpejt ta fuqizojmë Lëvizjen për Republikën Shqiptare në
Jugosllavi, ta demokratizojmë atë dhe ta nxjerrim gradualisht dhe pjesërisht
nga ilegaliteti.
Natyrisht se ka pasur edhe zhgënjime të dhimbshme,
por ato ishin rrethanat dhe njeriu, pra as unë, nuk mund të dilte jashtë tyre.
PYETJE11.
– Cili është mendimi Juej për literaturën e aktivistëve të njohur politik të kësaj
mërgate, posacërisht për librin “Atentatet” të Ibrahim Kelmendit? Pyetjen ua
bëjmë se për habinë e të gjithëve ky “superman i atdhedashurisë”, me një gjuhë
mjaft cinike e aluzive ndër të tjerët flet edhe për ty, madje mundohet me të
zhvendosur në një dritë-hije tjetër, ashtu si nuk të kan njohur të tjerët? E
bënë këtë nga ndonjë xhelozi e fshehur apo cilat do të kenë qenë motivet e një
synimi të tillë zhvlerësues të tij? A i jeni përgjigjur deri tashi atij?
Xhafer Shatri
Nuk e kam lexuar atë shkrim dhe as të ngjashmit me
të. Për arsyen e thjeshtë se jam sqimtar në përzgjedhjen e librave dhe autorëve
që lexoj. Sepse me librat njeriu shuan etjen e mendjes dhe të shpirtit, prandaj
përzgjedhja duhet të jetë maksimale. Ka libra që janë si uji i freskët i burimit,
por ka edhe të tjerë që nuk dallojnë nga ujërat e kanalizimit. Dihet si
përfundon njëri dhe si përfundon tjetri.
Megjithatë, nga bisedat që kam pasur me miqtë e
mi, më kanë thënë se shkrimi që përmendni po dhe një tjetër më vonë mëtojnë t’i
përgjigjen librit të Faridin Tafallarit “Terror, dhimbje, qëndresë”, i botuar
para 15 vitesh.
Në fakt, Faridin Tafallari, njëri prej veteranëve
të shquar të Lëvizjes ilegale në mërgim, ka shkruar një libër të mrekullueshëm
për ato vite të vështira ku, me një paanësi për t’u admiruar, pasqyron në
detaje themelimin, organizimin dhe funksionimin e Lëvizjes për Republikën
Shqiptare në Jugosllavi. Natyrisht Faridin Tafallari flet edhe për përçarjet
brenda Lëvizjes duke u mbështetur në dokumente dhe fakte reale.
Besoj se ky libër mbetet përgjithmonë një burim i
pakapërcyeshëm informacioni për çdo person që mëton të mësojë ose të shkruajë
për veprimtarinë e LRSHJ-së.
Për fat të mirë, LRSHJ ka një arkiv të plotë me
dokumente, marrëveshje, procesverbale, incizime, raporte pune, artikuj etj.,
etj., të cilët gjithsesi do të botohen dhe prej tyre do të dalë në pah jo vetëm
veprimtaria e kësaj lëvizjeje të fuqishme, por edhe roli i çdo personi të
angazhuar në radhët e saj.
PYETJE12.
– Keni ndonjë mendim për Xhavit Halitin dhe bëmat e tij në Kosovën e paralufte,
në diasporë dhe në Kosovën e pasluftës?
Xhafer Shatri
E njoh shumë pak. Nëse nuk gaboj me të kam
biseduar tri herë, prandaj nuk mund t’ju them asgjë të qëndrueshme.
PYETJE13.
– Në disa shkrime të fundit jeni mjaft kritik ndaj udhëheqjes shtetërore, madje
kryeministrin aktual, e cilësoni si një njeri që qenka i dyshuar per disa
vrasje, si të Ahmet Krasniqit etj? A keni fakte të mjaftueshme per ketë dhe
cili është mendimi Juej për një politikan, udhëheqës të tillë shtetëror, për
pasojat ndaj vendit nga njerëzit e tillë…
Xhafer Shatri
Në parim nuk i komentoj shkrimet e mia. Por në
analizën time të fundit lidhur me Veriun e Kosovës kam shprehur droen për
rrezikun që paraqesin politikanët që e kanë ‘bishtin të zënë me derë’. Më sa di
unë, një prokuror ndërkombëtar po heton lidhur me alegacionet e Dick Martit,
raporti i të cilit është shkruar i ndikuar drejtpërdrejt nga Serbia dhe, jo
rastësisht, është publikuar në momentin kur çështja e copëtimit të Kosovës
është nxjerrë në tavolinë.
Jam krejt i sigurt se e ashtuquajtura tregti me
organe është një trillim serb, por në raport ka edhe gjëra të tjera,
tmerrësisht të rënda, që Hashim Thaçin e bëjnë një bashkënegociues të
pabarabartë me Serbinë. Kjo është një çështje tepër serioze që qytetarët e
Kosovës do të duhej t’i shqetësonte shuuumë dhe analiza ime që Ju i referoheni
mëton të shprehë pikërisht këtë shqetësim.
PYETJE14. – Jeni autor i disa
librave, cili nga ta per Ty si autor asht ma i dashuri?
Xhafer Shatri
Raporti i autorit me librat e tij është si raporti
i prindit me fëmijët. Gjithsesi librat e mi që i dua më së shumti nuk janë
botuar ende.
PYETJE15. – A do ishit kycur në
politikë sot në Kosovë dhe nese po nga cila parti politike anoni, që është
më afër bindjeve e botëkuptimit tuaj?
Xhafer Shatri
Jo, kurrsesi. Mirëpo meqë shumë çështje të
shqiptarëve kanë mbetur në gjysmë të udhës, mendoj se i vetmi subjekt politik
që pasqyron në një masë aspiratat e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, është
Lëvizja Vetëvendosje.
Më gëzon fakti që një personalitet si Albin Kurti,
i cili, pavarësisht se a ndodhet në burg, në opozitë apo në pushtet gjithsesi
është lideri i pakontestueshëm i Kosovës se re.
PYETJE16. – Zotëri Xhafer Shatri,
krejt në fund, një pyetje e pashmangshme që ndërlidhet me keqpërdorimet e fesë
në hapësirat shqiptare, posacërisht me keqpërdorimin e fesë islame dhe asaj
ortodokse në Shqipëri. Cili është mendimi Juaj për islamizimin e jetës në
hapësirat shqiptare, ku në disa pjesë të Atdheut tonë për shembull si në
hapësirën shqiptare në Maqedoninë e sotshme ndërgjegja muslimane ia ka zënë
vendin ndërgjegjës kombëtare shqiptare, ndërsa në Kosovë kemi njerëz të
BIK -ut të cilët hapur nxisin urrejtje brendakombëtare, duke mos e pranuar
historinë ashtu si ka rrjedhur ajo nën pushtimet e gjata, por, madje,
duke shkuar aq larg sa që edhe pushtimin osman duke mos e njohur si të tillë,
por si njëfare clirimi…(?!), përderisa Sulltan Muratin etj, duke i njohur si
heronj të tyre apo,sipas tyre, të “pjesës” së kombit shqiptar që e
praktikojnë islamin si fe?!! Në të vërtetë cili është mendimi Juaj për
greqizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare përmes grekut Anastasios
Janullatos dhe tendencat e ngritjes së një platforme fundamentaliste islamike
dhe veprimin e hapur të islamit politik në kryeqendrat e hapësirës shqiptare,
të cilat i kan edhe udhëheqësit e tyre si ta zëmë Abdi Baletën e Hysamedin
Ferajn në Tiranë, Milazim Krasniqin,Shefqet Krasniqin,Fuad Ramiqin dhe Naim
Tërnavën në Prishtinë si dhe islamizimin e udhëheqjeve politike shqiptare
në shkallë të palejueshme në Shkup e Tetovë ?…
Ju lutem për një koment të
hollësishëm për këtë tematikë, z. Xhafer Shatri?…
Xhafer Shatri
Mjerisht nuk mund t’ju flas shumë dhe me
kompetencë për këtë temë gjithsesi rëndësore, sepse nuk e njoh gjithaq mirë.
Megjithatë po përpiqem të jap pikëpamjen time në vijat më kryesore:
Politizimi i fesë është shumë i rrezikshëm. Për ne
shqiptarët më shumë se për askënd tjetër. Kosova dhe Shqipëria duhet të mbetën,
jo vetëm në letër, shtete laike. Përndryshe e rrezikojnë qenien e vet.
Fundamentalistë të ndryshëm, ‘muslimanë’,
‘ortodoks’ dhe ‘katolikë’, janë çuar peshë dhe duan ta shqyejnë kombin shqiptar
duke nxitur fetë njerën kundër tjetrës. Ata, pavarësisht se si quhen, janë
armiq dhe duhet të trajtohen si të tillë. Ata duhet të ndiqen edhe penalisht.
Sepse qeni, nëse nuk ia tregon shkopin, ta ngjet për fyti.
Zgjedhja e një peshkopi grek në krye të Kishës
Ortodokse Shqiptare është një faj që historia do ta dënojë rëndë. Kjo, veç të
tjerash, është një pështyerje e turpshme ‘shtetërore’ mbi veprën madhore të Fan
Nolit, njërit prej personaliteteve më të shquara të kombit shqiptar.
Fetë janë pjesë e identitetit tonë dhe loja me to,
është detyrimisht lojë me vetën dhe qenien tonë.
Besoj se për çdo besimtar abuzimi me fetë është
edhe abuzim me Gjithëkrijuesin: Ai për çdo besimtar normal është Një dhe i
kupton të gjithë, pavarësisht se a i drejtohen si ‘budistë’, si ‘katolikë’, si
‘muslimanë’, apo si ‘protestanë’. Përkatësia fetare është një çështje krejt
intime e personale dhe askush nuk ka të drejtë t’i përzihet tjetrit në të.
Pastaj, gjatë renovimit të çdo ngrehine prekja,
cënimi i mureve bartëse, nënkupton jo renovimin, por shkatërrimin e ngrehinës,
në këtë rast loja me fetë do të thotë shkatërrim i kombit shqiptar.
Çdo njeri që e ndien veten shqiptar nuk guxon ta
harrojë kurrë thënien e të pavdekshmit Pashko Vasa se, Feja e shqiptarit është
shqiptaria!
Kjo ishte motoja e Rilindjes sonë kombëtare,
përmës së cilës, një pjesë e mirë e kombit tonë, formuam shtetet dhe u çliruam.
*Intervistën e bëri publiçisti, z. Selim M.
Nengurra