| E diele, 15.04.2012, 01:25 PM |
Maqedonia mund të reflektojë
siguri në rajon nëse respekton shqiptarët dhe qytetarët e saj në mënyrë të
barabartë. Në të kundërtën ajo do të mund të ishte një burim për destabilim të
përhershëm. Kështu u tha gjatë një konference shkencore në Tetovë, të
organizuar nga Instituti për studime gjeopolitike dhe siguri nga Prishtina në
bashkëpunim me
Qeverinë
e Republikës së Maqedonisë, si dhe përfaqësues i Forumit Rinor Islam në
Maqedoni. Të ftuar ishin edhe shumë mysafirë dhe pjesëmarrës, ku ndër to ishin
edhe: Naser PAJAZITI, drejtor i Agjencisë së Lajmeve INA (Iliria Neës
Agency), Mr.sc. Ibrahim BAJRAMI etj.
Në këtë
rast Ish gjenerali i Shqipërisë Kuduse Lame, tha se çdo mosvlerësim i
qytetarëve është një hap drejt destabilizimit, është një hap drejt
shkatërrimit. Ai u shpreh: “Shqiptarët nuk janë strukturë e një shoqate në Maqedoni,
shqiptarët janë realisht nëse do të ketë guximin Maqedonia të bëjë
rregjistrimin e saj të popullsisë ndoshta dua të them, kombi prioritar si sasi
njerëzish në Maqedonia. Nëse duhet të instalohet një komb maqedonas për hatër
të sllavo-maqedonasve duhet të respektohet ajo e kombit shqiptar në autoktoninë
e tyre. Pa këtë nuk mund të ketë ardhmëri dhe perspektivë në Maqedoni, kush
mendon ndryshe gabon dhe është mirë që të respektohet kombi shqiptarë këtu me
gjenin dhe identitetin e tij.Është mirë ti jepet ajo që i takon dhe në këso
kushte Maqedonia është e garantuar qind për qind në të kundërtën të jeni të
sigurtë se Maqedonia nuk reflekton siguri”, tha Lame. Ai mendon se Marrëveshja e Ohërit
nuk është zbatuar dhe është një dështim i ndërkombëtarëve për të mbikqyrur atë
drejt zbatimit.
Ndërkaq,
profesor doktor Nazmi Maliqi, thotë se për Maqedoninë krijohet një përshtypje
se ka një destabilitet të brendëshme, raporte ndëretnike të çrregulluara dhe
kjo mbështetet në gjendjen reale të incidenteve të llojeve të ndryshme që
zhvillohen herë pas here.
Gjithashtu
zgjoi interesim të madh edhe referimi i Dr. Faton Mehmetajt, me titull:“NDIKIMI
I SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË NË SFIDAT E SIGURISË GLOBALE”, i cili vuri në pah rëndësinë dhe relevancën e
faktorit shqiptar në Maqedoni dhe në sigurinë e saj, i cili faktor nëse vazhdon
të anashkalohet, kjo do të jetë fillimi i fundit të këtij shteti.
Ndërsa,
Dr. Mark Ndreca shpalosi rëndësinë dhe rolin ndikues të rreziqeve dhe
kërcënimeve të brendshme të sigurisë në procesin e integrimeve euroatlantike,
rasti i Shqipërisë.
Kërshëri
të madhe zgjoi edhe referimi i eskperit të lartë të sigurisë, Doc. Dr. Metodija
Haxhijanevit me titull “CONFRONTING CHALLENGES BY MODERN
TERRORISM: The Art of Shaping Instruments of national power”, ku
theksoi se fatmirësisht për dallim prej rajoneve të tjera të krizës sikur në
Afganistan apo Pakistan, që nuk pranojnë vlerat perëndimore, ngase për to është
e panjohur dhe e huaj ajo vlerë, në Ballkan dhe në Maqedoni, fatmirësisht këto
vlera perëndimore janë edhe pjesë e Ballkanit dhe pranohen si të tilla, andaj
vuri në pah se ky rajon që me gjasa është problematik, duhet të përshpejtojë
procesin e integrimit në UE dhe institucionet e tjera relevante ndërkombëtare.
Ndërsa Mr. sc. Ardian Ramadani referoi në lidhje
me marrëdhëniet shqiptaro maqedonase, duke theksuar se këto marrëdhënie me
gjasa janë acaruar për shkak të rrethanave aktuale ku elementi shqiptar ndihet
i rrezikuar dhe i kërcënuar, si dhe duke potencuar edhe atë se burgjet në
Maqedoni janë të mbushur me shqiptarë, e më konkretisht me ish luftëtarë të
kryengritjes së vitit 2001, prej të cilëve 15 me burgim të përjetshëm, me një
drejtësi selektive, si dhe potencoi se është koha që Maqedonia si dhe Ballkani
të heqë dorë nga imazhi i errët, si prodhues dhe gjenerues krizash dhe
luftërash, dhe të krijojë një imazh më të mirë dhe më të vlefshëm.
Milazim Mustafa referoi
në temën SFIDAT E SIGURISË NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË – (Aspekti
fetar), ku theksoi se është mjaft e rëndësishme që në
Maqedoni shteti të promovojë respektin ndërfetar dhe multikonfesionalitetin, e
jo sikurse në rastin konkret, ku i njëjti shtet aplikon standarde tjera për një
konfesion, duke finansuar ndërtim të kishave, e në tjetrën anë harrohet
elementi shqiptar, i cili është me shumicë myslimane, duke u anashkaluar edhe
në aspekt të besimit.
Në fund pati edhe debat të frytshëm me një atmosferë konstruktive. Ndryshe, Konferenca të këtilla janë mbajtur më herët në Shqipëri dhe Kosovë.