| E diele, 18.03.2012, 05:22 PM |
Shpëtim Kastrati
KAPITENI
Caku i beftë i botës
Një ngjalë nëpër ujë
Në dorën e dridhshme të qëllimit.
Loja dhe vizioni
Në flamur
Sa pafundësia e burimit të syrit.
Pyetjet dhe të çarat
Kollë e pakohë.
Balli i larë gjenezë e erës
Dhe pragu i detyrës
Ledh ndër yjet në oshtimë.
Shtegut të kujtesës
Dëshira fragment i bardhë
Si shkulm’i bregut.
E PASHKRUAR
Këtë çast unë thjesht po shkarravis pa ide,
Një palmë aty jashtë përpjek krahët
Si një patë që ndërron mëndje dhe ikën,
Yjet buzëvarur rënë në gjunjë në heshtje
Sikur janë në tempullin e tyre duke u falur,
Vesa qëmton lulet dhe barin
Duke modeluar agimin e shpërndarë,
Teksa dielli miqësor më afrohet
Dhe ndryhet mbi letër.
LOJE ME KUAJ
Kur ju kujtoni se po luani me kuajt,
Ata e forcojnë edhe më shumë trupin muskuloz
Si një dru ulliri që do të rrojë gjatë dhe i fortë.
Edhe më shumë e tendosin qafën si një shtyllë
Në hendekun e erës së flakërimtë,
Ku toka dridhet nga mëria dhe shpërfillja
Nën mantel
Ndër ledhet që nuk lënë as hije tek faniten
Dhe dëshira e avullt që shfryn nga flegrat e tyre
Është pak dhe e gjitha
Nga gjysma e asaj që dinë kuajt
Të luajnë edhe lojën e rrezikut.
NJU JORK
Edhe vet kodi i ri kurthon dhe bëhet absurd
Këtij pylli ndërtimesh, kur sapo qielli
Zbret poshtë edhe më i thellë
Në kureshtjen tënde të hollë mohuese,
Ku ti s’mund të shikosh mjegulla zhive
Apo përqeshjet kozmike të arnuara
Nga njeriu me fytyrë të thatë ndër muret
Që nxitojnë të ngjiten lart si nëpër mend,
Ti mendon për kulprën, për një piskamë aurore
Të çuditshme në hapsirat paralele
Që aq e padukshme dhe e humbshme
Prej shkakut xixëllues në syrin e tjetrit,
Po të jesh ti udhëtues në këto anë.
LONDRA
Në kepin historik
Rrotull, oazi blugjelbërt i planetit
Gazmend dhe dallëndisës mendimtar,
Tisit gri të tejdukshëm
Në përqafimin e pagëzimit
Të valëve dhuratë
Dhe ngjyrimit të pamoshë
Nga freskia e qeshjes në mitrën e arsyes
Ende në kohën e premtimit
Të pulsit të pasionit dhe maturisë
Kah bulza e bërthamës
Në dyshemenë e hapsirës pafund.
Londër Gusht 2009
PARIS
Si gëzof karafili
Në lulëzim
Në vatrën e burimit
Të shpërthimit të flakërimtë natën dhe ditën,
Kjo valle e fildishtë
Në pragun e pulpët, në majë
E qara e një syri në thembër
Krijesë e ëmbël, shkulm
I yjëzuar në perin parizian.
MARANGOZI
Shtetari
Dredhë bishtin fallco si të derrit
Dhe ushqen parinë.
Demonstruesit
Nën kreshtat e dëshpërimit
Bërtasin në gjuhë të çuditshme.
Marangozi atyre u prin
Me një sharrë të gjatë merite,
Të lakueshme të përshkojë
Drynat dhe nënderët
Për të grimcuar katër këmbët
E karriges nën mollaqet e shtetarit,
Po i eci.
FIRENCE
Mbështetur në ballkonin e Firences
Vështroj Mikelanxhon,
Kërshërinë e tij të bukur,
Pak me tutje foletë krenare të njëpasnjëshme
Te rilindjes italiane
Në ballet e kohëve
Duke zbrazur ende kovat e dijes
Në ullinjtë e lashtë ku njeriu vjel dobi.
Ndërsa ai lum, ai lum i pafjetur,
Me të vetmen ngjashmëri të lashtë, gjuhën e lëngët,
Firence, Maj 2005