| E marte, 10.04.2012, 06:59 PM |
ECURITË
E ARSIMIT FILLOR SHQIP NË KËRÇOVE E RRETHINË
(1945-2010)
Nga Avzi
Mustafa
Rrjedhat
e zhvillimit të arsimit shqip në Kërçovë kanë qenë të kushtëzuara nga rrethanat
kulturore, shoqërore dhe politike, herë-herë të penguara nga faktorët e
ndryshëm. Para shkollës shqipe në Maqedoni, pra edhe ne Kërçovë, pas Luftës së
dytë Botërore po paraqiteshin sfida të ndryshme që e pengonin zhvillimin normal
të edukimit dhe arsimit të shqiptarëve në këtë republikë jugosllave.
Me krijimin e marrëdhënieve të reja shoqërore, të gjithë
popujt e Ballkanit, pra edhe shqiptarët, prisnin barazi të plotë në gjitha
sferat e jetës, por kjo shumë popuj i mashtroi, sepse parimet që proklamoheshin
për një barazi të plotë asnjëherë nuk u realizuan, as që u ndërtuan ndonjëherë.
Pabarazinë e shohim menjëherë, qëkur u hap diskutimi për kushtetutën e parë në
Maqedoni, edhe pse në këtë kushtetutë në nenin 12 thuhej: “Pakicat kombëtare në
Republikën Popullore të Maqedonisë i gëzojnë të drejtat dhe mbrojtjen e
zhvillimit të tyre kulturor dhe përdorimin e lirë të gjuhës së tyre”. Që këtu
qartë shihet se fjala arsim në këtë kushtetutë mungon.
Duke vështruar nga perspektiva e të sotmes, sipas një
dokumenti, mund të kuptohet se ideologu
i PKJ-së, Svetozar Vukmanoviq-Tempo, menjëherë me vendosjen e sistemit të ri, i
porositi udhëheqësit maqedonas, madje kërkonte nga komunistët maqedonas që në
shumë vendbanime me shqiptarë të vendoset gjendje e jashtëzakonshme
ushtarako-policore, se gjoja ende vepronin forcat reaksionare balliste. Sa i
përket hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, ai kërkonte që të hapen vetëm në
ato vende ku ishin instaluar poskomandat policore dhe jo në të gjitha vendet ku
kishte nevojë dhe kushte normale për punë.
Ky autoritet komunist nuk u mjaftua me kaq, po ai i
këshillonte komunistët maqedonas që të kenë kujdes dhe të mos lejojnë që në
Maqedoninë Perëndimore të krijohet një “Kosovë e vogël”. Bashkë me ta ai i
përcaktoi edhe metodat e format e ndryshme që ato në fillim dukeshin se janë
forma të dhunës e jo të arsimit, duke e shfrytëzuar mirë edhe psikologjinë e
shqiptarit që ky e njihte fare mirë. Deklaratat e këtilla shkonin preknin pra
edhe më të shenjtën – arsimin, i cili në Maqedoni kufizohej dhe kontrollohej.
Megjithatë, meqë në Jugosllavinë e atëhershme jetonin edhe
pakica të tjera kombëtare, për organizimin e shkollave të pakicave kujdesej e
ashtuquajtura Pleqësi e përkohshme e Ministrisë së Arsimit në Jugosllavinë
Demokratike. Ajo më 10 gusht të vitit 1945 e aprovoi edhe dokumentin “Drejtimet
për punën e shkollave të pakicave kombëtare”. Në këtë dokument u dhanë kornizat
dhe mundësitë e organizimit të shkollave të pakicave sipas orientimit
jugosllav. Në këtë dokument thuhet:
1. Të gjitha pakicat kombëtare mund të hapin shkollat e veta
në ato vende ku ka më së paku 30 nxënës edhe nëse aty nuk ekziston shkollë.
Ndërkaq, nëse ekziston shkollë në gjuhë tjetër, atëherë pranë asaj shkolle mund
të hapen paralele – nëse ka 20 nxënës;
2. Secila republikë popullore kujdeset për hapjen e
shkollave fillore edhe të mesme;
3. Mësimi në shkollat e pakicave zhvillohet në gjuhën e
pakicës. Prej klasës së tretë me nga 3 orë në javë zhvillohet mësimi i gjuhës
federale, respektivisht i gjuhës së republikës ku jeton pakica;
4. Mësuesit në shkollat e pakicave duhet të jenë shtetas
jugosllavë;
5. Kujdesin për shkollat e pakicave e bëjnë instruktorët
mësimorë, pjesëtarë të pakicave;
6. Administrata në shkollat e pakicave behet brenda shkollës
në gjuhën e pakicave. Të gjithë formularët dhe dokumentet zyrtare jepen në dy
gjuhë.
7. Librat dhe tekstet shkollore të botohen në vend..
Në bazë të këtij dokumenti
filloi të organizohet edhe shkolla shqipe në Maqedoni, nga njëra anë, kurse nga
ana tjetër gjithsesi duhej të respektohej edhe ligji republikan i Maqedonisë,
edhe pse sipas Kushtetutës së Maqedonisë, të aprovuar më 1946, ku Maqedonia
proklamohej se është atdhe i maqedonasve, shqiptarëve, turqve dhe të gjithë
duhet të kontribuojë për zhvillimin e saj në çdo pikëpamje. Mirëpo, duke pasur
parasysh rrethanat në të cilat u zhvillua shkolla fillore shqipe, nga ajo që
proklamohej dhe nga ajo që bëhej për shkollimin e fëmijëve shqiptarë, shohim se
ajo u zhvillua me një plan të posaçëm. Sipas ndarjes territoriale në Maqedoni
kemi formimin e rretheve dhe komunave. Kërçova së bashku me fshatrat në fillim
ishte e paraparë bashkë me Dibrën të përfshihen në një rreth, por pa kaluar 3
muaj u bë ndryshimi dhe nuk e lanë që të ngrihet krahina Kërçovë-Dibër, por
këto dy qytete me fshatrat do të hynë në rrethin e Ohrit.. Në gjendje të këtillë, Komuna e Kërçovës
duhet të sigurojë kushte materiale për fillimin e arsimit, si dhe vendime të
ndryshme për problemet e shkollave. Ashtu siç quhej asokohe – “pushteti i ri
popullor” u ballafaqua me një numër të madh pengesash. Të gjitha pengesat ishin
në lidhje me sigurimin e kushteve themelore për punën me shkolla, për sigurimin
e kuadrit, mjeteve etj. Pushteti
i ri nuk kishte ndonjë plan për ndërtimin e objekteve shkollore. Në çdo fshat
ku banonin shqiptarët ndërtesa shkollore nuk kishte, madje edhe ato që kishin
qenë më parë tashmë ishin shkatërruar, pa dritare, dyer e tavane, d.m.th. pa
mjete elementare për punë mësimore. Të gjitha shkollat ku zhvillohej mësimi në
gjuhën shqipe ndërtoheshin apo rinovoheshin nga vetë fshatarët. Në shumicën e
rasteve, për hapësirë shkolle u shfrytëzuan mejtepet, të cilat as për së afërmi
nuk i plotësonin kushtet për mbarëvajtjen e mësimit. Një gjendje e këtillë
solli aksionin e mobilizimit të vetë fshatareve për mbledhjen e inventarit të
mbetur, si dhe organizimin e aksioneve vullnetare për adaptimin e ndërtesave
shkollore. Për realizimin e punës së shkollave në gjuhën shqipe në Kërçovë dhe
rrethinë rol të madh kanë luajtur mësuesit të cilët me entuziazëm dhe mund të
madh, bashkë me popullin, nuk kursyen djersën e paranë e tyre për të realizuar
ëndrrën e parealizuar gjatë shekujve.
Kështu, sipas statistikave, në periudhën e parë, që kap
periudhën 1945-1950, në vendbanimet shqiptare në Kërçovë nuk kemi ndërtime të
godinave. Sipas statistikave me të cilat disponojmë, në vitin 1945 nuk u
ndërtuan, por vetëm u përshtatën, disa shkolla të ndërtuara gjatë pushtimit
serb ose u adaptuan disa mjetepe dhe shtëpi private.
Në vitet 1944/45 punën mësimore e filluan këto
shkolla, të ashtuquajtura shkolla “Shkolla fillore popullore”: në Zajaz
me 54 nxënës, në Trapçindoll me 7 nxënës, në Cërvicë me 14 nxënës, në Jagol
Dolencë me 19 nxënës, në Greshnice në një mësojtore me 35 nxënës dhe në fshatin
Sërbicë më 20 shtator të vitit1945. Në vitin shkollor 1945/46 hapen shkolla fillore
edhe në: Drogomisht të Poshtëm me 48 nxënës, në Dragomisht të Epërm hapen dy
paralele me 75 nxënës, në Premkë me 24 nxënës, në Llapkindoll me 34 nxënës, në
Kollarë me 74 nxënës me dy paralele të kombinuara, në Zhubrinë një paralele me
12 nxënës, në Prapadishtë 1 paralele, në Berikovë një paralele me 8 nxënës, në
Prapadishtë një paralele me 13 nxënës, në Tuhin ishte hapur shkollë në gjuhen
maqedonase, edhe pse fshati ishte etnikisht i pastër shqiptar. Kështu thuhet në
Raportin e lëshuar nga referenti i shkollave, z. Telha Cela..Më pas, në vitin shkollor 1947/48 hapet një
paralele në fshatin Berikovë me 8 nxënës, në fshatin Leshnicë me 21 nxënës, në
fshatin Mahmute me 6 nxënës, në Novo Sellë me 7 nxënës dhe te Kaleshet një
paralele me 9 nxënës .
Në etapën e parë të organizimit, arsimi shqip në Maqedoni
zhvillohej sipas parimit të nacionaliteteve, ashtu që për çdo komb e pakicë
hapeshin shkolla të veçanta me drejtori të veçanta. Me rritjen e numrit të
nxënësve dhe me kërkesë të prindërve, pushteti atëhershëm i cili dukej se po e
respekton vullnetin e popullit, hapi në vitin 1946/47 një shkollë me një
paralele në fshatin Dërgovë, kurse në vitin shkollor 1947/1948 në shtëpinë
private të Adem Jahollarit hapen dy paralele në Zajaz Teqe. Ndërsa nga viti
1949/50 këto paralele të Zajaz Teqës transferohen në medresenë xhamisë. Po në këtë vit shkollor hapet edhe shkolla
fillore në fshatin Kolibar me 46 nxënës..
Në pesë vitet e para në Kërçovë e rrethinë në gjuhën shqipe fuksionojnë
gjithsej 17 shkolla. .
Në vitin shkollor 1948/49 në rrjetin shkollor në rajonin e
Kërçovës ka funksionuar vetëm një shkollë shtatëvjeçare dhe ajo ishte shkolla e
fshatit Sërbicë, e cila e vazhdoi punën e saj si e vetmja shkollë që kishte
funksionuar edhe viteve 1941/44, kur nxënësve ua pranuan dëftesat dhe kjo
shkolle vazhdoi me klasat e larta. Kjo shkollë shtatëvjeçare ishte e vetmja
shkollë që në gjirin e saj pranonte nxënës nga të gjitha fshatrat e Kërçovës
dhe kjo shkollë si shkolle shtatëvjeçare ose, siç quhej, progjimnaz i vetëm në
Kërçovë e rrethinë, e filloi punën me klasën V, të cilën e kanë ndjekur 16
nxënës. Kjo shkollë njihet edhe si shkolla e pare ne Maqedoni si shkollë që
kalon në tetëvjeçare.
Në Plenumin e tretë të KQ të LKJ-së, në dhjetor të vitit
1949, u shqyrtua arsimi në përgjithësi, e veçanërisht arsimi dhe edukimi i
pakicave ne shtetin Jugosllav. Në këtë plenum u kërkua që edukata e arsimi të
orientohet kah ideologjia komuniste me orientim jugosllav. Këshilli për Arsim,
Shkencë dhe Kulturë, i Qeverisë së RPM-së në Shkup, ua dërgon për diskutim
elaboratin të gjitha shkollave dhe me pjesëmarrje të detyruar mësuesve dhe
prindërve. Nga një raport mund të shohim diskutime dhe propozime shumë
interesante se gjoja shkollat katërvjeçare në fshat të ngelin edhe më tutje
katërvjeçare, kurse shkollat e qyteteve të kalojnë në tetëvjeçare, e pastaj
plan-programi mësimor të unifikohet dhe të hapen shkolla te përziera. Krejt
qëllimi ishte se shkollat e pakicave për nga forma dhe përmbajtja të jenë
lidhura me shtetin ku jetojnë. Në të njëjtën kohë u shtrua edhe nevoja për
ndryshime të brendisë së punës në aspektin edukativ..
Periudha 1951/1960 ishte periudha kur shkollat me mësim në
gjuhën shqipe po konsolidoheshin, edhe pse nuk posedonin aspak kushte për
zhvillim të mësimit normal. Megjithatë, nga ana tjetër, kërkesat ishin të mëdha
në përfshirjen e nxënësve. Në bazë të një raporti, si shkolla që nuk kishin
kushte për mësim normal dhe në përfshirjen e nxënësve, na paraqitet shkolla e
Trapçindollit dhe shkolla e Sërbicës..
Ndërkaq shkolla e Sërbicës ishte qendër e arsimit të të gjithë nxënësve
shqiptar në Komunën e Kërçovës dhe rrethinës, e cila filloi të ndiqej edhe nga
nxënës të fshatrave të rrethit të Zajazit e të Tuhinës.
Në vitet e ’50-ta organet ministrore, të përgatitura mirë
në komitete partiake, filluan ta ndryshojnë kursin dhe shkollës t’i japin
orientim e përmbajtje në plan-programet mësimore me orientim ideologjik dhe
jugosllav. Prandaj në raporte del se inspektorët e arsimit vëzhgime bënin vetëm
në lëndën e gjuhës amtare dhe të historisë. Në bazë të raporteve shohin se si
deklarohen inspektorët e arsimit ndaj gjuhës amtare. Ata shkruajnë në raportet
e tyre “se gjuha shqipe në shkollat me mësim në gjuhën shqipe nuk kanë asnjë
dallim nga mësimi i nxënësve të Shqipërisë. Pastaj në raportet shkruhet se
mësimi i gjuhës shqipe (shiptarski jazik) realizohet sipas programit të
caktuar, ashtu që shumë mësues atyre u mësojë vjersha patriotike shqiptare.
Sipas deklarimit të një drejtori, për t’u treguar se sa është ai komunist i
vërtetë, ai kërkon ndryshime edhe më të mëdha
në drejtim të dhënies sa më tepër të karakter jugosllav, që të shtohet
mësimi i shkrimtarëve jugosllavë. Ky ndryshim duhet të behet sa më shpejt,
sepse ka rrezik që nxënësit të edukohen në frymën nacionaliste”..
Në të
gjitha dokumentet e konsultuara, pra ligji i parë për administrimin shoqëror në
lëmin e shkollimit fillor të vitit 1953, kërkesat programore të Kongresit të VI
të LKJ-së, si dhe Kongresi i Parë i Pedagogëve të Jugosllavisë, kërkohet që të
dalin në pah dy momentet kryesore, si: 1) Trajtimi autentik i pozitës dhe të
drejtave mbi shkollën ose paralelet e pakicave në aspektin formal dhe 2)
Statusi i shkollave të pakicave ose paraleleve të pakicave në përmbajtje.
Në
Republikën e Maqedonisë si problem shumë të madh e paraqitnin edhe mosnjohjen e
gjuhës maqedonase. Gati në të gjitha informatat që posedojmë e cekin këtë
problem, që ishte edhe një kusht për të nisur organizimin e shkollimit sipas
parimit nacional, me të cilin kërkohej që të kalohet në organizimin e shkollimit
të ashtuquajtur të pakicave në bazë të parimit territorial. Kështu ata
proklamonin se organizimi në bazë të këtij parimi do të bënte integrimin e
pakicave nëpër republika. Sipas këtij parimi, duhej një shkollë me një
udhëheqje të përbashkët, ku mësimi do të mbahej në paralele të ndara. Në shumë
shkolla, edhe pse dominonte struktura nacionale e shqiptarëve, për udhëheqës
zgjidhej joshqiptari. Këtë punë e rregullonte Ministria ose vetë ministri i
Arsimit. Organizimi i shkollës, sipas këtij parimi, ishte që arsimtarët të
shkëmbejnë përvoja me kolegët maqedonas, që nxënësit takohen në oborr dhe të
mund komunikojnë, por edhe që aktivitetet e lira t’i organizojnë bashkërisht,
duke besuar se kjo është mënyra më e mire për të forcuar frymën e patriotizmit
jugosllav. Meqenëse ky ishte problem i të gjitha pakicave në shtetin jugosllav,
ky problem nxiti që në shkollat e përziera të mësohej edhe në gjuhët e
pakicave, megjithëse gjuha shqipe asnjëherë nuk u mësua, por mbeti vetëm një
synim për rritjen e numrit të orëve “të gjuhës së republikës”..
Megjithatë, kërkesa për ndjekjen e shkollës në gjuhën
amtare ishte e madhe. Por, asgjë nuk ndërmerrej për ndërtimin e shkollave, por
ato më shumë ngelnin që me vetiniciativë të meremetoheshin ose të adaptoheshin,
duke shtuar ndonjë mësonjëtore. Gjithashtu disa shkolla, si ajo Dërgovës në të
cilën mësimi mbahej në gjuhën shqipe, do të mbyllet. Në bazë të raporteve,
shohim numrin e përfshirjes të nxënësve
për vitin shkollor 1947/48 për Kërçovën me rrethinë ishte paparaparë që ,të përfshihen: 1507
meshkuj dhe 839 femra. Mirëpo nga ky numër të paraparë në shkolla shkollimin e
ndiqnin: 794 meshkuj dhe 457 femra, dhe ate në 18 shkolla katërvjeçare me 28
paralele dhe me 26 arsimtarë. Nëse shihet me përqindje, ajo është 50%. Kjo statistikë nuk është e saktë, sepse
numri i femrave është i dhënë vetëm si evidencë për ato që duhet ta ndjekin
klasën e parë dhe mandej po ky numër është dhënë edhe në fund të vitit shkollor
.
Në vitet 1950-1960 në rrethin e Kërçovës nuk ndërtohet
asnjë shkollë. Pos në Zajaz, ku në vitin shkollor 1951/52 formohet tetëvjeçarja
me 4 paralele, që pastaj në vitin 1962/1963 kalon në shkollë qendrore, që do të
përfshijë fshatrat e rrethit të Zajazit, si: Greshnicën, Leshnicën, Baçishtin,
Drogomishtin e Epërm, Dragomishtin e Poshtëm, Kolibarët, Lllapkindollin e
Trapçindollin. Në këtë kohë edhe disa shkolla, si ajo Jogoll-Dolencës dhe
shkolla e Strellcës, kalojnë në shkolla tetëvjeçare. Po në vitin 1957/58 fillon
puna me një paralele të kombinuar prej I-IV në qytetin e Kërçovës, kjo në
shkollën fillore “Jane Sandaski” me mësues Rafman Fejzen dhe Rifat Kiskën,
kurse në vitin 1966/67 kjo shkolle kalon në tetëvjeçare.
Nëse shikojmë se si qëndronte lëvizja e gjeneratave të
nxënësve nga regjistrimi i klasës parë të shkollave fillore në vitin shkollor
1963/64 deri në përfundim të klasës së VIII në vitin shkollor 1970/71 në
Kërçovë e rrethinë gjendja është me sa vijon: nga 227 nxënës të regjistruar në
klasën e parë, në klasën e VIII ai numër arrinte në 81, që shprehur me përqindje,
në gjeneratë për këto 8 vite ishte vetëm 35,68%.. Kjo përqindje kaq e vogël është për shkak
se numri i vajzave të përfshira në shkollë në komunën e Kërçovës ishte shumë i
vogël ose ato mësonin deri klasën e katërt e mandej e braktisnin shkollën. Shkollimi
i vajzave ishte problem, sepse prindërit nuk kishin dëshirë që edhe ato t’i
dërgojnë në klasat e larta, prandaj i dërgonin deri në klasë të katër, për t’i
ikur kështu gjobës. Shumë prindër vepronin në mënyra të ndryshme. Duke gjurmuar
në arkivin e shkollës tetëvjeçare të shkollës së Zajazit, aty gjenden disa
certifikata të lëshuara nga mjekët se fëmijët e gjinisë femërore nuk janë të
afta për shkollim të mëtejmë..
Prej vitit 1972, edhe pse shihet një transformim dhe
liberalizim në sistemin edukativo mësimor, për sa i përket aspektit të
organizimit nuk kemi ndryshime organizative në shkollat me mësim në gjuhën
shqipe. Tani në lëndën e gjuhës dhe letërsisë kemi heqjen e disa shkrimtarëve
që kishin pak vlera letrare dhe zëvendësimin e tyre me shkrimtarë të Kosovës
dhe të Shqipërisë. Në lëndën e historisë si specifikë tani janë pesë tema nga
historia kombëtare, ku dy tema janë tema të përgjithshme, të cilat që
mësoheshin në kuadër të historisë së popujve të Ballkanit. Sidoqoftë, prej
vitit 1972 e deri në vitin 1981 kjo periudhë mund të karakterizohet si një
periudhë kur shkolla shqipe merr një zhvillim të dukshëm në zgjerimin e rrjetit
të shkollave, në hapjen e paraleleve në shkollat e mesme dhe në hapjen e disa
programeve studimore në arsimin e lartë. Po në këtë periudhë shkapërderdhja e
nxënësve u zvogëlua për tri herë në komunën e Kërçovës. Gjatë kësaj periudhe u
ndërtua vetëm një shkollë, në fshatin Greshnicë, edhe kjo me vetinicativë dhe
kërkesë të pareshtur të greshnicasve.
Pas vitit 1981 vijon periudha me më e errët në historinë e
arsimit shqiptar në Maqedoni. Në këtë periudhë u vu në zbatim të hapur
strategjia antishqiptare e përgatitur në kuzhinën e Beogradit. Pushteti
maqedonas në këtë periudhë u tregua shumë i ashpër për të flakur “separatizmin
dhe irredentizmin shqiptar”. Politika antishqiptare, të cilën e ushtronin
organet partiake me direktivën e shtetit, arsimin shqiptar filluan ta atakojnë
nga të gjitha anët. Se pari filluan me evidencën dhe dokumentacionin
pedagogjik, që mbahej në gjuhën shqipe. Pushteti i atëhershëm në shënjestër
kishte vënë mësuesit dhe kishte përgatitur dosjet famëkeqe që shkollën shqipe
në Kërçove ta rikthejë në binarët e vjetër, duke u udhëhequr nga motoja e
shovinistëve sllave “se shqiptari i pashkolluar është i dëgjueshëm ndaj
shtetit”. Kështu u dënuan me burg Baftjar Rrushajn dhe Tefik Ramadani, kurse më
vonë edhe Sulejman Elezi. Në vitin 1967 u burgosën edhe Fazli Veliu, Medin
Emini dhe Qazim Rrushaj, pikërisht për arsye se ata angazhoheshin për arsimin
shqip dhe për të drejtat universale të shqiptarëve në Kërçovë. Pas vitit 1981
pushteti i atëhershëm i ndau mësuesit në dy taborë, në të mire dhe të këqinj.
Sipas një informate që kemi nga viti 1981, aty thuhet se “Duhet të fillojë
pastrimi i literaturës nga bibliotekat shkollore, i librave, lektyrave e
romaneve në gjuhën shqipe, po edhe fotografive e hartave gjeografike, si dhe të
evidentohen rastet dhe faktet që do të vlerësohen si romantizën nacional
shqiptar dhe të “formohen komisione të veçanta” për të filluar diferencimin,
suspendimin dhe përjashtimin e kuadrit arsimor”.. Dhe, kështu në shtator të vitit 1981
sistemi i diferencoi dhe i largoi nga procesi mësimor mësuesit dhe arsimtarët:
Imer Mehmeti, Baftjar Rrushaj, Sefedin Elezi, Shaziman Adili, Ramazan Bajrami,
Feti Mustafa, Sabit Ramadani, Sami Ibrahimi, Ahmet Morreni, Olloman Sulejmani,
Mersin Çupi, Veli Kasami, Islam Limani, Mustafa Pinjolli, Islam Adili, Bajram
Kadriu, Nazif Selimi, Medin Emini, Etem Selimi, Tefik Ramadani, Zeqir Emini,
Ilmi Veliu, Nexhbedin Saliu e Beqir Iseni.
Në vitin 1983 u kërkua që evidenca dhe dokumentacioni
pedagogjik të mbahej në dy gjuhë, ndërsa në vitin 1989 sillen dy amendamente,
43 dhe 57, të Kushtetutës së Maqedonisë, me çka plotësisht gjuha shqipe u hoq
nga përdorimi.
Në vitin 1985/86 si rast specifik duhet të përmendet rasti
i fshatit Baçishtë kur satrapi i konvertuar maqedonas Nijazi Limanoski, për
shkaqe politike, shkollën e Baçishtit e pavarësi si shkollë më vete dhe kjo
shkollë u bë tetëvjeçare. Mirëpo, këta malësorë të vetëdijshëm për prejardhjen
e tyre, kurrën e kurrës nuk e pranuan ta humbin identitetin e tyre shqiptar.
Ata, krahas presioneve të mëdha, kërkonin të mësojnë në gjuhën amtare, ashtu
siç ishte deri në vitin 1949, kur atyre iu imponua të mësojnë në gjuhën maqedonase.
Pas presioneve të vazhdueshme dhe mosbindjes së tyre, organet komunale ua
mbyllën shkollën. Paskëtaj nxënësit e këtij fshati mësimin e ndjekin në gjuhën
shqipe nëpër shtëpi private, kjo deri në vitin 1991, kurse prej vitit 1993-1995
ata u transferuan në shkollën e Greshnicës. Pas këtij viti ata u pavarësuan dhe
tash ndjekin mësimin prej foshnjores e deri në klasat e larta të tetëvjeçares,
gjegjësisht të nëntëvjeçares.
Në vitin
1986/87 filloi kryqëzata e fundit kundër arsimit në gjuhën shqipe. Organet e pushtetit
monist fillojnë të pushojnë nga puna arsimtarë, në shkollë u ndalua të
komunikohet në gjuhën shqipe, arsimtarët filluan të burgosen, u ndërruan emrat
e shkollave dhe u mbyllen shkollat e mesme dhe të larta.
Tani arsimi i shqiptarëve filloi të organizohet sipas
parimit të paraleleve të përziera, ku mësimi zhvilloj vetëm në gjuhën
maqedonase, kurse gjuha shqipe mbetej vetëm si lëndë mësimore e kushtëzuar se
cili shkrimtar dhe me çfarë vepre do të përfshihet,
Ky
eksperiment i kuzhinës arsimore i Beogradit dëshironte së pari të testohej në
Maqedoni, e mandej edhe ne viset e tjera ku jetonin shqiptarët. Po kështu në
vitin 1983/84 ishte formuar një komision ndërrepublikan për të propozuar
bërthamat e përbashkëta, të cilin përfaqësuesit e Kosovës e kishin bojkotuar dy
herë, mirëpo më vonë u detyruan të marrin pjesë në diskutimin e versionit të
pestë që u organizua në Beograd, ku u diskutua mbi bërthamat e përbashkëta
programore të gjuhës amtare, të letërsisë, për edukimin e arsimin fillor dhe
për bërthamat e shkollës së mesme. Sa i përket lëndës së historisë, atë e
kishin zgjedhur me një hap, se “historia e kombësive është historia e atij
kombi me të cilin jeton” – ajo e Goce
Dellecevit, Jane Sandaskit, Nikolla Karevit etj. Sa i përket lëndës së muzikës,
aty pa asnjë diskutim u imponuan himnet sllave e këngët kishtare.
Në këtë
mënyrë arsimi shqiptar kaloi një golgotë të paraparë. Gjithë kjo krijonte një
pakënaqësi, si në masën e nxënësve, ashtu edhe të prindërve të tyre, të cilët
nuk i shihnin me sy të mirë këto forma të organizimit, të cilat konsideroheshin
si akte shoviniste e antishqiptare të organeve burokratike maqedonase.
Pas
viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar në Kërçovë e rrethinë funksionojnë 23
shkolla në 134 paralele me gjithsej 2775 nxënës, prej të cilëve 1286 femra dhe me 330 arsimtarë. Tani në Kërçovë e rrethine punojnë gjashtë
(6) shkolla tetëvjeçare ose, siç quhen, të varura, si: në Sërbicë, ku
përfshihen nxënësit e shkollave periferike të fshatrave Zhubrinë, Aranjell. dhe Novo Sellë; në Jagoll-Dollence:
Kaleshet, Berikoveni, Parapadishti dhe Popojani. në Strellcë gravitojnë: Mahmudet,
Shutova, Cervica dhe Premka; në tetëvjeçaren e Zajazit hyjnë: Zajazi Teqe e Xhuma,
Drogomishti i Madh dhe Drogmishti i Vogël, Kollara; në tetëvjeçaren e Greshnicës,
e cila në vitin 1998 u pavarësua, gravitojnë fshatrat: Trapçindoll,
Kolibar, Llapkindoll, Leshnicë dhe Baçisht.
dhe në tetëvjeçaren e Kërçovës, gjegjësisht në shkollën tetëvjeçare të
pavarur “Jane Sandanski”, vazhdojnë shkollimin fillor të gjithë shqiptarët që
jetojnë në qytetin e Kërçovës.
Në bazë të ndarjes territoriale, Kërçovën e ndajnë në 3
njësi administrative, në atë të Zajazit, Osllomesë dhe të Kërçovës. Në tria
komunat pas viteve 2000 numri i shkollave është po ai, kurse numri paraleleve
dhe i nxënësve po reduktohet ndjeshëm. Në bazë të statistikave, në Komunën e
Zajazit nxënësit që mbarojnë tetëvjeçare është 125, në Osllome 91 dhe në
Kërçovë 91, pra gjithsej 307 nënës. Sipas regjistrimit të vitit shkollor
2011/2012, numri i nxënësve në klasën e parë është: në Zajaz 65 nxënës, në
Osllomej 42 dhe në Kërçovë 40 nxënës,
pra gjithsej 147 në klasë të parë..
Sot brengos fakti se nuk kemi rritje të numrit të
nxënësve, e as të paraleleve, por kemi pakësim të tyre. Nomadët ekonomikë na i
boshatisin shkollat dhe kjo është më brengosësh. Dhe, jo se kërçovarët e
dëshirojnë këtë, por halli i detyron të veprojnë kështu. Shteti për këta nxënës
as që do t’ia dijë se a shkollohen dhe nuk mban fare llogari për hapjen e
shkollave në gjuhën shqipe në diasporë.
Nga gjithë kjo, mund të themi se me shkollimin e shqiptare
të trevës së Kërçovës, me të gjitha baticat e zbaticat, ne sot mund të
krenohemi me të gjithë ata nxënës e mësues, sepse këtu është filluar nga
zeroja, ndërsa nga kjo trevë ekonomikisht e pazhvilluar kanë dalë shumë nxënës
që vunë bazën e mësimeve të mëtutjeshme dhe u krijua një plejadë intelektualësh
të fushave të ndryshme që i kanë kaluar caqet e nevojave të Kërçovës dhe tanimë
dituritë e tyre i aplikojnë në shumë universitete e në qendra të ndryshme
shkencore. Ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre mësuesve e arsimtarëve të
shkollave fillore që bartën barrën më të rende në punën e tyre të suksesshme.
Ata sot nuk kanë dekorata e mirënjohje, sepse ato as që u duhen, por ata na
kanë neve, nxënësve të profileve të ndryshme, që jemi fryti i tyre dhe që do
t’i nderojmë e do t’i kujtojmë sa herë që do të përmendet fjala e bukur
“arsim”, të cilën kërçovari, kudo që është ai, e di, e kupton dhe e nderon.