Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zyba Hysa: Miliano Stefa në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë

| E diele, 25.03.2012, 05:25 PM |


Miliano Stefa në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë

 

Poeti kthehet në dritë, ku ne duhet të shohim rrugën e bashkimit tonë shpirtëror mes njeri – tjetrit dhe mes popujve, drejt një Europe të Madhe…

 

Nga Zyba Hysen Hysa

 

Njeriu në jetë nuk mund të zgjedhë farefisin, por shokët dhe miqtë i zgjedh duke i njohur nga afër e kur sytë e shpirtit tij shohin atë që sheh shpirti yt, kur sytë e mendjes së tyre dallojnë atje ku dhe ti dallon... edhe përtej malesh, arritjet tua e rrisin edhe atë, ku dhembjet tua e bëjnë të trishtohet dhe gëzimet e lumturojnë, thua se ke gjetur një shok, një mik një koleg, një konsulent… Kështu, midis shokëve dhe miqve të paktë, kisha fatin e madh dhe të papërsëritshëm që të njoh e të bisedoj gjatë me një njeri trupvogël, të veshur pastër e me sqimë qytetare, me një vështrim përherë të përlotur, por me përmasa gjigande në vlerat e tij si poet, si dramaturg e mbi të gjitha si njeri. Ai nuk jeton fizikisht, unë e kam më pranë se asnjëherë tjetër, se u desh të ndërronte jetë që unë t’i njihja më mirë poezinë, se nuk kisha kohë për të shfletuar poezinë e tij, se më rrëmbente fjala, mendimi i tij prej një krijuesi intelektual dhe një kritiku të mirfilltë, ku shpesh me humor i thosha, se kritiku me punën e tij lartëson veprën, se edhe pisha po të mos kishte duruar çukitjet e qukapikut, kurrë nuk do të ishte lartësuar, ku çdo fjalë e tij, për mua, ka qenë busull orientuese në krijimtari.

Ai ishte profesori im, ose siç e thosha shpesh, konsulenti im, ai ishte shoku dhe miku i gjithë krijuesve, pa dallim, sepse ai kurrë nuk dinte të shante, por “notën” e vinte sipas meritave krijuese dhe jo sipas posteve, prejardhjes fisnore dhe “gradave shkencore” që i vishnin vetes, ndaj shumë i kthyen kurrizin, e mohuan duke mos e njohur deri në thelb, duke mos e dëgjuar, duke mos e mbajtur pranë, se i sfidonte, thjesht… me fjalë të meçur… Egoizmi shkonte deri aty, sa i kthenin edhe librat me poezi që ua dhuronte, por mirë bënin, se pesha e tyre i fundoste, vlaga e poezisë së tij nuk i dehte, por i digjte, ndaj e braktisën të braktisurit, apo shterparët, që thotë poeti, Dalan Luzaj në poezinë ”Rekuim për Miliano Stefën” , kur morën në dorë kolanën “Shtrati i Prokustit”. E pse e zgjodhën “kryetar nderi” në ish Shoqatën e Shkrimtarëve “Petro Marko”, se tani, ngaqë duan të jenë të gjithë kryetarë, janë bërë çopë – çopë, (po të ishte gjallë Petro Marko, nuk do kishte lejuar ta keqpërdornin emrin e tij nëpër klube e kafene karrieristësh), asnjëherë s’e ftonin, se drejtohej nga ish komandantë e Ai kurrë nuk mund të bëhej ushtar i “komandantëve” e me protestë të hapur e braktisi këtë “Organizate Partije”të varur nga politika, se ai nuk pranoi të shtrihet në “Shtratin e Prokustit” që në diktaturë, se në vitin 1980 u shkëput nga realizmi soçialist dhe u vetpërjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ndërpreu botimet, por vazhdoi të shkruasnte për vete duke i fshehur poezitë, ashtu siç fshihet një thesar, a siç na thoshte në biseda, midis kompesatave të tavolinës së bukës, bashkë me të shoqen, Letën.

“Unë jetoja dhe nuk jetoja,/ Unë i përkisja një bote tjetër,/ Kanuneve,/ Dhe ligjeve tjera…/ Botëkuptimeve të tjera…/ Shkurt,/ Isha tjetër… Domethënë isha unë,/ Dhe përsëri, jo unë…!”, do të shkruante në vargjet e poezisë:  “Unë i përkisja një bote tjetër”. Kurrë nuk i pamë sytë e tij hapsinorë të kthelltë, por të përlotur, me një përlotje që nuk kishte fuqi të mbushte edhe gropëzat e syve e më të shpërthenin në rrëke, sytë e tij ngjanin në një lumë në shterim, ku vërshimi i lotëve ndër vite kishte thërrmuar shkëmbinj, por për fat të keq, nuk kishte hapur shtratin e tij për të ecur i qetë me lot gëzimi, por nga thërrmimi ishin shndërruar në ranishte, ku lotët e tij thitheshin ethshëm e s’kishin më forcë të merrnin rrugëtimin e dëshiruar...

Profesori, siç e thërrisnim e pse ai na qortonte,(na thoshte se kishte emër), kur të shtunave takoheshim tek bar “Da Kapo” (Laureta Petoshati, Ilirjan Sadikaj, Eqerem Canaj...), poetë te mrekullueshëm, na merrte në pyetje: “Më thoni, çfarë keni shkruar?” Kur ne i tregonim, atëherë sytë e tij ngazëllenin deri në lumturi e me fjalë të ngrohta, por edhe të serta inkurajonte, qortonte dhe shtronte shina nga duhet të ecnim, kjo gjë i jepte krahë e forcë, por edhe ne, mezi e prisnim të shtunën për të pirë kafen më të ëmbël të jetës, kafen poetike me të madhin, Miliano Stefa! Ai donte të fliste, se kishte gjetur shokë që e dëgjonin me ëndje, ai kishte folur gjithë jetën heshturazi në vesh të poezisë, por poezia nuk kishte kishte folur me zë të lartë, se nuk kishte gjetur me kë të komunikonte, se dhe atyre që ua dhuronte, ia kthenin në shenjë proteste, por poezia ishte më e qetë në gjirin e tij. “Ku ta gjej një zë për të shprehur mendimet/Kanë humbur zërat,/Janë kyçur gojët,/Janë kyçur…!/Ku ta gjej një gojë, një vesh,/Për të më dëgjuar mendimet?/U shurdhuan veshët,/U mbyllën gojët…!/Të paktën më jepni ca dyllë,/Të mos dëgjoj sirenat e Odisesë,/Të mos ngatërroj rrugët,/Nëpër detet e trazuara të kohërave!/Të mos bie në humnerën e një kënge pa gojë/Pa vesh,/Pa zë…” shkruan në poezinë “Ku ta gjej një zë… një vesh!” thirrjen e tij e përcjellim edhe sot: Ku ta gjejmë një zë…. një vesh… ku ta gjejmë?!

Ai kishte shumë pengje dhe shumë fjalë të pathëna që donte të na i linte si amanet, ndaj një jave para se të ndërronte jetë, na ftoi një nga një për kafe e unë u çudita që nuk ishin edhe shokët tjerë, po kështu u mërzita me miqtë që nuk më lajmëruan, kur kishin pirë kafe veç e veç por ai na i la amanetet veç e veç dhe së bashku, se e ndjente ikjen e tij… Do shkruante në poezinë "Në të dyzetat e mija" vargjet lajmëruese, ku shprehet: "Ju do të shtroni një drekë,/(E di mirë këtë...)/Unë do ta respektoj ritualin,/Do jem aty,/Nga ferri, a parajsa kjo s;ka rëndësi,/Unë te ju do të kthehem./Ndoshta dhe nga rrethi i Nëntë! /Do kuvendoj me ju,/Për ferrin e atyre viteve.../ Pastaj?/Pastaj i gëzuar do të zhytem/Përfundimisht/Në lumin e Kadmit...!"

Përherë më thoshte: “Do të dhuroj diçka, që përherë të flashësh me mua” e ditët kalonin dhe ai nuk më dhuroi asgjë, apo të them, se nuk pati kohë të më dhurojë, apo më kishte dhuruar më shumë se se dhuratë, më dha ndihmë për të kuptuar veten dhe për të thirrur fort edhe me fjalët e tij të pa thëna. Kam provuar, se amanetin nuk e tret dheu dhe as që e kam marrë vesh, kishte lënë porosi, apo shpirti i poetit foli me djemtë e tij dhe me të 40 – zetat, më dhuruan kolanën prej 12 vëllime poetike, “Shtrati i Prokustit” e në ato momente ndjeva shpirtin e tij të ndriste dhe fjalën që nxirrte flakë nga fletët e librave të marra në prehër, ndaj vendosa duart përsipër, ashtu siç bëjnë besimtarët kur betohen mbi librat e shenjtë dhe u luta për shpirtin e tij e në të njëjtën kohë u betova se mesazhet e poezive do ti shpalos herë pas herë për t’i prekur rinia e mbarë populli, se Ai poezinë e tij e ka shkruar, siç thotë Dante Aligeri, me gjuhën e thjeshtë e përmes thjeshtësisë së gjuhës, përcijell mesazhe të fuqishme filozofike. 12 libra, si 12 apostujt që tregohen në Bibël m’u shndërruan dhe u ndjeva njeriu më me fat në botë, se Ai vërtet është më shumë se 12 apostuj, se librat e tij shtrihen edhe në fushën e dramës për të qenë sa më shumë në kontakt me popullin, si misionar i humanizmit. Unë e qetësoj veten, se në Bibël kam lexuar se apostujt nuk i do vendlindja sa janë gjallë, ndaj Miliano Stefa tani ka rilindur për ta dashur edhe ata që kurrë nuk e deshën dhe ata që nuk e kuptuan, për ta dashur më shumë fëmijët, familja, shokët, miqtë, gjithë populli ynë.

Më duket sikur dëgjoj zërin e tij: ”E mbajta fjalën, librat janë tuajat!” dhe unë heshturazi them:” Profesor, poezia jote do të këndojë në hapsirën e pafundme me një liri pa kufi, ashtu si shpirti jot poetik”. Edhe sot dëgjoj të qeshurën e tij me telefon, kur i thashë të zbriste për të pirë kafe e më pas tha: “Nuk kam më këmbë!” pra i kishte ardhur fundi rrugëtimit të gjatë, por jo drita e poezisë së tij, tani ajo do lartësojë flakën e saj për të parë udhën drejt një përsosmërie njerëzore të shpirtrave. Poezia “Në sheshin Demokracia” duke përjetuar zhgënjime pas zhgënjimi, ai merrte forcë të shkruane që ne të marrim zjarr për të vënë në jetë amanetin e pëllumbave të lirisë, që lindën dhe ndërruan jetë pa fluturuar të lirë në qiellin e demokracisë, ai do shkruante: “U gëzuan njerëzit e theshtë,/ Të etur për një grusht lirie,/ Për një kaltërsi qielli,/ Gjysmë shekulli i grinjtë,/ Gjysmë shekulli i zi!/… Në “Sheshin Demokracia”,/ Komunistët e konvertuar në socialistë,/ Biskun e lirisë,/ Do ta shkulin me rrënjë…/ Tani,/ Në “Sheshin Demokraciasë”/ Plutokracia e kom-socializmit,/ Bën udhë…!/ Deri kur…?”. Poezinë “Si e përfytyruam jetën?” do e përfundonte me vargjet: “… tani pyesim veten:/ Jetuam, apo luajtëm “komedinë e jetës?”/ Na gënjyen!/ Pa kuptuar,/ Gënjyem…!”

Ai e dinte forcën e të fortëve, ndaj u shkruan penave të arta sikur t’i ketë pranë duke u lutur, duke u përgjëruar, të ngremë zërin deri në kupë të qiellit, se ka ardhur koha që për çështjen kombëtare nuk duhet folur më me diplomaci, por “pa doreza” tek poezia “Një thirrje për shkrimtarin Ismail Kadare”, pra ideja është që ti je shqiptar dhe fol si shqiptar e jo si ndërkombetar. “Pse me doreza, Poet…/Pse anës e anës…/O njeriu im i madh…/Kur do të shkruash të vërtetën e madhe?/Kur do të nderosh thinjat tua të ndershme,/Ngreje zërin, të tunden themelet e botës sonë amorfe/ … pa sy, të shikojë,/… pa veshë, të dëgjojë,/… pa gojë, të flasë!”

Profesori na bënte të ndjeheshim krenarë, kur ishim pranë tij se nuk kishim përballë një intelektual dhe një patriot të zjarrtë, gjë që nuk mund të rrinte pa e shpalosur në mjaft poezi me fjalë sa të ngrohta, aq filozofike e deri në profetike. Në mërgim, ndjehet më shumë dashuria për Atdheun, ndaj ai do shkruante në Itali vjershën “E peshojmë Atdheun…” vargjet: “Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmbje të lodhshme,/Në pëllëmbë të dorës,/E peshojmë Atdheun…/Atdheu im,/I vogli, i vogli,/i madhi, i madhi,/Ç’peshë ka…Shqipëria ime?/Sa malli që po na ther në fyt?/Sa është brenga që na mundon mbi shpirt?/

Shpirti i butë prej poeti dhe inteligjenca e tij paqësore, është mesazhi që na jepet për një përpjekje paqësore në bashkëpunim me fqinjët për Bashkimin Kombëtar, një meszh për përpjekje me rrugë demokratike për një Shqipëri Etnike në paqe dhe harmoni me gjithë popujt e ballkanit dhe më gjerë. Në poezinë “Një kërkesë miqësore…” shkruar në Greqi ndër të tjera shkruan: “Pse nuk e lë të qetë tokën time, o njeri i Zotit?/Këtu unë kam hisen time të diellit,/Gjakun dhe ashtin tim./Kam degëzën time të ullirit,/Dhe një selvi drejt qiellit./Njerëzit e mi,/Të gjallët dhe të vdekurit njëherësh!/Kështjellat e mia,/ Edhe në Tivar,/Edhe në Vlorë,/Edhe në Butrint,/e,/deri në Artën tënde!/ Fuqitë e mëdha,/Eh, fuqitë e mëdha!/Boll ma rrudhosën tokën, mallin dhe nderin…/Unë s’kërkoj “revoluçion botëror”,/Të një Marksi të çmendur!/ Hisen time të diellit,/Vetëm hisen time të diellit të të gjithëve,/Dhe arën e bukës,/Vetëm arën time të bukës!/Shtrima de,/Shtrima dorën e miqësisë,/Të ngremë sërish,/Ura bashkimi, për popujt e një Europe të madhe!”

 

(Zgjodhi për shtyp: Alban Voka)