Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arben Llalla: Dështon bashkimi i organizatave minoritare greke, por provokojnë Shqipërinë

| E merkure, 14.03.2012, 09:04 PM |


Dështon bashkimi i organizatave minoritare greke, por provokojnë Shqipërinë

me parrullën

''Vorio Epirit tokë greke, nuk e shesim, nuk e harrojmë''

 

Nga Arben LLALLA

 

Organizata e minoritetit grek OMONIA kishte paralajmëruar se më 11 mars do mbahet mbrëmje me muzikë ku nga ky aktivitet do të kërkohej bashkimi i të gjitha shoqatave politike dhe kulturore në një të vetme. Po ashtu OMONIA dhe PBDNJ kishte bërë thirrje që edhe partitë e minoritetit të bashkohen. Për fatin e keq të Vasilis Bollanos dhe të Valngjel Dules thirrjes së tyre nëntingunjt e klarinetës nuk ju përgjigjen shumica dërmuese e shoqatave Vorio Epitiote dhe të partisë MEGA. Në këtë aktivitet nuk u pa asnjë deputet i partisë PASOK dhe të Demokracisë së Re, por ishte deputeti i LAOS Thanasis Plefris dhe zëvendësministri për zhvillim, konkurencë e tregtisë Antonis Gjeorgjiadhis, që para pak kohe braktisi partinë ekstremiste LAOS për të kaluar në partinë e Demokracisë së Re të Samaras. Mbrëmja e mbajtur në një nga sallat sportive në Athinë u hap me parakalimin e grupeve popullore të cilat mbanin një pankartë të madhe ku ishte shkruar: “Vorio Epiri tok greke, nuk e shesim nuk e harrojmë”.

Fjalimin qendrorë e mbajti kryetari i OMANIA-s, Vasilis Bollanos i cili pasi bëri pasqyrën e shkurtër historike të kësaj organizate tha se OMONIA shumë shpejtë do të fillojë fushatën për regjistrin e popullsisë minoritare në Vorio Epir (kështu e quajnë grekët andej dhe këtej kufirit Jugun e Shqipërisë duke shfaqur hapët pretendimet territoriale dhe askush nga shqiptarët nuk ngre procedurë penale për këta minoritarë ekstremistë).

Më tej fjalën e mori i përkëdheluri i Kuvendit të Shqipëri, kryetari i partisë së PBDNJ Vangjel Dule i cili foli për politikën aktuale në Shqipëri dhe prespektivat e minoritetit grek. Vangjel Dule politikisht përfaqëson të gjithë minoritetet në Shqipëri si vllehët, malazezët, sllavo-maqedonasit, ciganët, egjyptasit, por ky deputet asnjëherë nuk ka përmendur të drejtat e këtyre dhe asnjëherë nuk ka marrë pjesë në aktivitetet e kulturore që organizojnë këta.

Mbrëmjen muzikore e përshëndetën përfaqësues të dorës së dytë të partisë PASOK, Demokracisë së Re dhe të qeverisë greke. Një përshëndetje bëri edhe i dërguari i Mitropolitit të Konicës-Pogonit si dhe njëkohësisht kryetar i organizatës ekstremiste SFEVA, që lufton për Autonominë e Vorio Epirit mitropolit Andrea. Duhet thënë se selia e Mitropolitisë së Konicës hapët zhvillon aktivitete prej 50 vitesh për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Ky institucion shtetëror fetare propagandon dhe punon për nxitjen e një lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Aktivitetin e organizuar OMONIA e Vasilis Bollanos dhe të partisë PBDNJ të Vangjel Dule u bojkotuaa nga shoqata e Vorio Epirit që e drejton Harallambos Karathanos, shoqata Vorio Epiriote Pirro, shoqatat e vllehëve, partia e Kristaq Kiços MEGA, Panajot Barka, Spiro Ksera, Theofan Kalivioti etj. Të cilët njihen si aktivistë ekstremistë të ngjarjeve përkujtimore që lidhen me Autonominë e Vorio Epirit.

Kohëve të fundit shihen aktivitete që kërkojnë shpalljen e Autonomisë duke provokuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtyre zërave u shtohet edhe propozimi i Pirro Dhimës për kandidat për deputet me partinë Demokracia e Re për të përfaqësuar Vorio Epirin në Kuvendin e Greqisë. Pirro Dhima ka si kundër kandidat për deputet brenda zgjedhjeve në Demokracinë e Re Harallambos Kararthanos, i cili disa hera ka ndërruar flamujt e partive për të arritur qëllimet e tij karrieriste.

 

 

Foto e parrullës,“Vorio Epiri tok greke, nuk e shesim nuk e harrojmë”, 11.3.2012.

 

Vangjel Dule duke përshëndetur aktivitetin , 11.3.2012.