| E shtune, 14.04.2012, 01:54 PM |
Nga Albert ZHOLI
Ka vite që Nikoleta drejton një nga zyrat që ka ngjallur jo pak debate
për t’u kanalizuar dhe formatuar si një institucion publik qendror në formën e
një autoriteti shtetëror. Kjo zyrë është themeluar në fillim të vitit 2007,
pikërisht më 26 prill 2007, në Ditën Ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale.
Qëllimi i krijimit, misioni dhe funksionimi i kësaj zyre është i përcaktuar dhe
buron nga Ligji nr.9380, dt.28.04.2005 dhe nga VKM nr. 232, dt.19.05.2007, dalë
në zbatim të tij, dhe është ai i monitormit dhe garantimit të respektimit të të
drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera që lidhen me të. Për shkaqe të
shumta si historike, por edhe sociale e kulturore, në Shqipëri zhvillimi i
kësaj fushe dhe shpejtësia e saj ka lënë për të dëshiruar dhe është paraqitur
më e vështirë. Megjithatë ajo çka ZSHDA ishte e vetëdijshme që në fillim, edhe
u provua me kalimin e viteve, ishte se një Zyrë e vetme nuk mund të ishte e
suksesshme në mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre të drejtave pa bashkëpunimin
edhe të institucioneve të tjera shtetërore dhe të forcës shtrënguese të ligjit
prandaj me urdhër të Kryeministrit u ngrit një grup pune i cili hartoi
“Strategjinë Kombëtare të Zbatimit të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale
2010-2015” , i cili është dokument strategjik që saktëson dhe “detyron” çdo
institucion shtetëror, që ka përgjegjësinë ligjore që buron nga ky kuadër, të
bashkëpunojë, zbatojë, përmirësojë dhe rrisë nivelin e zbatimit të ligjit në
këtë fushë kaq specifike, siç është Pronësia Intelektuale. Megjithatë ne në
këtë rast nuk do të ndalemi në problemet që ka ky institucion, por më tepër do
të merremi me personazhin tonë, me Nikoletën, si një femër me një bagazh të
plot intelektual që punon në një institucion të rëndësishëm.
Si e ndieni veten në këtë detyrë, që nuk është aspak e
lehtë?
Kjo është një pyetje e cila e gjen përgjigjen në çdo dokument vlerësues
dhe monitorues i cili raporton mbi zhvillimet e Shqipërisë. Në fushën e të
Drejtave të Autorit, progresi është i limituar. Pavarësisht të gjitha
përpjekjeve që ZSHDA ka bërë gjatë këtyre 5 viteve tashme të funksionimit të
saj, kjo është një fushë e cila mbetet ende problematike. Megjithatë ka plot
arritje, që na bëjnë ne optimist. Sot ne, pas gati 5 vjet funksionimi dhe
eksperience të gjatë në këtë fushë, “i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe e kemi
mësuar mirë mësimin”. Para pak javësh ne mbyllëm një projekt të financuar nga
BE nëpërmjet fondeve IPA i cili kishte për qëllim të përmirësonte sistemin në
disa drejtime kryesore, si harmonizimit të plotë të legjislacionit me atë të BE
si dhe zbatimi më i mirë i praktikave të vendeve evropiane; trajnimi i stafeve
dhe eksperteve të institucioneve shtetërore, të cilët kanë pjesën e tyre në
procesin e zbatimit të ligjit për të drejtat e autori dhe të drejtat e tjera të
lidhura me të; ndërgjegjësimi dhe rritja e sensibilitetit të institucioneve
shtetërore për rëndësinë e zbatimit të këtij ligji etj..
Një femër në një sektor delikat, a mendoni se femra
shqiptare ka hapësirat e duhura në administratën shqiptare?
Sado që nëpër rrugët e kryeqytetit, nëpër institucione shtetërore, e
kompani private femrat bien në sy nga numri i shumtë, të ndërtosh një karrierë
të suksesshme mbetet krejtësisht në duart e femrave. Mendoj se, në administratë
ka hapësira për femrat, megjithatë këto hapësira janë larg prej nivelit të
duhur. Nuk flas këtu për hapësirat institucionale. Është më tepër çështje e
imazhit të femrës shqiptare si nënë dhe grua që neutralizohet nga potenciali
për karrierë. Është imazhi i seksit të dobët që i kundërvihet vendosmërisë së
pozitës. Ky koncept i personit publik të femrës si kombinim i këtyre dy
faktorëve, që përjashtojnë njeri-tjetrin, mbetet një barrierë për femrat që të
shfrytëzojnë hapësirat e dhëna në administratë e në sektorin privat.
Megjithatë, këto pengesa nuk janë të pakapërcyeshme. Thjesht, e bëjnë rrugën
drejt realizimit profesional të një femre më të trazuar.
Parë në këtë këndvështrim, a është aktualisht shoqëria
shqiptare një shoqëri maskiliste?
Në këto 20 vite, kam patur fatin të jem dëshmitare e ndryshimeve
rrënjësore në pozitën e femrës në shoqërinë shqiptare. Sigurisht, ka një
ndryshim mes asaj çfarë ne shohim çdo ditë në Tiranë dhe situatës në qytete më
të vogla. Megjithatë, përparimi vërehet shumë lehtë. Problemi i pozitës së
femrës në pozita të larta në administratë dhe në sektorin privat nuk është rast
endemik i shoqërisë shqiptare. Në shoqëri të tjera, si në perëndim edhe në
lindje, femrat e kanë më të vështirë se meshkujt për të përmbushur potencialin
e tyre profesional.
Cilat janë problemet aktuale të femrës shqiptare sot
në shoqëri?
Unë nuk do e kufizoja përgjigjen time në kufijtë e pyetjes tuaj. Mendoj
që, femrat kanë problematikë të ngjashme në të gjitha shoqëritë, qoftë e atyre
vendeve shumë të zhvilluara e n ato më pak të zhvilluara. Mendoj që femra sot
është në një proces evoluimi të shpejtë të diktuar nga faktorë të zhvillimeve
të historisë së vetë njerëzimit. E siç çdo gjë në këtë botë që ka dy anë të
medaljes, e siç natyra njerëzore është e formuar nga e mira dhe e keqja të
cilat i japin kuptim njëra - tjetrës, ashtu edhe ne sot jemi duke u mundur të
kuptojmë nëse Zoti i madh krijoi Adamin e më pas Evën në funksion të tij apo i
krijoi të dy të barabartë? Unë besoj që kjo ka qenë dilema gjenetike-historike
e evolucionit njerëzor, e besoj që pikërisht këtu burojnë të gjitha
problematikat diskriminuese e në funksion të kësaj vijnë të gjithë politikat e
barazisë gjinore. Megjithatë, unë jam e bindur që kjo është një luftë që çdo
femër duhet ta fitojë me veten.
Femra dhe politika, a është e vështirë për një femër
të hyjë në politikë dhe pikërisht në këtë politikë të ashpër 22-vjeçare?
Profili i Zyrës është i atille, që na mbron nga ashpërsia direkte e
politikës dhe në të njëjtën kohë na mban të ndërlidhur me dinamikat e jetës
politike në vend. Janë të shumta femrat e afta, që kontribuojnë dita-ditës në
jetën politike, dhe me të cilat kam pasur rastin të jem në kontakt. Edhe pse
fytyrat që dominojnë jetën politike e që i shohim në media çdo ditë, janë
shumica meshkuj, puna, që femrat bëjnë çdo ditë në politikën shqiptare, është
me rëndësi.
Mendimi juaj për bashkëjetesën?...
Bashkëjetesa është një nga ato terma, që gjatë këtyre viteve të fundit,
është shndërruar në një nga ato termat e përmasave pothuajse mitike. Sipas
mendimit tim, është e rëndësishme për gjithsecilin të gjejë përkufizimin vetjak
të termit. Mendoj që është e rëndësishme që dy njerëz të ndjehen rehat me
zgjedhjen e tyre, qoftë bashkëjetesë ose diçka më e formalizuar si martesa.