Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Dr. Zoi Xoxa, princi i shtypit

| E enjte, 12.04.2012, 07:59 PM |


Dr. Zoi Xoxa, princi i shtypit

 

Nga Lavdrim Lita

 

Janë të shumtë njerëzit që me plot gojë thonë (e nuk gabojnë)  se shekulli i kaluar pati një dekadë të ndritshme për mendimin shqiptar. Po, janë vitet ’30 të shekullit të XX-të që prodhoi një plejadë njerëzish të shkolluar, sa në Oksident, sa në Orient, që ndezën zjarrin e  gjallë të debatit për t’i orientuar drejt shqiptarët. Disa prej tyre kanë hyrë me forcën e veprës së tyre në librat e historisë e disa janë harruar fare, si për shembull: Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Mit’hat e Mehdi Frashëri, Gjergj Fishta, Anton Harapi, Branko Merxhani, Zef  Valentini, Eqerem Bej Vlora, Krist Maloki, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Vangjel Koça alias Vango Nirvana, e shumë të tjerë. Jo vetëm emra, por dhe një platformë si “Neoshqiptarizma” e viteve 30-të, që mbetet si e vetmja lëvizje mendore të prodhuar në 100 vjet shtet shqiptar,  e cila kishte për fe dhe ideologji shqiptarinë. Kjo shkollë, programin e saj bazë kishte ndërtimin e Shqipërisë së brendshme, Shqipërisë shpirtërore. Afërmendsh themelet e shteti shqiptar mbanin në këmbë ngrehën e ideve të reja, që do ishin edhe frymëzimi historik i gjithë shqiptarëve të më pasëm. Edhe në vitet ‘30 mendohej për ditën që shqiptarët të shkonin në Europë ashtu siç kishin predikuar fort rilindasit, por ashtu siç kishin qëllim edhe neoshqiptarët në fillim duhej të bëheshin shqiptarë të vërtetë.

Kuptohet vetiu një emër pak i njohur në shkallë të gjerë është gazetari Dr. Zoi Xoxa. për të hhyrë direkt në temë ky njeri jetonte për kulturën dhe dashurinë për dijen.  Duke pyetur për të dikush  më tha se kish qenë mik i Konicës dhe i Nolit, por dhe njeriu më i afërt i Mbretit Zog për punët e shtypit. Sido që të jetë këtë muaj, në prill, mbushen plot 110 vjet nga lindja e gazetarit të njohur të viteve 30-të, Dr. Zoi Xoxes, njëri prej intelektualëve më të shquar të asaj plejade mendjendriturish që kryesuan debatin publik. Për një linjë jetëshkrimore Dr. Zoi Xoxa u lind në Berat në vitin 1902. Megjithëse arsimin e mori përtej Adriatikut në Itali, fillimisht në koloninë arbëreshe të  San Demetro – Corone në Kalabri, ndërsa studimet e larta i kreu në Romë, në Fakultetin e Drejtësisë, ku u doktorua më 1926.

Fakti që u diplomua në Drejtësi por shkëlqeu në gazetari është e krahasueshme me princin e gazetarisë italiane, Indro Montanelli, i cili edhe pse u diplomua për drejtësi fort shkëlqeu në botën e jashtëzakonshme të gazetarisë. Ashtu si Montanelli edhe Dr. Zoi kishte pikëpamje politike të këmbyeshme kur interesi madhor ishte e  vërteta. Për të mësuar pikëpamjet politike dhe kulturore të atyre vitet plot gjallëri intelektuale mjafton të lexoni librin: “Kujtime të një Gazetari” (Botime 55), në të cilën rrëfehen intrigat dhe prapaskenat e një shoqërie dinamike në çdo pikëpamje.

Në një jetëshkrim të shkruar nga historiani Kastriot Dervishi për Dr. Zoi Xoxën thuhet se “pas kryengritjes së qershorit 1924 u largua nga Shqipëria si fanolist. Qëndroi në Itali e më pas në Rumani deri në vitin 1928, ku ishte drejtor politik i gazetës “Shqipëri e Re” nga 8 gushti 1926 – 27 gusht 1928. Pasi iu përgjigj thirrjes së Ahmet Zogut për t’u kthyer në Shqipëri, është drejtor politik i “Gazete e Re” . Jo vetëm kaq por në karrierën në gazetari Dr. Xoxa do të jetë drejtor i gjashtë gazetave. Më 7 prill të vitit 1939 vendosi të hiqte dorë përfundimisht nga politika. Pas vendosjes së regjimit komunist në vend Dr. Zoi vendosi të protestonte siç dinte ai me heshtje, duke mos shkruar qoftë dhe një rresht në shtypin komunist. Për të mbijetuar i mjaftonte të korrigjonte bocat plot gabime të analfabetëve të rinj që kishin ardhur me vrullin e pushkës dhe jo me elegancën e pendës. Dr. Zoi Xoxa për gazetarët e rinj shqiptarë është një paraardhës i heshtur që nuk kërkon dekorata pas vdekjes, por veç një kujtim të një gazetari që për shtypin kishte një dashuri thuajse platonike.